Ekspozita personale e Emiranda Bekës, lëviz mes imazhit real dhe sureal të njeriut (FOTO)

Pesëmbëdhjetë punimet e vendosura mbrëmë në muret e Galerisë së Ministrisë së Kulturës “Qafa”, shënonin ekspozitën e parë personale të piktores së re në moshë, Emiranda Beka.

Gili Hoxhaj

Hapësira mes pikturave të saj krijonte një moment pushimi për sytë e vizitorëve, të cilët ndodheshin para një dendurie ngjyrash që ishin shtrirë me delikatesë në subjektet e pikturave. Ishte piktorja Beka ajo që përmes figurave gati sureale të dërgonte në një dimension tjetër të kohës. Karakteret e saj të ftonin një komunikim të mistershëm artistik derisa sytë e ngrirë të figurave kishin stagnuar vetëm në një vend brenda kornizave të pikturës, duke iu shmangur takimit me atë që i vihet përballë.

Në mes të galerisë vëmendja të rrëshqiste në portretin symbyllur e lakuriq të titulluar “Future” (e ardhmja ) e që personifikon ëndrrën e autores që ecën shumë larg të tashmes, mes vetullave të kësaj figure lexohej numri 2911, e që është pikërisht ky vit caku ku arrin fantazia pjellore e piktores.

Kuratori i kësaj ekspozite- Ilir Muharremi vlerëson se veprat e Emirandës përcjellin emocion, sfidë dhe ndërmjet tyre e pamundura, e paarritura përplasen mbi abstrakten dhe bëhen objektive.

“Në këto punime herë dy dimensionale e herë tredimensionale paraqitet realja, i vogli duke u përkujdesur për të rriturin, molla po vërshohet nga krimbat por jo nga ata të zakonshmit. Prania e realiteteve ëndërrore është në pothuajse të gjitha punimet. Çdo portret është imagjinativ, nuk është real, edhe pse shumica e punimeve vijnë nga realiteti por nga një realitet të cilin e sheh vetëm artistja”, ka thënë profesori Ilir Muharremi.

Gjatë ceremonisë hapëse Muharremi po ashtu theksoi se autorja shpreh një stil të veçantë, tejet të fuqishëm dhe tejet modern.

“Portretet e saj prekin një të ardhme imagjinatave që lidhet me imazhin, anatominë e njeriut se si do të duket njeriu pas shumë viteve se sa do të ndërroi anatomia e tij pas shumë viteve. Pikërisht këtu qëndron edhe qëllimi i artit, e vazhdimit të së ardhmes”, është shprehur profesori Muharremi gjatë ceremonisë hapëse.

Portretet e saj që kanë burim imagjinatën e bujshme të piktores sjellin imazhin e njeriut se si do të duket shumë dekadave. Puna e saj duket sikur vallëzon lehtë mes ngjyrave të ndezura, të cilat ajo i kishte shkrirë me një delikatesë, duke i dhënë formë çdo elementi që ngërthehet brenda pikturës. Gruaja është subjekti kryesor që përmbajnë punimet e saj, që vijat e ngjyrës kishin lënë gjurmët e pothuajse të gjitha moshave. Megjithatë fytyrat e tyre vijnë të deformuara e duart e tyre nuk gjejnë asnjëherë prehje, ato herë shtrëngojnë fëmijën, në një pikturë shfaqet një plakë teksa shtrëngon pulën, në një tjetër ato mbajnë librin, e diku gishtërinjtë e tyre shfaqen të lidhura pas cigares.

“Koncepti kryesor i kësaj ekspozitës është i bazuar nga ide të ndryshme në jetën reale të cilat më pas jam munduar edhe t’i shfaq në pikturë. Disa bazohen në imagjinatë dhe disa të tjera janë më aktuale, por janë shtrembërim i reales dhe sureales. Përmes ngjyrave kam reflektuar realitetin e njerëzve, ndërsa këtë realitet jam munduar ta zbus përmes ngjyrave më të ndezura” tha për KultPlus, piktorja Emiranda Beka.

Arsyeja se pse këto piktura kanë për bazë numrin 2911 lidhet me klonizimin, të cilin e parashikon piktorja Beka.

“Pikturat e mija janë të deformuara pasi që pikturat e mija i kam paraqitur në vitin 2911 pasi që edhe mendoj se në këtë vit që të gjithë njerëzit nuk do të duken kështu por do të klonohen” tha piktorja Beka për KultPlus.

Artisti Dardan Luta tregoi për KultPlus, se Emirandën e vlerëson si një artiste e cila ka një potencial premtues për të ardhmen.

“Është një lloj kolazhi brenda vet Emirandës, e cila mbledhë imazhe të ndryshme nga imazhet dhe fotot e saj, e përmes pikturave e punimeve të tjera që i ka parë ajo edhe riprodhon një imazh të vetin. Pikturat e saj janë shumë ilustrative dhe sjellin një lojë të mahnitshme të ngjyrave”, ka thënë Luta për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të vazhdoj të jetë e hapur për të gjithë vizitorët deri më 20 Dhjetor./ KultPlus.com

Nesër në “Qafa” ekspozita e Emiranda Bekës

Emiranda Beka, nesër më 23 nëntor hapë ekspozitën e saj personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, shkruan KultPlus.

“Ndërmjet pamundurës dhe paarritshmes”, është ekspozita që vjen e kuruar nga Ilir Muharremi, ndërsa financohet nga MKRS.

“Pikturat e artistes së re janë një vallëzim ngjyrash të pastra të krijuara nga spontaniteti, dhe shtrihen mbi një spektër të gjerë dhe të kontrollueshëm nga talenti i saj. Të gjitha objektet përcjellin emocion, sfidë dhe ndërmjet tyre e pamundura, e parritura përplasen mbi abstrakten dhe bëhen objektive…”, shprehet kuratori i kësaj ekspozite Ilir Muharremi.

Ekspozita hapet më 23 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ndërsa do të qëndroj e hapur një muaj./ KultPlus.com

Emiranda Beka sjellë ekspozitën personale “Ndërmjet pamundurës dhe paarritshmes”

Emiranda Beka, më 23 nëntor hapë ekspozitën e saj personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, shkruan KultPlus.

“Ndërmjet pamundurës dhe paarritshmes”, është ekspozita që vjen e kuruar nga Ilir Muharremi, ndërsa financohet nga MKRS.

“Pikturat e artistes së re janë një vallëzim ngjyrash të pastra të krijuara nga spontaniteti, dhe shtrihen mbi një spektër të gjerë dhe të kontrollueshëm nga talenti i saj. Të gjitha objektet përcjellin emocion, sfidë dhe ndërmjet tyre e pamundura, e parritura përplasen mbi abstrakten dhe bëhen objektive…”, shprehet kuratori i kësaj ekspozite Ilir Muharremi.

Ekspozita hapet më 23 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ndërsa do të qëndroj e hapur një muaj./ KultPlus.com