Ekspozitë qeramike në Galerinë e Artit në Tiranë

 Në Galerinë e Arteve të Tiranës (GAT) u çel ekspozita e skulptores Mira Kuçuku.

Ekspozita vjen me punime të larmishme, të cilat kanë mbushur sallat e GAT-it.

Mira Kuçuku nuk i ka vënë një emër ekspozitës, e cila është një përmbledhje e punimeve të viteve të fundit, por e quan thjeshtë “Qeramika e Mirës”, duke ia kushtuar atë 3 mbesave të saj.

“Për mua është ekspozita e parë private në vend, pas disa ekspozitave të tilla në Paris, Bordo, Holandë, Danimarke, Venecia e Prishtinë”, tha Mira Kuçuku për ATSH-në.

Teknika që mbizotëron në krijimet e Mirës është teknika japoneze “raku”, me të cilën është njohur jashtë vendit.

Ardian Devolli, kuratori i ekspozitës, shprehet se, “kemi të bëjmë me një artiste që spikat për nga origjinaliteti, forca krijuese, njohja e teknikave të qeramikës, teknologjisë së materialit etj”.

Vetë artistja e sheh qeramikën si grua: “Në përkëdheljet me zjarrin përvëlues, ajo forcohet dhe të befason, me të papriturat e saj, si një grua tekanjoze dhe kthehet më e bukur dhe vezulluese”.

Ekspozita “Qeramika e Mirës” do të qëndrojë e hapur për publikun, në Galerinë GAT, deri më 30 prill./atsh/KultPlus.com

Piktori shqiptar hap ekspozitën “Impresionet shqiptare” në Vjenë

Ursula dhe Franz Pfeiffer nga Shoqata „kunst-projekte“ organizuan hapjen e ekspozitës të piktorit Gazmend Freitag me temën „Impresionet Shqiptare“ në ambientet e „Osteria Allora“ në Vjenë.

Piktori Gazmend Freitag, që jeton dhe vepron në Linz, është pa dyshim një nga artistët më aktivë shqiptarë, ekspozita e të cilit u hap këtë mbrëmje nga Ursula Pfeiffer në cilësinë e saj si kuratore.

Ajo foli për karrierën e piktorit, duke theksuar stilin e tij të veçantë dhe veprat e tij me motive nga atdheu i tij dhe ato nga moderniteti. Ajo gjithashtu prezantoi një përshkrim të shkurtër historik të kombit shqiptar që nga pavarësia e Shqipërisë. Në koherencë më këtë asaj edhe i kishte lindur ideja për titullin e ekspozitës “Impresionet Shqiptare”. Më pas ajo referoi disa citime nga shtypi dhe kritikat e shprehura lidhur me piktorin.

Në vazhdim edhe zonja Elisabeth Birngruber, piktore e pianiste, dikur bashkëstudente e Gazmendit në kursin universitar “vizatim akti” në Universitetin e Artit në Linz, i dha homazhe punës së kolegut të saj. Freitag vetë, shtoi: „Këtu janë të ekspozuara 14 vepra, piktura në vaj dhe grafika, kryesisht me motive shqiptare“.

Përkthyer nga gjermanishtja: Mag. Valbona Reinmüller/ KultPlus.com