Kosova pret afganët, Kosnett falënderon Osmanin për vendimin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Presidentja Osmani po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan po ashtu për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. / KultPlus.com

Kosnett nga “Parada e Krenarisë”: Të gjithë njerëzit meritojnë respekt të barabartë pavarësisht kush janë ata

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka marrë pjesë në “Paradën e Krenarisë” që është organizuar në Prishtinë.

Kosnett ka postuar disa fotografi nga parada the ka thënë se komuniteti LGBTQI+ akoma përballet me diskriminim.

“Teksa festojmë kontributet e anëtarëve të komunitetit LGBTQI +, anëtarët e komunitetit akoma përballen me diskriminim dhe margjinalizim. Miqtë, fqinjët dhe anëtarët e familjes sonë meritojnë respekt të barabartë, pavarësisht se kush janë apo kë duan. Krenaria 2021”, ka shkruar Kosnett. / KultPlus.com

Kosnett: Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj demokracisë

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë demokracisë.

Ai deklaron se një shtyp i gjallë dhe i lirë që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë.

Kjo sipas tij, është edhe përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme.

“Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”, ka thënë ai. / KultPlus.com

A vibrant, free press – one that informs the public, empowers diverse voices, & holds officials accountable – is an…

Posted by U.S. Embassy Pristina, Kosovo on Monday, May 3, 2021

Kosnett uron Pashkët: Kjo ditë na kujton fuqinë e këmbënguljes së kosovarëve

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u ka uruar ditën e Pashkëve të gjithë besimtarëve të komunitetit Ortodoks të Kosovës.

Me këtë rast, ai ka thënë se kjo ditë kujton fuqinë e vetë-përmirësimit dhe këmbënguljes së kosovarëve pa marrë parasysh pengesat.

“Urime dita e Pashkëve të gjithë pjestarëve të komunitetit Ortodoks të Kosovës. Ndërsa reflektojmë për një vit sfidues, sot kjo ditë na kujton fuqinë e vetë-përmirësimit dhe këmbënguljes së kosovarëve të zakonshëm, pa marrë parasysh pengesat”, ka shkruar Kosnett në Twitter. / KultPlus.com

Kosnett falënderon qytetarët e Kosovës për solidaritetin e shfaqur për vdekjen e Floyd

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka shprehur falënderim ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët bashkëndjenë për vdekjen e George Floyd.

Në një mesazh të publikuar së fundi, Kosnett shprehet se autoritetet e shtetit federal dhe populli amerikan, janë të përkushtuara thellësisht për drejtësi për Floyd dhe familjen e tij, njofton Klan Kosova.

”Dëshiroj t’i falënderoj ata qytetarë të Kosovës që kanë shprehur ngushëllimet dhe brengën e tyre për vdekjen e Xhorxh Flojdit (George Floyd). Qeveria federale, si dhe autoritetet e shtetit federal dhe ato lokale – dhe populli amerikan – janë thellësisht të përkushtuara për drejtësi për Z. Floyd dhe familjen e tij.

Presidenti Trump ka deklaruar: „Vdekja e George Floydit në rrugët e Mineapolisit ishte tragjedi e rëndë, që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Ajo i ka mbushur amerikanët anembanë vendit me ndjenjë të tmerrit, zemërimit dhe pikëllimit”… Prokurorët kanë ndërmarrë hapa të shpejtë për ngritjen e akuzës, duke respektuar plotësisht një proces të drejtë për të gjithë të përfshirët në rast.

Si amerikan dhe si njeri, e ndaj zemërimin për vdekjen e Z. Floyd dhe i kam shikuar ngjarjet që pasuan në rrugët e qyteteve amerikane me shqetësim të thellë. Përderisa vazhdojmë të përfytemi me diskriminimin në jetën dhe drejtësinë amerikane, objektet si Memoriali Kombëtar për Paqe dhe Drejtësi dhe Muzeu i Trashëgimisë (https://museumandmemorial.eji.org/memorial) na ndihmojnë të ekzaminojmë të kaluarën në mënyrë të sinqertë dhe ta dyfishojmë vendosmërinë tonë për të mundësuar drejtësinë në të tashmen.

Unë besoj se Amerika do të dalë nga ky çast i tmerrshëm më e fuqishme dhe edhe më e përkushtuar për të gjetur rrugën përpara për të përmbushur premtimin historik të të drejtave të barabarta dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo do të kërkojë veprim të bashkërenditur të qeverisë dhe qytetarëve, me ndihmën e shtypit të lirë. Të njëjtën gjë e duam edhe për Kosovën”.

Kosnett kritikon retorikën politike në Kosovë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka kritikuar retorikën politike në Kosovë.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se edhe në Kosovë, si në vendet tjera, retorika politike degradon në racizëm, seksizëm dhe homofobi.

Konsett tutje iu ka bërë thirrje liderëve politikë që të dekurajojnë një gjë të tillë.

“Retorika politike në Kosovës, sikurse në vendet tjera, shpesh degradon në racizëm, seksizëm dhe homofobi. Kjo i degradon ata që bëjnë sulme të tilla dhe ata që i tolerojnë ato. Liderët kanë përgjegjësinë për të dekurajuar një shëmti të tillë. Fokusohuni në fakte, jo në ofendime”, ka shkruar Kosnettt në Twitter.

Kosnett: Kosova dhe Serbia ta zbardhin fatin e të pagjeturve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se 20 vjet më parë SHBA-ja ka mbështetur intervenimin e NATO-s për t’i dhënë fund regjimit të spastrimit etnik të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

Në një adresim në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ambasadori Kosnett tha se tani është koha që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë bashkë në paqe dhe me dinjitet. Ai ka bërë thirje që të shtohen përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

“Pra sot, si reflektim – unë bëj thirrje për veprim. Inkurajoj qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të garantojnë se viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha kombësive dhe komuniteteve – kanë qasje të plotë në informata për fatin e të zhdukurve. Si dhe bëj thirrje tek të dyja qeveritë të rrisin përpjekjet për të vendosur drejtësi për viktimat e krimeve të luftës”, tha Kosnett, përcjell rel.

Ambasadori Kosnett theksoi së në këtë 20 vjetor, duhet të përkujtohen qindra mijëra viktima të pafajshme, që lëshuan shtëpitë e tyre dhe ata që u zhdukën. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë vepruar për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon.

Data 24 mars shënon 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë. Fushata, që i dha fund luftës në Kosovë, zgjati 78 ditë.