GMK sjell ekspozitën e radhës me autore Engji Jahasë

Pas periudhës së izolimit si rezultat i pandemisë më virusin Covid-19, si dhe tash pas lehtësimit të masave nga kjo pandemi, Galeria e Ministrisë së Kulturës i rikthehet aktiviteteve kulturore të parapara për këtë vit, njofton KultPlus.

Të martën më 16 qershor 2020, në orën 18:00, bëhet hapja ekspozitës personale të piktores Engji Jaha, e titulluar “Selfie Mundi.”

Për dallim nga herët tjera, kësaj radhe ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të jetë nëpërmjet një konference për media, ku folës do të jenë kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi, koordinatorja e GMK-së, Dhurata Ramosaj, si dhe autorja Engji Jaha.

Në këtë ekspozitë Engji Jaha sjellë piktura dhe instalacion artistik. Ky instalacion është bërë me qëllim që brenda tij të jetë vetëm një pikturë, e ndriquar nga brenda dhe nga jashtë, në një shoqërim me pjesën tjetër të punimeve të ekspozuara jashtë “kabinës” së instalacionit. E personazh i pikturave të saj është vet piktorja Jaha.

Kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi vlerëson se “Tablotë̈ e ekspozitës janë̈ inskenime të frymëzuara nga ikonografi të artit klasik, por që autorja i sajon në mënyrën e vet, si “selfie historike”. Më tutje, ai thekson se “Për arritjen e këtyre sukseseve nuk mjafton talenti dhe dëshira individuale për afirmim dhe njohje. Ato janë̈ rezultat i një̈ vetëbesimi që po fuqizohet sepse janë̈ pjesë e procesit të emancipimit të vajzave dhe grave në shoqërinë̈ tonë, çliruar nga mbetjet e traditave shtypëse që ngufasin kreativitetin dhe ambiciet e tyre”.

Ekspozita pritet që të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com

Piktorja Argenita Fetahu vjen me ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës do të bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës personale të piktores Argenita Fetahu, e titulluar “Përtej.”

Në brendinë e pikturave të Argenitës gjithçka na dërgon drejt një mendimi subjektiv, sepse vet piktura e saj na shtynë ta ngacmojmë imagjinatën. Veprat e saj paraqesin një temë që lidhet me përjetimet emocionale të kohës kur janë realizuar.

Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistes, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.

Në këtë ekspozitë ka edhe një veçanti, gjegjësisht një fustan të nënës së saj, me anë të së cilit Argenita paraqet dy kohë, dy breza. Në të njëjtën kohë paraqet aspektin e emancipimit, se deri ku kemi bërë progres në këtë drejtim, apo kemi ngelur në të njëjtin stad me të kaluarën. Pra, autorja ka zgjedhur fustanin për të trajtuar temën e cila hap horizonte përtej asaj që ne shohim nëpër tablo.

Personazhi kryesor – figura e kultit të nënës, përkatësisht fustani i saj i viteve të 80 – ta, bart një kronologji ngjarjesh historike, që kanë ndodhur përreth dollapit të pritjeve të mëdha. Është fustan që identifikohet me gjendjen sociale, politike, kulturore, filozofike, me të qenurit nuse, grua, nënë, femër me imagjinatë të bujshme, të cilën, sot autorja do ta z’deshë nga vitrinat e mbamendjes, për ta veshur në rrethana arti me ngjyra arti.

Ekspozita hapet më datë 4 mars në ora 19:00 dhe do të qëndroj e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 mars 2020. / KultPlus.com

Galeria e Ministrisë së Kulturës përzgjedh Programin Artistik për vitin 2020

Në bazë të konkursit publik për Programin Artistik të Galerisë së Ministrisë së Kulturës për vitin 2020, i cili ka qëndruar i hapur nga data 01.10.2019-11.11.2019, për të qenë pjesë e repertorit të GMK-së për vitin 2020 kanë aplikuar rreth dyzet artistë/e vendas, nga rajoni dhe më gjerë nga Evropa e Kanadaja.

Ministri i Kulturës në bazë të kompetencave të tij këto ditë ka emëruar Komisionin Artistik, përgjegjës për shqyrtimin dhe seleksionimin e projekteve konkuruese.

Komisioni në përbërje: znj. Shqipe Kamberi – Kryesuese, si dhe znj. Zana Ramadani dhe Arlinda Hajrullahu – anëtare, pas shqyrtimit të projekteve konkuruese dhe në përputhshmëri me politikat kulturore e programore të GMK-së për vitin 2020, në takimin e mbajtur më 22 janar 2020, vendosi për projektet dhe artistët/et që do të ekspozojnë këtë vit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës: Faik Krasniqi; Michael Stoeger, Florent Pista, Idlir Koka, Argenita Fetahu, Pranvera Kicaj, Yll Xhaferi dhe Engji Jaha.

Gjithashtu, në bazë të kompetencave ligjore, koordinatorja e GMK-së znj. Dhurata Ramosaj, ka të drejtë që përveq këtyre tetë projekteve të përzgjedhura nga Komisioni, të ftoj për ekspozitë edhe dy artistë të dalluar vendas apo të jashtëm. / KultPlus.com

40 vjet pas realizimit të fotografive në Isniq, në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra, po jo edhe mikpritja e kosovarëve

Xhemile Hysenaj

Në vitet e 70′ në një fshat të Kosovës, një fotografe suedeze fokusoi punën e saj në jetesën e shqiptarëve, duke shkrepur kështu fotografi të cilat do të ekspozoheshin në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, pothuajse 40 vjet pas realizimit të tyre, shkruan KultPlus. 

Mbrëmë zyrtarisht u hap ekspozita ”Jeta në fshatin shqiptar. Isniq, Kosovë 1976”, ekspozitë kjo që kishte për qëllim të vinte në pah mënyrën e jetesës të shqiptarëve, e kryesisht të grave, në Kosovën e viteve të 70′.

50-të fotografi bardh e zi, kishin mbushur muret e galerisë, 50-të jetë shpaloseshin para dashamirësve të fotografisë dhe jo vetëm. Në mesin e të pranishmëve kishte edhe persona që kishin qenë protagonistë të fotografes Eek.

Fotografja Ann Christine Eek, për herë të parë vizitoi Kosovën në vitin 1976 dhe qëndroi për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer. Këto dyja po punonin në një projekt që kishte për bazë zhdukjen e jetës tradicionale në fshat, duke realizuar kështu disa mijëra fotografi bardh e zi. Fokusuan punën e tyre në tregimet e pesë grave të fshatit.

Në fotografitë e varura në muret e galerisë, vareshin jetët e shumë grave shqiptare që ishin bërë protagoniste kryesore në punën e fotografes Eek. Në fotografi gratë e fshatit Isniq, ishin kapur tek zienin, punonin me bagëti, kujdeseshin për fëmijët, punonin në vek etj.

I pranishëm në ekspozitë ishte edhe Ramiz Spahiu, i cili është edhe përkthyes i librit të fotografes që do të trajtojë më gjerësisht jetën e fshatit në Isniq. Ai shprehej i nderuar që ishte pjesë e kësaj ngjarje, duke e konsideruar shumë të rëndësishme.

”Ndjehem i nderuar të jem sonte këtu në këtë ngjarje dhe që kam pasur rastin të përkthej librin e saj. Kjo mbrëmje më ktheu mbrapa në kohë, kur Berit Backer ishte në Kosovë, me të cilin pata bërë një intervistë, sepse paraqiste një kuriozitet të madh që një studiuese e re të vinte dhe të merrej me studimin e jetës dhe traditës të një fshati shqiptar. Këto fotografi na kthejnë mbrapa në kohën të cilën e kemi jetuar të gjithë, mirëpo është mirë pasiqë brezat e rinj mund të shohin si kemi qenë dhe si po vazhdojmë tutje”, u shpreh ai para të pranishmëve në ekspozitë.

E pranishme ishte edhe ambasadorja suedeze në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, e cila shprehej se përmes punës së Ann Christine Eek, na mundësohet që të njohim më mirë edhe njerëzimin.

”Kur sheh fotografi të tilla, të jepet përshtypja që janë realizuar 100 vite më parë, por, nga ana tjetër sheh fytyra të njëjta sikur të miqve tanë. Por, në të njëjtën kohë është një dokumentim tejet me rëndësi për një kulturë specifike siç është kultura shqiptare. Një dokumentim i tillë i cili do të na përcjellë edhe në të ardhmen është një kapitull shumë i rëndësishëm. Ndihem shumë mirë që në këtë ekspozitë kanë ardhur shumë njerëz, sidomos gjeneratat e reja, që në vitet e 70-ta, atëherë kur edhe janë realizuar këto fotografi, ishin shumë të vogël ose nuk kishin lindur fare”, vazhdoi tutje ajo.

Ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl shprehej shumë i kënaqur me punën e fotografes, duke thënë se edhe pse Christine Eek është nga Suedia, ajo jeton në Norvegji dhe se gëzonte të drejtën të mburrej me sukseset e saj.

”Ajo çka Ann Christine ka kapur me aparatin e saj është mikpritja e popullit të Kosovës, unë kam udhëtuar në shumë qytete të Kosovës dhe vazhdoj ta shoh akoma këtë mikpritje nga qytetarët e Kosovës. Në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra mirëpo një gjë që nuk ndryshon kurrë është mikpritja e kosovarëve”, deklaroi ai.

Në periudhën e viteve 69-79′, Ann Christine Eek, ishte pjesë e grupit të fotografëve të pavarur SAFTRA, të cilët kryesisht merreshin me fotografi gazetareske dhe dokumentare. Ky grup kishte mbledhur fotografë të angazhuar në fotografinë e preokupuar me çështje politike dhe sociale, duke funksionuar si agjenci fotografike jo-komerciale.

”Para se të vija në Kosovë kam bërë një studim për gratë që punojnë, kryesisht gratë që edhe punojnë edhe mbajnë familjen, pra situata me të cilën isha e preokupuar kishte të bënte me gratë në përgjithësi. Poashtu fillova të fokusohem kryesisht në mënyrën e jetesës së grave pasiqë atë kohë kishin filluar edhe grupe feministe që kërkonin të drejtat e tyre dhe dëshiroja të informohesha se për çfarë e kishin fjalën më saktësisht”, potencoi fotografja për KultPlus.

Jetët që shpaloseshin në fotografitë e realizuara, flisnin shumë për gratë që kaluan jetën e tyre në fshatrat e Kosovës. Aty paraqiteshin kryesisht gratë e fshatit Isniq, mirëpo këto fotografi në fakt paraqisnin jetesën e grave në gjithë territorin e Kosovës. Gra që punonin pa kompromise, që sakrifikonin shumë, që ushqimi dhe kujdesi për fëmijët ishte problemi më i vogël.

Ekspozita pritet të qëndroj e hapur për publikun deri më 13 janar 2020. / KultPlus.com

Ekspozita “Post-Avangarda Lindore” vjen në GMK në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri

Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita kolektive/kuratoriale e titulluar “Post-Avangarda Lindore”, përcjellë KultPlus.

Nën organizimin kuratorial të kritikes së mirënjohur të artit, Suzana Varvarica Kuka, autorët e kësaj ekspozite të përbashkët janë Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo.

Përmes një emërtimi të tillë të ekspozitës, kuratorja Varvarica-Kuka, synon të “provokoj” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, nëse arti i vendeve të ish-Bllokut të Lindjes (ku dikur bënin pjesë Kosova e Shqipëria) arrinë që t’i bëjë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore. Duke i bërë bashkë tre artistë të shquar nga Shqipëria, kuratorja Varvarica-Kuka synon gjithashtu të ndërthurë dhe ballafaqoj në njohje dhe komunikim, artin pamor të krijuesve shqiptar nga të dy anët e kufirit administrativ Kosovë-Shqipëri. Tre artistë, tri forma, tre preokupime vetjake dhe piktura janë bërë bashkë në ekspozitën “Post-Avangarda Lindore”, e cila ka si mision t`i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek. XXI.

Qëllimi i saj është të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës. Krijimtaria e kësaj ekspozite e pasuron gjuhën e botës krijuese të artistëve shqiptarë të sistemit dhe historisë ndërkombëtare të artit.

Post-avangarda…, ky term ndjellës, i bënë bashkë tre artistët e rinj shqiptarë, të cilët aplikojnë gjestin e pikturimit mbi telajo, sjellin natyrshmërinë e krijimit vetjak, mbi të cilin aspirojnë profesionalizëm dhe dëshirë, si dhe i kushtëzohen trajtesave të njohura dhe praktikave të sprovuara të artistëve ndërkombëtarë, që u shfaqën nga mesi i shek. XIX e vijojnë deri në kohën tonë.

Ekspozita hapët më 17 tetor në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2019. / KultPlus.com

“Peizazhet e Sejdi Kapllanaj”, ekspozita e radhës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 20 nëntor në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Peizazhet e Sejdi Kapllanaj”, përcjell KultPlus.

“Peizazhet e Sejdi Kapllanaj” na dërgojnë në një rrugëtim magjepsës me ngjyra të spektrit të ylberit që dhurojnë emocion shpirtëror. Duke kërkuar përmes stinëve të ngjyrave të piktorit Kapllanaj, gjejmë bukuritë natyrore që paraqiten në teknika të ndryshme që mbështeten në elemente të pa përfunduara siç janë: lisi, malet, fusha dhe kullat.

Janë dy elemente më të rëndësishme në pikturën e Kapllanajt. I pari, ka të bëjë me pikturimin linear që nënkupton pikturim paralel të një vije të drejtë të ngjyrave në cikle dhe i dyti, është ndërtimi i pikturës në shtresimin e ngjyrave mbi ngjyra që nënkupton shtresimin e saj, të cilat janë të veçanta si teknikë e shkollës italiane.

Mesazhi i kësaj ekspozite është kryesisht një stinë vjeshte në të cilën ka histori përmbajtjesore të popullit shqiptar. Në shumicën e punimeve është trajtuar lisi, erërat dhe furtunat e ndryshme natyrore që rrahin lisin, e i cili megjithatë më fortësinë e tij qëndron i pa lëkundur. Në këtë kontekst, e gjithë ekspozita thjesht lidhet me furtunën e rrjedhave historike të popullit shqiptar.

Ekspozita përmban rreth dyzet punime, pikturë në teknikat vaj dhe akril, të realizuara viteve të fundit dhe në kuadër të një cikli të vetëm, peizazh./ KultPlus.com