Fotografë të njohur të Ballkanit bashkohen në ekspozitën ndërkombëtare për Gjon Milin në Korçë

Gili Hoxhaj

Ekspozita ndërkombëtare “Street life Balkans”, vjen si përkujtim dhe nderim i rrugës plot art e përkushtim ndaj fotografisë së mjeshtrit të madh Gjon Milli. Kjo ekspozitë përmbledhë 30 emra të njohur të Ballkanit, të cilët tash e disa vite i janë dedikuar fotografisë, shkruan KultPlus.

“Përveç miqësisë sonë shumë argëtuese, Gjon Mili për mua, përfaqëson një drejtësi të shpirtit dhe qartësisë së mendjes. Unë admiroj ndjenjën e tij të ekonomisë, respektin e tij për mjeshtëri dhe keqardhjen e tij për pretendimet. E gjithë kjo buron nga një personalitet shumë kompleks, plot urtësi filozofike dhe një pasion për masën. Studioja e tij e fundit në rrugën 23, ishte Athina e Nju Jorkut për kaq shumë prej nesh”, kështu thoshte Henri Cartier-Bresson, sikurse dhe shumë miq të tjerë të tij.

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

Kuratori dhe drejtori artistik Burim Myftiu shprehet se edhe pse Gjon Mili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në SHBA, kanë zgjedhur pikërisht vendlindjen e Gjon Milit , Korçën per ekspozitë sepse ai aty e kishte zemrën ndërsa shtoi se përmes kësaj përmbledhje të veprave fotografike, duan ta “ringjallin” mjeshtrin e madh të fotografisë.

““Jeta në rrugët e Ballkanit” lindi si një spontanitet, një ide e Roland Beqiraj që ne, si pasardhës të Gjon Milit, ta vazhdojmë këtë traditë të Korçës, Dardhës, Voskopojës, të mjeshtërve si Shuli, Dhimitri, Sotiri, Kaçuni, Burda.. Nga një ide e tillë lindi kjo ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë”, tregon Myftiu për KultPlus.

Ai tutje tregoi se ai dhe Osman Demiri me punën kuratoriale kanë vendosur që kjo përmbledhje autorësh nga vendet e Ballkanit të ketë një koncept të përbashkët nën titullin “Momenti Zen, një përkushtim absolut ”, i cili tenton që fotografitë që do përzgjedhën, të jetë prezent jo vetëm subjekti, por edhe vetë autori, energjia e të cilit rrezaton nga ajo.

“Pas një pune me përkushtim me autorë nga vendi dhe rajoni, arritëm të realizojmë këtë paraqitje fotografike monokromatike, e cila do të na shërbejë si uverturë në idenë tonë për tu transformuar në festival të fotografisë” , thotë tutje kuratori Myftiu, ndërsa thotë se shprehet i lumtur që fotografia shqiptare ka një traditë dhe trashëgimi unike, jo vetëm si një vlerë historike, por edhe si arritje artistike.

Myftiu pohon se tradita dëshmohet pikërisht tek Fototeka Marubi , për të cilën thotë se është një thesar kombëtar.
“Falënderoj, ata që e mbollën farën e fotografisë në këto troje dhe ata që do ta vazhdojnë këtë traditë”, tha krejt në fund ai.

Fotografët pjesëmarrës janë: Burhan Ahmeti nga Maqedonia, Merih Akogul nga Turqia, Boro Arsovski nga Maqedonia, Vasilis Artikos nga Greqia, Fatih Balkan nga Turqia, Ernest Baba nga Shqipëria, Goran Boricic nga Mali i Zi, Enver Bylykbashi nga Kosova, Haris Calkic nga Bosnia dhe Herzegovina, Igor Coko nga Serbia , Fisnik Dobreci nga Mali i Zi, Ardian Fezollari nga Shqipëria, Ahmed Hadrovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Dash Izairi nga Maqedonia, Amer Kapetanovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Ognjen Karabegovic nga Kroacia, Olga Karlovac nga Kroacia, Diana Maria nga Rumania, Zoran Marinovic nga Kroacia, Aleksander Mogilo nga Bullgaria, Blaz Poljansek nga Sllovenia, Midhat Poturovic nga Bosnia dhe Herzegovina, Vasil Qesari nga Shqipëria, Hazir Reka nga Kosova, Serkan Turac nga Turqia, Armand Sallabanda nga Shqipëria, Naim Shala nga Kosova, Gent Shkullaku dhe Rozafa Shpuza nga Shqipëria, si dhe Imre Szabó nga Serbia.

Ekspozita do hapet për publikun ditën e shtunë, datë 24 nëntor, ora 19:00 dhe do qëndroje e hapur deri në fund të muajit dhjetor 2018./ KultPlus.com

Gati për finalen e ekspozitës “Gjon Mili”

Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë vjen nën kurimin e Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla, të cilët sjellin konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, sonte do të shpallen fituesit nga juria profesionale e përbërë nga: Eleni Laperi, Vahida Nimanbegu dhe Afrim Spahiu.
Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës në një konferencë për media, tregoi për rëndësinë e kësaj ekspozite vjetore e cila për publikun bën ofrimin e fotografisë si forma më lehtë e komunikimit me publikun. Derisa shpjegoi se ky edicion sjell një koncept, i cili përkon me mënyrën e përdorimit të fotografisë në ditët e sotme.

Sipas kuratorit Alfredo Cramerotti kjo ekspozitë lidhet më shumë për dimensionet e përdorimit të fotografisë, veçmas sot me përdorimin e saj në mediet sociale.
“Arsyeja prapa kësaj ekspozite është mënyra e ndikimit të fotografisë, të cilat mund të jenë në forma të ndryshme. Përdoren në mediet sociale, sidomos instagram. Janë disa këndvështrime të ndryshme të krijimit të fotografive, sidomos atyre digjitale, i cili shihet si një produkt i papërfunduar, këtë e bëjmë edhe me telefonat tanë ku ne vazhdimisht i këpusim dhe i ndryshojmë fotografitë”, ka thënë Cramerotti.

Kurse Oscar Shmidt nga Gjermani, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për paraqitjen e fotografive, përkatësisht manipulimin e fotografive përmes fotoshopit, dhe se si fotoshopi ka ndikuar në ndryshimin e këtij profesioni.

Ai ka paraqitur tri vepra duke argumentuar se fotografia po pëson ndryshime çdo ditë e më tepër.
“Ideja kryesore është manipulimi i fotografive, fillohet me aparat analog me fotografi të mëdha dhe pastaj skanimi i filmave në procese të kompjuterizuara. Unë kam paraqitur edhe dy portrete të vendosura përballë njëra tjetrës dhe dy gota të Starbucks, të cilave u janë hequr skajet, me këtë për të treguar ndryshimin dhe manipulimin për qarkullimin e fotografive në internet”, ka treguar Shmidt.
Po ashtu kjo ekspozitë do të sjellë edhe vepra të akumuluara dhe të arkivuara, ku fotografitë janë marrë nga serverë të ndryshëm dhe pastaj janë ndryshuar. Chrisopher Meerdo, pjesëmarrëse nga Chikago në këtë ekspozitë , veprat e tij i ka titulluar me emrin “Antologji” ku punën e tij e ka bazuar në kthimin e fotografive të arkivuara në memory card-s të përdorura.

“Unë kam sjellë imazhe të cilat janë të nxjerra nga një memory card e kamerë, të cilën unë e quaj “Arkivë aksidentale”, kështu unë jam shumë i interesuar në arkeologjinë e imazheve. Unë kam blerë memory card-s, të cilat kanë qenë të përdorura më herët, kam nxjerrë imazhe që janë menduar se janë të fshira, mirëpo kthimin e tyre e kam bërë përmes një softueri për kthimin e imazheve. Ndonjëherë kur janë kthyer ndonjë fotografi e vjetër së bashku me një fotografi të re, janë nxjerrë si një imazh në vete, pra këto të dyja së bashku”, ka thënë ai.

Janë 18 artistë që sonte presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili”. Në mesin e artisteve shqiptar janë: HAVEIT, Eliza Hoxha, Brilant Pireva, Kushtrim Asllani, Dardan Zhegrova dhe Sadi Suhodolli – TADI./KultPlus.com

Artistët nga Kosova të cilët nesër duan fitore në ekspozitën ‘Gjon Mili 2017’

Sot është shpallur edhe juria e ekspozitës ‘Gjon Mili 2017’.

Ekspozita e cila do të hapet nesër, të premten, në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të nisë me një çmim për triumfin e këtij viti, artistin apo artisten më të mirë.

Në mesin e artistëve që nesër mbrëma presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili” në këtë ekspozitë dhe çmim të fotografisë, janë edhe artistë të ndryshëm shqiptarë.

HAVEIT
Kolektivi artistik HAVEIT ka në bagazhin artistik performancën “Shaving Patriarchy” – një largim i patriarkalitetit me anë të mjekrës në fytyrë, puthjen para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të cilën vajzat morën kërcënim me vdekje, pjesëmarrjet në Suedi, Tiranë, Slloveni e Kroaci, dhe nesër mbrëma janë në mesin e konkurrentëve për këtë çmim.


ELIZA HOXHA
Eliza Hoxha, një këngëtare, një fotografe dhe një ligjëruese, ka zgjedhur kësaj radhe ti futet kësaj ekspozite dhe këtij angazhimi artistik. Eliza realizonte dikur një emision televiziv mbi arkitekturën ndërsa ka botuar një libër mbi Prishtinën, dhe lidhjen mes qytetit e arkitekturës. Eliza është aktive në disa ngjarje kulturore gjatë vitit në Kosovë.


BRILANT PIREVA
Artist i cili ka nisur të aktivizohet me punët e ndryshme artistike, Pireva ka jetuar disa vite jashtë Kosovës. Në këtë listë ai është një emër më pak i njohur por që premton dhe ka zënë vendin e tij fuqishëm në këtë ekspozitë. Mbetet të dëshmohet në hapjen e ekspozitës se me çka vjen Pireva në këtë çmim e ekspozitë prestigjioze. Ai ka fituar para disa vitesh një çmim në Festivalin e Filmit – DOKUFEST në Prizren, shkruan KultPlus.


KUSHTRIM ASLLANI
Kushtrimi është një regjisor, që kësaj radhe ka zgjedhur fotografinë për “Gjon Mili”. Ka fituar çmime në Youth Film Fest, në Boston të Amerikës dhe në FerFilmFestival. Për tu përmirësuar më shumë në pjesën estetike dhe vizuale, ai së fundmi ka nisur ta zbulojë pasionin për fotografi. Asllani ka punuar me emrat si Fatos Berisha e Fatlum Haziri.


DARDAN ZHEGROVA
Dardan Zhegrova – një prej fituesve të çmimit “Artistët e së nesërmes”, së bashku me një prej anëtareve të Kolektivit HAVEIT, mbetet konkurrencë e fortë në këtë garë. Dardani së fundmi ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme të artit në Evropë, ndërsa e pret një rezidencë e rëndësishme në një kontinent tjetër. Zhegrova para pak ditësh hapi ekspozitën “Rosehip” bashkë me Lola Sylaj, në Prishtinë.


SADI SUDOHOLLI – TADI
Tadi njihet si vajzë kreative dhe një shpirt artistik i dëshmuar me vizatimet dhe skicat e saj. Së fundmi, ajo është një prej dy personazheve kryesore në videoklipin e ri nga Shpat Deda, krahas aktorit Dukagjin Podrimaj. / KultPlus.com

GKK shpallë jurinë për zgjedhjen e fituesit të Çmimit ‘Gjon Mili’

Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës shpallë jurinë për zgjedhjen e fituesit të edicionit të 15-të të Çmimit Gjon Mili ‘18 në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të fotografisë që hapet nesër më 13 tetor në GKK, shkruan KultPlus.

Juria përbëhet nga: Eleni Laperi, nga Shqipëria, kuratore, artiste dhe autore e shumë publikimeve për artin; Vahida Nimanbegu, artiste nga Mali i Zi; Afrim Spahiu, fotograf i mirënjohur Kosovar, themelues i shkollës “Gjon Mili” për fotografi.

Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen i kuruar nga Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla me konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet Brenda dhe jashtë ekraneve tona” .

Për këtë ekspozitë kuratori përzgjodhi 18 artist vendore dhe ndërkombëtare që do të jenë pjesë e Gjon Milit 2017.

Hapja e ekspozitës do të bëhet nesër në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Gjon Mili, shqiptari i famshëm që fotografoi Pikason, Salvador Dali dhe yjet e Hollivudit

Gjon Mili, është padyshim një nga fotografët më të mëdhenj të Amerikës, që ka lënë gjurmë në historinë e fotografisë përmes punës së tij.

Gjon Mili mbahet mend për fotografitë që u ka bërë piktorëve të mëdhenj si Pablo Pikaso apo Salvador Dali.

Ai ka lindur në Korçë dhe fëmijërinë e ka kaluar në Rumani, duke ndjekur kolegji kombëtar në Bukuresht. Rreth vitit 1923, Mili emigroi drejt SHBA-ve.

Në 1939, Mili filloi të punojë si një fotograf. Gjatë viteve ai u njoh me shumë artistë të shquar në piktura dhe në artin kinematografikë të Hollivudit.

Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë.
Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski,

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqitën punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit.

Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984. / KultPlus.com

Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)