Bota nuk ka mbretër, vec një krijues

Poezi nga Elona Çuliq

ne nuk e gjejmë

a e takojmë dashninë

atë e kemi

gjithmonë në vete

si fatin

si këto nënoke

që po gjerbin freskinë e rinisë tyne

në kujtime

ulun

ballë fontanës së diellit

 lyem me nur Hyjnie

ne nuk gjejmë

a takojmë asgja

askend

rastësisht

rastësia nuk asht

 mbreti i botës

 e bota nuk ka mbretën

veç një Krijues

i cili i qendisë e stisë

shtigjet

e çka kemi me gjetë

a takue rrugëtimit tyne

ne nuk gjejmë

a takojmë

atë që nuk e kemi në ne

 e në ne asht çka sipër

krytit

 na bëhet mburojë andrrash

qiellin

ne jemi Ai /KulPlus.com

Rezidenca letare “Prishtina nuk ka lum”, nesër sjellë leximin letrar me Elona Çuliq

Qendra Multimedia organizon lexim letrar me shkrimtaren në rezidencë letrare “Prishtina nuk ka lum”, me poeten e re Elona Culiq, shkruan KultPlus.

Elona do të lexoj disa poezi për publikun kosovar dhe do të diskutoj për letërsinë me moderatoren Ardiana Shala Prishtina.

“Poezia, fotografimi, biçikleta, hapësira, njeriu, kafshët, pema, hana, rranja, pra çdo gjë që përbën përditshmërinë e njeriut më grish emocione dhe më plotëson. Eksperiencat në punë dhe si vullnetare në fushën sociale, në vitet 2013 më qasen me praktikën e teatrit social, të cilën sot e praktikoj si trajnere së bashku me kolegun tim. Në këtë lëmi kam krijuar eksperienca performative në vitin 2013 Milano, 2014 Beograd, 2015 Sarajeve dhe 2016 Shkoder”, ka spikatë karakteristikat e veta Culiq. Leximi letrar do të mbahet në ora 19:00, në Monet Arts & Books Gallery.

Programi “Prishtina nuk ka lum” mbeshtetet nga TRADUKI dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia mbeshtetet nga Zyra e Bashkimit Evropian ne Kosove./KultPlus.com

Elona Çuliq, sjellë një mbrëmje letrare në Prishtinë

Qendra Multimedia do të organizoi një mbrëmje letrare me shkrimtaren shkodrane Elona Çuliq në kuadër të rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lum” , shkruan KultPlus.

Elona është duke qëndruar në Prishtinë gjatë muajit nëntor ndërsa në fund të këtij muaji do sjellë edhe mbrëmjen letrare për publikun e kryeqytetit. Elona Çuliq është një shkrimtare e re në moshë por me një stil të veçantë të poezisë.

Ajo është e lindur në Shkodër. Rrugëtimi i saj ka filluar si nxënëse në Shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova” për piano, duke vazhduar liceun për gjuhën frënge, për t’i përmbyllur me studime te thelluara më pas në Psikologji Organizative dhe Shkollore.

Ajo thotë se burimi i inspirimit të saj janë poezia, fotografimi, biçikleta, hapësira, njeriu, kafshët, pema, hana, rrënja, pra çdo gjë që përbën përditshmërinë e njeriut./ KultPlus.com

Ne nuk na mësuan dashninë

Poezi e shkruar nga Elona Çuliq.

Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim,
nuk na mësuan të flasim,
prandaj vrasim.
Fminia jonë, raketë prej letre
lazdrohet në qiellin e duerve të nanës
vetëm ajo ishte gjithmonë
duke na gatue të ardhmen,
duke na la e shpërla nga idhëtinat e kohës,
duke na veshë e zhdeshë në rritjen tonë,
duke na hedhë grushtin e ujit mbas çdo dite të parë të shkollës.
Vetëm nana ishte, gjithmonë,
baba që rrinte deri vonë në punë,
baba që vinte i lodhun në shtëpi e s’duhej idhnue,
baba që flente e tanë shtëpia bzante,
baba që kishte halle e s’duhej trazue,
baba që kishte të drejtë me e çue zanin se ishte shtylla e shtëpisë.
Nana ishte vetëm, gjithmonë.
Grue që lind e vritet,
grue që rrit e vritet,
grue që të mëson dashninë e vritet,
grue që të mëson faljen e vritet,
grue që martohet për dashninë e vritet nga dashnia e vet,
grue që lind fëmijë në emën të dashnisë e vritet në sytë e fëmijëve të vet,
grue që asht nana e baba i munguem i çdo fëmije e vritet nga mirësia e vet,
grue që lind e vritet,
nga burri që nuk diti,
që refuzoi,
që nuk mundi,
që dështoi së mësuemi forcën e dashnisë së saj.
Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim.

Shtator, 2017.