Së shpejti hapet ekspozita ‘Loja’ nga artisti Nusret Salihamixhiqi

Galeria e Ministrisë së Kulturës së shpejti mirëpret hapjen e ekspozitës “Loja” të artistit Nusret Salihamixhiqi, e kuruar nga Jakup Ferri, përcjell KultPlus.

Ekspozita hapet me datën 5 maj 2022 duke filluar nga ora 19:00.

Element i rëndësishëm i artit të Nusret Salimaxhiqit (1931 – 2011) është edhe ngjyra me të gjitha nuancat e saj spektrale. Autori shfrytëzon maksimalisht krejt spektrin kolorit për të njëmendësuar botën e vet kreative, në të cilën koha dhe hapësira shkrihen në një, njësoj siç shkrihen forma me përmbajtjen në muzikë. Duke u zhytur i tëri në magjinë e ngjyrave, ndonjëherë harron se megjithatë ato duhet të racionalizohen sipas parimit piktural. Në të vërtetë, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik, dhe jo në bazë të rregullave mekanike, që mund të shpijnë në manierizëm, madje edhe ilustrim“, shkëputur nga shkrimi i Mustafa Ferizit për katalogun e ekspozitës së Salihamixhiqit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Jakup Ferri (1981, Prishtinë, Kosovë, jeton në Prishtinë dhe Hagë) është artist bashkëkohor dhe profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Prishtinës dhe në Rijksakademie në Amsterdam.

Në vitin 2003 ai mori dy çmime prestigjioze në Prishtinë: Çmimin Muslim Mulliqi dhe Çmimin Artistët e së nesërmes. Në vitin 2008 ai mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka qenë artist-në-rezidencë në vende të shumta, duke përfshirë ISCP Nju Jork, Kultur Kontakt Austria. Përveç koleksioneve private, vepra e tij është gjithashtu pjesë e koleksionit të Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest. Këtë vit, Ferri prezanton Pavilionin e Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienalës së Venedikut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 26 korrik 2022. / KultPlus.com

Galeria e Ministrisë së Kulturës përzgjedh Programin Artistik për vitin 2022

Galeria e Ministrisë së Kulturës, ka prezantuar programin e vitit 2022, shkruan KultPlus.

Përmes një video të publikuar në “Facebook”, GMK ka bërë prezantimin e programit për vitin 2022, duke uruar një vit të mbarë dhe të qetë për të gjithë në prag të festave të fundvitit.

Në atë video shihen emrat Enkelejd Zonja, Vigan Nimani, Nysrek Salihamixhiqi, Nurhan Qehaja, Violeta Xhaferi, Luan Bajraktari, të cilët do të jenë të ndarë për muajt janar, maj, korrik, shtator dhe nëntor.

Galeria e Ministrisë së Kulturës funksionon si një “zyre” e drejtpërdrejt e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Departamentit të Kulturës. Për programin e saj është përgjegjës “Këshilli Vlerësues dhe Përzgjedhës” i përbërë nga tre anëtarë të jashtëm.

GMK ka filluar punën në shtator të vitit 2000, si Galeri e Departamentit të Kulturës dhe me rastin e shpalljes së Këshillit të Ministrave ajo është emërtuar “Galeri e Ministrisë së Kulturës”.

Që nga fillimi i saj e deri më sot, janë organizuar mbi 200 ekspozita individuale e kolektive të autorëve vendor dhe ndërkombëtar.

Ministria e Kulturës kishte hapur konkursin për programin artistik më 5 tetor. /KultPlus.com

Galeria e Ministrisë së Kulturës hap konkurs për programin artistik të  vitit 2022 - Gazeta Demos