Histori dashurie

Nga Christina Peri Rossi
Përktheu: Elvi Sidheri

Për t’u dashuruar unë me ty,
spanjollët u desh ta pushtonin Amerikën
e gjyshërit e mi
të shpërnguleshin nga Xhenova me një anije tregtare dikur.

Për t’u dashuruar unë me ty,
Marksit iu desh ta shkruante Kapitalin e tij,
kurse Neruda, Odën kushtuar Leningradit.

Për t’u dashuruar unë me ty,
në Spanjë shpërtheu Lufta Civile,
ndërsa Lorkën e pushkatuan,
kur ishte kthyer nga një udhëtim në Nju Jork.

Për t’u dashuruar unë me ty,
Katulusi u dashurua me Lesbian,
Romeo ra në dashuri me Xhulietën gjithaq,
Ingrid Bergman xhiroi filmin Stromboli,
e Pier Paolo Pasolini “Njëqind Ditët e Salosë”.

Për t’u dashuruar unë me ty,
Lluís Llach këndoi “Els Segadors”,
e Milva poemat e Bertold Brecht.

Për t’u dashuruar unë me ty,
dikush mbolli një pemë qershie
pranë murit të kopshtit të shtëpisë tënde,
teksa Garibaldi përleshej në Montevideo.

Për t’u dashuruar unë me ty,
larvat u shndërruan në flutura
e gjeneralët morën pushtetin.

Për t’u dashuruar unë me ty,
u detyrova të arratisesha me varkë nga qyteti ku pata lindur,
kurse ti i bëje ballë Frankos ndërkaq.

Për t’u dashuruar ne të dy, në fund të fundit,
ndodhi gjithçka e mundshme në këtë botë

e qëkur më nuk duhemi
gjithçka është kaos.

(Christina Peri Rossi, poete e shquar bashkëkohore uruguajano-spanjolle, fituese e Çmimit Miguel de Cervantes në vitin 2021.) / KultPlus.com

Histori e veçantë dashurie, kaluan 71 vite të martuar dhe vdiqën në të njëjtën ditë

Bashkëshortët Herbert dhe Marilyn Frances DeLaigle, të cilët së bashku i kaluan 71 vjet të martuar, vdiqën në të njëjtën ditë, në një hapësirë kohore prej 12 orësh.

Herbert dhe Marilyn u martuan gjatë të dyzetave dhe e kaluan shumicën e jetës së tyre me gjashtë fëmijët e tyre në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

Siç tha familja e tyre, Herberti 94-vjeçar vdiq i pari rreth dy orë pas mesnate, ndërsa bashkëshortja e tij, 88-vjeçarja Marilyn vdiq 12 orë më vonë.

Image

Historia e tyre e dashurisë filloi në një kafene në Waynesboro të Virginias. Marilyn atëherë ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere, ndërsa Herbert ishte 22-vjeçar dhe nuk mund t’i largonte sytë prej saj.

“E shikoja vazhdimisht se si hynte dhe dilte prej kafenesë. Nuk i largoja dot sytë prej saj. M’u desh shumë kohë që ta mblidhja guximin dhe ta pyesja nëse donte të dilte ndonjëherë me mua”, tha Herbert vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të tyre të 70-të të martesës, shkruan KOHA Ditore.

Herën e parë, siç thanë ata, shkuan në kinema, ndërsa një vit më vonë u martuan.

Image

“Ai ishte gjithmonë i qetë, i durueshëm dhe plot me dashuri”, tha Marlyn.

Çifti ka jetuar gjashtë vjet në Gjermani derisa Herbert shërbente në ushtri atje, dhe pastaj shpesh i ndryshuan adresat gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar, thuhet në njoftimin e vdekjes.

Marilyn ishte udhëheqëse e skautëve, pronare e një lulishteje dhe adhuruese e madhe e kafshëve. Fëmijët e saj e përshkruajnë atë si një nënë jashtëzakonisht të përkushtuar, e cila e dha maksimumin kur babai i tyre mungonte madje edhe për disa muaj.

Nga ana tjetër, Herbert i adhuronte peshkimin, zdrukthëtarinë dhe punën në fermë.

Ata lanë pas vetes gjashtë fëmijë, 16 nipër e mbesa, 25 stërnipër e stërmbesa dhe tre stër-stërnipër e stër-stërmbesa. / KultPlus.com

Një histori e veçantë dashurie nga Lufta e Dytë Botërore

Andrea Rosheen Finnigan, ishte vetëm tri vjeçe, kur babai i saj, David kishte vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëna e Rosheen, Maria, shumë rrallë i kishte folur asaj për të atin, por përpara se të vdiste, ajo i kishte lënë të bijës një valixhe me disa letra, të cilat e tregojnë në detaje historinë e dashurisë magjepsëse, midis Davidit dhe Marisë, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.

Në njërën nga letrat, e cila daton që nga 8 maji i vitit 1943, David Francis i shprehë Marias, frustrimin e tij nga qëndrimi i tij në shërbimin e inteligjencës në Afrikë dhe pastaj në Indi gjatë luftës së dytë botërore.

Larg gruas dhe vajzës tashmë për më shumë se një vit, ai në letrat e tij tregonte se dëshira e vetme e oficerit të ri, ishte të shihte edhe njëherë familjen e tij, përpara se me gjasë do të humbiste jetën në atë luftë e cila e kishte lidhur të gjithë.

Vetëm tri javë pas shkroi letrën e fundit, Francis vdiq dhe Rosheen Finnigan humbi babain e saj në moshën tre vjeçare edhe pse ajo nuk e kishte parë atë që kur ishte dy vjeçe. Nga ajo kohë ai u zhduk nga jeta e saj, pasi u zhdukën nga shtëpia fotografitë, shënimet dhe madje edhe gramafoni i lavdishëm i vjetër me lëkurë të cilin ai e quajti ‘Griselda’. Nëna e saj ndonjëherë përmendte se kishte një valixhe me letra të tij. Ajo shumicën e kohës nuk fliste për Francisin, për shkak të burrit të saj të ri, i cili frikësohej se nëse ajo vazhdonte të fliste për të, do të ushqente edhe dashuri për të, edhe pse ai kishte vdekur. Kështu vazhdoi deri në vdekjen e nënës së Rosheen, e cila para se të vdiste ia dorëzoi të bijës valixhen me letra nga i ati i cili kishte vdekur gjatë luftës së dytë botërore.

“Ajo ma dha babain tim më në fund”, tha Roshen, e cila më pas publikoi këto letra, përmes të cilave tregoi një histori shumë të veçantë dashurie, e cila përfshin hollësi të vlefshme me qëndrimet çuditërisht të sinqerta dhe bashkëkohore të Davidit dhe Marisë për çdo gjë, nga seksi në politikë.

Maria ishte e bija e një çifti emigrantëve irlandezë, e cila ishte arsimuar në gjuhën angleze. Por ata ishin të dy të zgjuar, energjikë, artistikë dhe ishin bërë anëtarë të përkushtuar të Partisë Komuniste Britanike, radhët e të cilave u rritën në përgjigje të kërcënimit fashist.

Roshen me anë të këtyre letrave kishte mësuar aq shumë detaje nga jeta e edhe lidhja e prindërve të saj, të cilat ndoshta nuk do t’i mësonte edhe po të jetonin bashkë për një kohë të gjatë.

Sipas letrave të cilat Roshen i ka bërë publike, takimin i tyre i parë ngjanë më atë që shohim vetëm në filma. Ata ishin takuar në një festë të një miku, kur Maria ishte 21 vjeçe dhe Davidi ishte 20 vjeç. Letrat tregojnë detaje nga lidhja e një çifti, bisedat e tyre të thjeshta, bisedat mbi fëmijën e tyre, biseda erotik…, e me anë të së cilave Roshen lidhi dhe krijoi një histori për familjen e saj, të cilat i ndau edhe me publikun më pas.

“Babai im kurrë nuk erdhi në shtëpi, por falë nënës sime dhe letrave që ajo më la mësova gjithçka për të. Babai im ishte i pasionuar, i çmendur, cinik, i kujdesshëm, i padurueshëm , i mrekullueshëm”, ka thënë Roshen e cila për tërë jetën nuk dinte asgjë për të atin dhe menjëherë mësoi gjithçka, më shumë së sa secili mund të dijë për të atin e vet edhe nëse kanë jetuar gjithë jetën bashkë. / KultPlus.com

Historia e një princi që tregon se dashuria dhe ndershmëria shpërblehen gjithmonë

Ishte një herë një princ që nuk kishte gjetur ende grua.

I ati i shqetësuar i thotë: ”Kur të vdes, do jesh ti Mbreti…por vetëm nëse je i martuar. Kështu thotë ligji, prandaj gjej grua biri im!”

Princi ndoqi këshillën e një burri të mençur dhe vendosi të mbledhë të gjitha vajzat e mbretërisë së tij. “Ajo më e denja do të më hyjë në zemër dhe do të jetë gruaja ime“, – përsëriste princi me vete.

Mbërritën në pallat vajzat më të bukura, veshur me fustane te shtrenjta.

Mes tyre ishte dhe vajza e një prej shërbëtorëve të mbretit. Quhej Kaori dhe nuk ishte as e bukur dhe as e pasur. E ëma ishte munduar ta mbante më kot në shtëpi:

”Mos shko! Princi as sytë nuk do të ti hedhë, nuk mund të krahasohesh me të tjerat”. Por Kaori ishte e vendosur. “Do të shkoj në pallat nënë! E di që nuk do më zgjedhë, por të paktën do të kem kenaqësinë ta shoh princin nga afër.”

Princi doli përpara vajzave të mbledhura dhe tha: “Ju uroj mirëseardhjen të gjithave. Secilës nga ju do t’i jap një farë luleje dhe ajo që pas 6 muajsh do më sjellë lulen më të bukur do të bëhet gruaja ime, mbretëresha e ardhshme“.

Kaori mori farën e saj dhe sapo u kthye në shtëpi e mbolli në një vazo të madhe balte. Çdo ditë e ujiste, e ruante nga të ftohtët, nga lagështia, nga rrezet e forta të diellit. E ëma kur e shihte tek kujdesej aq shumë mendonte:”Princi duhet të martohet me ty, vetëm për gjithë këtë dashuri dhe përkushtim që dhuron ”.

Kaloi një muaj dhe në vazo nuk kishte dalë as edhe një filiz. Asnjë! Kaori pyeti kopshtarë të vjetër, zbatoi keshillat e tyre por jo… asgjë nuk mbiu. Edhe pas 6 muajsh fara nuk kishte çelur. Asgjë! As edhe një gjethëz.

Kur mbërriti dita e takimit, Kaori gjithsesi vendosi t’ja çonte vazon Princit në shenjë të dashurisë dhe përkujdesjes. ”Bija ime, mos shko!”- i persëriste e ëma që pa gdhirë. Çfarë mendon se do të thotë princi kur ta shohë vazon bosh?”

Pasi mbërritën në pallat Kaori u vu në rradhë me qindra vajza të tjera që mbanin në duar lule të mrekullueshme me aromë dehëse. Princi shihte me admirim çdo lule që kalonte para tij. Kur ju shfaq përpara Kaori, princi, gërmoi me kujdes baltën në vazo. Pas saj kaluan vajza të tjera, të gjitha shumë krenare për lulet e tyre te bukura.

Në fund princi u ngrit nga froni dhe shpalli vendimin e tij: “Gruaja ime do të bëhet vajza që mban në dorë vazon prej balte ku nuk ka mbirë asnjë lule”. Vajzat reaguan të habitura: “Uaa, si kështu? Nuk është e drejtë! Çfarë vendimi është ky ?”

Princi me një levizje të dorës ju bëri shenjë të pushojnë dhe shpjegoi: “Kjo grua është e vetmja që ka ditur të rrisë lulen e ndershmerise. Është e denjë të bëhet mbretëreshë. Farat që ju dhashë ishin pa jetë, sterile dhe nuk do kishte çelur kurrë asgjë prej tyre”.

Kaori dhe Princi u martuan ditën e parë të pranverës… /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Historia e 85 vjeçarit që gjithmonë e mban për dore gruan e tij edhe pse ajo nuk e mbanë mend atë

Ai është 85 vjeç dhe këmbëngul të marrë gruan e tij për dore kudo që shkojnë.

Kur e pyeta “pse gruaja jote shpërqendrohet, sikur nuk është bashkë me ty?” Ai u përgjigj “Ajo ka Alzheimer”.

Pastaj unë thashë, “a do të shqetësohet gruaja jote nëse e le të shkojë?” Ai u përgjigj, “Ajo nuk mban mend gjë … nuk di kush jam unë, nuk më njeh për vite me radhë.”

I befasuar, i thashë, “Dhe përsëri ti vazhdon ta udhëzosh atë në rrugë çdo ditë edhe pse ajo nuk të njeh?

I moshuari buzëqeshi, më shikoi në sy dhe më tha: “Ajo nuk e di kush jam, por unë e di kush është ajo.”

“Ajo është dashuria e jetës sime.” ️/familjaeshendoshe/ KultPlus.com

Këto histori dashurie tronditën familjet mbretërore ndër vite

Në të gjithë botën dhe gjatë gjithë historisë, familjet mbretërore kanë qenë të prirura të tërheqin vëmendjen e publikut në çështje të ndryshme, sidomos në ato të dashurisë.

Marrëdhënie që kanë mbetur në historinë e botës si skandale mbretërore, ku çiftet për të cilat bëhet fjalë ose kanë bërë mijëra kilomentra për të qenë bashkë, ose kanë marrë vendime që kanë lënë botën në gjendje shoku.

Këtu do të gjeni disa nga historitë më të diskutueshme të dashurisë mbretërore në të gjithë botën, të cilat, me siguri, e kanë trullosur njerëzimin në një mënyrë apo në tjetrën.

Mbreti Henry VII dhe Anne Boleyn

Shembulli më klasik i çifteve mbretërore, Mbreti Henry VII dhe Anne Boleyn, bashkimi i të cilëve detyroi një mbretëri të tërë për të kthyer fetë nga Katolizmi Romak në një kishë të sapothemeluar të Anglisë. Në shekullin e 16-të, Mbreti vendosi të divorcohej nga gruaja e tij e parë, pasi ajo nuk mund të lindte një djalë. Lutja e tij për të lidhur një marrëdhënie me Anne Boleyn u mohua nga kisha katolike, kjo e detyroi Mbretin të ndërmarrë hapin drastik, duke themeluar një kishë të re në Angli.

Edward VIII dhe Wallis Simpson

Shumë mund ta njohin Eduardin VIII si mbretin që u largua nga froni në mënyrë që të martohej me dashurinë e jetës së tij, Wallis Simpson, e divorcuar dy herë në jetën e saj. Kjo ishte një histori dashurie që jo vetëm tronditi botën, por ndryshoi të gjithë linjën e trashëgimisë britanike, duke i bërë ata një prej çifteve mbretëtrore më skandaloze në të gjitha kohërat.

Grace Kelly dhe Princ Rainier III i Monaco-s

Në vitin 1956, kur aktorja fituese e çmimit Oskar, Grace Kelly dhe Princi Rainer III i Monakos lidhën kurorë, e gjithë bota nuk mund t’ua hiqte sytë. Deri në atë kohë askush nuk e imagjinonte një aktore të njohur si pjesë të familjes mbretërore. Siç është thënë, çifti mbretëror kishte një marrëdhënie të shëndetshme, derisa fatkeqësisht ajo ndërroi jetë në një aksident me makinë në 1982.

Princesha Margaret dhe Peter Townsend

Kemi dhe një histori dashurie, e cila nuk u mbijeton sulmeve. Princesha Margaret dhe Peter Townsend është gjithashtu një nga çiftet më romantike dhe më skandaloze të të gjitha kohërave. Duke nisur nga Mbretëresha, te Parlamenti e te Kisha e Anglisë, të gjithë mohuan lutjet e çiftit për t’u martuar, duke vënë kusht se Princesha Margaret do të humbiste të gjitha privilegjet mbretërore, në rast se do të martohej me një burrë të divorcuar. Kjo është thënë sipas BBC, më pas ajo bëri një njoftim ku vendosi për shkëputjen e kësaj lidhjeje.

Princ Albert dhe Charlene Wittstock

Edhe pse ata janë ende të martuar, për fat të mirë, dhe kanë një martesë të shëndetshme për më shumë se 9 vite, thuhet se Princesha Charlene ka tentuar disa herë t’i arratiset kësaj martese. Fillimisht, ajo ka tentuar të arratiset nga dasma e saj, më pas një tentativë tjetër ka qenë në Nice të Francës. Nuk janë të qarta arsyet pse Charlene nuk e dëshironte këtë martesë, por pas shumë përpjekjesh, ajo më në fund pranoi të martohet.

Princ Carl Philip dhe Sofia Hellqvist

Para se të bëhej princeshë, Sofia e Suedisë dhe gruaja e Princit Suedez, Carl Philip, Sofia ishte e njohur për karrierën e saj provokuese në modeling. Gjithashtu, u raportua se kishte puthur një yll pornografie Jenna Jameson në publik, e cila ishte një gjë e padiskutueshme, jokonvencionale për familjen Mbretërore Suedeze. Por pas reagimeve masive, çifti u martua më në fund në vitin 2015 dhe tani janë bekuar me dy fëmijë.

Meghan Markle dhe Princ Harry

Arritëm te çifti mbretëror më i komentuar në botë kohët e fundit. Edhe pas një serish reagimesh, urrejtjeje dhe mosmiratimesh, Meghan dhe Princi Harry e përfunduan këtë trazirë me martesën e tyre. Ndërsa të dy ishin rritur në ambiente krejtësisht të ndryshme dhe pasi hoqën dorë nga gjitha privilegjet mbretërore, sot qëndrojnë të bashkuar dhe shfaqin shumë dashuri për njëri-tjetrin në postimet e tyre. / KultPlus.com

Dashuria që i mbijetoi komunizmit

Kaluan 45 vite në vetmi, ai jetoi në internim në regjimin komunist, ajo në Itali duke e pritur. Kjo është historia e ushtarakut elegant shqiptar, Valentin Pervizi, dhe vajzës së bukur bolonjeze, Maria Gorizzia. Dashuria që nuk u shua kurrë.

20 shkurt 1991. Maria Gorizzia ishte zgjuar herët në mëngjes. Do përgatitej për një ditë shumë të rëndësishme. Në dhomën e saj të vetmuar, kishte diku në qoshe një komodinë ku ruante sendet më të shtrenjta. Prej andej, nxorri disa bizhu e nisi t’i vendosë në qafë e duar dhe pasi u stolis, u nis plot me emocione drejt aeroportit të Bolonjës.

Atje priste orën kur do të mbërrinte një avion nga Tirana. Qëndroi gati gjithë ditën, sepse avioni ishte nisur me vonesë nga Tirana, për shkak të situatës politike që po kalonte asokohe Shqipëria. Atë ditë, po rrëzohej busti i diktatorit Enver Hoxha. Maria Gorizzia (Gori) priti disa orë në aeroport dhe as që i shkoi mendja të largohej, pasi kishte një bindje se avioni nga Tirana do të vinte gjithsesi.

Kishte një jetë që e priste atë çast. Ishte pasdite në Bolonja, kur Gori arriti të shohë nëpër tabelat e aeroportit se avioni nga Tirana, ishte nisur e do të mbërrinte shpejt në destinacion. Ishte vendosur në një qoshe atje ku arrinte të shquante qartë të gjithë pasagjerët që do të zbrisnin nga avioni. Erdhi çasti. Avioni kishte mbërritur dhe pasagjerët pas pak minutash, nisën të shfaqen. Para syve i kaluan me radhë të gjithë pasagjerët dhe Gori mbeti e shtangur në këmbë.

Aeroporti nisi të boshatisej dhe Gori po ndiente ftohtësinë e stinës e të fatit të keq që iu duk se po e përndiqte. Nisi t’i drejtohej portës së daljes, kur i kapi syri një siluetë në një prej karrigeve në terminal. Ishte një burrë i kthyer me kurriz që po qëndronte i drojtur dhe i vetëm në atë karrige. Gori iu afrua ngadalë edhe nisi të bëlbëzojë emrin Valentino… silueta nisi të lëvizë e Gori me të “panjohurin” u panë sy më sy. Ishte Valentini, dashuria e jetës së saj… kishte 45 vjet që e priste.

Gori nuk e kishte njohur kur i kaloi para syve e as Valentini nuk e kishte njohur fytyrën e gruas që dikë kërkonte duke pritur me ankth. Gori e Valentini kishin ndryshuar mjaft. Ashtu si të habitur, u panë sy më sy për disa sekonda e mes lotësh u përqafuan…

“Valentini ishte ulur në një qoshe të sallës së pritjes duke parë nga jashtë, me mend se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin. Ajo afrohet dalëngadalë afër përsonit, dhe me një gjysmë zani i foli: «Scusi Signore, lei non è per caso Valentino ?…» . Valentini ishte kthye: «Gori?» …dhe u përqafuen pas 47 vjet si pleq. Ky Uliks i shekullit njëzet, ia kishte kalue Uliksit të 3000 vjet ma parë, sepse jo 20 vjet por ma tepër se dyfishin e kohës i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazët e detëve ideologjike të komunzmit, për të arritë të përqafonte të dashunën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët në moshën ma të bukur të rinisë. E tashti pas 45 vjet arritën të bashkohën, sa thue nuk po njihnin njeni tjetrin…. “, rrëfen Lekë Pervizi, takimin në aeroport të të vëllait Valentin me bashkëshorten e tij, Gorizzia (Gori).

I fundit përqafim i tyre kishte ndodhur fiks 45 vjet më parë, në mars të vitit 1946, kur Gori mori rrugën e riatdhesimit në Itali e Valentini një tjetër rrugë, një udhëtim të gjatë nëpër burgjet e kampet e internimit gjatë regjimit komunist. Prej atij përqafimi të fundit, në mars të vitit 1946, Maria Gorizzia do të kthehej në shtëpinë e saj në Bolonja, për të qëndruar atje e vetme, me shpresë se një ditë do të kthehej bashkëshorti i saj i dashur, Valentin Pervizi.

Ndërkohë, Valentini do të shëtiste thuajse të gjitha kampet e diktaturës, duke nisur me burgun e Shkodrës, kampet e internimit të Beratit, Kuçovës, Porto-Paleroms, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave Tiranë, Shtyllas të Fierit, Kuç të Vlorës, Plug e Gradishtë të Lushnjës. 47 vjet i dënuar nga regjimi komunist. E gjithë rinia e tij burgjeve e internimeve, e gjithë jeta e tij trishtim.

Dënohej vetëm për shkak se ishte i biri i gjeneralit të famshëm të asaj kohe, Preng Pervizi, i shpallur nga regjimi komunist si “armik i popullit”.

Valentin Pervizi kishte përfunduar akademinë ushtarake të Modenas në Itali. Ishte një ndër ushtarakët më në zë të kohës dhe i spikatur në luftën kundër gjermanëve. Më 20 shtator të vitit 1943, ishte kapur si rob lufte nga gjermanët me oficerët e tjerë italianë, të cilët ishin  dërguar në kampin e Dakaut. Valentini bashkë me dy shokë oficerë italianë, mundën të arratiseshin nga kampi i Fraskatit.

U kthye në Bolonja, atje ku e priste e fejuara e tij Gorizzia. Në vitin 1943, Valentini dhe Gorizzia u kurorëzuan në martesë dhe u duk se gjithçka do të shkonte mirë. Por në korrik të vitit 1944, Valentini vendos të kthehet në atdhe bashkë me bashkëshorten e tij. Gjen shtëpitë e djegura dhe familjën e strehuar në malin e Skurajt.

Pas pak muajsh, në dhjetor 1944, komunistët e arrestojnë dhe e burgosin vetëm për faktin se ishte i biri i Prenk Pervizit, që kishte qenë gjeneral në qeveritë e mëparshme të Shqipërisë.
Kështu nis kalvari i çiftit simpatik, ushtarakut elegant shqiptar, Valentin e vajzës së bukur bolonjeze, Gorizzia.

Takimi i fundit

Në atë mars të 46-ës, Valentini ishte në burgun e Shkodrës. Po i afrohej një ditë e trishtë. Drejtori i burgut që kishte qëlluar të kishte një farë humanizmi në raport me xhelatët e diktaturës, e thirri Valentinin në zyrë, atje ku e priste bashkëshortja, Maria Gorizzia. 

Takimi do të duhej të zhvillohej në prani të drejtorit, por ky i fundit u përpoq të largohej sa mundi për t’i lënë dy të rinjtë në aq intimitet sa mundej. Ishte takimi i tyre i fundit. “Valentini u mundue me e qetësue bashkëshorten duke i dhan kurajo e zemër.

Duke përfitue nga rasti kur drejtori shkoi në fund të dhomës, para se ai të kthehej i tha Gorit se në rastin ma të parë ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj kishte një shpresë shpëtimi për ta. Këto fjalë sikur e qetesuen Maria Gorizzian, sa që e mori veten.

Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni se kishte ardhë çasti i ndarjes e nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin duke i dhanë dorën në shenjë falendërimi. Por Valentini u çudit kur drejtori, ndërsa ai po ulej te shkallët i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë: “Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohësh e kështu mund të bashkohësh përsëri me të.”

Valentini e kishte falendërue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve u përqafuen para se të ndahëshin, pa mund të thonin nji fjalë aq i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten mos me derdh lot.

Matanë hekrave ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendëshin afër në ato çaste të dhimbshme. Gori, nuk mund ta përmbante veten e kishte shpërthye në vaj të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut”, rrëfen Lekë Pervizi, vëllai i Valentinit.

Pas riatdhesimit të Maria Gorizza-s,  Valentini denohet me tre vjet internim në Berat, ku bashkohet me gjyshen e nënën e tij. Më pas, në shkurt 1948, lirohët e bashkohet me të vëllanë e vogël, Lekën, në Tiranë. Maj 1950, arrestohet me gjithë Lekën e mbyllet ne kalanë e Portopalermos. Në vitet 1951-1952, Valentini e Leka dënohen në kampin e mbyllur të Tepelenës, me punë të rënda të detyrueshme.

Më pas, në vitin 1952-1954, kampi i Ҫorovodës dhe fabrika e tullave Tiranë, me punë të detyrueshme. 1954, në kampin e Plugut të Lushnjës, punë të detyrueshme në bujqësi. 1954-1955, kampi i Shtyllazit, punë të detyrueshme me të burgosurit, gërryerje me krah të një kanali të madh. 1955-1958, kampi-burg i izolimit në Kuç të Vlorës (Kurveleshit), izolim pa punë. 1958-1991, në kampet e Plugut e të Gradishtës së Lushnjës, në punë të detyrueshme në bujqësi e ndërtim.

Nëpër kampet e diktaturës

Ishte viti 1956. Valentin Pervizi, ishte një prej punëtorëve të Brigadës së ndërtimit në Çermë. Mëngjesi i tij niste me apelin në kampin e internimit në Gradisht e më pas nisej drejt Çermës ku punonte në brigadën e ndërtimit. Një makinë e merrte bashkë me të tjerë djem e burra të internuar dhe i çonte në Çermë për t’i kthyer pasdite kur paraqiteshin në apelin e radhës. Kjo ishte dita e jeta e 36-vjeçarit, Valentin Pervizi.  Puna që ishte detyruar të bënte nuk kishte asnjë lidhje me profesionin e tij.

“Kështu Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte ne Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër ose kartolinë. Sikur u lidh nje far korespondence ma e rregullt me Gorin. Nga kjo far lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit shprehej dashuria e pashtershme dhe shpresa e një bashkimi të afërt të tyne. Me prishjen e marrëdhanjeve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarue gjendja përsëri e lidhja me Kinën e keqësoi ma shumë. Letër këmbimi me Gorin u bllokue. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Maria Gorizzia e merakosun, i drejtohet prapë Ministrisë së Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë vjen një telegram ku shkruhej:

“…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shum e zorshme që Pervizi, që konsiderohet “armik i popullit”, të mund të fitojë lirine”. Ambasada Italiane 

29 shtator 1967.

Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria nëpërmjet Shtëpisë së Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (rob lufte). Sidoqoftë Gorit, me gjithë kujdesin e treguem nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktue troditje e kishte kalue ne depresion, ku iu desh te shtrohej disa ditë në spital.

Qëlloi që një mik yni i lire, që i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme ne Itali, kur kishte hyrë në ambasadë, vetë ambasadori italian e kishte pyet nëse e njihte dhe dinte apo kishte informacion për Valentin Pervizin.

Ai që na njihte fare mire, i kishte tregue se si Valentini gjëndej i internuem pa shpresë lirimi në Gradishtë. Ky mik i joni punonte e banonte ne Lushnje dhe me qe ndonjëherë e takoja me tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyet për Valentinin. Gjendja shpirtnore e Valentinit ishte randue.

Me fundin e diktaturës, në prag të vitit 1990, letërshkëmbimi mes Valentinit dhe Gorit, u ba me i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. Ajo shfaqte dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por Valentini e këshilloi mos me e ba atë hap e ta priste në Bolonja ku do të vinte vetë.

Po të kishte ardhë grueja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës? Mirë do të kishte qenë për të njohun kushtet mizerabel ku kishte jetue e punue Uliksi i saj”, rrëfen lekë Pervizi.

Valentin Pervizi, jetoi në Bolonja pjesën e mbetur të jetës së tij, bashkë me Maria Gorizzia-n. Valentini ndërroi jetë në mars të vitit 1999 dhe pak vite më pas, në korrik 2003, ndërroi jetë edhe Maria Gorizzia./kujto.al/KultPlus.com

Bashkëshortët që kaluan 71 vjet bashkë vdiqën në të njëjtën ditë

Bashkëshortët Herbert dhe Marilyn Frances DeLaigle, të cilët së bashku i kaluan 71 vjet të martuar, vdiqën në të njëjtën ditë, në një hapësirë kohore prej 12 orësh.

Herbert dhe Marilyn u martuan gjatë të dyzetave dhe e kaluan shumicën e jetës së tyre me gjashtë fëmijët e tyre në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

Siç tha familja e tyre, Herberti 94-vjeçar vdiq i pari rreth dy orë pas mesnate, ndërsa bashkëshortja e tij, 88-vjeçarja Marilyn vdiq 12 orë më vonë.

Image

Historia e tyre e dashurisë filloi në një kafene në Waynesboro të Virginias. Marilyn atëherë ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere, ndërsa Herbert ishte 22-vjeçar dhe nuk mund t’i largonte sytë prej saj.

“E shikoja vazhdimisht se si hynte dhe dilte prej kafenesë. Nuk i largoja dot sytë prej saj. M’u desh shumë kohë që ta mblidhja guximin dhe ta pyesja nëse donte të dilte ndonjëherë me mua”, tha Herbert vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të tyre të 70-të të martesës, shkruan KOHA Ditore.

Herën e parë, siç thanë ata, shkuan në kinema, ndërsa një vit më vonë u martuan.

Image

“Ai ishte gjithmonë i qetë, i durueshëm dhe plot me dashuri”, tha Marlyn.

Çifti ka jetuar gjashtë vjet në Gjermani derisa Herbert shërbente në ushtri atje, dhe pastaj shpesh i ndryshuan adresat gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar, thuhet në njoftimin e vdekjes.

Marilyn ishte udhëheqëse e skautëve, pronare e një lulishteje dhe adhuruese e madhe e kafshëve. Fëmijët e saj e përshkruajnë atë si një nënë jashtëzakonisht të përkushtuar, e cila e dha maksimumin kur babai i tyre mungonte madje edhe për disa muaj.

Nga ana tjetër, Herbert i adhuronte peshkimin, zdrukthëtarinë dhe punën në fermë.

Ata lanë pas vetes gjashtë fëmijë, 16 nipër e mbesa, 25 stërnipër e stërmbesa dhe tre stër-stërnipër e stër-stërmbesa. / KultPlus.com