Nën temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër gjeografi, histori… përtej mureve” nis festivali Polip i organizuar nga Qendra Multimedia. Këtë vit, Qendra Multimedia ka bashkuar forcat me organizatën Molla e Kuqe, e cila po menaxhon me muzeun e hapur rishtazi në Prishtinë “Burgu i Idealit”.
Programi i Polip-it të sivjetëm hapet me shfaqjen siriane “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila duke marr për shkas tregimin e një prej figurave më famëkeqe të regjimit nazist në Gjermani, shpjegon edhe raportin e artistëve aktualisht refugjatë, me vendin e tyre Sirinë.
Nesër (16 maj) nga ora 17:00, nën moderimin e Alban Beqirajt, në Burgun e Idealit do të zhvillohet biseda “E kaluara që ndjek të tashmen: Artikulimi kreativ i momenteve historike”, në të cilën do të flasin artistët sirianë të shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”. Ndërsa nga ora 19:00 në Kino Armata në Prishtinë do të shfaqet filmi “Letra të hapura” i regjisores Katharine Dominice.
Programi vazhdon edhe më 17 maj, përsëri në Burgun e Idealit, ku nga ora 16:00 do të ndodh biseda “Sindromi i karakterit (jo)kryesor: Përfaqësimi i grave në letërsinë e Ballkanit”, me panelistë Ivana Trajanoska dhe Robert Alagjozovski nga Maqedonia e Veriut dhe Blerina Rogova Gaxha nga Kosova, moderuar nga Aulonë Kadriu. Nga ora 18:00 në qelitë e Burgut të Idealit, aktorët Semira Latifi, Adrian Morina e Shpëtim Selmani do të lexojnë rrëfime të ish të burgosurve politikë në Kosovë.
Polip-i i sivjetëm përmbyllet me shfaqjen “Bëje ose vdis”, një homazh për ish të burgosurit politikë nga Kosova, që prezantohet më 17 maj nga ora 20:00 në Burgun e Idealit në Prishtinë./ KultPlus.com
