Edina Pllana mban koncert recital me të ftuar speciale Fiona Llapashticën, prezantojnë veprat klasike të repertorit shqiptar e botëror

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, pati mundësinë të dëgjojë vepra të kompozitorëve të njohur, në koncertin recital të sopranos Edina Pllana dhe të ftuarës së saj speciale, sopranos Fiona Llapashtica, nën shoqërimin e pianistit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.

Koncerti u hap me veprën ‘Në mes dashurive’ të kompozitorit të njohur shqiptar Çesk Zadeja, me një interpretim të ndjerë nga sopranoja Pllana, duke përgatitur publikun për një mbrëmje të veçantë që do ta shoqërojë në vazhdim.

Pas kësaj performance, në skenë u sopranoja Fiona Llapashtica, e cila solli veprat ‘Wenn mein Schatz’ nga Gustav Mahler dhe ‘Der Spielmann’ nga Robert Schumann, interpretime këto që u përcollën me duartrokitje të ndjera nga publiku.

Më pas, vepra ikonike, ‘Senza Mamma’ e Giacomo Puccinit, një arie e thellë dhe prekëse, u përçua edhe tek pjesëmarrësit, teksa u interpretua ndjeshëm nga Edina Pllana.

Më tej, dy sopranot u bashkuan për të interpretuar veprën ‘Die Schwestern’ të Johannes Brahms, një bashkëpunim që solli një harmoni të përsosur vokale dhe shpirtërore.

Një pikë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe prezenca e pianistit të ftuar Shpëtim Mehmeti, i cili interpretoi me finesë dhe ndjeshmëri veprën ‘Élégie in E+ minor’ të Sergei Rachmaninoff.

Programi vazhdoi me një tjetër arie të Puccinit, ‘Si, mi chiamano Mimi’, e interpretuar nga Edina Pllana, duke sjellë në skenë personazhin e Mimit nga opera ‘La Boheme’. Fiona Llapashtica pasoi me veprën dramatike “Der Zwerg” të Franz Schubert dhe më pas me elegjinë ‘Dido’s Lament’  nga Henry Purcell.

Ndërkaq, ky koncert u përmbyll me interpretimin e Edina Pllanës në veprën “Pace, pace mio Dio” të Giuseppe Verdit, një arie komplekse që i dha një tjetër dimension kësaj mbrëmje.

Pas koncerti, mes emocionesh, Edina Pllana foli për KultPlus rreth koncertit, bashkëpunimin e Fiona Llapashticën si dhe për përzgjedhjen e repertorit të kësaj mbrëmje.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë sidomos për faktin që kisha nderin ta kem Fiona Llapashticën në skenë e cila performoi këngët në mënyrën e saj më perfekte të mundshme. Shpresoj që kjo ka qenë një inspirim për të gjithë njerëzit që dëgjojnë muzikë dhe që e përcjellin artin në përgjithësi. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoj edhe me pianistin Agron Shujaku pianistin Shpëtim Mehmeti. Repertorin e kam përzgjedhur vetë sepse janë shumë të veçanta për mua”, theksoi Pllana.

Ndërkaq, e ftuara special, Fiona Llapashtica, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti. Ajo po ashtu ndau me KultPlus edhe për planet e saj në të ardhmen.

“Ndihem shumë e nderuar që Edina më ka ftuar për këtë koncert edhe të performoj në këtë skenë. Kjo ka qenë edhe premierë për mua sepse asnjëherë nuk kam performuar në skena të tilla. Këngët që i kam interpretuar më pëlqejnë shumë dhe mendoj se gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në fund të korrikut do të kem një koncert me masterclass me Ramë Lahaj këtu në Prishtinë.  Po ashtu do të kem një koncert të enjten në Vjenë bashkë me klasën time të fakultetit”, tha Llapashtica duke shtuar mes tjerash që planet e tjera të saj do të fillojnë nga shtatori.

Për KultPlus foli edhe pianisti Agron Shujaku, i cili vlerësoi këtë koncert, si dhe sopranon Edina Pllana që sipas tij është në ngritjen e saj profesionale.

“Ky koncert qenë një bashkëpunim me Edinën. Edina është një solokëngëtare e re e cila sapo ka përfunduar shkollimin në master dhe aktivisht është duke u marrë me ngritjen e saj profesionale. Ka qenë rezultat i bashkëpunimit për gati dy muaj prova me Edinën dhe me mysafiren e saj Fionën. Mendoj që ky është vetëm një hap i parë për Edinën, mund të them se ka thyer akullin për koncertet e ardhshme që do t’i ketë”, tha Shujaku, duke shtuar se Edina Pllana është një soprano që premton shumë dhe se këto janë vetëm hapat e saj të parë./KultPlus.com

Fiona Llapashtica, këngëtarja e re që dhuroi emocione të mëdha me koncertin e saj të parë në KultPlus Caffe Gallery

Era Berisha

Mbrëmja muzikore e së mërkurës në KultPlus Caffe Gallery ka pritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të dëgjuar e admiruar zërin e pastër si kristal të artistes Fiona Llapashtica. Nëpër vazhdën e zhanrit pop dhe xhaz, kjo mbrëmje dëshmoi se zërat shqiptarë janë ndër më të bukurit ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit veçse kishte kapluar hapësirën brenda katër mureve dhe akoma pa filluar zyrtarisht mbrëmja, ishin fotografitë, bisedat mes miqsh dhe buzëqeshjet e shumta ato që gjetën vendin e tyre. Në ndërkohë, derisa aspektet teknike arritën perfeksionimin e tyre, ishin fotografitë e Arton Sefës të vendosura në muret e KultPlus Caffe Gallery, ato që i kanë bërë shoqëri secilit.

Mirësia, mirëkuptimi e pasioni ishin tri ndjenjat që fuqishëm u ndjenin në hapësirë përgjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi i Fionës për të kënduar e për të shpalosur talentin e saj, veçse ishte tejet prezentë. E njashtu ishte edhe dëshira për të dëgjuar zërin e saj të ëmbël e njëkohësisht të fuqishëm.

Pas kësaj pritjeje të lezetshme, babai i Fionës, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.

“Kam kënaqësinë dhe nderin për të falënderuar vajzën time, Fiona e cila sonte sjell këngë xhaz. Fiona jeton në Vjenë por këtu jemi me pushime dhe përgjatë këtij pushimi ajo ka pasur qejf që të performojë për neve dhe andaj besoj që do të kënaqemi shumë bashkë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ishte vetë këngëtarja Fiona Llapashtica ajo e cila para se të nis koncertin e saj, ka përshëndetur audiencën.

“Përshëndetje të gjithëve. Është shumë mirë që ju shoh sonte këtu. Këngët që do t’i këndoj sot do të jenë një përzierje e pop-it dhe xhazit dhe shpresoj që të gjithë do t’i shijoni. Kënga ime e parë që do të doja të këndoja për ju është “Love on the Brain” nga Rihanna. Kënga është bazuar në një djalë që e do vajzën me shumë butësi. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”, ka thënë ajo.

Përgjatë kësaj mbrëmjeje, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Fiona i ka përzgjedhur vetë e të cilat ajo i mban afër zemrës. Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë: “Bang Bang” nga Nancy Sinatra, “Whatever Lola Wants” nga Jerry Ross, “Pretty Lies” dhe “Wild Woman” nga Mimoza Hajdini, “Gimme! Gimme! Gimme!” nga ABBA si dhe shumë të tjera.

Duke filluar me dy këngë nga Rihanna e deri tek këngët që i përkasin zhanrit xhaz, Fiona ka ngjallë emocione të mëdha në publik. Ishin duartrokitjet, brohoritjet dhe thirrjet e shumta që nata të mos mbarojë, ato të cilat kanë dëshmuar për një koncert të suksesshëm dhe një mbrëmje që do të kujtohet për shumë gjatë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një mbrëmjeje të tillë, për KultPlus ka folur këngëtarja Fiona Llapashtica.

“Unë po ndjena shumë mirë dhe jam shumë e lumtur sepse e kam përfunduar tashmë koncertin e parë timin. Në fakt, kam marrë pjesë nëpër ngjarje të ndryshme muzikore, por kjo sonte ishte i pari që më përket vetëm mua dhe është veç i imi. Unë këndoj më së shumti këngë klasike mirëpo për këtë koncert kam përzgjedhur këngë xhaz dhe pop, ato të cilat në fakt i kam dëgjuar më së shpeshti. Energjia dhe atmosfera që u krijua sonte më pëlqeu shumë e unë kënaqesha kur njerëzve u pëlqenin këngët. Nëse më mundësohet të performoj përsëri, atëherë unë do të vazhdoja me gjithë dëshirë këtë rrugëtim”, thotë Llapashtica.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium. / KultPlus.com

Nga Vjena në Kosovë, Fiona Llapashtica sonte me performancë në KultPlus Caffe Gallery

Fiona Llapashtica sonte vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.

Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.

Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com

Nga Vjena në Kosovë, Fiona Llapashtica vjen me performancë në KultPlus Caffe Gallery

Fiona Llapashtica nesër vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.

Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.

Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com