‘Engjujt nuk jetojnë në tokë’, një fidan dhe poezi për 1133 fëmijët që s’e patën mundësinë të rriteshin

Flonja Haxhaj

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nën tingujt e këngës “Engjujt nuk jetojnë në tokë” nga grupi 403, u mbajt sot një ngjarje përkujtimore me të njëjtin emër, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ngjarja, e organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, mbështetur nga Ministria e Arsimit , solli bashkë poetë, nxënës dhe artdashës që përmes vargjeve u përkulën përpara kujtimit të atyre që nuk patën mundësinë të rriteshin. “Engjëjt nuk jetojnë në tokë” ishte një takim letrar ku poezia u bë mjet i përjetimit dhe dhimbjes, por edhe i kujtesës kolektive që refuzon të heshtë.

Në këtë manifestim kulturor morën pjesë poetët e njohur Ibrahim Kadriu, Sali Bashota dhe Lulzim Tafa, të cilët lexuan poezi të dedikuara fëmijëve që tashmë janë shndërruar në dritë të përhershme të Kosovës. Përkrah tyre, me emocion të veçantë, u prezantuan edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” nga Prishtina, duke sjellë vargje të sinqerta dhe prekëse në kujtim të atyre që humbën jetën pa e njohur mirë.

E para në këtë takim e mori fjalën drejtoresha e KultPlus, Ardiana Pajaziti e cila theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe të rikthimit të vëmendjes drejt fëmijëve që humbën jetën apo u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, në një muaj që tradicionalisht u kushtohet fëmijëve.

“Qershori është muaji dedikuar fëmijëve, e ne kemi vendosur që këtë ditë t’ua kushtojmë fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është një dhimbje e madhe dhe ne kemi vendosur që ta shënojmë këtë ditë për t’i kujtuar këta fëmijë nëpërmjet leximit të poezive. Në të njejtën kohë ne kemi menduar që në nderim të tyre të mbjellim një fidan, si një symbol i kujtimit të tyre dhe një vend që u kushtohet vetëm atyre”, u shpreh Pajaziti.

Më pas, emocionet u bartën në duart e shtatë nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, të cilët një nga një interpretuan poezi të përzgjedhura me ndjeshmëri dhe përkushtim.

Ajan Sinani nisi interpretimet me poezinë “Sikur të ndalej” të Ymer Elshanit, e ndjekur nga Ajana Hasani me interpretimin e poezisë “Për mësuesen” të Adelina Mamaqit. Djellza Ninaj solli freskinë e vargjeve të Vehbi Kikajt me poezinë “Pemët në verë”, ndërsa Era Stublla preku zemrat e të pranishmëve me “Kryefjala e fjalëve” të Odhise Grillos. Omer Havolli interpretoi poezinë “Pëllumb i bardhë” të Rifat Kukajt, Orion Kryeziu solli emocion me “Ditëlindja ime” të Qamil Batallit, dhe Tiara Fetahu e përmbylli me ndriçimin e fjalëve në poezinë “Dielli” të autores Dije Demiri – Frangu.

Më pas, fjalën e mori profesori dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu i cili lexoi para të pranishmëve poezië ‘Librat në protestë’.

Pas tij, foli profesori Sali Bashota, i cili para se të lexonte poezinë e përzgjedhur, theksoi rëndësinë e KultPlus në shënimin e ngjarjeve e dative të rëndësishme.

“KultPlus tashmë është një vend, gati – gati i shenjtë për krijuesit. Ardianë Pajaziti po bën një punë të jashtëzakonshme me aktivitetet në këtë hapësirë të jashtëzakonshme duke shënuar shumë data të rëndësishme, e një prej tyre është edhe Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e buzëqeshja e fëmijëve është motivi më i madh i shkrimitarit”, theksoi Bashota, teksa më pas lexoi poezinë e tij ‘Portret i pambaruar’, kushtuar vajzës së tij në kohën e luftës.

Pas tij, fjalën e mori poeti Lulzim Tafa, i cili lexoi poezinë e tij, ‘Asfalti mbi eshtra’, një poezi e shkurtër por që lë një brengë të madhe për të gjithë pjesëmarrësit. Këtë poezi, Tafa thotë se e ka kushtuar këtë poezi për fëmijët e vrarë e të pagjetur pasi në disa lokacione në Kosovë janë gjetur varreza masive me fëmijë e të rritur dhe më pas kanë shtruar asfalt për të shmangur gjurmët.

Ndërkaq, të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe poetët Shqipe Bytyqi dhe Besnik Camaj, të cilët iu bashkuan kësaj ngjarje duke lexuar poezi që lidhen me ditën dhe ngjarjen e shënuar.

E në fund, pjesë simbolike dhe e veçantë e këtij organizimi ishte mbjellja e një fidani pranë ambienteve të KultPlis, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur, një akt që synon të mbjellë kujtim e jetë në vend të dhimbjes së pafund.

Sipas të dhënave të dokumentuara, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999 dhe në muajt pas përfundimit të saj, janë vrarë 1.024 fëmijë, ndërsa 109 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur./KultPlus.com

“Engjujt nuk jetojnë në tokë”, poezi dhe mbjellje fidani për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur 

Fotografia: Fatos Bytyqi

1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës do të kujtohen nëpërmjmet një takimi letrar, takim ku poetët do të lexojnë poezi me dedikim fëmijët që tashmë janë shndërruar në dritën e Kosovës. 

“Engjujt nuk jetojnë në tokë” është organizim-dedikim i gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, dhe në këtë ngjarje kulturore do të marrin pjesë poetët: Ibrahim Kadriu, Sali Bashota e Lulzim Tafa, dhe me poezi për fëmijët engjuj do të prezantohen edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë. 

Ndërkohë, në kuadër të organizimit “Engjut nuk jetojnë në tokë” do të mbillet edhe një fidan për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. 

Gjatë viteve të luftës në Kosovë më 1998-99 dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës, u vranë 1.024 fëmijë dhe 109 konsiderohen të zhdukur.

Kjo ngjarje do të mbahet me 2 qershor, në ora 16:00 në KultPlus Caffe Gallery. Kjo ngjarje mbështetet nga Ministria e Arsimit në Kosovë./ KultPlus.com 

‘Engjujt nuk jetojnë në tokë'(VIDEO)

“Engjujt nuk jetojnë në tokë’’ nga legjenda e muzikës shqiptare, grupi 403, është një këngë që ia vlen të kujtohet e të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë.

Një tekst i mahnitshëm për një dashuri të humbur, “Engjujt nuk jetojnë në tokë’’vjen me një melodi të qetë dhe tinguj që depërtojnë tek publiku dhe zemrat e tyre të mbushura me kujtime që ngjasojnë me atë të tekstit në këngë.

“403” është një grup i njohur muzikor që këndon muzikë rock. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së Rockut Kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rokut në Kosovë.

Grupi 403 u formua në vitin 1981 nga Mentor Gjurgjiali (bas), Fatmir Zajmi (bateri) dhe Naim Osmani (kitarë). Bendit më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i bashkohet Hektor Gjurgjiali (vokal dhe kitarë), Arben Godanca (kitarë) dhe Veton Orana (sint).

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës.

Erdhën disa engjuj të bukur, dukeshin si ti
T’më merrnin mua u thashë ishte e kotë
Një yll më shumë në qiell, një plagë më shumë në tokë
Të morrën, ikën, dhe shkuan në atë botë
E di se të humba, më dhemb, nuk do të qaj
Un do t’këndoj për ty

Të kërkoj nuk të shoh, qielli më thotë:
Engjujt nuk jetojnë në tokë…
…Engjujt nuk jetojnë ne tokë

Thojn se bricjapi dhe demi,
Do të jenë qift ideal si në horoskop
Jeta nuk vazhdon gjithmonë në yje,
Do vij koha që të zbresin në tokë

Pastaj si do t’ja bëj
Si do t’ja bëj kur nuk je ti

Natës i frigohem, por nata më gëzon
Të shof në qiell për mua ti ndriqon
O engjulli im, më thuaj, kur, prap do të takoj

Dua të vdes, por qielli nuk më merrë
Lutem per ty,
Por ai nuk të kthen
Qiellit i takon, e di
“Engjujt nuk jetojnë në tokë”. /KultPlus.com