Sot shënohet 106 vjetori i lindjes së Mbretëreshës Geraldinë

Sot është ditëlindja e Mbretëreshës Geraldinë Apponyi – Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony.

Kontesha nga Hungaria, lindi në Budapest më 6 gusht 1915, në vitet kur kishte nisur “perëndimi” i Perandorisë Austro-Hungareze.

Ajo jetoi dhe u edukua siç kërkonte tradita deri në vitin 1937 kur u prezantua si nusja e ardhshme e Mbretit Zog.

Kontesha fitoi menjëherë zemrën e Mbretit të Shqiptarëve me të cilin një vit më vonë do të martohej dhe prej atij momenti deri në vdekjen e saj ajo u quajt Mbretëresha Geraldinë, Mbretëresha e shqiptarëve.

Qëndrimi i saj i shkurtër në Shqipëri nuk e ndaloi të merrej me filantropi dhe në ndihmë të të pamundurve, forcimin e vlerave familjare dhe morale.

U largua nga Shqipëria në vitin 1939 si Mbretëreshë, qëndroi pranë Mbretit deri sa ai vdiq, për ta vazhduar ajo mbajtjen “ndezur” të oxhakut të familjes mbretërore shqiptare deri sa mbylli sytë në Tiranë, në vitin 2002, në moshën 87 vjeçare. / KultPlus.com

Fotografia e rrallë e Mbretëreshës Geraldinë në Amerikë me artisten e famshme Marianne Ostier

Nga Aurenc Bebja

“Opera News” ka botuar, me 12 janar 1959, në faqen n°4, një fotografi të rrallë të mbretëreshës Geraldinë në Amerikë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë vizitoi Amerikën për herë të parë në dhjetor si e ftuara e Marianne Ostier, artistja e famshme e përpunimit dhe dizajnimit të bizhuve, e cila ka realizuar tre kurora për të.

Znj. Ostier e nderoi atë me një darkë në Sherry’s duke i paraprirë kështu shfaqjes “Les Contes d’Hoffmann – Përrallat e Hoffmann-it”.

https://www.darsiani.com/la-gazette/opera-news-1959-nje-fotografi-e-rralle-e-mbretereshes-geraldine-ne-amerike-me-artisten-e-famshme-te-perpunimit-dhe-dizajnimit-te-bizhuve-marianne-ostier/ / KultPlus.com

‘Life’: Suveniret e Geraldinës, fotografia ekskluzive e Mbretëreshës së shqiptarëve në Norvegji

Nga Aurenc Bebja

“Life” ka botuar, në muajin korrik 1939, një fotografi të rrallë të mbretëreshës Geraldinë duke bërë pazar në Norvegji, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Suveniret e Geraldinës

 Zotërinj:

Gjatë qëndrimit të tyre të fundit në Norvegji, ish-mbreti dhe mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë janë parë shpesh në publik.

 Ish-Mbretëresha Geraldinë është shumë e dhënë për të bërë pazar. Megjithë bagazhet e shumta që ajo solli nga Tirana, iu deshën 25 të tjera për të marrë suveniret që ajo bleu në Suedi dhe Norvegji.

 Gjatë një udhëtimi me motor në Norvegji, ajo u ndal buzë rrugës për blerë disa pantofla të bëra prej lëkure fokash, të zbukuruara me lepur të bardhë.

 Unë shkrepa këtë fotografi të saj duke bërë pazar.

Henning Sinding-Larsen
Oslo, Norvegji

https://www.darsiani.com/la-gazette/life-1939-suveniret-e-geraldines-fotografia-ekskluzive-e-mbretereshes-se-shqiptareve-ne-norvegji/

‘Hoqa nga gishti unazën që im shoq e kishte blerë te Cartier, kisha nevojë për para për varrin e Mbretit’

Kur u ktheva në Paris përjetova një prej përvojave më të dhimbshme të jetës sime.

Vendosa të lija peng unazën e fejesës me diamantin blu prej katërmbëdhjetë karatësh. Kisha nevojë për para për varrin e Mbretit. Në llogarinë bankare kishin mbetur vetëm treqind franga dhe doja të ngrija një monument mbi varrin e Mbretit, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë.

Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet, teksa qëndroja ulur në zyrat e Mont de Pieté. Nuk ishte momenti për të derdhur lot. Me një shprehje dashamirësie në fytyrë, gruaja më këshilloi ta shisja unazën menjëherë dhe kështu bëra, madje, me një çmim të mirë.

Im bir pati mundësinë ta mbante nën vëzhgim për disa vite, pasi shpresonte se një ditë do ishte në gjendje të ma riblinte. Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë.”

(marre nga libri “Geraldina e shqiptarëve” i autores angleze Gwen Robyns.)

Në foto: Geraldina -Trendafili i Bardhe i Budapestit dhe Mbreteresha fatkeqe e Shqiptarëve. /KultPlus.com

Kurorëzimi i Mbretëreshës Geraldinë me Mbretin Zog

Më 26 janar të vitit 1938, të gjitha gazetat e Budapestit njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi, pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeç.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin.

Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.

Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldina e kishin pëlqyer njëri-tjetrin.

Geraldina ishte takuar me mbretin Zog, në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh, çifti u fejua. E njohur si “Trëndafili i bardhë” i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror, si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund, ndau fatin me të shoqin, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së mbretit Zog, Geraldina preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002. /konica/ KultPlus.com

Kur mbretëresha Geraldinë kërkonte 500 mijë franga dëmshpërblim për shpifje ndaj mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 shtatorit 1963, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me procesin gjyqësor të mbretëreshës Geraldinë ndaj revistës franceze “L’Histoire pour tous”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Geraldina e Shqipërisë kërkon këtë shumë nga një revistë e cila akuzon Zogun I se “ka marrë rezervat e arit nga thesari i shtetit” gjatë pushtimit italian.

 500.000 franga për nderin e një mbreti 

Në gjyqin “historik” i cili është thirrur këtë pasdite, përpara dhomës së 17-të korrektuese, avokati Jean-Louis Aujol mbron, sipas traditës së mirë, të venë dhe jetimin.

 Por kjo e ve dhe ky jetim janë një mbretëreshë dhe një bir mbreti. Geraldina e Shqipërisë ka hedhur në gjyq revistën mujore “L’Histoire pour tous”, të cilën e akuzon se ka shpifur mbi memorjen e burrit të saj, Zogut të Parë.

Një artikull i Jo (Joseph) Tranchal-it, i cili u botua në numrin e qershorit 1962, i ka bërë vërejtje ish-mbretit për faktin se, kur ai u dëbua nga froni i tij në 6 Prill 1939, nga pushtimi italian, “lejoi të flijoheshin tre batalione të ushtrisë së tij” dhe “mori me vete rezervat e arit të thesarit të Shtetit”.

 Guximtar

 Sovrania kërkon 500,000 franga dëmshpërblim.

 U prita nga ajo, natën e kaluar, në vendbanimin e saj parisien që ajo ka mbajtur. Ajo po mbërrinte nga Madridi, ku është vendbanimi i saj.

Geraldina e Shqipërisë i ngjan legjendës së saj : shumë e gjatë, shumë e bukur, bjonde me sy të mëdhenj gri dhe një buzëqeshje me “gropëzat” në faqe. Ajo është veshur e gjitha me të zeza : u bënë dy vite që kur mbreti Zog vdiq.

 “— Burri im, më tha ajo, ishte një burrë trim dhe një njeri me nder. Akuza të tilla janë të pamundura ! Unë thirra si dëshmitar ish-ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Hugh Grant, burra shteti francezë dhe ish-oficerë të burrit tim.

 Ne u detyruam të largoheshim sepse Zogu refuzoi të shiste vendin e tij te Musolini. Unë u largova nga Tirana nën bombat italiane, duke mbajtur në krahë djalin tim, Lekën, i cili lindi një ditë më parë, më 5 Prill…”

 “— Unë i besoj drejtësisë, më tha kundërshtari i mbretëreshës, z. Jean Eldin, drejtori-menaxhues i “L’Histoire pour tous – Historia për të gjithë” : Revista ime boton vetëm artikuj të kontrolluar me burimet më të mira.

 Emri i drejtorit të saj letrar, Alain Decaux, është garancia më e sigurtë e seriozitetit të kërkimeve tona. Në këtë artikull, ne jemi kufizuar në bërjen e historisë. Avokatët e mi, Gabriel Delattre dhe Jean – Edouard Bloch, do të prodhojnë dokumente të pakundërshtueshme, përfshirë një tekst nga akademiku Jérôme Tharaud.”

 Jean-Paul LACROIX

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1963-kur-mbreteresha-geraldine-kerkonte-500-000-franga-demshperblim-ndaj-revistes-l-histoire-pour-tous-per-shpifjen-ndaj-mbretit-zog/

Intervista ekskluzive e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 18 gushtit 1955, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Zog i Shqipërisë ëndërron të rimarrë fronin e tij

Në vilën e tyre në Kanë, Madhëria e Tij Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha gjen sërish rininë e saj këtu : ajo u rrit në Nisë. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Côte d’Azur
Në një vilë të vjetër në Kanë
(Nga korrespondenti ynë Francis RICO.)

Një vilë me mure ngjyrë gri, të çara, kopshti i harlisur i së cilës nuk është mirëmbajtur prej kohësh : këtu qëndron mbreti Zog i Shqipërisë, i cili sapo ka mbërritur në Kanë me mbretëreshën Geraldinë.

 E ndërtuar në vitin 1900 gjatë kohës së “Dukave të Mëdhenj”, me një luks të frëngjive prej llaçi, shtëpia, pavarësisht sallonit së saj të madh të jetesës me tavan të pikturuar, është e trishtë dhe mban erën karakteristike të shtëpive të vjetra të pabanuara.

Para derës, të ulur në rreth, në kolltukët e kohës së Mbretëreshës Victoria, disa burra të gjatë, besnikët e fundit të sovranit të rrëzuar nga froni, bisedojnë në pritje të ditëve më të mira.

Ata flasin me njëri-tjetrin me zë të ulët, ose përdorin tespihe të bëra nga rruaza të mëdha me ngjyra.

 Kush janë ata ? Ish-zyrtarë të lartë, oficerë, magjistratë, të humbur në anonimitetin e xhaketës (kostumit) evropiane…

 Ata ruajnë mbretin që rrallë e shohin, vëzhgojnë daljen e mbretëreshës ose të princeshave, motrave të Zogut, vëzhgojnë lëvizjet e të madhit, Leka Skënderbeut, i cili ecën në fund të parkut ndërsa shikon majat e selvive.

 Përreth, Kana shkëlqen plot shëndet. Vilat, me qepenet e hapura, shfaqin pamjen e pushimeve, të gëzimit, diellit, pasurisë.

 Në sfond, deti është i mbushur me varka me vela ose i shqyer nga skiatorët detarë.

 Nga dritarja e sallonit të madh shohim çatitë e pallateve (vilave) të mbuluara me flamuj që valëviten nga era dhe Palm Beach Casino shfaq arkitekturën e saj të çuditshme orientale si një xhami e humbur në brigjet e largëta të Mesdheut.

 Mbreti më priti në orën e premtuar. Ai është ulur në një divan të madh që e bën më të hollë figurën e tij të dobësuar. Zog I ngrihet për të më dhënë dorën.

 “— Jam i lumtur, tha ai, që po pres një francez. Ne e duam aq shumë Francën, e cila na ka dashur aq shumë.”

 Sekretari i tij privat shtrin një tabaka me cigare “bjonde” të Régie française. Zog I, i cili vazhdon të pijë duhan pavarësisht ndalimit nga mjekët e tij, ndez një cigare tjetër fill pas asaj që sapo mbaroi. Nuk e kisha parë që nga një intervistë që ai më dha në vitin 1939 në Versajë, ku ishte strehuar pas pushtimi të Tiranës nga Musolini.

 “— Lartmadhëri, më në fund, u mor haku juaj ndaj italianëve ?”

 Një buzëqeshje e zbehtë nën mustaqet e tij të famshme si një oficer kalorësie ballkanike.

 “— Plot ngjarje që atëherë, psherëtiu ai. Pashkët e vitit 1939 ishin fillimi i luftës botërore. Por si mund ta dinim ?”

Një mbretëreshë e buzëqeshur

 Mbretëresha Geraldinë shfaqet me një fustan të freskët, modest dhe pranveror; një gjerdan margaritar i imët për çdo stoli. Ajo është e gjatë, e hollë, e qeshur. Papritmas, salloni i vjetër ndriçon.

Ajo flet frëngjisht hyjnisht me një theks këndues. Ajo është me origjinë hungareze. Por ka udhëtuar kaq shumë! 

“— Unë gjej këtu rininë time, thotë ajo, në këtë vend kaq blu dhe kaq të bukur. A e dini se kam studiuar në liceun e Nisës dhe në një shkollë angleze ?”

 Ndërsa e pyes nëse i pëlqen të dalë, të shohë koleksione, të shkojë në kazino, buzëqeshja e saj ngrin :

 “— Mbreti është i sëmurë; Ai ka nevojë për pushim, përgjigjet ajo. Çfarë do të bëj vetëm, në një gala ? Çfarë do të bëja pa të ?”

 Zogu e shikon me butësi. Ai rrëshqet dorën e tij mbi të sajën. Buzët e tij pëshpëritin një falënderim.

 “— Unë duhet të shkoj në Paris, vazhdon ai, të konsultohem me autoritetet tuaja mjekësore. Shëndeti im është i brishtë dhe duhet të kursej veten time, sepse do të doja të përkushtoja pjesën tjetër të forcës time në shpëtimin e vendit tim.”

 “— Lartmadhëri, a mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri ?”

 Fytyra e tij ngrihet. Toni i zërit të tij ngurtësohet. Sekretari më në fund e përkthen përgjigjen.

 “— Nëse fuqitë e mëdha bien dakord për ribashkimin e Gjermanisë, deklaron mbreti, atëherë do të vijë dita kur disa shtete do të thirren të shpallin, nëpërmjet plebishiteve të lira, qëllimet dhe dëshirat e tyre për qeveri. Shqipëria si të tjerët do të jetë në gjendje të shprehë vullnetin e saj.”

 Dëgjojmë këmbanën e një kapele (kishe) aty pranë që na jep sinjalin se është ora dymbëdhjetë e mesditës. Dielli është tashmë në pikun e tij. Geraldina përkulet për të parë “Croisette-n” të mbushur plot me njerëz. Është kënaqësi të qëndrosh nën hijen e freskët. Mbretëresha merr dorën e mbretit dhe të dy hyjnë në kopsht, midis dafinave dhe trëndafilave.

 “— Ditë të mbarë, zotëri !”, tha Zogu I, duke ndezur një cigare tjetër.

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1955-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-vilen-e-tyre-ne-kane-qellimet-e-mbretit-dhe-kujdesi-i-geraldines-per-shendetin-e-tij/

Le jour 1938: Ejani të vizitoni ekspozitën dedikuar vendit piktoresk dhe magjik të mbretëreshës Geraldinë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 8 Gusht 2020

“Le Jour” ka botuar, të premten e 29 prillit 1938, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me ekspozitën e veçantë në Paris dedikuar mbretërisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në mbretërinë e një mbretëreshe të hijshme

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një ekspozitë në “Jour-Echo de Paris”

Ju keni parë të gjithë, këto ditë, fotografitë e panumërta të Mbretit dhe Mbretëreshës së Shqipërisë, Mbretit “Zog I” dhe Mbretëreshës bukuroshe Geraldinë, por askush nuk ju ka treguar vendin e tyre.

Ejani në “Jour-Echo de Paris”, do të shihni të ekspozuara, në sallën tonë të madhe, fotografitë e mrekullueshme të Shqipërisë, të cilave u kemi bashkangjitur për ju disa pamje të Jugosllavisë.

Kështu do të keni para syve tuaj, dhe të realizuar nga artistë, pamjen e mrekullueshme të një vendi piktoresk dhe magjik, i cili tani do të strehojë këtë lumturi romantike të dy qenieve, për të cilat të gjithë duartrokitën. — H. L. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-jour-1938-ejani-te-vizitoni-ekspoziten-dedikuar-vendit-piktoresk-dhe-magjik-te-mbretereshes-se-hijshme-geraldine/?fbclid=IwAR2xDGGmBomgafsRrfC0oU7V29X68iM5MfeZTYFVyCE6XHSzGSmAi13NTdM

Mbretëresha Geraldinë për ‘Paris-Midi’: Dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim

Nga Aurenc Bebja 

“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 “Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë.

Tiranë, 26 Prill.

 Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.

 Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

Ja një riprodhim i kartolinës botuar në Shqipëri me rastin e dasmës mbretërore – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet:

“Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë : dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore : më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri ; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez.” — Aigner.

https://www.darsiani.com/la-gazette/intervista-ekskluzive-e-mbretereshes-geraldine-per-paris-midi-1938-une-deshiroj-te-kujdesem-mbi-te-gjitha-per-grate-dhe-femijet-e-vendit-tim-te-ri/

Në emër të dashurisë, historia e bizhuterive të Mbretëreshës Geraldinë (FOTO)



Nga Avni Dani

Përshkrimi i figurës së Mbretit Zog është ndoshta vizatimi me kontrastet më të thella. Kundërshtarët nuk kanë nguruar ta paraqesin deri edhe si një vrasës të pashpirt, hajdut e çfarë nuk kanë thënë për të. Krejt ndryshe nga ata që e kanë njohur. E mbi të gjithë, siç dhe është e natyrshme, përshkrimet e të afërmëve japin një figurë tejet të dashur. Mes atyre përshkrimeve që e paraqesin Zogun si një fisnik të vërtetë, nuk ngelet më pas, njeriu që e deshi aq shumë atë, Mbretëresha Geraldinë. Me po atë dashuri që Mbreti i bleu xhevahiret e dasmës për nusen e tij të re, Geraldina njëzet vite më pas, po në emër të një dashurie të madhe, bën të kundërtën: i shet ata. Vërtet diçka e rrallë. Në vitin 1959 bizhuteritë e Geraldinës qenë ekspozuar në Paris. Në fotot e bëra në atë kohë bie në sy luksi i tyre. Ishin vërtet diçka me shumë vlerë. Por fisnike siç ishte, në ditën kur Mbreti kishte aq shumë nevojë, asaj nuk iu dhimbsën aspak thesaret e veta të shtrenjta. Një histori që bën me nder Mbretëreshën që jo më kot e kanë quajtur “Trëndafili i Bardhë i Tiranës”, e bardhë ashtu si xhevahirët e saj.

U blenë në emër të dashurisë

Geraldina kujton: “Një mëngjes, kur unë me Mbretin mbaruam së biseduari, ai thirri një nga oficerët, i cili hyri me një tabaka të madhe plot me kuti. I hapëm një e nga një. Në fillim ishte një diademe që vezullonte nga diamantet, me një gur në qendër, ku ishte gdhendur përkrenarja e Skënderbeut. Midis gjerdanëve ishte një lidhëse me një diamant të madh. Unë mbeta pa frymë nga ngazëllimi, kur Mbreti zgjodhi një byzylyk me diamante dhe ma vuri në dorë. Pastaj zgjodhi vathë me një diamant që të kombinoheshin me diademën. Pashë një kuti që kishte një zinxhir prej floriri të bardhë me një kryq me diamante. E kisha të vështirë t’ia ndaja sytë.” Biografja e Geraldinës, vijon rrëfimin e saj: “Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës Channel dhe Worth, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj.” Në mbrëmjen e dasmës ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga Worth, posaçërisht për të. Gishti i unazës vezullonte nga një diamant i mahnitshëm katërmbëdhjetë karatësh ngjyrë bojeqielli të lehtë. Për herë të parë dhe të vetme edhe Mbreti mbante një unazë fejese nga Hungaria, prej floriri, rubini dhe safiri, e cila kishte qenë e gjyshit të Geraldinës, kontit Giula Aponi.

Pas dasmës, një lajm i trishtë

Të shtunën pas dasmës Mbreti vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarë, me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantet dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar). Midis pasagjerëve ishin ministri shqiptar në Romë, gazetarë, që përshkruan martesën dhe amerikania, zonja Helen Lindhein e New-Yorkut.  Geraldina kujton se rrëzimi i avionit ku ishin dhe disa prej dasmorëve, ishte si një shenjë e keqe që ajo nuk e harroi asnjëherë. Ngjante si paralajmërim për lumturinë e tyre të shkurtër në Shqipëri. Shtypi italian raportonte deri në mes të viteve ‘70 se banorët e zonës vijonin të kërkonin në zonën ku u rrëzua avioni për gurët e çmuar të firmës ”Cartier” që po udhëtonin me një valixhe special, por pa sukses.

U shitën në emër të dashurisë

Janar të vitit 1961. Familja Mbretërore me gjithë Mbretin Zog, sipas librit të autores britanike Guen Robyns, nga Kana me tren shkon në Paris. Mbreti Zog ishte shumë i sëmurë. U shtrua në spitalin “Foch” ku gjendej laboratori më i mirë kërkimor në Paris. Geraldina qe e para që mësoi se Mbreti vuante nga kanceri në stomak. Sëmundja kërkonte trajtim special dhe ata kishin fare pak para mënjanë. Atëherë ajo mori një prej vendimeve më të rënda të jetës së saj. Vendosi të shesë stolitë e hershme, përfshi unazën e fejesës, e prodhuar nga firma Cartier me një diamant blu, 14 karatësh. “Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju-Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte ne emrin e Lekës 10 mijë dollarë. Kishim bërë një kontratë në Nju-Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër.” Më 1999, në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Geraldina deklaronte: “Për këdo që i ka blerë, ato përbëjnë një stoli të bukur dhe me vlerë. Per mua ishin më shumë se kaq, ishin fejesa, dashuria dhe jetesa ime me burrin që doja”. 12 vjet pasi Mbretëresha Geraldinë ndërroi jetë, në 2014, unaza e saj u shit në një ankand në Zvicër. Blerësi mbeti anonim ashtu si shuma që ai pagoi, sipas shtypit: disa milion dollarë!

https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/ne-emer-te-dashurise-historia-e-bizhuterive-te-mbretereshes-geraldine-foto/

Pas ekspozitës për Mbretëreshën Geraldinë edhe një shtatore në Tiranë

Jeta edhe veprimtaria sociale e Mbretëreshës Geraldinë paraqitet për publikun në ekspozitën fotografike, “Trëndafili i bardhë – Geraldinë” në Muzeun Historik Kombëtar.

Në 30 dhjetor të vitit 1937, kontesha Geraldinë, e cila njihej si Trëndafil i bardh mbërriti në Tiranë. Në 31 dhjetor u prit në Pallatin Mbretëror aty ku edhe u takua me mbretin Zog, që i propozoi për martesë. Parlamenti miratoi kërkesën, edhe pas këtij miratimi, me një dekret mbretërore, kontesha Geraldinë u ngjit në radhët e princeshës së Shqipërisë. Ajo u mor me administrimin e pallatit mbretëror në Tiranë edhe u kushtonte shumë vëmendje kushteve të higjienës së shqiptarëve edhe emancipimit të gruas shqiptare tregon, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili gjatë fjalës së tij të mirëseardhjes ndali tek letra, që shkrimtari Ismail Kadare i ka dërguar mbretëreshës Geraldinë më 12 mars 2002, ku mes të tjerësh shkruan se: “Konteshë e re, e ardhur nga qendra e Europës, për t’u bërë Mbretëreshë e shqiptarëve, ju treguat për ta një përkushtim e devocion mallëngjyes, që e kanë shembullin e rrallë në këtë shekull. Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”, shprehet Koçi, i cili më tej shton se: “Mbretëresha Geraldinë pati një atdhe të lindjes, Hungarinë dhe një atdhe të jetës, Shqipërinë.

Ajo e deshi aq shumë këtë vend, saqë pas 60 vjetësh në mërgim, vitet e fundit vendosi t‘i kalonte në Shqipëri”.

Schöberl Márton, sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Hungari, teksa foli për mbështetjen që Hungaria u jep shteteve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin në BE, shprehet se, së shpejti do të ketë edhe një shtatore në nderim të mbretëreshës

 “Ne kemi një vëmendje të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi një vëmendje të në linjën e integrimit të shteteve tuaja në Bashkimin Europian. Për këtë arsye jemi duke e përkrahur integrimin në BE, me mjete të lehta. Marrëdhënia e shkëlqyer mes dy shteteve daton që në kohën e hershme të shekullit të XV, me emra të rëndësishëm, si Skënderbeu edhe figura të tjera historike, që ndihmuan në luftën ndaj pushtimit otoman. Një tjetër dëshmi e këtij fakti është edhe mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha Geraldinë e martuar me mbretin Zog, edhe pas periudhës që u largua nga Shqipëria nuk e harroi Shqipërinë, por e mbajti gjithmonë në zemrën e saj. Në nder të këtij momenti do të dhurohet një statujë për Bashkinë e Tiranës”, thotë Schöberl Márton.

Edhe Princ Leka, pasardhësi i familjes mbretërore, shprehu entuziazmin e tij, për këtë ekspozitë fotografike

“Jam vërtet shumë mirënjohës. Gjyshja ime ka mbajt gjithmonë në zemër Hungarinë edhe Shqipërinë gjatë gjithë jetës së saj, gjatë ekzilit. Me gjithë vështirësitë që pati ajo diti të vlerësonte të mirën edhe vetëm me dashuri. Shpesh ndodh që historia na përçan më shumë sesa na bashkon. Është një nder për kombin, kur kemi figura të vlerësuara nga të gjithë. Edhe mbretëresha Geraldinë është një prej tyre”.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Detaje mbi vizitën e Mbretëreshës Geraldinë në qytetin e Orleanit


Nga Aurenc Bebja

“La Dépêche du Berry” ka botuar, të mërkurën e 23 gushtit 1939, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me vizitën e mbretëreshës Geraldinë në qytetin francez të Orleanit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Loiret

Orléans. — Vizita e mbretëreshës Geraldinë.

 “— Të dielën në mbrëmje, orleanasit që ishin në sheshin Martroi kanë vënë re ndoshta, rreth orës 19:15, dy makina të forta të markave të huaja, të regjistruara 936 dhe 939 — T. T. 9 X — që transportonin një duzinë personash. Por pa dyshim, shumë pak e dinin që dy gratë e reja që zbritën për të admiruar bazat e relievit të statujës së Foyatier (Bëhet fjalë për statujën e Zhan D’Arkës) ishin ish-mbretëresha e Shqipërisë dhe një nga motrat e mbretit Zog. Mbretëresha Geraldinë, e cila erdhi nga qyteti  i Bourges-it, kishte mbërritur në Orléans rreth orës 18:40.

Me njerëzit e suitës së saj, ajo vizitoi katedralen, më pas bëri një ndalesë në sheshin Martroi. Ndërsa doli nga makina, ajo vuri një palë syze të errëta. Por kjo masë paraprake ishte e panevojshme; askush nuk dyshoi për praninë e saj në Orléans. Askush përveç policisë, sepse gjatë gjithë qëndrimit të saj në qytetin tonë, ish-sovranja u shoqërua heshturazi nga z. Eigle, komisar i policisë dhe dy inspektorë. Rreth orës 19:20, të dy makinat morën rrugën për në Paris.

https://www.darsiani.com/la-gazette/media-franceze-1939-detaje-mbi-viziten-e-mbretereshes-geraldine-ne-qytetin-e-orleanit/.

Mbretëresha Geraldinë: Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri

Nga Aurenc Bebja

“Paris-Midi” ka botuar, të martën e 26 prillit 1938, në ballinë, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 “Unë dëshiroj të kujdesem mbi të gjitha për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë. 

Tiranë, 26 Prill.

Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, unë u prita nga kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.

 Jashtë, para një turme fëmijësh piktoreskë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.

Ja një riprodhim i kartolinës botuar në Shqipëri me rastin e dasmës mbretërore – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, ushtarë të tjerë qëndronin roje. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.

Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha shfaqet :

“— Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë manifestuar; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti është të shoh se sa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij shumë mirë…

Puna ime e re si mbretëreshë ? Nuk më frikëson aspak, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat tani jam e përgatitur mirë : dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri. Por veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore : më së shumti dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri ; Me pak fjalë, dua të jem për popullin shqiptar, ashtu siç ishte mbretëresha Elizabet për popullin hungarez.” — Aigner

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/intervista-ekskluzive-e-mbretereshes-geraldine-per-paris-midi-1938-une-deshiroj-te-kujdesem-mbi-te-gjitha-per-grate-dhe-femijet-e-vendit-tim-te-ri/.

Mbretëresha Geraldinë: Dje e admirova Shqipërinë, sot e dua atë, nesër shpresoj t’i shërbej asaj

Nga Aurenc Bebja

“Le Petit Parisien” ka botuar, të dielën e 6 shkurtit 1938, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me mbretëreshën Geraldinë dhe përshtypjen e saj për Shqipërinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbrëmje e shkëlqyer në Tiranë në nder të fejuarës së mbretit Zog

Londër, 5 shkurt (dep. P. P.)

Një mesazh i Reuter-it nga Tirana njofton se mbrëmë u mbajt një darkë e shkëlqyer në Pallatin Mbretëror në nder të konteshës Geraldinë Apponyi, të fejuarës së mbretit Zog.

Të gjithë anëtarët e familjeve më të vjetra shqiptare, që ishin ftuar në këtë pritje, u prezantuan me mbretëreshën e ardhshme.

E intervistuar sot mbi përshtypjet e saj, kontesha Geraldinë tha :

– Dje, e admirova Shqipërinë; sot, e dua atë; nesër, shpresoj që t’i shërbej asaj.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/le-petit-parisien-1938-mbreteresha-geraldine-dje-e-admirova-shqiperine-sot-e-dua-ate-neser-shpresoj-qe-t-i-sherbej-asaj/. KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë: Do të të dua përgjithmonë, por ti je mysliman dhe unë katolike (FOTO)

Nga Ilir Ikonomi

Geraldina 22-vjeçare arriti në Shqipëri në fund të vitit 1937 dhe pas një njohjeje të shkurtër me Mbretin Zog, ditën e vitit të ri ai e pyeti:

– A thua se mund të më duash përgjithmonë, pavarësisht çfarë ndodh në jetën tonë?

– Po unë të dua tashmë, – u përgjigj ajo.

Pastaj ata folën për dallimet e tyre fetare.

– Unë do të të dua përgjithmonë, – tha Geraldina, – por ti je mysliman dhe unë katolike. Si do ta rregullojmë këtë punë? Asgjë në botë nuk mund të më detyrojë mua ta ndryshoj fenë. Ashtu siç shohim hënën dhe diellin, ashtu edhe unë kam fenë time dhe nuk mund ta ndryshoj.

Mbreti qeshi:

– Edhe unë e kam menduar këtë dhe nuk bëhet fjalë që ti të ndryshosh fenë. Ne jemi myslimanë europianë dhe unë kam shumë respekt për kishën tuaj. Falë Kishës Katolike dhe manastireve në Shqipëri ne ia arritëm ta mbajmë gjallë gjuhën tonë. Nën Perandorinë Osmane ishte e ndaluar të flisje shqip, vetëm turqishtja lejohej. Por nëpër manastire ishte ndryshe, prandaj ne u kemi atyre një borxh të madh që e mbajtën gjallë gjuhën tonë. A dëshiron ta mësosh shqipen?

– Më jep një mësues qysh nesër, – tha Geraldina.

(Nga libri i Gwen Robyns “Geraldine of the Albanians”)

Kur 5 prilli i vitit 1939 u shpall festë kombëtare në Shqipëri

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të premten e 7 prillit 1939, në faqen n°2, lajmin e lindjes së princit trashëgimtar të shqiptarëve, Leka Zogu.

Blogeri Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell, për lexuesin shqiptar, detajet e asaj dite tepër të veçantë për Mbretin Zog dhe Mbretëreshën Geraldinë :

Shqipëri
Lindja e princit trashëgimtar
Telegram nga Tirana:

“Mbretëresha Geraldinë, të mërkurën në mëngjes, në orën 3:30, solli në jetë princin trashëgimtar.
Mbreti Zog i dërgoi popullit një mesazh të bashkënënshkruar nga presidenti i këshillit dhe nga të gjithë anëtarët e qeverisë.
Stacioni i Radio Tiranës njoftoi të gjithë Shqipërinë për lajmin e lumtur, pastaj transmetoi himne patriotike dhe këngë popullore.
Në orën 8:30, prefekti i kryeqytetit mbajti një fjalim shumë të duartrokitur, i cili u pasua nga gëzime patriotike.
Në të gjithë qytetin dëgjoheshin himne patriotike, të kënduara me entuziazëm nga populli i tërë. Ky i fundit, kaloi pikat e kontrollit, hyri në rezidencën mbretërore për të kërkuar mbretin. Mbreti Zog u shfaq në ballkon, i emocionuar nga ky manifestim spontan i turmës.
Mbreti, i rrethuar nga familja mbretërore, priti pastaj presidentin e këshillit dhe anëtarët e qeverisë, si dhe një delegacion parlamentar, i cili erdhi t’i paraqesë atij urimet e kombit.
5 prilli u shpall festë kombëtare”./ KultPlus.com

“Trëndafili i Tiranës”, dokumentari francez kushtuar mbretëreshës Geraldinë (FOTO)

Televizioni njohur evropian, ARTE (kanali francez) do të transmetojë, më 2 janar 2018 në orën 22:50 një dokumentar (1 orë e 18 minuta) kushtuar Mbretëreshës Geraldinë. Dokumentari është realizuar nga Frederik Miterrrand.

Mbretëresha e Tiranës

Përmes fatit të jashtëzakonshëm të një gruaje të re hungareze, e cila u bë mbretëreshë e Shqipërisë në vitin 1938, Frederik Mitterrand rrëfen një shekull të historisë së munduar të këtij vendi të vogël të Ballkanit. “Trëndafili i Tiranës”, një dokumentar nga Frederic Mitterrand për të zbuluar në televizonin “Arte”.

Trëndafili i Tiranës

Asgjë nuk ia paracaktoi që të martohej me një mbret. Vajza e një konti të varfër hungarez dhe një amerikaneje, Geraldine Apponyi i Nagy-Appony ishte vetëm pesë vjeç kur, në fund të Luftës së Parë Botërore, perandoria austro-hungareze u shpërbë. Familja e saj u vendos atëherë në Zvicër dhe më pas në Menton në vitin 1924, me vdekjen e babait të saj. E rimartuar me një oficer francez, nëna e saj e dërgoi atë për të përfunduar arsimin e saj në një shkollë me konvikt të Austrisë. Në kthimin e saj në Budapest, Geraldina shet suvenire në dyqanin e Muzeut Kombëtar. Por në gjatë një balloje ku vajza e re ishte ftuar në vitin 1938, bukuria e saj bëri një përshtypje të madhe. E publikuar nga një revistë, fotografia e saj, e marrë gjatë mbrëmjes, tërhoqi vëmendjen e motrave të Zogut I, mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë që nga viti 1928. Beqar i besimit mysliman, monarku, i cili në moshën 43 vjeçare ndihej i dëshpëruar pasi donte të linte një trashëgimtar, e ftoi Geraldinn për të zbuluar vendin e tij. Edhe pse i ndanin njëzet vite nga njëri-tjetri, dashuria me shikim të parë ishte e menjëhershme …

Géraldine Apponyi, née comtesse Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy Appony, le 6 août 1915 à Budapest et morte le 22 octobre 2002 à Tirana, a été reine consort d’Albanie entre 1938-1939, par son mariage avec le roi Zog Ier.

Nëpërmjet fatit romantik të Géraldine d’Apponyi, e quajtur “Trëndafili i bardhë i Tiranës”, është historia torturuese, por gjithashtu e panjohur e një Shqipërie që rrëfen në përrallat magjepsëse nga ana e Frederik Mitterand. I ushqyer nga arkivat e befasishme dhe një intervistë me princin e kurorës Leka II, nipi i çiftit mbretëror, filmi i tij ndërthur romancë dhe tërmetet politike, diplomatike dhe ushtarake, nga emancipimi i nga tutela osmane në fillim të shekullit të njëzetë dhe deri në rënia e një prej diktaturave më represive komuniste në Evropë nën zgjedhën e Enver Hoxhës, duke kaluar nëpërmjet aneksimit të vendit nga Musolini në vitin 1939. Zogu I, ai vdiq në 1961 në Francë, pa e riparë më pallatin e tij në Durrës, tashmë në rrënojë, kurse Geraldina, në vitin 2002, vetëm disa muaj pasi kishte ri gjetur Tiranën, vendin e saj të adoptuar, pas një mërgimi prej gjashtëdhjetë e tre vjetësh.

La reine Géradine d’Albanie et son fils Leka

Intervista me Frederik Miterrrand

Pas dokumentarit tuaj mbi Sheikun Zayed (transmetuar në ARTE në vitin 2015), përse ky portret i Geraldinës së Shqipërisë, ajo ishte mbretëreshë më pak se një vit?

Frédéric Mitterrand: E takova në vitin 1989, për emisionin “Du côté de chez Fred”. Ajo më intrigoi: si shpjegohej që një grua, e cila kishte qenë mbretëreshë vetëm një vit të vogël mund të mbante, pesëdhjetë vjet pas rënies së saj, të kishte një prestigj kaq të madh me familjet e tjera mbretërore? Gjatë takimit tonë ajo kishte qenë absolutisht e lezetshme. Ishte bota e vjetër, por me gjithë hijeshinë dhe mirësinë e saj. Përveç kësaj, kam një marrëdhënie shumë të veçantë me Shqipërinë, shumë prej të afërmeve të mi janë me origjinë andej. Ndjej solidaritet me këtë vend, dhe për këtë arsye me historinë e tij. Martesa e tij me Mbretin Zog I në prill të vitit 1938 e pasionoi turmën. Pse? Është lloj i buzëqeshjes së fundit të Evropës para katastrofës. Ishte edhe fillimi i shtypit francez: numri i ndeshjes, i cili sapo ishte krijuar, ishte qëlluar në më shumë se një milion kopje. Kjo martesë ishte në fakt një përsëritje e asaj të aktores Grace Kelly me princin Rainier të Monakos.

E megjithatë, njëmbëdhjetë muaj më vonë, çifti mbretëror, i rrëzuar nga fashistët, duhet të largohet nga vendi …

Frédéric Mitterrand: Ata janë të dëbuarit e Europës së Vjetër. Të ndjekur nga njerëzit e Kontit Çiano, dhëndri i Musolinit, ata duhej të iknin, duke i shumëfishuar pikat e rënies. Gjendeshin në Greqi, Turqi, Rumani, Norvegji, Hollandë, Angli dhe Spanjë. Pas luftës ata u mirëpritën nga Mbreti Faruk në Egjipt, Nasser u konfiskoi zotërimet e tyre dhe i përzuri ata. Ata do të gjejnë në Francë një ekzistencë disi më paqësore.

Ju thoni se shqiptarët e shohin si një kult edhe sot. Si e shpjegoni?

Frederik Mitterrand: Kjo është vërtet mjaft befasuese. Por, si gjithmonë në njerëz që kanë jetuar nën një regjim të neveritshëm për dekada, në këtë rast një diktaturë e ashpër komuniste, ka një nostalgji për pafajësinë. Ose, ndoshta Geraldina ishte pikërisht imazhi i pafajësisë. Gjatë mërgimit të saj, ajo gjithashtu ishte shumë mbështetëse e shqiptarëve; ajo u kujdes për ta. Këtu duke marrë kartat e qëndrimit, atje duke ndihmuar familjet në siklet. Njerëzit e kanë ditur këtë. Kur u kthye në Shqipëri në vitin 2002, gjashtë muaj para vdekjes së saj, kthimi i saj ishte një moment i katharisit kombëtar. Unidivers.fr/tpz.al./ KultPlus.com

Paris –Soir (1938) Shija e Mbretëreshës Geraldinë për modën pariziane dhe fustani i nusërisë i porositur në Paris

Aurenc Bebja
Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të hënën e 25 prillit 1938, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me Konteshën Geraldinë, bukuroshen hungareze, “Trëndafilin e bardhë” të Budapestit, mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, e cila ishte asokohe në prag të martesës me Mbretin Zog.

Sigurisht, për këtë rast të veçantë, nevojitej një fustan nusërie unik dhe kryeqyteti francez ishte destinacioni ideal për të plotësuar dëshirën e saj. Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Moda pariziane e ka bindur mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë

Brenda disa ditëve, Kontesha Geraldinë Apponyi do të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë. Deri tani, ajo e kishte për zakon të vishej shumë sportive, dhe porosiste veshjet e saj në Budapest.

Por e kuptojmë që veshja e dasmës së një mbretëreshe është çështje më delikate. Kontesha Geraldinë i është referuar për këtë stilit parizian. Fustani i saj do të jetë prej sateni të bardhë, i zbukuruar me gurë të çmuar, perla dhe qëndisje prej argjendi mbi të gjithë pjesën e sipërme, e cila do t’i përshtatet deri në bel. Fundi do të jetë shumë i gjerë dhe i gjatë, i prerë (i hapur) në pjesën e përparme që të dallohet një tjetër fund më i shkurtër dhe më i ngushtë.

Një vello sateni e bardhë, e stolisur me qëndisje prej argjendi do të fiksohet në supe dhe bel.
Pra, ky fustan u bë në Paris ndërsa kontesha gjendej në Tiranë. Një ekip i posaçëm u dërgua pranë saj tre javë më parë me “copat për fustan”. Gjatë tetë ditëve, pasi kontesha zgjodhi në mesin e modeleve të dizajnuara posaçërisht për të, ajo i provoi ato. Fustani, i bërë këtu sipas atyre copave, nuk do të ketë fare nevojë të provohet para ceremonisë.

Kuptohet se diçka e tillë aq e çmuar nuk mund t’u besohet disa njerëzve të zakonshëm. Princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, motrat e mbretit Zog, do të marrin për në Tiranë fustanin e nusërisë të mbretëreshës së ardhshme në valixhet që ata kanë mbushur me tualetet e tyre, të porositura gjithashtu në Paris./KultPlus.com