Nis nesër edicioni i 20 i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik ‘Marie Kraja’

Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” rikthehet në datat 27, 28 dhe 29 mars 2024 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Edicioni i 20 i Festivalit do të zhvillohet në tri net, ku në natën e parë talentet e rinj të operas do të interpretojnë në skenën e TKOB përballë Jurisë Ndërkombëtare, dhe dy net koncertore për t’u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Juria ndërkombëtare edhe këtë vit, është e përbërë nga personalitete të njohura operistike botërore dhe kryesohet nga sopranoja Italiane Cecilia Gasdia, të cilët do të përzgjedhin fituesit mes 16-të zërave operistikë nga e gjithë bota.

Në konferencën për shtyp të dhënë sot nga organizatorët ishin të pranishëm 16 konkurrentët, të cilët do të garojnë për të marrë çmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare Marie Kraja.

Juria ndërkombëtare mbërrin sot në Tiranë, për të gjykuar se cilët do të jenë triumfatorët e edicionit jubilar. Këtë vit pjesë të jurisë do të jenë:

Cecilia Gasdia, menaxhere e përgjithshme dhe drejtore artistike e Fondacionit “Arena di Verona”

Zana Çela, themeluese e Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Alessandro Ariosi, president i agjencisë “Ariosi Artists Management”, Los Angeles

Kristoph Seuferle, drejtor i Deutsche Operas, Berlin

Tobias Hasan, drejtor i Staatsoperas Unter Den Linden, Berlin

Karen Stone, drejtoreshë e përgjithshme e “Opera Europa”, Bruksel

Ervis Gega, drejtore artistike e Fondacionit Villa Musica Rheinland-Pfalz, Gjermani

Julia Lagahuzère, drejtoreshë e përgjithshme e “Operas per Paqe”, Paris

John Allison, botues i revistës “Opera Magazine”, Londër

Vikena Kamenica, mexosoprano, soliste e parë e Teatrit të Operas e Baletit, Tiranë

Festivali është ndërtuar në formën e spektaklit, i cili në sajë të bashkëpunimit me Top Channel, gjatë të dyja netëve do të mund të shijohet nga të gjithë. Rikthehet në moderim sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani, që do të shoqërohet në prezantim nga gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Salaj, ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie, do t’i bashkohet për të komentuar performancat e finalistëve.

Këngëtarët lirikë do të konkurrojnë në dy disiplina: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këngët lirike, më të njohurat e më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar do të vijnë në formën e dueteve. Natën e parë duetet do t’i realizojnë me njëri tjetrin, kurse në finale ata do të këndojnë me artistët të të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Emra të njohur si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë.

Rikthehet këtë vit si moderatore dhe interpretuese e festivalit sopranoja Enkeleda Kamani. Gjithashtu do të performojnë shumë emra të njohur të muzikës shqiptare, si Eneda Tarifa, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Elhaida Dani.

Festivali Ndërkombëtar i Këngëtarëve Operistik “Marie Kraja” u iniciua në vitin 1999 nga Zana Çela, dhe është i vetmi event në Shqipëri që synon të promovojë dhe zhvillojë talentet në një konkurs të standardeve artistike ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Raporti ndërkombëtar rrëzon gënjeshtrat serbe për ‘spastrim etnik’ të serbëve në Kosovë

Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI), tha se asnjë organizatë ndërkombëtare përfshirë ato të sigurisë nuk ka parë prova për pretendimet e Beogradit se në Kosovë ka “spastrim etnik të serbëve”, po mungesa e provave nuk u ka dhënë fund pretendimeve nxitëse.

Në një raport me titullin “Pogromet e sajuara – statistikat, gënjeshtrat dhe konfuzioni në Kosovë”, organizata kujton se në korrik të vitit 2023 presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi NATO-ja dhe OKB-ja kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “pogromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë.

Raporti vë re se paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja, duke iu referuar një deklarate të presidentit serb Vuçiç të gushtit të vitit 2018, në të cilën e kishte përshkruar Kosovën si një fuçi baruti.

“Të gjithë do të presin një mundësi për të goditur tjetrin për të arritur një avantazh në terren. Dhe çdo ditë do të shqetësohemi nëse do të na sulmojnë në veri, ku do të na godasin, me mbështetjen e kujt…”, kishte thënë president serb.

Mirëpo, në deklaratat e vitit 2018 argumentohej se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata. Që nga viti 2023, deklaratat argumentojnë se serbët tani janë të sulmuar dhe duhet të mbrohen, thuhet në raportin e Nismës e cila në fund të korrikut të vitit 2023 kishte thënë se ky është një kërcënim serioz për paqen në Ballkan.

Disa muaj më vonë, paraushtarakët serbë sulmuan policinë e Kosovës në veri, kujton raporti, sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 të një grupi serbësh të armatosur që vranë një pjesëtarë të policisë së Kosovës.

“Është koha për ta marrë seriozisht atë që po thuhet aktualisht nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken pogrome, atëherë pason dhuna. Nëse këto pretendime të rreme nuk kundërshtohen, situata do të përshkallëzohet më tej”, thuhet në raport, në të cilin nënvizohet se “nuk duhet të jetë e vështirë për organizatat ndërkombëtare të hedhin poshtë pretendimet e rreme, mashtruese dhe të rrezikshme për masakrat imagjinare sa herë që ato bëhen. Asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë me personel në terren në Kosovë, nga KFOR-i te EULEX-i, nga UNMIK-u te OSBE-ja, nuk ka parë apo përshkruar ‘spastrimin etnik të serbëve’ apo ‘terrorin’ shqiptar në vitet e fundit. Por mungesa e provave nuk i ka ndalur pretendimet nxitëse”.

Nisma thekson se një nga mjetet në këtë betejë të rrëfimeve kanë qenë edhe statistikat. Më 5 tetor 2023, presidenti Vuçiq tha se si pasojë e “terrorit shqiptar”, 11 për qind e serbëve të Kosovës janë larguar nga Kosova që nga fillimi i vitit 2021. Më 8 shkurt të vitit 2024, duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiqi e rriti ne “14 për qind” numrin e serbëve të Kosovës që ishin larguar për vetëm një vit.

Nuk është ofruar asnjë provë për pogromet e supozuara, dhunën sistematike apo “spastrimin etnik” të supozuar në vitet e fundit, thuhet në raportin prej 18 faqesh në të cilin bëhen krahasime të deklarimeve dhe statistikave të paraqitura nga vet autoritetet serbe. /VOA/KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Loriana Kuka

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell Loriana Kuka, e cila këtë vit arriti që të fitojë medaljen e artë në garat e mbajtura në Sarajevë.

Kuka u rikthye pas lëndimit shtatë mujor, për të treguar se forca, puna e dëshira e madhe për të fituar janë gjithmonë brenda jush. /KultPlus.com