“Nata e Zjarreve” në Prekaz, ndizen flakadanët

Manifestimi mbarëpopullor “Nata e Zjarreve” ka nisë më ndezjen e flakadanëve, për të vazhduar me një koncert të madh, e që shënon edhe përmbylljen e manifestimit që shënon Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe heroizmit të Komandantit Adem Jashari, shkruan KultPlus.

Prej 5, 6 dhe 7 janë shënuar shumë aktivitete në 25 vjetorin e rënies heroike të Jasharëve. / KultPlus.com

Përparim Rama: Epopeja e UÇK-së është ngjarja më e rëndësishme

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka thënë se një shembull i pashoq është shembulli i familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë postimin e kryetarit Rama.

Liria që ne sot e gëzojmë është e brumosur nga sakrifica më sublime e shumë dëshmorëve e martirëve.

Një shembull i pashoq është shembulli i familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari.

Epopeja e UÇK-së është ngjarja më e rëndësishme që nderon këtë kontribut të jashtëzakonshëm të familjes Jashari bashkë me të gjithë martirët e dëshmorët që u flijuan për lirinë e Kosovës.

Lavdi!/ KultPlus.com

Epopeja e UÇK-së përfundon sonte me natën e zjarreve

Manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfundon sonte me natën e zjarreve në Prekaz.

Manifestimi nisi më 5 mars, ku fillimisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Po në të njëjtën ditë janë mbajtur seanca solemne nëpër të gjitha Kuvendet Komunale, është hapur ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, në Bibliotekën Kombëtare, si dhe është mbajtur parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

6 marsi ka nisur me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz , ekspozita me fotografi, si dhe ka përfunduar me një akademi përkujtimore në Prishtinë.

Kurse, sot janë paraparë të mbahen një turnir në shigjetari në Skenderaj dhe një tjetër i shahut në Prishtinë.

E duke nisur nga ora 17:45, mbahet manifestimi Nata e Zjarreve, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz për të vazhduar me një koncert pa praninë e publikut në Stadiumin e futbollit në Skenderaj./ KultPlus.com

Kurti: Askush s’është gjykuar për krimin ndaj familjes Jashari

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë nderime para varrezave të familjes Jashari në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së. Në një deklaratë për media ai ka thënë se për krimin në familjen Jashari nuk është gjykuar askush.

Kurti shton se drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar akoma.

“Për këtë sulm të Serbisë ndaj familjes Jashari askush nuk është gjykuar dhe s’ka pasur gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Ata u flijuan për hir të pasardhësve”.

“Me nderim të përjetshëm përulemi para jetës, veprës dhe rënies së Jasharëve, kryekomandantit Adem Jashari që e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria, kujdesi dhe përgjegjësia institucionale janë mënyra më e sigurt që edhe ne ta duam vendin tonë”.

Bashkë me Kurtin ishte edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, si dhe Bekim Jashari, kryetari i Skenderajt./ KultPlus.com

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njihet si Dita e Dëshmorëve, sot bëhen homazhe dhe mbahet akademi në shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Në të gjithë Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare do të bëhen homazhe pranë varreve të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Ceremonia e homazheve fillon në orët e mëngjesit me nderime te varri i komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe te Memoriali i dëshmorëve në Marinë.

Një ekspozitë me fotografi të fotografit Sefer Aliqkaj do të hapet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa një turnir në volejboll do të mbahet në Skenderaj.

Ekspozita me 59 fotografi do të hapet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Pallatin e Rinisë do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së, mbahet Nata e zjarreve në Prekaz./ KultPlus.com

Serbët bojkotojnë seancën e shënimit të Epopesë së UÇK-së

Në 22-vjetori e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të veçantë.

Por ministrat e komunitetit serbë nuk i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj seance.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Ivan Millojeviq, nuk janë duke marrë pjesë në kujtimin e Epopesë së UÇK-së.

Po ashtu, as deputetët serbë nuk janë parë në këtë seancë.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes së tij është pikë kthese në historinë e Kosovës.

“Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Ai më tej tha se pa luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK.

Kurti tha se për Jasharët flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, dhe se me Jasharët çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se sot po përkujtohet vepra heroike e komandantit legjendar Adem Jashari si dhe sakrifica sublime e familjes Jashari dhe ndikimi që pati ajo, që bota të shihte se një popull i tërë ishte në rrezik nga agresioni serb.

Ajo tha se komandat Adem Jashari edhe atëherë kur iu rreziku familja e jeta e tij, asnjëherë të vetme nuk e mendonte dorëzimin, kjo madje nuk ndodhi as edhe me 5 mars të vitit 1998 ku për më shumë se 30 orë familja Jashari po përballej me sulmet e vazhdueshme të policisë e ushtrisë serbe.

“Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familje ja shpalosi pamjet e regjimit totalitar serb. Pamjet e fëmijëve, të grave dhe pleqve u shndërruar shpejt në thirrje globale për mbrojtjen e vlerave humane. Ngjarjet e 5-6-7 marsit i dhanë vulën solidaritet mes njerëzve”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit tha se kjo seancë dhe ky tubim duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar familjen Jashari, por edhe për të ripërtëritur kujtesën tonë.

“Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por për ta ripërtëri kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm të sakrifikonte, secili ishte Blerina e vogël, secili ishte zëri kumbues i 18 grave, i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre pa iu nisur mirë. Sakrifica e tyre i dha udhë ëndrrës tonë të madhe, për liri të vendit”, tha ajo.

Osmani përmendi një nga një të gjithë anëtarët e familjes Jashari, duke thënë se ata nuk janë thjesht një numër secili është histori në vete.

“Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës. Ata janë dëshmi se sa e shtrenjtë është jeta dhe se sa ishte çmimi për liri. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë sonë të përbashkët”, theksoi Osmani. / KultPlus.com

Sot ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së

Me rastin e vitit jubilar, 22 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin më datat 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimi gjithë-popullor ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.

Ndërsa, përmes një njoftimi MASHT ka thëne se me datë 5, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

“Bazuar në programin e Qeverisë së Kosovës për shënimin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, MAShTI kërkon nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës që, nesër (e enjte), 5 mars 2020, ora e parë e mësimit t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e MASHT-it. / KultPlus.com

Viti jubilar i rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, vjen me manifestime gjithëkombëtare

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj më datat 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimi gjithë-popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Këshilli Organizativ i kryesuar nga ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka përgatitur një agjendë 4 ditore me aktivitete politike, akademike, ushtarake, kulturore dhe sportive.

Programi i manifestimit:

Më 03 dhe 04 mars 2018 realizohet vrapimi “Shtegu i Shpresës’’, nisja nga Prekazi në ora 13: 00.

Më 5 Mars 2018
Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë e mësimit t’i kushtohet “Epopesë së UÇK-së’’, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jasharaj.

Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në ora 10:00 do të realizohet Seanca Solemne e cila do t’i kushtohet “Epopesë së UÇK-së’’, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe të gjithë të rënëve të tjerë për LIRI.

Kuvendet Komunale të Republikës së Kosovës do të realizojnë seanca solemne për nderë të kësaj ngjarje historike.

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11: 00 do të mbahet ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.

Zbulimi i Mozaikut (Mozaiku me gëzhoja) të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz në ora 14: 00.

Në Tiranë duke filluar nga ora 18: 00 në Muzeun Kombëtar do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmoreve dhe të rënëve për liri.

Më 6 Mars 2018
Në ora 09: 00 fillon konferenca shkencore “Jasharajt dhe Lufta Çlirimtare’’. (Salla e Konferencave në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Kryeministri bënë hapjen).

Nga ora 10: 00 deri në orën 12: 00 do të bëhen homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të familjes Jasharaj në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Nga ora 12: 00 bëhen homazhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë.

Në ora 17: 00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet “Akademi Përkujtimore’’ kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Ora 19: 00, Ekspozita kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jasharaj në Muzeun e Kosovës në Prishtinë. (Hapja: MKRS)

Më 7 Mars 2018
Në Shkup duke filluar nga ora 12: 00 në Sallën e Operës mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmoreve dhe të rënëve për liri.

Nga ora 18:00 në Komunën e Skenderajt do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve’’, ku fillimisht në kompleksin memorial “Adem Jashari” do të ndizen flakadanët dhe me pas në sheshin “Adem Jashari” do të mbahet një program kulturor-artistik.

Në kuadër të Manifestimit do të realizohen edhe aktivitete:
o Turneu në Shah
o Turneu në Volejboll
o Turneu në ,,Fut sall’’
o Turneu i Shenjëtarisë dhe Shigjetarisë

“Ftohen qytetarët që në mënyrë masovike ti bashkohen manifestimeve dhe së bashku të nderojmë veprën heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë e popullit tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com