“Bëje ose Vdis”, në Tiranë hapet ekspozita kushtuar Ukshin Hotit

Në Kalanë e Tiranës u hap sot ekspozita me titull “Bëje ose Vdis”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit.

Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ku janë pasqyruar fotografi familjare, fotografi nga arsimi që ka kryer, shkrime gazetash dhe revistash, letra të Ukshin Hotit nga burgu si dhe vlerësimet e intelektualëve dhe personaliteteve të rëndësishme për veprimtarinë e tij, etj.

Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin Administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani, Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, të afërm dhe i biri i Ukshin Hotit.

Në fjalën e tij Zyberaj vlerësoi shumë figurën e Ukshin Hotit dhe tha se personaliteti i tij është shumë dimensional.

“Ka qenë publicist, pedagog, drejtues i Institucioneve më të larta, themluesi i Ministrisë për Punët e Jashtme të Kosovës në vitet 70 dhe më pas ka qenë dhe i burgosur politik disa herë. Ekspozita mban titullin Bëje ose Vdis, titull ky i marrë nga një punim i Uklshin Hotit i vitit 1992 me këtë titull”– tha Zyberaj.

Ndërkaq drejtori i Arkivave, Ardit Bido tha se figura e Ukshin Hotit është një figurë madhore bashkëkohore shqiptare.

“Figura e Ukshin Hotit duhet njohur më shumë nga rëndësia e tij pasi profilin e tij intelektual dhe politik e krijoi duke ruajtur të njëjtat standarde të ideologjisë shqiptare”– tha Bido.

Kjo ekspozitë do të qëndroj hapur në Kalanë e Tiranës deri në datën 18 korrik. / atvlive.tv / KultPlus.com

Hapen ekspozita me fotografi për nder të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet

Në kuadër të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë së Tiranës janë ekspozuar për publikun 60 fotografi të vjetra nga Arkiva Qendrore e Shtetit, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase.

Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”  të pranishëm ishin Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave; Andi Seferi, Zv/Kryetar i Bashkisë Tiranë; Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë; Mirela Bogdani, kryetare e Shoq. Tirana Intellectum.

Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.

“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Bido.

Në fjalën e tyre Klodiana Toptani dhe Andi Seferi theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë.

Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum” tha se, “shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotiografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm  një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike. /ata/ KultPlus.com

Pas ekspozitës për Mbretëreshën Geraldinë edhe një shtatore në Tiranë

Jeta edhe veprimtaria sociale e Mbretëreshës Geraldinë paraqitet për publikun në ekspozitën fotografike, “Trëndafili i bardhë – Geraldinë” në Muzeun Historik Kombëtar.

Në 30 dhjetor të vitit 1937, kontesha Geraldinë, e cila njihej si Trëndafil i bardh mbërriti në Tiranë. Në 31 dhjetor u prit në Pallatin Mbretëror aty ku edhe u takua me mbretin Zog, që i propozoi për martesë. Parlamenti miratoi kërkesën, edhe pas këtij miratimi, me një dekret mbretërore, kontesha Geraldinë u ngjit në radhët e princeshës së Shqipërisë. Ajo u mor me administrimin e pallatit mbretëror në Tiranë edhe u kushtonte shumë vëmendje kushteve të higjienës së shqiptarëve edhe emancipimit të gruas shqiptare tregon, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili gjatë fjalës së tij të mirëseardhjes ndali tek letra, që shkrimtari Ismail Kadare i ka dërguar mbretëreshës Geraldinë më 12 mars 2002, ku mes të tjerësh shkruan se: “Konteshë e re, e ardhur nga qendra e Europës, për t’u bërë Mbretëreshë e shqiptarëve, ju treguat për ta një përkushtim e devocion mallëngjyes, që e kanë shembullin e rrallë në këtë shekull. Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”, shprehet Koçi, i cili më tej shton se: “Mbretëresha Geraldinë pati një atdhe të lindjes, Hungarinë dhe një atdhe të jetës, Shqipërinë.

Ajo e deshi aq shumë këtë vend, saqë pas 60 vjetësh në mërgim, vitet e fundit vendosi t‘i kalonte në Shqipëri”.

Schöberl Márton, sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Hungari, teksa foli për mbështetjen që Hungaria u jep shteteve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin në BE, shprehet se, së shpejti do të ketë edhe një shtatore në nderim të mbretëreshës

 “Ne kemi një vëmendje të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi një vëmendje të në linjën e integrimit të shteteve tuaja në Bashkimin Europian. Për këtë arsye jemi duke e përkrahur integrimin në BE, me mjete të lehta. Marrëdhënia e shkëlqyer mes dy shteteve daton që në kohën e hershme të shekullit të XV, me emra të rëndësishëm, si Skënderbeu edhe figura të tjera historike, që ndihmuan në luftën ndaj pushtimit otoman. Një tjetër dëshmi e këtij fakti është edhe mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha Geraldinë e martuar me mbretin Zog, edhe pas periudhës që u largua nga Shqipëria nuk e harroi Shqipërinë, por e mbajti gjithmonë në zemrën e saj. Në nder të këtij momenti do të dhurohet një statujë për Bashkinë e Tiranës”, thotë Schöberl Márton.

Edhe Princ Leka, pasardhësi i familjes mbretërore, shprehu entuziazmin e tij, për këtë ekspozitë fotografike

“Jam vërtet shumë mirënjohës. Gjyshja ime ka mbajt gjithmonë në zemër Hungarinë edhe Shqipërinë gjatë gjithë jetës së saj, gjatë ekzilit. Me gjithë vështirësitë që pati ajo diti të vlerësonte të mirën edhe vetëm me dashuri. Shpesh ndodh që historia na përçan më shumë sesa na bashkon. Është një nder për kombin, kur kemi figura të vlerësuara nga të gjithë. Edhe mbretëresha Geraldinë është një prej tyre”.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com