Fjalimi i Presidentes Osmani në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, ngjarje kjo që konsiderohet ndër më të rëndësishmet të vitit në këto 10 vitet e fundit.

KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të presidentes:

E nderuar Ambasadore Soderberg,

E nderuar  Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it,

E nderuara znj. Stocker, udhëheqëse e Swiss Development Corporation,

E nderuar zëvendëskryeministre,

Të nderuara deputete,

Të nderuar kryetarë komunash,

Shumë të dashura vajza e gra dhe të gjithë ju të pranishëm sot,

Ju faleminderit për ftesën, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit në këto 10 vitet e fundit, sepse gjithnjë është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi pjesë e Javës së Gruas, dhe natyrisht këtu është momenti që t’i falënderojmë ato që e filluan këtë ngjarje, Grupin e Grave Deputete, të cilat të inspiruara nga ikona e lirisë dhe pavarësisë sonë, zonja Madeleine Albright, ecën përpara drejt fuqizimit të grave dhe vajzave dhe përgjatë këtij rrugëtimi vazhdimisht kishim mbështetjen e NDI, kështu që faleminderit edhe një herë!

Instituti Demokratik Kombëtar të cilin të gjithë e njohim si NDI sot shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e veprimit dhe punës në Republikën e Kosovës. Ky është një vit jubilar për një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vendin tonë. U bënë 10 vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend. Për punën e palodhshme, për ambicien dhe përkushtimin e pashoq, Ambasadores Soderberg, stafit të NDI, Grupit të Grave Deputete por të gjithë atyre të tjerëve që kontribuuan ndër vite, u jemi vërtet shumë mirënjohës.

Të nderuar të pranishëm,

Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme.

Por në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar – janë vet qytetarët. Pra, demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithmbarshme.

Gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. Ata i kanë dhënë krah demokracisë.

Prandaj, çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve – i të gjithëve, pa dallim. I grave dhe burrave, pa dallim.

Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë.

Nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia.

Angazhimi i gjithsecilit prej jush në këtë sallë sjell avantazh shtesë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të mëtejmë të demokracisë. Sepse, realisht, demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar. Ajo kërkon të mirëmbahet, të kultivohet e të fuqizohet vazhdimisht.

Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore.

Edhe pse Republika jonë është vetëm 15 vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend.

Realiteti është se angazhimi, fatkeqësisht, nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më qartë se kur gratë udhëheqin; kur grave u dëgjohet zëri; kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje; rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm.

Por, sukseset në kryeqendër nuk duhet të vënë nën hije nevojën për angazhim të shtuar për shtrirje të barazisë e gjithpërfshirjes në çdo cep të Kosovës. Ne duhet të mobilizohemi që mos të lejojmë të ngërthehemi nga kurthi i vetëkënaqësisë. Sidomos jo, kur në vendin tonë ende vriten gratë. Sepse, ka ende shumë punë për të bërë përtej përfaqësimit të grave në vendimmarrje në nivel qendror, duke filluar nga fuqizimi i tyre në nivel lokal, e duke vazhduar tek eliminimi i çdo padrejtësie e pabarazie që ato ballafaqohen qoftë në shtëpi, në punë, në rrugë apo edhe në hapësirën digjitale.

Në këto 10 vite të Javës së Gruas, NDI ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas  si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin.

Mirëpo, nuk mund të mos përmend edhe punën e shkëlqyer edhe të shumë partnerëve të tjerë vendor e ndërkombëtar, të organizatave të shoqërisë civile në vend, por edhe të politikbërësve të shumtë në institucionet publike. Puna e të gjithëve ka rezultuar me fuqizim dhe gjithpërfshirje.

Por, duhet të kemi kujdes të shtuar e të sigurohemi që rrethet tona të zgjerohen gjithnjë e më shumë, përtej kësaj salle. Është obligim i yni që mundësitë që na u krijuan neve me përkrahjen e njëra-tjetrës, me përkrahjen e organizatave vendore e ndërkombëtare të zgjerohen në mënyrë që t’ua garantojmë edhe shumë vajzave e grave të tjera të cilat ndihen të izoluara dhe ende përballen me pabarazi.

Mjafton vetëm një zgjatje e dorës në raste të caktuara dhe ai moment shndërrohet në një avalansh që ka fuqinë të transformoj jetë e komunitete të tëra. Prandaj, në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore, nuk ka ditë pushimi, sepse barazia gjinore duhet të jetë mision i çdoditshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Në këto kohë të pasigurive të mëdha, shohim tendenca gjithnjë e në rritje për të sulmuar vlerat demokratike – ato vlera mbi të cilat janë ndërtuar dhe frymojnë shoqëritë tona.

Por, përderisa në qendër të angazhimit tonë i vendosim qytetarët, angazhimin për përmirësimin e jetës së tyre, garantimin e lirive të tyre, dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, busulla jonë morale dhe politike do të na orientoj përherë në drejtimin e duhur.

E kur këto përpjekje i shoqërojmë me përkushtimin për të avancuar barazinë, gjithpërfshirjen dhe diverzitetin, rezultati final është përherë më shumë demokraci. Demokraci e drejtë. Demokraci për të gjithë. Demokraci e qëndrueshme.

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Mbahet ngjarja mbarëkombëtare ‘Java e Gruas’, Ahmeti: Nga 16 drejtori në Komunën e Prishtinës, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë

Ngjarja vjetore mbarëkombëtare, Jave e Gruas (WoW) është mbajtur në Prishtinë, duke mbledhur kështu më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe t’i mbështesë ato për të marrë pozicione më të mëdha drejtuese.

Ngjarja është mbajtur përmes platformës Zoom, duke respektuar kështu masat anticovid.

Kyetari Shpend Ahmeti, duke folur për barazinë gjinore, ka theksuar se në komunë nga 16 drejtori, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë. Ai shtoi se edhe votuesi është emacipuar, me ç’rast në Kuvendin Komunal është tejkaluar kuota gjinore prej 30%, e paraparë me ligjet ekzistuese. / KultPlus.com