I tretuni…

Poezi e shkruar nga shkrimtari Ndre Mjeda.

Nuk kalon nji natë e n’andërr
porsi zgjandërr
e shof nanën këtu përbri;
me krye vjerrte, me lot për sy
rri tue shfry
njat idhnim që don me e gri
Ndejun m’duket prap te votra
ku me motra
n’dritë t’kandilit qepte e arnote
por njat gaz ka që i shndritte
kur goditte
petkat e djalit e shendote
Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe
kur nuk kishe
fije idhnimi nëpër ftyrë
e ngurron, si t’kenke gurit
e, pshtetë murit
lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë
“T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë –
thotë sa herë, –
Afër nanës qe t’desh e t’ruejti;
t’kishe mbyllë me duer te mia
këtu te shpia
njata sy qe mordja shuejti
Afër vorrit tand nan-shkreta
porsi bleta
ishte sjellun tue gjimue
e n’at bar qe kishte qitë
për gjithë ditë
ndonji lule kish kerkue…”
…E mandej, si del nji krue
tue bumue
rreth e rreth prej brijes s’malit
rrkaj i ulen lot’ per rrudha
– Nuk asht udha
nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit
Kur n’kët shekull n’drit’ e qite
kur e rrite
me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh)
“Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke,
bir n’kët dhe
nana jote a shqiptaria
Mend e zemër për të shkriji
e përtriji
nam e lavd kur t’i vijë dita”
Mbas fjalësh t’tua përherë shkova
e t’ndigjova:
shqiptarin’ nuk e korrita./ KultPlus.com

‘Se këtu jam dem baba dem, për Kosovë jap shpirtin tem!’ (VIDEO)

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell me një interpretim rrëqethës artisti i njohur Arif Vladi.

KultPlus ju sjell në mendje këtë këngë të pavdekshme.

Oj Kosovë o djep lirie
Çdo kulm shpie nji bajarak
UÇK-ëja t’paska hije
Për atdhe po derdhet gjak

Po luftojnë djemtë e Kosovës
Prej Drenice n’mal t’Gjakovës (x2)
Për atdhe lokja m’ka le, për flamurin kuq e zi
Jam ushtar në UÇK do ti sjell vendit liri

ref:

Brez pas brezi në k’to votra
Jam i lashtë sa vet Evropa (x2)
Jo se l’shoj oo asni pllam toke
Dy gisht balle mke fale ti loke

Se k’tu jam dem-baba-dem
Për Kosovë jap shpirtin tim (x2)

Qofsh i pushkës je shqipëtarë
Ta mbrojmë vendin pllambe me pllambe

Se k’tu jam dem baba dem
Për Kosovë jap shpirtin tem (x2). / KultPlus.com

Krijimi i parë i Mitrush Kutelit në moshën 12 vjeçare (FOTO)

Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari ka postuar në rrjetet sociale disa foto që tregojnë krijimin e parë të Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare.

Ai shkruan se sprova e parë e adoleshentit Kuteli ishte një vjershë naive e asaj moshe, dedikuar Skënderbeut.

Ky krijim i tij është botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit në vitin 1919.
Mitrush Kulteli 12-vjeçar

“I pari krijim i adoleshentit Dhimitër (Pandi) Pasko, më vonë Mitrush Kuteli, i botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit më 1919, pra kur shkrimtari i ardhshëm ishte vetëm 12 vjeç, ndonëse mund ta ketë shtuar një vit moshën që t’ia botonin “veprën”. Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut. Botuesit e kalendarit i kanë shtuar edhe një shënim interesant për prejardhjen e tij tok me urimin: “Rroftë filizi i ri e vaftë gjer në veshët e Perëndisë!” Urim profetik në atë moment sot historik”, shkruan Plasari. / KultPlus.com