Anulohet projekti i investimit të organizatës turke në Hamamin e Prishtinës

Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, ka anuluar projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qerim Ondozi, këshilltar për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Po, ky projekt është pezulluar. Arsyetimin për pezullimin e këtij projekti do ta bëjmë publik shumë shpejt”, ka deklaruar Ondozi të martën.

Hamami i Madh i Prishtinës pritej që të hynte në një fazë të restaurimit dhe shndërrimit në muze, dhe ishte paraparë që për këtë projekt të investoheshin rreth 1 milion euro.

Më shumë se gjysma e projektit ishte planifikuar të financohej nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe punimet ishte paraparë që të kryheshin nga një kompani që do të përzgjidhej nga Qeveria turke.

Projekti që ishte prezantuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, pati nxitur reagime të shumta për shkak se Hamamit të Madh, i cili është objekt i trashëgimisë kulturore, i ishte ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) pati njoftuar më 3 mars të vitit 2021, se ka refuzuar të trajtojë lëndën për Hamamin e Madh të Prishtinës, pikërisht për shkak të emërtimit.

Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) pati hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. / KultPlus.com

Arrihet marrëveshje për restaurim të Hamamit, dështon ajo për Xhaminë e Çarshisë

Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s për restaurimin e Hamamit të Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pranuar se ka qenë i dështuar projekti i më hershëm për restaurimin e këtij objekti.

Tash është shprehur i lumtur që po fillon ky projekt, teksa ka thënë se ekspertizë dhe restaurim më të mirë se që mund të bëjë TIKA nuk ka.

Burak Hasan, koordinator i TIKA-s për Kosovën nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të përfundojë restaurimi i Hamamit e as nuk është bërë e ditur se sa do të kushtojë, raporton KTV. Ishte paraparë që të nënshkruhej një marrëveshje e tillë edhe me Bashkësinë Islame për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë. Por në momentet e fundit është larguar Resul Rexhepi nga BIK. Ai ka thënë se janë larguar për shkak se janë ndier të anashkaluar.

Yll Rugova: Hamami i Madh i Prishtinës do të rifunksionalizohet

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka vizituar sot Hamamin e Madh të Prishtinës, së bashku me restaurues nga Turqia dhe me përfaqësues nga TIKA, shkruan KultPlus.

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka treguar se ky objekt do të rifunksionalizohet pasi që tashmë janë zhbllokuar proceset që e kanë bërë të pamundur këtë proces më parë.

“Jam shumë i lumtur që pas shumë vjetësh neglizhencë, ky objekt i shekullit të 15-të do të rifunksionalizohet dhe konzervohet me praktikat më të mira profesionale. Falë angazhimeve të komunës dhe akterëve tjerë, më në fund janë zhbllokuar proceset që e kanë mbajtur këtë objekt në këtë gjendje”, është shprehu ai, duke theksuar se ai personalisht do e përcjell nga afër këtë projekt, në mënyrë që si institucion të mund të ofrojmë transparencë për të gjithë hapat e këtij procesi.
Ky hamam dikur ishte bërthamë e qytetit të vjetër, pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe që veç dedikimit, shërbente edhe si vendtakim shoqëror për meshkujt dhe femra. Kurse është mbyllur që 48-të vite.

Ky kompleks qyteti, kujtohet me shumë nostalgji si qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim I dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera. Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, si përgatitja e vajzave për nusëri./KultPlus.com