Kjo është juria profesionale e edicionit të pestë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë hapur thirrjen për edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e rijnë dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. 

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, Ag Apolloni dhe Dren Abazi.

KultStrofa, konkursi i cili ndër vite ka sjell prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, njëherit themeluesja e KultPlus, është shprehur se “KultStrofa” është një prej konkurseve më serioze dhe më të vlerësuara të poezisë, andaj janë kujdesur që edhe këtë vit të sjellin një edicion që e dëshmon këtë gjë.

“KultStrofa vazhdon të jetë një prej konkurseve më prestigjioze dhe më serioze sa i përket poezisë. Kështu kanë vlerësuar shumë poetë të njohur për këtë konkurs, e këtë e dëshmon edhe prurja e shumë poezive në edicionet paraprake. Poashtu këtë konkurs e bën të veçantë edhe përzgjedhja e jurisë profesionale, ku çdo vit kemi pas kujdes të përzgjedhim emra të njohur të botës letrare. Edhe këtë vit kemi emra të fuqishëm të letërsisë dhe një prej tekstshkruesve më të dashur për publikun”, shprehet Pajaziti.

Njoftojmë që konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e rijnë dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Pajaziti ka bërë të ditur gjithashtu se  në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë www.kultplus.com.

Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 20 nëntor 2022. / KultPlus.com

KultPlus në përgatitje të edicionit të pestë të “Ta zbardhi ftyrën”

Foto: Nga edicioni i fundit i mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus ka nisur përgatitjet për të sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Edhe ky edicion pritet të jetë tejet special me një figurë të rëndësishme të artit shqiptar që na bën çdo ditë krenar me paraqitjet e tij në skenat ndërkombëtare.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar se tashmë është konfirmuar edhe artisti i këtij edicioni.

“Pas katër edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit do të sjellim një artist shqiptar që po vlerësohet shumë. Tashmë e kemi të konfirmuar artistin por që për arsye të brendshme ende nuk ka ardhur koha për ta zbuluar emrin. Ajo çka mund të them tani, është që ju pret një mbrëmje speciale me një zë të fuqishëm që do të ju dhurojë emocione të forta”, thotë Pajaziti.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Gioranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me artistin e këtij edicioni ku do të ketë një diskutim të hapur me audiencën dhe performancë para publikut me një repertor të përzgjedhur.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com

Vjen edicioni i pestë i ‘Flea Market’

Të premten me fillim nga ora 11:00, në Dit’ e Nat’, nis edicioni i 5-të i ‘Flea Market’, shkruan KultPlus.

Si edicionet e kaluara edhe këtë edicion ‘Flea Market’, do të mbahet përgjatë tri ditëve, të premten, të shtunën dhe të dielën ndërsa këtë herë sjellë inspirimin nga Franca. E poashtu përpos rrobave nga marka të ndryshme në ‘Flea Market’ do të ketë edhe muzikë, pije dhe ushqim.

“Parisi ka qenë në krye të listave tona kohët e fundit: si një vend për me e vizitu patjetër këtë vit, një vend për me e përjetu ‘dashninë në shikim të parë’, vend për me jetu forever & ever dhe definitivisht për me u inspiru për modë rregullisht.
Për shkak që kemi qenë super të inspirume me stilin francez kohëve të fundit, përmes Flea Market tonë të 5-të po dojmë me i nda këto ndejnja edhe me juve. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që krejtë teshat tona kanë me qenë nga dizajnerë të njohur francez, ose që janë ble në Francë. Mirëpo, ju tregojmë sekretin se si me e arritë atë qëndrim francez qe shpesh interpretohet si i natyrshëm & chic”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

‘Flea Market’ nis të premten më 13 tetor nga ora 11:00 e deri në 18:00, ndërkaq të shtunën dhe të dielën hapet në orën 10:00 dhe mbyllet në orën 19:00./ KultPlus.com