Ernest Hemingway: Francës i duhen ndërtuesit, jo luftëtarët

Toronto Star Weekly/18 shkurt 1922

Nuk ka asgjë më të vdekur se një tigër i ngordhur dhe Georges Clemenceau ishte një tigër i jashtëzakonshëm. Prandaj, është pak të thuhet se Georges Clemenceau është i vdekur.
Meqë po vija nga Kanadaja, ku një intervistë me Clemenceaun ende rrok ballinat e gazetave, ishte e habitshme ta gjesh Tigrin e dikurshëm të Francës, të vdekur politikisht, ish-liderin francez të cilit i doli nami i zi pasi doli në pizhame nga makina “Pullman”. Askush nuk e citon Clemenceaun, askush nuk kërkon mendimin e Clemenceaut. Kur ju thoni “Clemenceau”, njerëzit qeshen dhe, në fund të fundit, zoti Clemenceau është shtrënguar të hapë një gazetë të vogël që t’i shprehë mendimet para publikut, nëse ka publik që e lexon.
Nëse kërkoni një shpjegim për atrofinë e Clemenceaut si figurë politike, mund të shkoni në dy vende për ta marrë vesh më së miri. Mund të intervistoni politikanë të cilët flasin për Versajën, çështjen e reparacioneve, diplomacinë e hapur, Gjenovën, basenin Ruhr dhe kemalistët. Ose mund t’i mësyni kafenetë dhe ta merrni vesh të vërtetën. Asnjë politikan nuk do të mund të mbante një njeri larg syve të publikut nëse do ta donin njerëzit.
Në kafene francezët nuk kanë çka të humbin e të fitojnë teksa i thonë gjërat troç, kështu që lirisht i thonë gjërat që i besojnë. Afërmendsh, nëse kanë harruar se kur janë ulur në kafene, flasin edhe për gjëra që s’i besojnë as vetë. Por nëse ju bie puna të rrini me ndonjë francez që ka kaluar mjaftueshëm kohë në kafene sa të flasë pa dorëza, dhe para se të nisë t’i vlojë koka a t’i dalë tymi, pa dyshim se do ta merrni vesh se çka përnjëmend mendon për Clemenceaun dhe çfarëdo qoftë. Dhe nëse ju bie puna të rrini me disa francezë në pjesë të ndryshme të Francës, mund ta krijoni vetë opinionin kombëtar; opinionin e përnjëmendtë kombëtar, e jo hijen e opinionit kombëtar që reflektohet në zgjedhje e gazeta.
Gjërat që i thotë Clemenceau janë thartuar në gojën e njerëzve. Nuk kanë shijen e të vërtetave. Të vërteta mund të kenë qenë dikur, por s’e kanë shijen e të vërtetave tani”, më tha një francez“.
Por, a krejt keni harruar çfarë bëri ai në luftë?” – pyeta unë.
Lufta u kry dhe ai ishte alamet tigri në luftë, por deshi të bëhej tigër edhe pas luftës. Pas luftës, tigrat janë hendikep për një shtet. Ju duhen mushka dhe kuaj punëtorë, mbase, por jo tigra. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës Monsieur Clemenceau, dhe ai duhet të presë derisa të vdesë që të bëhet përsëri njeri i madh”.
Ky është rezultat i muhabetit me shumë francezë. Ky muhabet nuk lëshohet shumë në hollësi e nuk përmend rrethana, por Franca dëshiron një soj të ri burrështetasi dhe ai soj i duhet si kurrënjëherë. Francës i duhet një ndërtues në vend të një luftëtari dhe, meqë nuk do të ketë luftime, Franca me egërsinë e republikave i ka çuar duart prej Clemenceaut. Ai jetoi shumë gjatë pasi kishte kryer detyrën e vet dhe, sikurse tha një francez në kafene: “Ai duhet të presë derisa të vdesë që përsëri të bëhet i madh”.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)/ KultPlus.com

Të famshëm në paqe, dembelë në luftë

Ernest Hemingway

Toronto Star Weekly/13 mars 1920

Shumëkush drejton gishtin kah kanadezët të cilët shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar nëpër fabrika municionesh dhe që tani kërkojnë pesëmbëdhjetë përqindëshin e pagave të tyre amerikane. Gjatë luftës së fundit me Gjermaninë, një numër torontianësh të moshës për ushtri shprehën dëshirën të ndihmonin në luftë duke emigruar në Shtetet e Bashkuara për të kontribuuar me krejt ekspertizën e tyre në fabrika municioni. Me mbledhjen e tubave të parave nëpërmjet punës së tyre patriotike, ata tani kërkojnë të kthehen në Kanada dhe të marrin pesëmbëdhjetë për qind të parave nga ShBA-ja. Me qëllim që t’i ndihmojmë këta njerëz sypatrembur, të cilët ndihmuat luftëtarët, kemi përgatitur një përmbledhje se “Si të bëhesh i famshëm edhe si dembel”.

Natyrisht se ishte më e udhës që një punëtor municioni të kthehej në një qytet tjetër se në atë prej të cilit ishte larguar. Qytetarët e qytetit të lindjes mund t’ia kenë keqkuptuar motivet dhe rreziqet me të cilat ishte përballur gjatë punës për prodhimin e municioneve.
Vështirësia e parë që duhej të kapërcehej do të ishte emblema e misioneve luftarake tejoqeanike në kuadër të Forcës Ekspeditive Kanadeze. Kjo natyrisht se është e zorshme të menaxhohet. Nëse dikush ju pyet se pse nuk e mbani emblemën, kthejani me arrogancë: “Nuk kam pse të fryhem për shërbimin ushtarak!”

Duke ia plasur kështu në fytyrë, me siguri se e bëni të ndihet në siklet këdo që ende fryhet për shërbimin ushtarak. Dhe nëse ju rastis t’ju pyesë dikush në ndonjë mbrëmje vallëzimi nëse e keni takuar ndonjëherë kolonelin Smithers në Francë, ose nëse ndonjëherë keni pasur punë me majorin MacSwear, lirisht kthejani ftohtë: “Jo”, sa për ta hequr qafe. Kjo do t’ia tregojë atij ose asaj vendin dhe, mbi të gjitha, kjo është e gjitha çfarë mund të themi.
Është e udhës që të shkoni në ndonjë dyqan të teshave e koteshave të përdorura të ushtrisë dhe të blini një xhup ushtrie. Asi që vishet midis dimrit, me qëllim që të mund të fryheni para të gjithëve se keni kryer tamam shërbim ushtarak e nuk keni qenë pjesë e MC-së (Kryqit të Ushtrisë). Nëse nuk mund ta gjeni ndonjë xhup të trashë dimri, atëherë blini një palë çizme ushtrie. Kështu do t’ia mbushni mendjen kujtdo që e takoni se shërbyet në ushtri.

Xhupi i trashë dhe çizmet e ushtrisë do t’ju hapin rrugë që së paku njëherë të njiheni si pjesë e njerëzve të kthyer nga lufta, që është qëllimi i parë që dëshironi ta vini në pah nga koha e luftës. Gjykimi juaj, se kjo ishte arsyeja pse morët udhë drejt Shteteve të Bashkuara, tani do të justifikohet, do t’i gëzoni përfitimet e shkuarjes në luftës dhe nuk do t’ju dalë asnjë pengesë para vetes.

E udhës do të ishte që të mësonit edhe vargjet e “Mademoiselle from Armentiéres” dhe “Madelon”. Këndoni vërshëllueshëm këto balada fetare derisa prisni ndonjë makinë në rrugë dhe krejt do t’ju marrin për luftëtar të kthyer nga lufta. Dhe nëse nuk jeni njeri gjaknxehtë, mos provoni fare t’i mësoni fjalët e atyre dy himneve të vjetra.

Blini ose huazoni një histori të mirë lufte. Mësojeni me kujdes dhe kështu do të jeni të zotë të flisni me urtësi për çdo pjesë të frontit. Dhe në të vërtetë, ju mund të flisni fije e për pe sa për të provuar se jeni një veteran mesatar që flet me ndonjë pasaktësi, por që nuk bën kushedi farë dëmi nëse nuk mund të verifikohet. Ushtari mesatar ka kujtesë mesatare për gjynah kur vjen puna te emrat dhe datat. Përfitoni edhe prej kësaj. Me pak studim të kujdesshëm, mund ta kuptoni se ata që thonë se ishin në filan vendi, nuk kanë lidhje me luftën, sepse juve ju ndihmon në këtë pikë fakti se në ushtri të gjitha ditët janë të njëjta në të shumtën e rasteve. Dhe këtë më së miri e vërteton një rreshter rekrutimi kur thotë: “Çdo ditë në ushtri është si e diela në fermë”.
Dhe tani që ju ua keni mbushur mendjen të gjithëve se gëzoni statusin e veteranit të luftës dhe heroit të mundshëm, pjesa e mbetur është puna më e lehtë. Tregohuni modest dhe jo rrahagjoks, dhe nuk do të keni kurrfarë telashesh. Nëse dikush në zyrë ju drejtohet me “major”, vetëm çojani dorën, qeshuni dhe pabujshëm theksoni: “Jo, jo bash major”.

Pas këtij muhabeti do t’ju njohin në zyrë për kapiten.
Tani që keni shërbyer në front, jeni patriot i dëshmuar dhe zyrtar i denjë, ju ka mbetur vetëm edhe një gjë. Rrini fikall vetëm në dhomë natën. Me kujdes të madh, hidhjani një sy çekut të bankës. Pastaj kthejeni prapë në tavolinë, aty ku e morët.
Në fund, dilni para pasqyrës e shikojeni veten në drita të syve, dhe kujtojeni se janë 56 mijë kanadezë të vdekur në Francë dhe Flanders. Pastaj fike dritën dhe futja gjumë.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”. Në katër ditët në vazhdim do t’i publikojmë katër reportazhe të tjera të Heminguejit)

Fjala magjepsëse e Hemingueijt ditën që mori çmimin Nobel!

Ne, shkrimtarët, kemi jetë të vetmuar. Fjala e Ernest Heminguejit në ceremoninë e “Nobelit”

Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar. Organizatat e shkrimtarëve e lehtësojnë vetminë e shkrimtarit, por unë dyshoj që ato e përmirësojnë të shkruarin e tij. Ai rritet në staturë para publikut, teksa hedh tutje vetminë e tij, dhe shpesh herë, vepra e tij përkeqësohet. Sepse, veprën e tij ai e shkruan i vetëm, dhe nëse është shkrimtar i mirë, ai duhet të përballet me përjetësinë, ose me mungesën e saj, çdo ditë

“Duke mos patur aftësinë e të shkruarit të fjalimeve, dhe as të oratorisë apo dominimit të retorikës, dëshiroj të falënderoj administratorët për bujarinë e Alfred Nobelit për këtë çmim. Asnjë shkrimtar, që i njeh shkrimtarët e mëdhenj që nuk e morën këtë Cmim, nuk mund ta pranojë, përveçse me përulësi. Nuk ka nevojë të rendis këta shkrimtarë. Gjithësecili këtu mund të bëjë listën e tij, sipas njohurive dhe ndërgjegjes së tij.

Do të ishte e pamundur për mua, që t’i kërkoja Ambasadorit të vendit tim të lexonte një fjalim, në të cilin një shkrimtar të ketë thënë të gjithë ato gjëra që ka në zemër. Gjërat mund të mos jenë menjëherë të dukshme në ato që një burrë shkruan, dhe në këtë drejtim, ai është ndonjëherë me fat; por me kalimin e kohës, ato bëhen shumë të qarta, dhe përmes tyre si dhe shkallës së alkimisë që ai zotëron, shkrimtari ose do të kujtohet, ose do të harrohet.

Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar. Organizatat e shkrimtarëve e lehtësojnë vetminë e shkrimtarit, por unë dyshoj që ato e përmirësojnë të shkruarin e tij. Ai rritet në staturë para publikut, teksa hedh tutje vetminë e tij, dhe shpesh herë, vepra e tij përkeqësohet. Sepse, veprën e tij ai e shkruan i vetëm, dhe nëse është shkrimtar i mirë, ai duhet të përballet me përjetësinë, ose me mungesën e saj, çdo ditë.

Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër duhet të jetë një fillim i ri, ku ai përpiqet sërish për diçka që është përtej arritjeve. Ai duhet të përpiqet gjithmonë për diçka që nuk është bërë asnjëherë, apo që të tjerët e kanë provuar dhe kanë dështuar. Ndonjëherë, me shumë fat, do ia dalë mbanë.

Sa i thjeshtë do të ishte të bërit e letërsisë, nëse do të ishte e nevojshme të shkruhej në një mënyrë tjetër, ajo që tashmë është shkruajtur, dhe mirë madje. Pikërisht se kemi patur shkrimtarë të mëdhenj në të kaluarën, sot janë shtyrë shumë limitet e asaj ku një shkrimtar mund të shkojë, përtej, atje ku askush nuk mund ta ndihmojë.

Kam folur shumë gjatë për një shkrimtar. Një shkrimtar duhet ta shkruajë atë që ka për të thënë, dhe jo ta flasë. Edhe një herë, faleminderit./KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”./KultPlus.com

Botohet pas 62 vitesh një tregim i Hemingway

Një tregim i Ernest Hemingway do të publikohet për herë të parë pas 62 vitesh.

“A Room on the Garden Side”, u shkruajt në vitin 1956 dhe do të publikohet këtë javë në numrin 55 nga “Strand Magazine”, një revistë letrare.

Ky tregim zhvillohet në Paris, në hotelin “Ritz” gjatë Lutës së Dytë Botërore dhe tregohet nga Robert, një lloji personifikimi i shkrimtarit që edhe pseudonimin e ka të njëjtë me atë “Papa”.

Roberti dhe miqtë e tij pinë verë, citojnë Bodlerin dhe flasin për tregtinë e pisët të luftës.

Hemingway është frymëzuar shpesh herë nga lufta, si për shembull “Lamtumirë armë” (1929) dhe “Për kë bie këmbana” (1940).

Ai vetë ka punuar si shofer ambulance në Luftën e Parë Botërore dhe ishte edhe ushtar edhe korrespondent lufte gjithnjë gjatë konfliktit të parë botëror./ KultPlus.com

Tregimi prekës i Ernest Hemingway në gjashtë fjalë

Kur Ernest Hemingway ka qenë në moshë të re, ka vënë një bast me shoqërinë e kolegët shkrimtarë, ku ka deklaruar se si ai mundet të shkruaj tregim me gjashtë fjalë, shkruan KultPlus.

“Në shitje, Këpucë për bebe, t’pambathura”, është tërësia e asaj që është përshkruar si një roman me gjashtë fjalë, duke e bërë atë një shembull ekstrem të asaj që quhet fantazi e shpejtë ose imagjinatë papritur.

Ernest Hemingway ka qenë një novelist amerikan, që ka shkruar storie të shkurtra. Hemingway njihet si një nga figurat më të shquara të viteve 1920 dhe 1950, ndërsa në vitin 1954 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Ai ka publikuar shtatë romane, në mesin e tyre edhe romanin “Plaku dhe Deti”.

I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Hemingway vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Hemingway janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore./ KultPlus.com