Edina Pllana mban koncert recital me të ftuar speciale Fiona Llapashticën, prezantojnë veprat klasike të repertorit shqiptar e botëror

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, pati mundësinë të dëgjojë vepra të kompozitorëve të njohur, në koncertin recital të sopranos Edina Pllana dhe të ftuarës së saj speciale, sopranos Fiona Llapashtica, nën shoqërimin e pianistit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.

Koncerti u hap me veprën ‘Në mes dashurive’ të kompozitorit të njohur shqiptar Çesk Zadeja, me një interpretim të ndjerë nga sopranoja Pllana, duke përgatitur publikun për një mbrëmje të veçantë që do ta shoqërojë në vazhdim.

Pas kësaj performance, në skenë u sopranoja Fiona Llapashtica, e cila solli veprat ‘Wenn mein Schatz’ nga Gustav Mahler dhe ‘Der Spielmann’ nga Robert Schumann, interpretime këto që u përcollën me duartrokitje të ndjera nga publiku.

Më pas, vepra ikonike, ‘Senza Mamma’ e Giacomo Puccinit, një arie e thellë dhe prekëse, u përçua edhe tek pjesëmarrësit, teksa u interpretua ndjeshëm nga Edina Pllana.

Më tej, dy sopranot u bashkuan për të interpretuar veprën ‘Die Schwestern’ të Johannes Brahms, një bashkëpunim që solli një harmoni të përsosur vokale dhe shpirtërore.

Një pikë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe prezenca e pianistit të ftuar Shpëtim Mehmeti, i cili interpretoi me finesë dhe ndjeshmëri veprën ‘Élégie in E+ minor’ të Sergei Rachmaninoff.

Programi vazhdoi me një tjetër arie të Puccinit, ‘Si, mi chiamano Mimi’, e interpretuar nga Edina Pllana, duke sjellë në skenë personazhin e Mimit nga opera ‘La Boheme’. Fiona Llapashtica pasoi me veprën dramatike “Der Zwerg” të Franz Schubert dhe më pas me elegjinë ‘Dido’s Lament’  nga Henry Purcell.

Ndërkaq, ky koncert u përmbyll me interpretimin e Edina Pllanës në veprën “Pace, pace mio Dio” të Giuseppe Verdit, një arie komplekse që i dha një tjetër dimension kësaj mbrëmje.

Pas koncerti, mes emocionesh, Edina Pllana foli për KultPlus rreth koncertit, bashkëpunimin e Fiona Llapashticën si dhe për përzgjedhjen e repertorit të kësaj mbrëmje.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë sidomos për faktin që kisha nderin ta kem Fiona Llapashticën në skenë e cila performoi këngët në mënyrën e saj më perfekte të mundshme. Shpresoj që kjo ka qenë një inspirim për të gjithë njerëzit që dëgjojnë muzikë dhe që e përcjellin artin në përgjithësi. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoj edhe me pianistin Agron Shujaku pianistin Shpëtim Mehmeti. Repertorin e kam përzgjedhur vetë sepse janë shumë të veçanta për mua”, theksoi Pllana.

Ndërkaq, e ftuara special, Fiona Llapashtica, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti. Ajo po ashtu ndau me KultPlus edhe për planet e saj në të ardhmen.

“Ndihem shumë e nderuar që Edina më ka ftuar për këtë koncert edhe të performoj në këtë skenë. Kjo ka qenë edhe premierë për mua sepse asnjëherë nuk kam performuar në skena të tilla. Këngët që i kam interpretuar më pëlqejnë shumë dhe mendoj se gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në fund të korrikut do të kem një koncert me masterclass me Ramë Lahaj këtu në Prishtinë.  Po ashtu do të kem një koncert të enjten në Vjenë bashkë me klasën time të fakultetit”, tha Llapashtica duke shtuar mes tjerash që planet e tjera të saj do të fillojnë nga shtatori.

Për KultPlus foli edhe pianisti Agron Shujaku, i cili vlerësoi këtë koncert, si dhe sopranon Edina Pllana që sipas tij është në ngritjen e saj profesionale.

“Ky koncert qenë një bashkëpunim me Edinën. Edina është një solokëngëtare e re e cila sapo ka përfunduar shkollimin në master dhe aktivisht është duke u marrë me ngritjen e saj profesionale. Ka qenë rezultat i bashkëpunimit për gati dy muaj prova me Edinën dhe me mysafiren e saj Fionën. Mendoj që ky është vetëm një hap i parë për Edinën, mund të them se ka thyer akullin për koncertet e ardhshme që do t’i ketë”, tha Shujaku, duke shtuar se Edina Pllana është një soprano që premton shumë dhe se këto janë vetëm hapat e saj të parë./KultPlus.com

Pianisti Agron Shujaku do të prezantojë projektin “Teknika e Koordinuar Pianistike”

Pianisti i njohur Agron Shujaku do të paraqitet me prezantimin e projektit “Teknika e Koordinuar Pianistike”, prezantim që do të bëhet në KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

Objektiv kryesor i këtij projekti është realizimi i mësimeve , video incizimeve të cilat janë të ndara në lëndë ku secila video në mënyrë të veçantë e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike dhe synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike se si adresohen. 

Nxënësit  e pianos të gjitha shkollave muzikore në Kosovë, përmes video materialeve të përpunuara  të publikuara në Youtube do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në këtë metodë pasi njohuritë praktike mund të zbatohen menjëherë në praktikë si ergonometria e qëndrimit në piano,  përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.

Ky projekt përpiqet të ndihmojë pianistët e rinj që të luajnë piano me lehtësi dhe të ndihmojnë mësuesit e pianos në zhvillimin e metodologjisë për lehtësimin e punës pedagogjike. Ky projekt ka për qëllim prezantimin dhe njohjen e pianistëve me metodën e teknikës së koordinuar të pianos e cila ka për bazë teknikën Taubman me  qëllim të arritjes së teknikës së konsoliduar për  pianistët e cilido zhanri të cilët kanë vështirësi teknike në interpretimin e pianos. Ky projekt është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte. / KultPlus.com

Pianisti Agron Shujaku solli një mbrëmje të veçantë për audiencën gjilanase, Jakupi: Ky koncert frymëzoi pianistët e rinj

Në një ditë të zakonshme të javës, Shkolla e Muzikës në Gjilan shkëlqeu me një koncert recital të veçantë të profesorit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.

E mërkura e kësaj jave u shënua me interpretimin e veprave të mjeshtërve të muzikës, Ravel dhe Beethoven, në një performancë të shquar për të gjithë ata që e ndoqën.

Agron Shujaku, një pianist dhe muzikant i njohur kosovar, tregoi pasionin dhe mjeshtërinë e tij në këtë koncert të veçantë duke interpretuar veprat e kompozitorëve Ravel, duke përfshirë “Pavane pour une infante défunte” dhe “Le Tombeau de Couperin,”.

Ai poashtu interpretoi sonaten e fundit të Beethovenit, një kryevepër e cila impresionoi publikun dhe barti një emocion te thellë te audienca e përbërë nga kolegë, nxënës dhe dashamirët e muzikës, të cilët u kënaqën me këtë përvojë të mrekullueshme muzikore.

Interpretimi i pianistit krijoi një udhëtim muzikor të veçantë, një atmosferë të mbushur me tinguj emocionues që solli freski te audienca e Gjilanit.

Kushtrim Jakupi, drejtori i Shkollës së Muzikës  ne Gjilan, shprehi kënaqësinë për organizimin e koncertit recital që i frymëzoi të pranishmit dhe njëkohësisht i inkurajoi pianistët e rinj të ndjekin shembullin e tij në zhvillimin e artit pianistik./ KultPlus.com

Pianisti Agron Shujaku prezanton në Fakultetin e Arteve studimin e tij mbi efektivitetin e ushtrimeve të Peter Feuchtwanger

Një prezentim i rrallë u zhvillua në Fakultetin e Arteve kur pianisti dhe pedagogu i pianos, Agron Shujaku, paraqiti studimin e tij mbi efektivitetin e ushtrimeve të Peter Feuchtwanger. Prezantimi kishte për qëllim të shpaloste ndikimin dhe përparimet që mund të arrihen në performancën pianistike përmes praktikimit të këtyre ushtrimeve të Peter Feuchtwanger.

Agron Shujaku, një emër i njohur në muzikës kosovare, tregoi përvojën dhe njohuritë e tij si pianist dhe pedagog i pianos gjatë prezantimit. Ai theksoi se ushtrimet e Peter Feuchtwanger janë një burim i veçantë për përmirësimin e pozicionit natyral të dorës, ekonomisë së lëvizjeve dhe zvogëlimit të dhimbjes në aparatin e pianos.

Në këtë studim pianistët e rinj të interesuar për këtë metod praktikuan ushtrimet e Feuchtwanger për një periudhë prej katër javësh. Pas kësaj periudhe, ata treguan përmirësime të dukshme në performancën e tyre pianistike, duke arritur një lëvizje më të shpejtë, më precize dhe të lehtë në piano. Gjithashtu, ata shënuan një zvogëlim të ndjeshëm të dhimbjes së përjetuar gjatë ekzekutimit.

Në fund të prezantimit, u bë një falenderim i veçantë për Komunën e Prishtinës, e cila mbështeti organizimin e këtij prezantimi dhe promovimin e kulturës muzikore në qytet./ KultPlus.com

Rikthim spektakolar për mbylljen e Festivalit DAM, Kelmendi: Shpërblimi më i madh është suksesi që i kemi sjellë vendit tonë

Uranik Emini

“Kori nuk është thjesht një hobi apo aktivitet pas shkollës, është një mënyrë jetese”, thotë një shprehje. Një gjë e tillë shihet edhe në performancat magjike të korit “Siparantum”, të cilët u rikthyen në DAM Festival, aty ku edhe filluan rrugëtimin e tyre, për të dëshmuar se madhështia vjen nga fillimet e vogla. Pas pushtimit të skenave më të njohura botërore, “Siparantum” në krye me Memli Kelmendin, vazhdoi në mënyrë unike afirmuese të ndezë shqisat dhe të qetësojë nervat e njerëzve të pranishëm në kishën “Shën Ndou” të mbushur plot, të cilët brohoritën në mënyrë spektakolare për njërin ndër koret më të suksesshëm në Kosovë dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Mes shumë sfidave, DAM Festival e përmbylli edicionin e 17-të duke ofruar një programacion të pasur dhe gjithashtu edhe rikthimin e korit “Siparantum”.

Për të folur më shumë rreth asaj se çfarë kaluan gjatë këtij edicioni, organizatorja Rreze Kryeziu, tha për KultPlus se mungesa e një salle të duhur për të shtrirë në mënyrë të duhur performancat e tyre, po i përcjellë ata vit pas viti.

“Secili edicion i ka padyshim të mirat e veta, sepse në të kundërtën nuk do ta realizonim, por padyshim këtu përfshihen edhe sfidat. Ne vazhdojmë në edicionin e 17-të me radhë që të kemi mungesë të kushteve elementare, sikurse që është mungesa e një salle përkatëse dhe jo më kot është evidentuar edhe lëvizja e koncerteve prej një salle në sallën tjetër. DAM-i në edicionet e kaluara i ka realizuar sepse kemi pasur qëllim që të eksplorojmë hapësirat e ndryshme në mënyrë që të realizojmë koncertet tona, por kësaj radhe ky nuk ka qenë qëllimi pasi ka munguar një sallë përkatëse”, tha Kryeziu duke falënderuar edhe një herë tjetër të gjitha institucionet të cilat kanë ndihmuar në realizimin e këtij koncerti.

E pyetur në rikthimin e korit “Siparantum”, Kryeziu thotë se e tërë shoqëria e pret me entuziazëm rikthimin e tyre. “Kjo është evidentuar edhe sot, kur pyetëm publikun pas shfaqjes dhe gjithashtu edhe i kërkuam falje për temperatura të larta, thanë se nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë pasi ata morën një freski shpirtërore nga performancat e korit”.

Në anën tjetër, kompozitori Memli Kelmendi tha për KultPlus se është shumë i kënaqur që janë rikthyer në përmbylljen e edicionit të 17-të, por kjo nuk do të thotë se do të përmbyllet edhe rrugëtimi i korit “Siparantum”.

“Rrugëtimi jonë besoj edhe duhet të jetë më i gjatë edhe pas nesh, kjo pasi muzika gjithmonë mbijeton. Ne sot kemi shpalosur një program kolosal dhe kemi shpalosur suksesin e festivalve që kemi përmendur disa herë. Veprat të cilat kemi qenë pjesëmarrës në skenat më të njohura botërore. Publiku mendoj që ka pasur rastin të përcjellë dhe të shijojë disa prej pikave të cilat ne i kemi interpretuar në festivale të ndryshme, e sonte i kemi paraqitur përpara publikut të Prishtinës. Një energji ndryshe, na ka munguar kjo atmosferë. Ne u rikthyem në Prishtinë pas dy viteve dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë dhe sonte jam ndjerë tamon si pjesë e shtëpisë sime. Dua të falënderoj Dardanin, Rrezen dhe gjithë stafin e Festivalit DAM për ftesën edhe për organizimin e tyre fantastik që kjo mbrëmje të jetë në shpirtin e secilit prej audiencës”, tha Kelmendi.

Veçantia e jashtëzakonshme e korit “Siparantum”

“Të gjithë njerëzit në korin “Siparantum” janë vullnetarë, edhe unë jam vullnetar edhe Agroni gjithashtu. As kryetari i korit nuk paguhemi për punën që e bëjmë. Shpërblimi më i madhi, pagesa më e madhe që ne e kemi është suksesi të cilin ia kemi sjellë vendit tonë, mendoj që kjo gjë nuk mund të blehet me pare. Do të thotë, mendoj që shpesh herë puna kur bëhet me pare është ndryshe, ajo punë që bëhet vullnetare dhe bëhët me shpirt, jehon ndryshe. Ne jemi duke e bërë punën me shpirt dhe jemi shumë të etur dhe e shohim se sa e nevojshme është prezantimi i kulturës dhe vendit tonë ndërkombëtarisht. Prandaj, këtë atmosferë po ia japim edhe vendit tonë”, tha ai, duke njoftuar se kori “Siparantum” ka ftesa të shumta, madje i ka të siguruar ftesat deri në vitin 2025.

Në shtator dhe tetor, kori “Siparantum”, siç njofton Kelmendi, do të paraqitet në dy skena të njohura të botës, derisa për shkak të konfidencialitetit nuk mundi të zbulojë diçka konkrete.

Pianisti kosovar, Agron Shujaku, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me korin “Siparantum”, tha për KultPlus se ky është festivali më i veçantë i korit ndonjëherë.

“Bashkëpunimi im me Memlin ka filluar në vitin 2019 kur kemi pasur një koncert dhe unë kam qenë një mysafir i ftuar në një pikë dhe që nga atëherë kemi qenë të pandashëm. Unë mendoj që kemi mbajtur koncerte shumë, por ky ka qenë më i miri që e kemi bërë, ndoshta sepse ka qenë edhe një finalizim i punës. Disa prej veprave i kemi performuar edhe nëpër Evropë dhe ato janë pjekur e janë ngritur çdo herë më mirë e më mirë, ky koncert ka qenë kulminacioni i kësaj pune, sidomos punës dy vjeçare prej pandemisë e deri në ditët e sotme”, tha Shujaku, duke shtuar pjesën se kori “Siparantum” është në një prej 6 koreve më kontribuese të këtij viti.

Baritoni Shaban Behramaj, korist dhe njëherish edhe solist i mbrëmjes, ka thënë për KultPlus se përveç tjerash, fakti që pas një mori koncertesh jashtë vendit, garave e fitoreve, kthimi në Kosovë ka një përgjegjësi më të madhe.

“Njerëzit janë mësuar të të shohin duke fituar nëpër gara të ndryshme, prandaj përgjegjësia tek ne është rritur dhe për këtë aryse kemi ardhur me këtë koncert siç ishte sonte. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përveç si korist, në skenën e Filharmonisë së Berlinit, kam performuar edhe veprën e Memli Kelmendit si solist, kjo gjë më ka nderuar dhe jam shumë i lumtur që e interpretova edhe sonte këtu. Duartrokitjet kanë qenë të jashtëzakonshme, ngrohtësia e publikut shumë e madhe dhe pritja e tyre gjithashtu shumë e madhe, e për këtë gjë jam shumë falënderues”, tha ai.

Përmes tingujve të lavdishëm nga të gjithë anëtarët e korit, u shpreh edhe muzika si emocion, për të treguar edhe një herë fuqinë dhe madhështinë e një orkestre botërore. /KultPlus.com

Agron Shujaku prezanton një pjesë të projektit që ka synim realizimin e veprave të kompozitorëve kosovar për piano 4 duar (VIDEO)

Piansiti Agron Shujaku së fundmi ka prezantuar një pjesë të projektit që ka për synim realizimin e veprave të kompozitorëve kosovar për piano 4 duar, përcjell KultPlus.

Bëhet fjalë për veprën për piano 4 duar “Pranvera në Prishtinë” e kompozuar në origjinal nga Musa Piperku, që është transformuar në një vepër të bukur pianistike nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Piansiti Shujaku tutje bëri të ditur se realizimi i projektit të CD me vepra të kompozitorëve kosovar është subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Te nderuar miq,

Po ju prezentoj një pjesë të projektit që ka synim realizimit të veprave të kompozitorëve Kosovar për piano 4 duar.

Është vepra për piano 4 duar “Pranvera në Prishtinë” e kompozuar në origjinal nga Musa Piperku, që është transformuar në një vepër të bukur pianistike nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Realizimi i projektit të CD me vepra të kompozitorëve kosovar është subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Faleminderoj poashtu Teatrin Profesionist “Istref Begolli” për kontributin e tyre si partner i projektit.
Një falemnderim i veçantë për Memli Kelmendi për kontributin e tij në si inxhinier zëri në realizimin e projektit. / KultPlus.com

Ledian Shala fiton çmimin kryesor në Pianisti i Ri

Edicioni i 14-të i Festivalit “Painisti i Ri’, që u mbajt në Prizren, po konsiderohet si një ndër edicionet e suksesshme të këtij festivali, pasi që në këtë garë u sfiduan 150-të pianistë, shkruan KultPlus.

Në mbrë;mjen finale ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, kryeministri i Republikës së Kosovës i cili në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Ceku, dhe Sazan Cuakj, nga Komuna e Prizrenit.

“Interesimi në rritje i pianistëve të rinj dhe progresi i tyre ndër vite, është shtysë që festivali “Pianisti i Ri” të vazhdon traditën në profilizimin e pianistëve premtues. Një falenderim i veçantë i shkon Komunës së Prizrenit për mbështetje, shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” për bashkëpunimin, si dhe jurisë profesionale për vlerësimin: Herton Mikeli, Shkelzen Baftiari dhe Gent Kumnova”, ka thënë Vlora Baruti, drejtoreshë e këtij festivali.

Ndërkohë, më të suksesshmit e këtij edicioni dolën këta pianistë: Çmimi i I-rë “Pianisti i ri 2021” (300€) – Ledian Shala, çmimi i II-të (200€) – Riola Susuri çmimi i III-të (100€) – Jona Pireva,  çmimi “Fahri Beqiri” – Luna Shema, çmimi “DAM Festival” – Ledian Shala. Kurse pjesë organizative e këtij edicioni janë:  Vlora Baruti – Drejtoreshë Artistike Agron Shujaku – Menaxher Yllka Shyti – Administratore./ KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala me koncert pianistik në Kërçovë

Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, ku do të prezantohen vepra të kompozitorëve shqiptar për piano- 4 duar, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet në qendrën e kulturës ‘Koço Racin’ në Kërçovë me datën 28 maj me fillim nga ora 19:00.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Shujaku ka ftuar të gjithë artdashësit nga Kërçova që të prezantojnë në këtë koncert.

“I lumtur që do të performojmë në koncertin e ardhshëm në Kërçovë . Ftoj të gjithë artdashësit nga Kërçova të prezentojnë në Koncertin pianistik me vepra të kompozitorëve kosovar për piano – 4 duar”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala me koncert pianistik

Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, në të cilin do të prezantohen vepra të njohura klasike nga kompozitorë të famshëm, shkruan KultPlus.

Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma janë kompozitorët, veprat e të cilëve do të prezantohen në këtë koncert që do të mbahet më 26 shkurt, prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./KultPlus.com

Faton Hasani dhe Agron Shujaku me turne të koncerteve në disa qendra të Kosovës


Pianistët dhe profesorët Faton Hasani dhe Agron Shujaku, do të fillojnë turne të koncerteve për piano duo në disa qendra të Kosovës.

Turnin koncertal do ta fillojnë në qytetin e Prizrenit në ambientet e Kino “Lumbardhi” më 4 shtator në ora 20:00.  Koncertet e radhës do të vazhdojnë në Pejë dhe Prishtinë në ditët në vijim, përcjellë KultPlus.

“Programi nga kompozitorët Mozart, Brahms, Ravel, Kusuma është shumë atraktiv, dhe ka qëllim t’i prekë të gjitha epokat kompozicionale dhe të jetë njëkohësisht atraktiv”, thuhet në njoftim.

Hyrja në koncerte është falas duke ju falënderuar mbështetjes institucionale të Ministrisë së kulturës rinisë dhe sportit dhe Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com