Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” I, II,III (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan.
Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:
“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne, Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj. Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.
Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë. Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti. / KultPlus.com
Ishin rotarianët e Gjakovës, të cilët në objektet e qendrës së re të pensionistëve në Gjakovë (donacion ky i Rotary Club – it gjakovar), mbajtën një takim intereaktiv me shkrimtarin, publicistin e historianin e njohur Jusuf Buxhovi. Paraprakisht z. Buxhovi i ka dhuruar qendrës në fjalë mbi 100 libra dhe vepra të ndryshme të tij, duke e pasuruar dhe begatuar këndin e librave në këtë objekt. Këta libra i pranoi kryetari i rotarianëve gjakovar Agron Abrashi.
Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, i ftuar nga rotarianët gjakovar duke bashkëbiseduar me ta ka shpalosur fakte histografike që lidhen me ndikimin e të pavërtetave nga historianë serbë në historinë shqiptare. Ai ka akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë se në tekstet shkollore po fusin gënjeshtra historike. “Sot është një problem shumë i madh sepse këtë çështje, këtë gënjeshtër të tyre e ka pranuar histografia shqiptare, po flas për këtë institucionale dhe këtë të Kosovës, dhe ata gjithkund thonë Car Dushani, Car Llazari , mbreteria mesjetare serbe dhe e kanë inkorporu edhe në tekstet shkollore.
Kjo gënjeshtër vazhdon, ne tash, edhe histografia e Kosovës edhe e Shqipërisë, në tekstet shkollore është shumë skandaloze e shet kët gënjeshtër serbe si një të vërtetë historike që nuk ekziston” . Buxhovi ka kërkuar një qëndrim të përbashkët shkencor të akademive të Kosovës dhe Shqipërisë ku do të trajtoheshin këto tematika dhe të pranoheshin faktet që dihen botërishtë.
Më tutje Buxhovi ka fajësuar Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, duke thënë se akomodimet politike po i bëjnë që të heshtin karshi këtyre të pavërtetave dhe dëmeve historike.“Kam insistuar shumë herë mirëpo vazhdimisht kam has në kundërshtim sepse janë historianët të cilët e udhëheqin sot Akademinë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, pra institucional, janë kryesisht të mendësisë ideologjike. Kanë bërë libra, kanë bërë tituj, një pjesë e tyre janë hy edhe në shërbime të politikës për fat të keq dhe janë akomodu shumë mire materialisht dhe me pozicione të tyre. Poqese do të pranohej diçka e tillë, shumë libra të tyre duhet të zhvlerësohen, dhe shumë tekste shkollore duhet të rishkruhen. Aty ka gjithçka pos shkencës. Ka pedagog të mirë por jo shkencëtar!”
Shkrimtari, historiani dhe ish gazetari e publicisti Buxhovi i pyetur nga të pranishmit pse Kosova sot është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka asnjë gazetë, ai u shpreh se në Kosovë gazetaria ka vdekur duke shtuar se kjo vlen në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Z. Buxhovi arsyetoi këtë me faktin se gazetaria është bërë mjet i më të fortit duke aluduar sidomos në partitë politike për blerjen e mediave të ndryshme që më pastaj i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre.
Ndërsa duke folur për gjendjen e kulturës në Kosovë, Buxhovi u shpreh “Në këtë periudhë të pasluftës ka ndodhur një akulturim i madh. Sepse në vendet kyqe të kulturës janë vënë njerëzit politikë që shumë pak marrin vesh me art dhe kulturë! Ja psh Gjakova qytet me personalitete të njohura dhe tënshumta në këtë fushë dhe qyteti me më shumti shkrimtarë në tërë hapësirën shqiptare, sot e 24 vite është lënë anash dhe ngjan në shkretëtire kulturore!”
Përndryshe me veprat e tij Jusuf Buxhovi ka arritur të ndërtojë një opus të gjërë si vepra letrare, publicistike dhe historiografike.
Vepra letrare e Jusuf Buxhovit ka nis me librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus të madh ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama. Pjesën më interesante të Jusuf Buxhovit e përbën edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).
Kurse një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm është vepra voluminoze në disa vëllime ”Kosova 1 2 3” më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera. Pra historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme. Vepër kjo që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.
Me veprën historiografike dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela, drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një opus fenomenal prej një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar e te guximshëm në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij poliedrike ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi i tij që është jetësisht i lidhur me proceset dhe ngjarjet historike e kulturore të vendit. /KultPlus.com
Besnik Mustafaj: “Fati i marrë”, roman. Botoi “Onufri”, Tiranë 2023.
Nga Jusuf Buxhovi
Enigma e dashurisë është vetë dashuria. Ajo nuk ka kod, meqë nuk do të ishte dashuri. Kështu parafrazon Markezi dashurinë në romanin e njohur “Dashuria në kohën e kolerës”. Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur të mos i besonte Markezit, ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesejte dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar).
Në përputhje me prosedeun tashmë të njohur të Mustafajt nga tre romanët e fundit, ku participimi imagjinar i shkrimtarit në ndërtimin e rrëfimit ndërthuret me anticipimin nga veprat e botuar (këtë herë novela “Historia e një mushke”) me ç’rast madje ai kthehet edhe në personazh, kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, mbështetet mbi dilemën si moto të veprës se ç’i bashkoi këto martesa aq të largëta, cilat interesa fshiheshin para tyre e të ngjashme, të cilat ndiqen fillimisht nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar, dhe më vonë nëpër ato politike, nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për referencë kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror.
Natyrisht se në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu që në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin pritanik Benjamin Disraeli, me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në kërkim të zbardhjes se një vrasjeje midis krushqve të familjes Resulaj me një tjetër te një urë kur “nga krenaria” nuk pranojnë t’ia lëshojnë rrugën njëra-tjetrës. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme, Hana shfaqet si urë që lidh dashuritë, përkundër asaj të malësisë, që për arsye të pakuptimta për të huajt, shkatërron dashuritë deri në tragjicitet. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur” (shpjegimi i të cilit gjendet te impotenca), dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese, gjë që arsyetojnë referenin e dilemës “si mbiu ashtu papritur në zemrën e kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria kjo dashuti e pakufijshme për Shqiptarët”, mbi të cilën ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit.
Hapjën e kësaj enigme dhe dilemat që e përcjellin atë, ku ecuria e zbërthimit të saj ngrihet mbi supozimin, në dukje të një interesi politik, por që porosia përfundimtare le për të kuptuar afrinë kulturore dhe shpirtërore mbi konceptet e civilizimeve të njëjta, për të cilat edhe luftohet, siç ndodh me atë të Gjergj Kastriotit me hungarezin Huniad kundër osmanëve, shkrimtari e ka mbështetur në dy plane rrëfimtare, në dukje kohësisht të shkëputra: nga Pëkthyesi M. B. dhe Historiani D.D.
Përkthyesi M.B. në pjesën hyrëse, shfaqet “si një intrigues” i rrëfimit në raport me vetë shkrimtarin, ku edhe ndërtohet pasazhi mesjetar i dashurisë së Gjergj Kastriotit-Iskander beut me Idunën, princeshën hungareze. Përqendrimi i përkthyesit te vepra “Naltësimi i Iskanderit” dhe “ngjashmëritë” me “Historinë e mushkës”, në të vërtetë paraqesin reminishenca të historisë kulturore, shpirtërore dhe shoqërore të një shoqërie perëndimore, që arsyetojnë sjelljen e Skënderbeut nga pasha i njohur osman te kundërshtari i pushtimeve osmane, ku Shqipëria dhe shqiptarët ngritën në nivelin e një shëmbëllese ndër më të fuqishmet e kohës.
Ndërsa te Hitoriani D.D. një shqiptar, pinjoll i një familjeje të vjetër në Tiranë, të nderuar nga një brez në tjetrin dhe njëri nga nxënësit më të mirë të gjimazit “Sami Frashëri”, i cili do të vazhdojë studimet në Britani të Madhe ku edhe do të mbesë përgjithmonë, me nënshtetësi britanike, i integruar tërësisht në mentalitetin kulturor, intelektual dhe politik të Mbretërisë së Bashkuar, kemi pjesën e dashurisë së Benjamin Disraelit me malsorën Hana dhe martesën e tyre në Londër, kur ajo do të shfaqet si njëra ndër damat më të njohura të lozhës politike të kohës.
Kështu, Përkthyesi M.B. dhe Historiani D.D. ndërtojnë kornizën e tërësisë së veprës, në të cilën argumentet historike vihen në shërbim të fakteve jetësore (shoqërore, kulturore dhe poltike) që i prodhon pikërisht historia, gjithnjë si mesazhe në kuadër të realiteteve jetësore.
“Shkëputja” nga historia dhe inkuadrimi i tyre imagjinativ në narrativen e veprës, ku përsëritjet e ngjarjeve (martesat mbretërore në mesjetë dhe në rrethanat e krijimit të shteteve në shekullin e kaluar), në rastin e dhënë të martesës imagjinatave të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli me malësoren Hana, ndërton tablonë e simbolikës mbi të cilën qëndron edhe pragmatizmi politik i kohës në raportet e shqiptarëve me rendët mbretërore (ai britanik), si një faktor historik, i një kujtese nga lashtësia mbretërore dardane, maqedone, epirote dhe ajo e Skënderbeut, ku edhe mund të zbërthehet enigma e kodit të dashurisë midis një kryeministri britanik dhe një malësoreje shqiptare, si një avanturë që del jashtë koncepteve shoqërore dhe kulturore të kohës në njërën ose në tjetrën anë, por si të tilla, antagonizmi i kthen në monument letrar?…
Në fund, duhet thënë se, Mustafaj, romancën e dashurive historike, të parën e llojit të tillë në letrat tona, slilistikisht e brumos me filigraniznin e njohur nga romanët e fundit, gjë që veprës i jep një peshë të veçantë artistike. / KultPlus.com
( Duke lexuar romanin më të ri të Jusuf Buxhovit – Mendim Drini)
Jusuf Buxhovi me romanin më të ri “Mendim Drini”, solli një trajtim krejt tjetërfare të nji cope jete nga këto që ishim mësuar të lexonim nga ky edhe romansier…
Buxhovi në ato mbi 100 faqe trajton ngjarje historike të këtij nënqielli, por që ato i shkrien aq bukur dhe i ngjesh mjeshtrisht…
Aty përmes asaj që thuhet dhe thot Mendimi, aty është edhe një pjesë e historisë së popullit shqiptar sipas asaj hamlwtianes ” të rrosh a t’mos rrosh”…
Dhe, fati i këtoj nënqielli shqiptar gjatë kohëve, që shpesh ishin kundër nesh ose edhe ne kundër vetëvetes, që romansieri Buxhovi me aq mjeshtri e shtjellon duke mos lënë hapsina as më të vogla që do të shkaktonin mëdyshje te lexuesi për të kaluarën e popullit tonë gjatë historisë, që shpesh ajo ishte kundër nesh…
Buxhovi, si rrallë kush në letërsinë tonë të re, përdorë MENDIMIN FILOZOFIK RRETH MENDIM DRINIT, pra me nji stil të themi lirisht KAFKIAN, që si i tillë ky roman lirisht mund ta them pa hamendje se nuk është i kollajshëm për ta zgjuar kurreshtjen e lexuesit të zakonshëm…
Pra, romani si i tillë meriton dhe sygjeroj të lexohet me vemendje e koncentrim tjetërfare fund e krye, e pse jo – të lexohet edhe për herën e dytë. /KultPlus.com
-Theksime nga fjala e historianit Qerim Lita rreth veprës “Maqedonia nga atika deri te koha jonë” me rastin e promovimit në Shkup
Pas botimit të veprës madhore “Kosova” në tetë vëllime, historiani Jusuf Buxhovi, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme: “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.
Në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtryrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasti”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).
Edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londërs,ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.
Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.
Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.
Në fund, duhet cekur se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Ngritja e shtetit hegjemon serb nga autonomia në vitin 1830 (në përmasat e pashallëkut të Beogradit) dhe pranimi si shtet në Kongresin e Berlinit 1878 e deri te zgjerimi me tokat shqiptare gjatë luftërave Ballkanike 1912-1913, me ç’rast Kosova dhe Maqedonia do t’i njihen Serbisë, u bë mbi “tapitë shpirtërore” të kishës ortodokse serbe dhe mashtrimeve të saj si “pjesë e identitet shpirtëror dhe kulturor serb nga mesjeta e këndej”. Ky mashtrim që ishte pjesë e konceptit sllavo-rus që në pjesën europiane të Perandorisë Osmane të krijojë shtete vasale (Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë), duhej të përcillej me faktorin Kishë Ortodokse Serbe si dhe gjoja autoqefalinë e saj nga shekulli XIII e këndej, që si do të shihet, ishte vetëm një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit (nga viti 1219-1275). Diskursi i këtij mashtrimi do të vazhdojë për tetë shekuj me radhë, meqë autoqefalia e Kishës Ortodokse Serbe do të fitohet në vitin 1922, pasi që të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene. Meqë autoqefalia kishtare përherë lidhej me shtetësinë, Kisha Ortodokse serbe, këtë “të drejtë” e fitoi vetëm pas vendimeve të Konferencës së Parisit më 1919 kur u pranua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, në gusht të vitit 1920, me anën e një delegacioni shtetëror do t’i drejtohet Sinodit të Shenjtë të Patrikanës së Kostandinopojës për unifikimin e tri kishave (të Karllovcit, të Malit të Zi dhe të Mitropolisë së Beogradit) në një kishë të përbashkët, që do të quhej Kisha Ortodokse Serbe. Sinodi i Shenjtë, në përputhje me realitetet shtetërore të cilave u nënshtroheshin edhe ato kishtare (autoqefalitë), vendosi të miratojë kërkesën e shtetit SKS me kusht që të paguajë 1,5 milionë franka francezë për lejimin e kishave të Kosovës dhe të Maqedonisë (deri më atëherë nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës) që të përfshihen në kuadër të hierarkisë së Kishës së bashkuar ortodokse serbe. Akti përfundimtarë i kësaj marrëveshjeje do të nënshkruhet në vitin 1922 nga Patriku i Kostandinopojës.
Meqë ky mashtrim prej tetë shekujsh po vazhdon të prodhojë pasoja politike për shtetin e Kosovës, ngaqë me pakon e Ahtisarit krishterimi ortodoks dhe objektet e kultit kishtar trajtohen si pronësi e Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast shqiptarët, që i kanë takuar krishterimit nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV, kur në Ilirik nuk ka pasë sllav, privohen nga një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre shpirtërore dhe asaj historike, është e udhës që të sqarohet historia e këtij mashtrimi. Ajo gjithsesi lidhet me fuqizimin e dinastisë së Rashës Nemanjane (me prejardhje tribale) si dhe kyçjën e saj në kryqëzatat katolike evropiane si dhe shfrytëzimi i rrethanave të dobësimit të Bizantit, që u krijoi mundësi për ngritje të fuqishme në Ilirik. Kështu, kur në Kostandinopojë kryqtarët katolikë do të rrënojnë kulturalisht dhe politikisht Bizantin, duke shpallur Perandorinë Katolike në vitin 1204, ndërsa qendra e Bizantit bashkë me kishën ortodokse do të kalojë në Nike, kisha e Rashës në qendrën e saj në Zhiçë, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë, do të ndihmohet, që me veprime në kundërshtim me kanonet kishtare, për t’u shkëputur njëanshëm nga Peshkopata e Ohrit, në të cilën gjendej nga koha e Simeonit bashkë me të tjerat në pjesën perëndimore të Ilirikut. Kjo gjendje ishte konfirmuar edhe nga perandori i Bizantit Vasili II në vitin 1018. Nga dokumentet e rishkruara dhe të përpunuara të Kishës Ortodokse Serbe nga punëtoria e manastirit të Hilandarit veçmas me anën e “zhitive”(jetëshkrimeve të monahëve kishtarë) që nuk paraqesin tjetër pos një formë të haxhiografisë (jetëshkrime fetare), shumë prej tyre të përpunuar dhe të rishkruara në shekujt XVII-XIX në përputhje me qëllimet e caktuara politike, fitohet bindja se e ashtuquajtura Kishë Ortodokse Serbe “pranohet e pavarur” nga Patrikana e Kostandinopojës, pra fiton autoqefalin, ndonëse ajo që kishte ndodhur në Nike, në bazë të dokumenteve meritore, paraqet vetëm një pavarësim të Peshkopatës së Zhiçës nga Peshkopata e Ohrit dhe assesi autoqefali. Pra, në Nike, në rrethanat kur në Kostandinopojë asokohe sundonte Perandoria Latine, kishte ndodhur vetëm një riorganizim i përkohshëm kishtar në pjesën qendrore të Bizantit, si kundërpërgjigje realiteteve të reja të krijuara kur kisha katolike kishte fituar hapësirë të dukshme në këto pjesë dhe kërkonte që të faktorizojë aleatët dhe vasalët perëndimorë: Nemanjajt e Rashës dhe bullgarët. Në këtë drejtim Vatikani punoi me të madhe qe Kisha e Rashës me seli në Zhiçë dhe ajo bullgare të shkëputen nga Kostandinopoja. Natyrisht se edhe kisha e Kostandinopojës e dëbuar nga kryeqendra e vet, asokohe nuk e kishte kundërshtuar “mëvetësimin” e kishës së Rashës me seli në Zhiçë nga ajo e Ohrit, meqë ishte e interesuar që ajo të mos bëhej pre e Vatikanit, veçmas pas kurorëzimit kishtar të Stefan Ne-manjës në vitin 1217 nga Papati. Përkundrazi, si shihet, edhe Patriku i Nikesë, Manojllo, do ta kurorëzojë “mbret” Nemanjën duke e toleruar formalisht krijimin e Peshkopatës së Zhiçës, si të shkëputur nga ajo e Ohrit, por kjo me asnjë dokument nuk u vërtetua se fitoi edhe autoqefali kishtare. Rreth kësaj kemi edhe dëshminë meritore të Dr. Dimitrije Ruvarac, arkimandrit, menaxher i shtypshkronjës së kishave dhe Bibliotekës Patriarkale të Sremski Karlovcit dhe redaktor i “Srpski Zion”. Ruvarac pohon se “nuk ka dyshim se Sava mori disa privilegje për hierarkinë kishtare rasiene në Nikea, por është e pamundur të identifikohen të gjitha ato me bekimin për një ngjarje kaq të madhe kanonike, siç është krijimi i kishës autoqefale. Me fjalë të tjera, Sava mund të merrte një vetëqeverisje të caktuar nga Kostandinopoja për hierarkinë kishtare, me një listë të përcaktuar qartë të privilegjeve – por jo autoqefali.
Por, pas rrëzimit të Perandorisë Latine më 1261 dhe të rikthimit të Bizantit në Kostandinopojë, vendimet e Nikesë rreth shkëputjes së Peshkopatës së Rashës nga Peshkopata e Ohrit anulohen dhe ajo prapë do t’i kthehet gjendjes që ishte në vitin 1219. Madje, me rastin e rikthimit nën administrimin e Peshkopatës së Ohrit, bashkë me atë bullgare, në Koncilin e Lionit, më 1274, kërkohet falje për këtë “sjelle të pamirë të kishës së Rashës”.
Lajmet më të hershme të suksesit të Savës në fitimin e autonomisë – jo autoqefalisë – erdhën nga biografët e tij (higjiografët). Dhe me një vonesë të madhe. Domentian shkruan për këtë (rreth 1253, kështu që shkrimet e tij u “ripunuan” nga një autor tjetër pas vitit 1290); dhe më pas, të paktën një shekull më vonë (midis 1320 dhe 1330) dhe Teodosi.
Domentian dhe Teodosi lan një konfuzion në takimin në shkrimet e tyre. Njëri prej tyre shkruan për 14 vitet që Sava kaloi si kryepeshkop; kjo do të thoshte, me kushtin që në vitin 1233 (ose 1234) për disa arsye Sava dha dorëheqje nga froni i Kryepeshkopatës së Zhiçës, se ai mund të ishte shuguruar më 1219, dhe pastaj Patriarku Manojlo Sarantin (νοανουήλ Α΄ Σαραντητός ή Χαριτόπουλος).
Sidoqoftë, Domentiani dhe Teodosi janë të aftë për çështjet kishtare, kështu që, megjithëse ata zbukurojnë dukshëm gjëra – për shembull, thuhet gabimisht që Sava erdhi në Kostandinopojë me perandorin bizantin, megjithëse është e verifikueshme që Theodore I Lascaris mbretëroi në Nikea – ata nuk pretendojnë se bëhej fjalë për autoqefali të kishës.
Edhe te kjo çështje, ndërhyrja e dr. Ruvarac, heq mjegullimin e krijuar nga biografët e tij dhe të tjerët që i përpunuan ato. “Deri më tani, asnjë letër nuk është shtypur askund, e cila do të konfirmonte kush dhe kur Shën Savën e shuguroi kryepeshkop dhe mbi çfarë baze. Sepse, po të ishte kështu, atëherë duhej të lësho-hej një letër e tillë dhe një akt i tillë i rëndësishëm nuk mund të humbiste. Prandaj, nuk dihet saktësisht se cilin vit, për të mos përmendur muajin dhe ditën, është shuguruar Sava kryepeshkop, siç mungon edhe emri i patriarkut që e bëri atë”.
Ato që thotë dr. Ruvarac, mbështetet nga qëndrimet e Dr. Janko Shafarik, i cili u mor shumë me këtë çështje. Shafariku paraqiti një raport mbi rezultatet e hulumtimit të tij në arkivat e Kostandinopojës, botuar më 1855 në Beograd. Për atë që gjeti në Kostandinopojë, Shafarik shkruan:
“Ne nuk mund të dokumentojmë asnjë veprim me anë të të cilit Shën Sava u bë një kryepeshkop i pavarur. Madje, asnjë veprim tjetër i ngjashëm, nuk është gjetur deri më sot!”.
Edhe historiani i kishës serbe, Svetozar Niketiq, qysh më 1870 vlerëson se “Megjithëse kisha serbe ka qenë ajo që e konsideroi Sava si të pavarur, përsëri kryepeshkopët e saj, të zgjedhur nga asambleja e hierarkëve, u përcaktuan në atë titull nga patriarku i Kostandinopojës”. Por Niketiq, thotë se, falë Savës, u fitua e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre vetë në të ardhmen, por ata mbetën nën ohforionin e Kostandinopojës, praktikë kjo që përkohësisht do të ndërpritet nga Stefan Dushani. S’do mend, se e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre në të ardhmen, që si përvojë u shfrytëzua gjatë dy shekujve të ardhshëm në hapësirat kah Nemanjajt shtrinë pushtetin, u shfrytëzuar për t’u “promovua” autoqefalia. Kisha Ortodokse Serbe retushoi në këtë frymë thuajse të gjitha dokumentet kishtare që erdhën nga punëtoritë e Hilandarit.
Në të vërtetës, ky veprim, nuk anashkalohet as nga disa autorë objektivë serbë (ndër të cilët duhet dalluar Ilarion Ruvarac). Aty, me të drejtë, shihen edhe prapaskenat e Vatikanit, që asokohe luheshin në kurriz të Patrikanës së Kostandinopojës me rastin e pushtimit të kryeqytetit të Bizantit nga katolikët, në vitin 1204 që zgjati deri në vitin 1261, kur aty u kthye Perandori bashkë me suitën e klerikëve nga Nikea. Në këtë vënerim, gjithsesi, rolin kryesor kishte veprimi i Peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian (Demetros Chomateros), që sapo të përhapet lajmi nga Nikea, nxori mallkimin drejtuar Arhimandrit Sava të Rashës. Në letrën drejtuar Patrikut ortodoks në Nike thotë se Sava nuk e ka të drejtën të shkëputet nga Peshkopata e Ohrit, meqë kjo nuk lejohet nga kanoni i rregullit apostolik.
Letrat e peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian, do të mbesin një zë i shurdhër për mbi gjysmë shekulli, deri sa do të bjerë Perandoria latine e Kostandinopojës në vitin 1261. Bizanti sapo u kthye në kryeqytet e me të edhe qendër e Patrikanës Ortodokse, u kthye edhe rregulli i dikurshëm kishtar. Ky veprim ishte përcjellë me “miratim” edhe nga Vatikani, ngaqë ishte kthyer “normaliteti” midis dy qendrave botërore që thirreshin në të njëjtën perandori, e cila asokohe ndodhej përballë kërcënimeve osmane. Në kuadër të këtyre raporteve, për Patrikanën e Kostandinopojës me interes të madh shfaqej edhe rikthimi i fuqisë së humbur kishtare të Peshkopatës së Ohrit, me rastin e shkëputjes së njëanshme prej saj të Ipeshkvisë së Rashës dhe asaj bullgare, të cilat aktronin autoqefalin. Në këtë aspekt letrave të Homatianit do t’u hiqet pluhuri i kohës dhe madje, do t’u jepet përgjigje e drejtë, me atë që në Koncilin e Lionit do të thuhet se në Nikea ishte shkelë kanoni apostolik dhe se Peshkopatës së Ohrit i ktheheshin Ipeshkvia e Rashës dhe ajo bullgare. Natyrisht se këtij vendimi i parapriu dekreti i Perandorit Mihali VIII, me të cilin Peshkopatës së Ohrit i kthehej juridiksioni mbi Ipeshkvinë e Rashës dhe atë bullgare në përputhje me dekretin që kishte shpallur në fillim të shekullit XI Perandori Bazili II. Anulimi i pavarësisë së peshkopatës së Rashës, qendra e së cilës kishte kaluar në manastirin e Zhiqes, që në historinë kishtare të Kishës Ortodokse Serbe quhej autoqefali, kërkonte edhe largimin e peshkopit Danilo nga ajo pozitë. Kjo do të bëhet në vitin 1272.
(Shkëputje nga libri “Dardania – antika, mesjeta”, Prishtinë,2020). / KultPlus.com
Në ditën e 33 vjetorit të bashkimit gjerman, ajo që bie në sy nga shtypi vendor, gjithsesi është një koment i shkurtër në “Bild”, me ç’rast thuhet se sot gjermanët më shumë i gëzohen një goli të kombëtares së tyre të futbollit se sa 33 vjetorit të bashkimit!
Natyrisht, se ky vlerësim, paraqet anën emocionale, por si i tillë, nuk është jashtë realitetit të përjetimit të historisë si një normalitet, që tjekaloi një abnormalitet, siç ishte ndarja e Gjermanisë si ndëshkim, pas humbjes së lutës së dytë botërore nga fuqitë fituese të luftës antifashiste, në pjesën perëndimore (të mbikëqyrur nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Ftanca) dhe në atë lindore të mbikëqyrur nga Bashkimi Sovjetik. Pjesa perëndimore, do të konstituohet si shtet në vitin 1949 – Republika Federale e Gjermanisë (Bundes Republik Deutshland – BRD), me sovranitet të kufizuar, i mbikëqyrur nga aleatët perëndorë. Ndërsa pjesa lindore, do të konstituohet si Republika Demokratike Gjermane (Deutshe Demkratishe Republik – DDR). Pjesa perëndimore kishte si kryeqytet Bonin. Ndërsa pjesa lindore – Berlinin. Berlini, njëherësh kishte edhe statusin e qytetit të ndarë në katër zona: atë amerikane, britanike, franceze si dhe sovjetike. Zonat perëndimore (tri sosh ishin të përbashkëta), ndërsa lindorja, e ndarë dhe nën mbikëqyrjen e sovjetikëve. Statusi me tretmant të ndarë i Berlinit, në të vërtetë paraqet shkëndijën e parë të ndarjes blokiste lindje-perëndim, e cila, nga viti 1949 dhe veçmas nga viti 1960 kur pjesa lindore do ta rrethojë hapësirën e vet me mure 6 metra të lartë të shoqëruar me gjemba elektrik, në një perimetër prej 600 kilometrash, paraqet simbolin më të ashpër të luftës së ftohtë, që do të zgjasë deri më 9 nëntor 1989, kur ai do të bjerë, e me këtë do të krijohen rrethanat për bashkimin gjerman, që do të arrihet më marrëveshjen e të dy shteteve për t’u bashkuar në një, në Gjermaninë, më 3 tetor 1990.
Përshtypjet në këtë përvjetor nga këndvështrimi i gazetarit që për shumë vite, si korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Bon ka përjetuar të dy Gjermanitë: (Perëndimoren dhe Lindoren) si dhe atë të bashkuarën, nuk mund të jenë tjera pos të fokusuara në aktualitetin e pasqyruar figurativisht në komentin e “Bildit” të sotëm, ku në njërën anë, në të djeshmen, shihet një komb i ndarë në dy shtete, në dy sisteme antagoniste që për një gjysmë shekulli, raportet gjeostrategjike dhe gjeopolitike, do t’ia përcaktojnë karakterin shoqëror, politik, po edhe atë kulturor. Dhe në tjetrën anë, në të sotmen, shihet se si bashkimi shtetëror nuk do të thotë automatikisht bashkim i brendshëm, as ekonomik, as kulturor, që përkundër investimeve miliardëshe të perëndimit në pjesën lindore, përkundër projekteve të shumta për integrim, punësim dhe arsimim të përbashkët, përkundër zhvillimit dinamik të infrastrukturës rrugore dhe hapësinore, në pjesën lindore, i gjithë ky proces, do të përjetohet si një realitet i “kombit të dy pjesëve”, ku madje, edhe nofka e lindorëve si “osis”, nga perozhaviteti i fillimshëm do të marrë kuptimin e një “identitetit lindor”, që theksohet me të madhe, nga spektri politik e deri te ai ekonomik e mbi të gjitha edhe kulturor!
Duket paksa paradoksale por “lindorja” gjermane, tashmë është edhe identitet kulturor dhe shpirtëror në përgjithësi, ku fryma e dikurshme e protestantizmit të njohur prusian reinkarnohet në krijimtarinë artistike: në pikturë, letërsi, akitekturë dhe kinematografia. Por, ky identitet lindor, që nuk e përjashton kombin e përbashkët gjerman, në planin shoqëror dhe politik, kërkon që reminishencës së njohur historike të Gjermanisë së shkapërderdhur nëpër qindra e qindra feude, grafshtate dhe principata, t’ia krijojë baraspeshën e re perëndim-lindje, si një konkurencë që për shekuj u pasqyrua midis veriut liberal (protestant) dhe jugut konzervativ (katolik). Natyrisht se ky rivalitet, mbështetet edhe në historinë e bashkimit politik gjerman të vitit 1871 kur vilhelmizmi i Bizmarkut (lidhja strategjike me botën lindore, atë sllave-ruse) shfaqej interes gjerman, kundruall konzervatorizmit të pjesëve jugore (Bavarisë), të lidhura me Europën Juglindore prej nga hapësira e Ballkanit paraqiste një nyje të pashmangshme të lidhjes me Mesdheun, Lindjen e Afërme dhe atë të Mesme.
Pra, në këtë 33 vjetor, me pak fjalë, mund të thuhet se Gjermania e Bashkuar, politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, reflekton rrymat historike të “dy pjesëve”: asaj veriore, vilhelmiste dhe jugores , euro-lindore. Këto “rryma”, mund të thuhet se, në njëfarë mase, sot ma shumë se kurrë, shfaqen shpërputhëse në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Ngaqë rryma e parë, ndonëse gjeopolitikisht, i mbetet besnik verioatlantizmit dhe SHBA-ve, megjithatë përherë shikon që të ruhen balanset me Rusinë dhe vendet përreth, që mund të shihet edhe si interes gjerman në kuadër të atij europian, e ku, sipas kancelares Merkel, Rusia duhet ta ketë vendin e vet. Ndërsa e dyta, rryma konzervative, kërkon që Gjermania e tëra t’i përkushtohet aleancës me NATO-n dhe SHBA-të, paçka se kjo një ditë mund të sjell konfrontim edhe me Rusinë, si parterë të saj të fuqishme ekonomike.
Në këtë 33 vjetor të bashkimit gjerman, fitohet përshtypja se “kombi i dy pjesëve”, politikisht ka filluar ta humb balansimin, madje në një mënyrë fare absurde, ngaqë “pjesa lindore”, veçoritë historike të konfrontimeve të protestantizmit me katolicizmin, pra të liberalizmit verior (prusian) me konzervatorizmin katolik-bavarez , ka filluar t’i zhvendos në një drejtim të kundërt, në drejtim të nacionalizmit djathtist, që në njëfarë mënyre, gjen frymëzim te modeli i atij rus, që sot ndjek Putini dhe aleatët e tij në Lindje.
Shembull tipik i këtij çorientimi politik është forcimi i partisë nacionaliste-ekstremiste AFD, e cila, klientelën e vet e ka në pjesët lindore, ato të socializmit sovjetik. Kjo parti, e cila në shumë lande vendore shfaqet si forca kryesore politike dhe ka filluar të qeverisë disa prej tyre, tashmë vlerësohet si njëra ndër më të fuqishmet në vend me parashikimin që t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme federative. Kjo parti, shfaqet si një alkemi midis ideologjisë dhe nacionalizmit, e ngjashme me putinizmin!
Pa hy në shkaqet që sollën forcimin e AFD-së dhe humbjen e popullaritetit të partive popullore CDU dhe SPD, ku sigurisht se refugjatët dhe neoliberalizmi ekonomik merren si kryesorët, megjithatë, në planin shoqëror dhe politik, ky zhvillim, doemos nxjerr në pah shtetin e bashkuar gjerman si një komb “të dy pjesëve” të ndryshme: perëndimorëve dhe lindorëve, ku të parët, historikisht konzervativiz, ndërsa të dytët – liberal. Por, ja që, gjatë këtyre 33 viteve të bashkimit, këto rryma kanë pësuar ndryshime thuajse jashtë konteksteve tradicionale dhe kulturore, me ç’rastë e para lindorja – në raport me frymën europiane dhe doktrinën veriatlantike shfaqet nacionaliste dhe ekstremiste, madje përjashtuese ndaj tyre. Ndërsa e dyta, perëndimorja, ekonomikisht mbron ekonominë neoliberale të përmasave botërore ku ekonomia gjermane është kampione, kurse politikisht ruan përkatësinë veriatlantike me NATO-n dhe SHBA-në si faktor të sigurisë gjermane, europiane dhe perëndamore në përgjithësi.
Sidoqoftë, kombi i “të dy pjesëve” të Gjermanisë, e ka të përbashkët Branderburgun, e bashkimit nga vitit 1871, i ndërtuar mbi idenë e vilhelmizmit se Gjermania duhet të ndërlidhë fundin e Europës me fillimin e Lindjes. Siç e ka dhe Beranderbugun e rrënimit të Murit të Berlinit të 9 nëntorit 1989, që paraqet fundin e bipolaritetit blokist, rrënimit të Bashkimit Sovjetik dhe bashkimit gjerman, që ua hapi rrugën proceseve të çlirimit të pjesës lindore nga diktatura e sistemit komunist.
Duhet shpresuar se rrymat e tanishme politike gjermane, pa marrë parasysh raportet e forcave në ndryshim e sipër, portën e Brandërbugurt do ta shohin si nyje gjeopolitike që lidh Perëndimin me Lindjen, ekonomikish dhe kulturalisht, por në kuadër të një bote të lirë, liberale dhe për të gjithë… / KultPlus.com
*Aspekti historik, diplomatik dhe politik i një prapaskene kundër shtetit të Kosovës, që siç u pa këto ditë me aksionin terrorist në Veri mbetet veprim aktiv i politikës së Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon…
Jusuf Buxhovi
1.Aspekti historik:
Nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” me Serbinë. Ky është vetëm një konstrukt mashtrues, që si metaforë (“krushqit e ngrirë” në vend të “krushqve të masakruar”), sa nga konceptet ideologjike, sa nga mosnjohja e historisë, së fundi, ka depërtuar edhe në politikën shqiptare.
Por, nga aspekti historik, e vërteta është ndryshe, ngaqë pikëpjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve, që si serbë shfaqen vetëm në shekullin nëntëmbëdhjetë kur identiteti fetar ortodoks do të kthehet në atë nacional, janë lufta pushtuese të tyre për hapësirë, me pasoja të rënda për qenien shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, të përcjella me etnocide, kulturocide dhe gjenocide të vazhdueshme dhe tragjedi, që siç ua pa edhe këto ditë me sulmin terrorist serb në Veri, mbesin veprime aktive të politikës hegjemoniste të Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon.
Mbi këtë platformë që u mbështet në “Naçertanjen” e Garashaninit të vitit 1844, janë të njohura veprimet pushtuese të Serbisë ndaj etnisë shqiptare edhe pasi që shqiptarët ia dolën të shpallin shtetin e tyre të pavarur, që Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, në vitin 1913 e njohu si të përgjysmuar. Krahas rrezikimit të vazhdueshëm të shtetit shqiptar, Beogradi, bëri çmos, që me anën e dhunës shtetërore dhe programeve të vazhdueshme (kolonizimit, shpërnguljeve dhe terrorit policor-ushtarak), ta rrënojë qenien etnike dhe atë fizike të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Roli i kishës ortodokse serbe në këtë strategji ishte përherë i madh: frymëzues në planin shpirtëror, dhe mobilizues në planin ushtarak. Në luftërat pushtuese (ato të vitit 1878, 1912, 1919 dhe 1999), të përcjella me gjenocide, Klerikët ortodoksë jo vetëm që i bekuan armët dhe njësitë paramilitare, por njëherësh, shumë nga objektet e kultit i kthyen në depo armësh si dhe qendra logjistike të armatës serbe. Gjatë shpërthimit të luftës pushtuese serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet 1991-1999, shërbimet informative perëndimore siguruan shumë dëshmi për këto veprime. Çështje e diskutueshme mbetet pse në Gjykatën e Hagës, krahas Millosheviqit dhe shpurës së tij politike-ushtarake, nuk u gjenden edhe klerikët ortodoksë serbë që frymëzuan dhe ndihmuan drejtpërdrejtë gjenocidet serbe në hapësirat e ish Jugosllavisë? Natyrisht, po të ishte përfshirë në Gjykatën e Hagës edhe ky aspekt, me siguri se nuk do ta kishim Pakon e Ahtisarit në formën që u aprovua me ç’rast Kishës Ortodokse Serbe iu njoh e drejta e trashëgimisë së krishterimit ortodoks në Kosovë bashkë me objektet e kultit (manastiri i Graçanicës, i Deçanit, Pejës, Deviqit, Prizrenit dhe të tjera), trashëgimi kjo që ia pranon “tapitë shpirtërore” Serbisë në Kosovë, të cilat shtetin e Kosovës e zhveshin nga trashëgimia shpirtërore dhe historike. Ndërsa, siç u pa edhe në rastin e Banjës, atë e kthejnë në një qendre të logjistikës terroriste!
2.Aspekti diplomatik:
Edhe nga aspekti diplomatik, nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos një luftë të përhershme të diplomacisë serbe, të përkrahur nga ajo ruse po edhe disa vendeve evropiane (pa përjashtuar edhe atë austro-hungareze e fokusuar te interesat e saj që sllavët e jugut të ruanin përkatësinë perëndimore), që ashtuquajturës “të drejtë historike”, të falsifikuar shumanshëm gjoja me shtetin mesjetar serb, që nuk ka ekzistuar kurrë, t’i krijohet “alibia” diplomatike si mjet për realizimin e këtyre qëllimeve. Kjo është parë qysh nga Kriza Lindore e vitit 1867, kur Rusia cariste pasi që në Paqen e Parisit të vitit 1856, fitoi të drejtën për mbikëqyrje ndaj ortodoksëve të Ballkanit, vuri në lëvizje diplomacinë e saj në shërbim të këtyre qëllimeve. Të tilla ishin nismat për dërgimin e konsujve rusë në viset shqiptare (Shkodër, Prizren, Shkup, Prishtinë, Janinë, Manastir dhe gjetiu), të cilët, krahas veprimtarisë subversive kundër shqiptarëve, do të fillojnë edhe ato të “misionarizmit” kulturor (hapjen e shkollave në gjuhën serbe) si dhe rindërtimin e kishave “ortodokse serbe” nga trashëgimia e përbashkët e krishterimit të zyrtarizuar në Dardani në shekullin IV nga perandori dardan Kostandini i Madh. Krahas këtyre punëve, konsujt rusë organizojnë edhe lëvizjet politike nacionaliste në përputhje me interesat hegjemoniste sllave, ku infiltroheshin edhe grupe të armatosura (komitë) nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria për arritjen e qëllimeve politike, siç ishin ato që nxorën në pah krizën e Maqedonisë (1889-1903) dhe të tjera me të cilat iu krijua platforma diplomatike luftërave pushtuese ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë), që shpërthyen në vjeshtën e vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane dhe për pasojë patën pushtimin e trojeve shqiptare me pasoja tragjike.
Platforma diplomatike rusomadhe mbrojti interesat e vendeve sllavo-ortodokse në Ballkan në dëm të trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912 dhe kudo që iu dha rasti. Nën petkun e këtij hegjemonizmi, interesimi i Moskës për Serbinë vazhdoi edhe gjatë kohës së komunizmit. Tragjedia shqiptare e viteve 19944/45 si dhe kalvari i vuajtjeve shqiptare vazhdoi edhe në rrethanat e “bashkim-vëllazërimit”, nga që aleanca ideologjike Tiranë-Beograd u ndërtua mbi tragjedinë e Kosovës dhe luftën e vazhdueshme për bashkim kombëtar qoftë edhe në rrethanat e vetëvendosjes ideologjike, siç u pasqyrua në Konferencën e Bujanit. Kjo politikë vazhdoi edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në ditët e sotme, me ç’rast Rusia shfrytëzon edhe KS të OKB-së për këto qëllime.
Shpërbërja e ish Jugosllavisë si dhe realitetet e reja që u krijuan në hapësirat e saj, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990, Referendumit për Pavarësi të 26 shtatorit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidencial e të vitit 1992, iu krijua legjitimiteti demokratik procesit shtetformues, i cili u përmbyllur më 17 shkurt 2008, nuk do t’ia ndalë turrin diplomacisë së Beogradit kundër shtetit të Kosovës. Por, këtë herë, për ndryshim, nga destruksioni që ia bëri dialogut politik nga viti 2013-2018 edhe në saje të strategjisë së gabuar të politikës së Kosovës ndaj kësaj qasjeje, kur aspektet teknike të integrimit të komunitetit serb në Kosovë u zëvendësuan me implikimin e politikë së Beogradit në Kosovë, u pa se me veprimet e fundit në Veri, për ta luftuar shtetin e Kosovës, diplomacia serbe, iu kthye modelit të Dobasit, pra të përdorimit të agresionit shtetëror për qëllime politike!
3.Aspekti politik:
Meqë nga aspekti historik dhe diplomatik nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos hegjemonizëm në vazhdimësi të shtetit serb ndaj shqiptarëve, shfaqja e sulmit terrorist këto ditë në Veri, pretendon, që shteti i Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i justifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vitin 2010, të rrezikohet me anën e modelit të Dombasit!
Ky skenar serb, vjen pas dështimit të përpjekjeve të dy-tre viteve të fundit që Kosova të hajë karremin e “pajtimit historik” me Serbinë me anën e shkëmbimit të territoreve në veri, me çka shteti i Kosovës do të futej në pazare të paparashikueshme politike me Serbinë, që për epilog do të kishin shpërbërjen e tij!
Kjo, pra tregon, që Serbia, tashmë është në rrugë e sipër që luftën e deritanishme politike kundër shtetit të Kosovës ta kthejë në politikë lufte.
Ky kurs, gjithsesi kërkon që politika e Kosovës të mbështetet te aleatët (SHB-a dhe vendet perëndimore), që i kanë ndihmuar të çlirohet nga pushtimi serb. Kjo nënkupton edhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për integrimin e plotë të pakicave në jetën institucionale, ekonomike dhe kulturore të vendit, ku formimi i asociacionit të komunave në veri, pa kompetenca ekzekutive, duhet të përmbushet sa më parë.
Tek e fundit, kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e ndërkombëtarëve, të cilët mund të jenë të vetmit garant të parandalimit të modelit të Dombasit, që siç u pa këto ditë, politika e Beogradit tashmë e ka futë në lojë… / KultPlus.com
Libri “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit do të promovohet këtë të premte në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, në ora 12:00.
Rreth veprës flet historiani Jusuf Buxhovi, recensent i librit, i cili veprën “Tokat e lirueme 1939-1946” të Gurakuqit e vlerëson studim tejet të rëndësishëm që merret me ndriçimin e kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në vitet 1939-1946, kur lufta antifashiste përmbysi shumë nga realitetet paraprake dhe solli të rejat, siç ishte fitorja e komunistëve, që ndikuan rrethanat politike dhe shtetërore të botës shqiptare.
Gurakuqi, këto zhvillime i trajton jashtë koncepteve të njohura ideologjike, me ç’rast fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi e paraqet si një faktor të instalimit të diktaturës së njohur komuniste, që ushtroi terror ndaj kundërshtarëve politik. Me këtë rast, bashkëpunimi i udhëheqjeve komuniste shqiptare me atë jugosllave si dhe bashkëveprimi i tyre në shuarjen e rezistencës kombëtare në Kosovë në dimrin dhe pranverën e vitit 1945, paraqitet si një ripushtim sllavo-komunist i Kosovës me pasoja tragjike, ne mbi 50 mijë viktima.
Në promovim pritet edhe prononcimi i autorit rreth veprës. / KultPlus.com
Në prag të 80 vjetorit të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”
Nga Jusuf Buxhovi
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste si dhe ngjarjet që pasuan nga prilli i vitit 1939 e deri te shtatori i atij viti, kur Gjermania e Hitlerit hyri në Poloni me çka praktikisht filloi Lufta e Dytë botërore, nuk ishin tjetër pos një uverturë e konceptit nazifashist për krijimin e një aleance botërore ky do të përfshiheshin edhe vendet tjera. Natyrisht se në këtë rrugë, Berlini kërkonte të përfshinte edhe Jugosllavinë e Versajës, e cila paraqitej si një faktor i rëndësishëm në Europën Juglindore, veçmas pas zbarkimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nën trysninë e këtyre zhvillimeve ishte edhe marrëveshja e Hitlerit me Stojadinoviqin e 27 marsit 1941 me ç’rast Jugosllavia iu bashkua forcave të Boshtit. Por, do të jetë Britania e Madhe, e cila, ia doli që në Beograd të vejë në veprim aleatët e saj për ta rrënuar këtë pakt, që do të përcillet me kundërpërgjigjen ushtarake gjermane ndaj Jugosllavisë më 4 prill 1941, me ç’rast, për disa ditë Jugosllavia kapitulloi.Kjo ia lëshoi vendin copëtimit të vendit në disa pjesë, me ç’rast u krijua shteti kroat, ndërsa, pos krijimit të Serbisë kuislinge të Nediqit, pjesët e tjera iu nënshtruan shkapërderdhjeve: një pjesë e Maqedonisë iu nda Bullgarisë, disa komuna në perëndim, bashkë me një pjesë të Kosovës, iu bashkuan “Shqipërisë së Madhe” të krijuar nga Italia fashiste.
Por, si rrodhi shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës dhe si dukej skenari i ndarjes së hapësirës shqiptare midis aleatëve të Boshtit? Ishin këto realitete që Shqiptarëve ua hapnin përnjëmend udhët e bashkimit të pandalshëm? Apo, bëhej fjalë për zhvillime në të cilat ishin përfshirë për interesa të huaja ndaj të cilave duhej përfituar sa më shumë që të ishte e mundur pa harruar që ato të drejtoheshin në përputhje me interesin shqiptar, i cili nënkuptonte sjellje të përgjegjshme të të gjithë faktorëve të saj?
Këto dilema fitonin edhe më shumë në peshë kur dihej se shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës, më shumë ishte pjesë e ndëshkimit të saj pse ishte larguar nga Pakti Trepalësh me Boshtin, që e kishte nënshkruar më 27 mars me qeverinë e Beogradit se sa pjesë e ndonjë koncepti të mëhershëm se ajo duhej të shkatërrohej për t’u krijuar realitetet e reja në hapësirën e saj (nga shteti i pavarur kroat, Serbia e Nediqit e deri te “Shqipëria e Madhe”).
Megjithatë, bëhet e ditur se Hitleri që në mars 1941 e kishte bërë planin për pushtimin dhe ndarjen e Jugosllavisë. Ky plan përmbahej në direktivat e përkohshme për ndarjen e Jugosllavisë, në tri zona: atë gjermane, italiane dhe atë bullgare. Krahas formimit të shtetit të lirë kroat, edhe territori i Serbisë “së vjetër” vihej nën administratën ushtarake gjermane. Zbatimi i këtij plani ishte shpallur më 12 prill 1941 nga kryeshefi i Shtabit të Komandës Supreme të ushtrisë gjermane, gjenerali Keitel.
Edhe pse në parim ishte marrë vendimi që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i bashkoheshin “Shqipërisë së Madhe”, të cilën duhej ta drejtonte Italia, megjithatë midis Berlinit e Romës u shfaqën dilema rreth çështjes së kufijve. Kjo bëri që rreth kësaj çështje të mbahet një takim urgjent në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941 midis ministrit të jashtëm gjerman, von Ribentrop e atij italian, Kontit Çiano. Çiano kishte kundërshtuar kërkesat maksimaliste territoriale të Bullgarëve në drejtim të Maqedonisë edhe Kosovës. Italianët përfaqësonin qëndrimin që Bullgarëve t’u jepeshin sa më pakë toka shqiptare, meqë vetëm ashtu fitohej besimi i Shqiptarëve si partnerë të ardhshëm të rëndësishëm në rajon, ndërkohë që një Bullgari e Madhe dëmtonte këtë koncept. Meqë Bullgaria iu kishte bashkuar Paktit, edhe ndaj kërkesave të tyre duhej pasur kujdes. Kjo bëri që edhe atyre t’u jepej një pjesë e rrethit të Gjilanit, Vitia, një pjesë e Zhupës së Sirini qit dhe rrethi i Kaçanikut. Më vonë, në janar 1942 zona bullgare zgjerohet edhe me Podujevën, ndërsa më 17 janar 1943 me Mitrovicën e Vuçitërnën.
Pjesa tjetër ndahej midis Italisë dhe Gjermanisë. Kështu, në Vjenë u caktua vija e demarkacionit ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë (nga drejtimi i Vincit në Slloveni, nëpër Leskovien e Plitivicës e nëpër Udbinë dhe Donji-Lapac në Livno, Prejnj, Bjellashnicë) – Priboj mbi Lim – Nova-Varosh – Sjenicë – Novi-Pazar – Mitrovicë – Prishtinë. Sipas kësaj ndarjeje, Rrafshi i Duka-gjinit dhe pjesa më e madhe e Kosovës i takuan protektoratit shqiptar italian. Tri rrethe: Mitrovica, Vuçitërna dhe Podujeva i takuan zonës gjermane të okupacionit, përkatësisht Serbisë së Nediqit. Gjermanët, pra ishin të interesuar të mbanin xeherorët e Kosovës si dhe hekurudhat që lidhnin Beogradin me Selanikun, ndërsa për të tjerat mund të bisedohej me aleatët e saj.
Për pjesën e Kosovës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Maqedonisë që hyri në përbërjen e protektoratit italian të quajtur “Shqipëri e Madhe”, në verën e vitit 1941 u formua “Komisariati Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën”.Në krye të tij ishte Komisari i Lartë, Fejzi Alizoti, që kishte rangun e ministrit të qeverisë së Tiranës. Administrata u konstituua sipas asaj në Shqipëri, përkatësisht në Itali. Në dhjetor të atij viti, qeverisjen e këtyre viseve e mori Ministria e Viseve të Çliruara në Tiranë, e cila u suprimua në shkurt 1943. Në këto pjesë u formuan prefekturat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Dibrës e më vonë edhe ajo e Tetovës. Prefekturës së Pejës iu bashkuan edhe rrethet e Plavës e Gucisë, Rozhajës e Tutinit, Istogut dhe Drenicës. Rrafshi i Dukagjinit dhe pjesa e Kosovës në zonën italiane të okupacionit përfshinte rreth 500 mijë banorë. Shqiptarët e këtyre viseve, me vendimin e qeverisë së Tiranës, më 18 tetor 1941, automatikisht u bënë nënshtetas të Shqipërisë fashiste.
Pas bashkimit, Italia dëshironte që edhe Kosova dhe viset e tjera të shfaqeshin sa më shpejt me petkun fashist. Kështu, “Partia Fashiste e Shqipërisë”, e formuar më 2 qershor 1939 në Tiranë, nisi t’i hapë degët e saj në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe qytetet e tjera shqiptare. Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dha udhëzime shkollave, sipas të cilave ato kanë për detyrë “përhapjen e irre-dentizmit shqiptar dhe arsimimin në frymën e re”.
Për ndryshim nga zona gjermane dhe bullgare e okupacionit, ku si do të shihet, pati shumë vështirësi dhe mospajtime të Shqiptarëve me rrethanat në të cilat u vunë, veçmas në zonën e pushtuar nga Bullgarët. Në zonën italiane, nxitej jeta ekonomike dinamike: hapeshin punë, vazhdonte shfrytëzimi i xeheroreve, ngjallej tregtia me mallra të konsumit të gjerë, me drithëra etj. Që të përfitoheshin bejlerët, pushteti i Tiranës lejoi përtëritjen e marrëdhënieve çifligare.
Në Prizren u vendos selia e Komisariatit të Lartë dhe Shtabi i Forcave Italiane. Ky qytet, në të cilin u vendosen edhe përfaqësitë e shumta tregtare, ekonomike, administrative dhe kulturore, përjetoi një shkallë dinamike të zhvillimit dhe u bë njëri ndër qytetet më të zhvilluara shqiptare.
Por, gjendja nuk ishte e tillë në tri rrethet e Kosovës, që hynë nën zonën gjermane të okupimit, të cilat, së bashku me Novi-Pazarin, përbënin prefekturën e Kosovës me qendër në Mitrovicë, e cila, formalisht bënte pjesë në Serbinë gjermane të Nediqit dhe përfshihej në Banovinën e Drinës me seli në Uzhicë. Grupi i kombësisë shqiptare e kishte në Banovinën e Drinës të besuarin e saj në rangun e ndihmësbanit, i cili merrte pjesë në vendosje për të gjitha çështjet që kishin të bënin me Kosovën.
Sipas dekretit të “Këshillit të Komisarëve”, që nxori Milan Aqimoviqi më 6 gusht 1941, Prefektura e Kosovës, në krye të rretheve (nënprefekturave) kishte nënprefektët, pjesëtarë të shumicës (Shqiptarë), kurse zëvendës të tyre ishin pjesëtarët “e pakicës prej së paku 25%” (do të thotë Serbë), nëpunësit e tjerë ishin nga radhët e Shqiptarëve dhe Serbëve në përpjesëtim me raportin e tyre, numrin në rrethe (nënprefektura). Kjo vlente edhe për xhandarmërinë. Emërimin e bënte “pushteti administrativ serb në Beograd”, kurse emërimi i personelit të Shqiptarëve bëhej “në pajtim me udhëheqësin e grupit të kombësisë shqiptare”.
Krahas të ardhurave financiare, të administruara në përputhje me nevojat e prefekturës së Kosovës të përfshira në zonën okupuese gjermane, Shqiptarët kishin të drejtën e shkollave shqipe, por i obligueshëm ishte edhe mësimi i gjuhës serbe. Personeli arsimor në shkollat shqipe emërohej nga Ministria e Arsimit me propozimin e udhëheqësit të grupit të kombësisë shqiptare.
Në rajonin e Qarkut të Kosovës, ishte stacionuar një regjiment i ushtrisë gjermane, nga përbërja e Divizionit 717 të këmbësorisë, i cili gjithashtu qendrën e kishte në Mitrovicë. Por, në Qarkun e Kosovës ishte formuar edhe “Xhandarmëria shqiptare”, nën komandën e kolonel Bajazit Boletinit, oficer i ishushtrisë jugosllave, e përbërë prej rreth një mijë pjesëtarësh. Aty ishin edhe njësitë e “Rojës shtetërore serbe”, në të cilat më shumë se dy të tretat ishin Shqiptarë, dhe të cilat një kohë ishin nën komandën e Ali Bej Dragës, të birit të Ferhat Bej Dragës, udhëheqësit të “Grupit të Kombësisë Shqiptare”. Aty ishin edhe aradhet çetnike të Kosta Peçancit, të cilat kishin njësi “vullnetarësh” të shpërndara nëpër katunde bashkë me formacione të tjera.
Për të luftuar që Kosova dhe viset e tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, tani të shpërndara në tri zona okupuese, t’i bashkoheshin sa më shumë një tërësie (me këtë rast Shqipërisë së Madhe), në maj të vitit 1941 në Kosovë kishte kaluar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës”, me në krye Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar e Xhelal Mitrovicën – sekretar, në përbërje të të cilit gjendeshin edhe Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë.
Një numër i anëtarëve të Komitetit u ndalën në Prizren, kurse pjesa tjetër, në krye me Bedri Pejanin, shkoi në Mitrovicë, në mënyrë që atje të vepronte që edhe kjo pjesë e Kosovës të përfshihej në “Shqipërinë e Madhe”. Në Mitrovicë, Komiteti filloi botimin e gazetës “Kosovari”, e cila bënte thirrje të vazhdueshme që edhe kjo pjesë t’i bashkohej shtetit të përbashkët shqiptar nën protektoratin italian.
Tema e “bashkimit shqiptar”, do të ndajë Komitetin në dysh. Në proitalianë (Ferhat Draga dhe Bedri Pejani, të cilët angazhoheshin që kjo pjesë e Kosovës të ndahej nga “shteti” i Nediqit dhe t’i bashkohej Shqipërisë) dhe në pro-gjermanë (Xhafer Deva, i cili më shumë e dëshironte autonominë e Shqiptarëve nën Gjermaninë me anën e së cilës mund të arriheshin hap pas hapi aspiratat kombëtare të Shqiptarëve, që sipas tij kërkonin një mbështetës të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e cila bashkimin e Shqiptarëve do ta shohë edhe si interes të saj për një aleat të fuqishëm rajonal).
Për t’i pajtuar këto dallime, do të përkujdeset “Lidhja Kombëtare Shqiptare”, që do të themelohet në Mitrovicë me në krye Ali Dragën, i cili, si prijës i “Grupit Shqiptar” përfaqësonte Shqiptarët para pushtetit okupues gjerman. Sekretar i “Lidhjes” ishte Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, ish kryetarit të qeverisë mbretërore shqiptare dhe kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Regjencës së Shqipërisë (pas kapitullimit të Italisë).
Në këto rrethana, pra, do të zhvillohet edhe jeta politike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë italiane, por edhe në pjesët në zonën okupuese gjermane, me përjashtim të zonës okupuese bullgare, e cila e tëra iu nënshtrua bullgarizimit dhe me të shpejtë bashkoi Shqiptarët që të veprojnë kundër saj. Si do të shihet, ajo nuk kishte preokupim luftën kundër fashizmit, siç ndodhte në Shqipëri që nga fillimi, por luftën si do të arrihej që bashkimi kombëtar, ndonëse me vështirësi nga shkaku i ndarjes në tri zona okupuese, të kthehej në një realitet të përhershëm.
(Shkëputje nga libri “Kosova histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021, faqe 430-434). / KultPlus.com
Shkrimtari Jusuf Buxhovi sapo ka publikuar romanin “Mendim Drini”, roman që është promovuar sot në Gjakovë, përkatësisht në Bibliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.
Për këtë promovim libri është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Komunës së Gjakovës, ku KultPlus ju sjell njoftimin e plotë.
Në ambientet e Bibliotekës “Ibrahim Rugova”, në praninë e adhuruesve të fjalës së shkruar, është promovuar libri “Mendim Drini” nga shkrimtari jonë Jusuf Buxhovi .
I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës Ardian Gjini, i cili ndër të tjera, u shpreh se Jusuf Buxhovi dhe krijimtaria e tij letrare, janë vlerë e shtuar e kombit tonë, dhe ky fakt na bën krenarë si Gjakovë. “Jusuf Buxhovi është në kulmin e karrierës si shkrimtar dhe unë gjithmonë mburrem kur mbaj në duar librat e tij të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlerë për historinë, letërsinë dhe kulturën tonë. Shëndet dhe suksese në krijimin e veprave të ardhshme” tha ai./ KultPlus.com
-Miško Erak: “Ilirski krugovi života“ (Rrathët e jetës ilire), boti „Školska Knjiga“, Zagreb, 2021, faqe 357.
Jusuf Buxhovi
Etnogjeneza e kroatëve është e lidhur me Ilirët. Këtë përfundim sjell libri i Mishko Erakut “Ilirski krugovi zivota” (Rrathët e jetës ilire), duke u përqendruar te mbretëria e Ardëve (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I i erës sonë), ajo e Doarsëve, e Autoriatëve, Dalmatëve dhe e Gencit. Autori Erak, këtë vlerësim e mbështet mbi faktet arkeologjike, siç i quan ai Gradinat (fortifikata guri – katër sosh) në hapësirën e Plinit, Ploçe dhe Neretvës së poshtme. Me shumë ilustrime, skica dhe artefakte, Erak bën përpjekje që të paraqesë pikëpjekjen e mbretërisë së Ardëve me Doarsët, Autoriatët po edhe me atë të Dalmatëve në një hapësirë jetësrore çfarë ishte ajo e lumit Neretva për në Adriatik si strehë jetike e fiseve të njohura ilire, ku ato kanë ndërtuar fuqinë e tyre ekonomike dhe politike të lidhur ngushtë me ambientin që lidh hinterlandin me detin, e prej nga kalonin rrugët e furnizimeve me mallra veçmas me krip deti. Pjesa e Ploçës dhe e Neretvës së poshtme është mbikëqyrur nga mbretëria e Ardëve, por bazuar në dy gradinat (qytet-fortesa në pjesën e epërme në drejtim të Mostarit, që u takonin mbretërisë së fuqishme Doarse), gradina e Ardëve në hyrje të Plinit, ka qenë strategjike, ngaqë ka mbikëqyrë hyrjet nga toka për në det, të një rëndësie të madhe për tri mbretëritë ilire në këtë hapësirë. Duke elaboruar artiktektonisht infrastrukturën e këtyre qyteteve të fortifikuara si dhe lidhjet e tyre rrugove (ujore dhe tokësore), nxirret përfundimin se ato ishin qendra të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe ushtarake. Si të tilla zgjuan apetitet e romakëve për t’i pushtuar, meqë nëpërmes rrugëve ujore dhe atyre tokëlsore mundësohej depërtimi në pjesën qendrore, atë perëndimore dhe lindore të Ilirikut, që mundësonte shtrirje perandorake.
Por, ajo që bie në sy në këtë libër, është përpjekja e autorit që të rishqyrtojë raportet historike dhe etnike të kroatëve me ilirët, me ç’rast nxjerrët përfundimi se kroatët gjenetikisht, kulturalisht dhe etnikisht janë të lidhur me ilirët dhe fare pak me sllavët. Me këtë rast rikonfirmohet qëndrimi i historianit të njohur kroat Mate Suviq që thotë se populli kroat mbështetet mbi substratin ilir. Kjo ilustrohet me të dhëna nga studimet më të reja gjenetike nga disa institute të njohura amerikane, nga analizat e të cilave del se në Kroaci, bazuar në faktorin Y-Haplogrup, (gjen që tregon vjetërsinë prej mbi 10 mijë vitesh),50 % e popullatës, lidhet me këtë faktor, i cili mbështetet edhe nga faktori 12a1. Ndërsa 25% e popullatës, lidhet me origjinën prej një mijë vitesh, e përafërt me dyndjet sllave në Ilirik. Këto të dhëna përmbysin qëndrimet e historiografisë së shekullit XIX (kryesisht të shkollës sllaviste vieneze) e cila faktorin ilir thuajse e përjashton nga origjina kroate, duke e ndërlidhur atë tërësisht me atë sllave. Autori, thekson se eliminimin i ilirizmit dhe të “Lëvizjes ilire” lidhet me shkaqe politike të krijuara nga aneksimi i Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, me ç’rast është zëvendësuar me “Lëvizjen sllave”, si platformë e re e jugosllavizmit, mbi të cilln do të krijohet edhe shteti jugosllav pas luftës së parë botërore. Sipas Erakut, eliminimi i “Lëvizjs kroate” dhe zëvendësimi i saj me “Lëvizje sllave”, ishte një veprim antihistorik dhe antishkencor, meqë origjinën kroate anbllok e zhvendosi në kuadër të familjes sllave, gjë që nuk përkon me realitetin. Me këtë rast, duke u mbështetur mbi qytetërimin e zhvilluar ilir në Dallmaci, Bosnje dhe Sllavoni, autori kërkon që Akadia e Shkencave Kroate të rikthejë vëmendjen kah trashëgimia e pasur materiale dhe shpirtërore ilire në Kroaci në mënyrë që të rishqyrtojë lidhjet etnike dhe kulturore me të si pjesë e qytetërimit antik. Qëndrimi që të rikthehet lidhja kroate me ilirët nuk është i ri. Në shekullin XVIII ishte dominues tek studiuesit kroatë në kuadër të perandorisë Austro-hungareze. Jugosllavizmi i Shtrosmajerit si dhe Jugosllavia e Versajes bashkë me atë të AVNOJ-it, e margjinalizoi apo e hoqi fare, duke u lidhur me sllavët. Mbas shpalljes së shtetit kroat, historiografia kroate ka filluar t’i kthehet tezës së origjinës ilire. Akademia e Shkencave të Kroacisë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka iniciuar projekte që mbështesin këtë tezë, edhe pse e ka të vështirë ngaqë mbi njëqind vjet jugosllavizmi i ndikuar nga politika hegjemoniste serbomadhe, politikisht ka luftuar çfarëdo përpjekje të tillë.
Krahas kësaj përpjekje të historiografisë kroate që të rishqyrtohen lidhjet gjenetike, etnike dhe kulturore me Ilirët, libri i Mishko Erakut, është me interes edhe për historiografinë shqiptare, meqë fokusimi i tij te fortifikimet ilire në pjesën e Ploçës deri te Neretva e poshtme, nxjerr në pah një pjesë të rëndësishme nga mozaikut ilir i shtrirë në një hapësirë të gjerë euro-aziatike, ku etnia shqiptare, në pjesën e tri mbretërive të dikurshme antike: Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit, ruan vazhdimësinë historike të etnisë së vet. / KultPlus.com
Dje, në Prishtinë është zbuluar “Muri i Nderit”, i cili është ndërtuar si dëshmi e guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera këto që e formësojnë historinë e përbashkët të popullit shqiptar me atë izraelitë, shkruan KultPlus.
Tek “Muri i Nderit” janë shkruar emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Por për këtë ka reaguar historiani Jusuf Buxhovi ku sipas tij kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët.
Ky është reagimi i plotë i Buxhovit:
Këto ditë, në Prishtinë, u promovua memoriali “Muri i nderit – Wall of honoror” , si shkruhet, me emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Meqë memoriali është publik (i vendosur në parkun e qytetit) domosdoshmërisht merr rolin e një dëshmie historike, që lidhet me rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve nga holokausti. Por, nga pikëpamja historike, kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët, për ç’ gjë ka edhe dëshmi të shumta edhe nga autorët e njohur izraelit. Me këtë rast po sjell vetëm një prej tyre, atë të Joy Weistain, për t’u parë ky veprim ndër më të guximshmit e kohës në raport me Vermahtin gjerman:
“Në fund të vitit 1943 gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një listë të ngjashme që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Në bazë të thirrjeve të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva REFUZOI kërkesën e gjermanëve, duke u shprehur se një lëvizje e tillë do të përbënte INTERFERENCË në çështjet shqiptare”.
Jay Weistein, “Hebrenjtë në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”,në Michigan Sociological Review 1996. / KultPlus.com
Gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një kompromis të padobishëm politik
Nga Jusuf Buxhovi
Rruga e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”, kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me këtë marrë-veshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, kur mbrohej integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre, edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës, pengon këtë.
Sidoqoftë, marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kish-te kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Frowick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje te faktorëve politikë shqiptarë në rajon – në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci “gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dy-kombesh, siç ishte kërkuar fillimisht nga UÇK-ja.
Marrëveshja e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për Frowickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së, veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interesa i përbashkët shqiptar në rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte mbështetje unanime.
Vegëza politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkupit, në raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi se shfaqej Veton Surroi.
Surroi kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.
Por, ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.
Ideja për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e mbikëqyrnin forcat e tij)edhe pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cila edhe në këto rrethana kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.
Siç pritej, AliAhmeti kishte disa kërkesa, të cilat duhej plotësuar për t’u filluar procesi politik. Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i cili kishe qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër këto kushte ishin edhe ato që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë, amnesitimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.
Mbas takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me Frowickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.
Në bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e Frowickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti, kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës aty.
Takimi i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se “qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike, dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të pamundshme për negociatat, te një ‘organizatë terroriste’ drejt një pozicionimi të legjitimitetit politik”.
Në takim u sollën edhe këto konkluzione:
-Shlyerja e preambulës së Kushtetutës;
-Përdorimi i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;
-Përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;
-Zgjerimi i kompetencave të komunave;
-Shekullarizimi i plotë i Kushtetutës së shtetit;
-Vendosja e demokracisë konsenzuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat etnike.
U vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.
Kërkesat që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Frowikcukt, nuk ishin të reja e as të panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së, në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në prononcimet e ngjashme që vinin nga Shtabi i UÇK-së.
Në këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për koordi-nata të tjera.
Frowick kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me Trajkoskin.
Më 21 maj, Surroi ia dorëzon Frowickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së të përmbledhura në shtatë pika:
1. Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim ndërko-mbëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet maqedonase;
2. Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të krimeve kundër njerëzimit;
3. Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);
4. Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas (prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);
5. Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i Likovës dhe OSBE-së, dhe me pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat maqedonase të sigurisë;
6. Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar edhe nga AliAhmeti dhe
7. Shpallja nga an e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për reformimin e Maqedonisë.
Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë, nga Frowicku do të revidohen dukshëm duke i zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e konfliktit, mbete jashtë ndikimit. Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në bisedime. Sipas Frowickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.
Edhe sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat, Frowick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të barabartë qytetar. Me këtë rast, Frowick insiston që në vend të ndryshimit të kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta e vitit 1991.
Edhe formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.
Përkundër përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi “terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme. Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga Frowicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat (ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.
Por, Frowick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas, gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.
Plani kishte tri faza.
E para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së. Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.
Faza e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu. Në këtë fazë parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv për pakicat.
Në fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.
Ndihmësi Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës është i prerë:
“Krejt do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç kërkojnë shqiptarët.”
Foley, po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.
Krahasuar me gjuhën përjashtuese që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila, po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa implementimin e ku-shteve të luftëtarëve shqiptarë. Si e tillë, kjo marrëveshje, nëse nënkuptonte çar-matosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi “falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!
Dhe, do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët e tij që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.
Duke ditë këtë gjë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë shqiptarë në Prizren ishin përqendruar te një marrëveshje e tyre rreth planit të paqes, që do të justifikonte luftën dhe gjakun që ishte derdhur gjatë atyre muajve nëpër vijat e shumta të fronte, por në të njëjtën kohë do të pranonte edhe realitetet politike dhe ato të sferave të interesit që lidheshin me ekzistencën e shtetit maqedonas, i cili duhej të nxirrej nga “pronësia maqedonase” dhe “tapitë kombëtare”, që ia kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1991, qoftë edhe mbi parimin e shtetit multietnik, për të cilin tashmë mbretëronte ujdi e përgjithshme.
Në përputhje me këto qëndrime dhe pavarësisht gjuhës së ultimatumeve që përdorte qeveria maqedonase, duke i ndërlidhur ato edhe me operacionet ushtarake (“Ogan” në Runicë dhe, “Vaksince”, që sapo kishte filluar dhe përdorej si trysni ndaj faktorit politik dhe ushtarak shqiptar), përfaqësuesi politik i UÇK-së – AliAhmeti, liderët e parive politike – i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben Xhaferi dhe i Prosperitetit Demokratik, Imer Imeri, më 22 maj 2001, nënshkruan deklaratën lidhur me procesin paqësor e reformues në Republikën e Maqedonisë, të njohur si “Marrëveshja e Prizrenit”.
Pajtimi i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto parime:
-njohjen e faktit se reformat, për të cilat angazhohen shqiptarët, kanë qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,
-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje “etnike territoriale” për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret e u sjell dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë,
-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,
-njohjen e faktit se procesi i transformimeve të RM-së duhet të shkojë drejtë integrimeve euroatlantike,
-njohjen e faktit se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.
Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke trajtuar këto çështje:
-amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë,
-përdorimi i papenguar i gjuhës shqipe, si njëra prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,
-përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,
-zgjerim i kompetencave të pushtetit komunal,
-shekullarizim i plotë i Kushtetutës-shtet,
-vendosja e demokracisë konsenzuale për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, që do të thotë, kufizim i procesit të mbivotimi në fushat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,
-e drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.
Në marrëveshje përfshihen edhe masat për transformimin e jetës së anëtarëve të UÇK-së në profesione të ndryshme civile, duke përfshirë edhe ato brenda institucioneve qeveritare.
Për nga kërkesat, “Marrëveshja e Prizrenit” mbetet në kornizat e Komunikatës numër 6 të UÇK-së nga 9 marsi 2001. Theksohet ruajtja e integritetit shtetëror të Maqedonisë dhe karakteri multietnik i Maqedonisë. Karakteri multietnik i Maqedonisë duhet të arrihet me anën e një dialogu reformues, ku do të ndryshohen amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka, koncepti i ndryshimeve kushtetuese si dhe kërkesa për to do të zbutet në reformë kushtetuese.
Kërkesat tjera, si ajo për përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, shekullarizimit të shtetit, përfaqësimit përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit e deri të e drejta për komunikim të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare, që u takojnë të drejtave dhe lirive elementare njerëzore universale, janë të vetëkuptueshme në secilën demokraci parlamentare, gjë që tregon, në njërën anë absurdin e ndërtimit të shteteve mbi konceptet shtet-komb, siç ishte ai maqedonas, që doli nga shpërbërja e ish Jugosllavisë në një realitetet shumetnik dhe, në tjetrën anë, të pranimit ndërkombëtar jashtë kritereve elementare demokratike dhe civilizues, që kthehet në çështje krize deri te lufta.
Këtë më së miri do ta pasqyrojnë reagimet e ashpra, që erdhën rreth Marrëveshjes së Prizrenit nga ana e liderëve shtetëror maqedonas si dhe elitës intelektuale maqedonase, po edhe ato nga faktori ndërkombëtar.
Reagimet nga liderët maqedonas sado që refuzuese dukeshin ishin edhe të pritshme dhe të natyrës së koniunkturave dhe për nevoja të brendshme për vetë faktin se nga trysnia e kryengritjes së shqiptarëve, binte koncepti i shtetit-komb, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, paçka se edhe koncepti i multietnik, që shfaqej i pashmangshëm, edhe në rrethanat të krijuara nga trysnia e luftës së shqiptarëve, në segmentet kryesore (gjuha zyrtare, simbolet shtetërore, himni e deri te emërtimi zyrtar), shtetit ia ruante karakterin maqedonas.
Të kësaj natyre duhet kuptuar edhe reagimet që erdhën nga faktori ndërkombëtar, që ndonëse shfaqeshin refuzuese ndaj Marrëveshje së Prizrenit dhe atyre që ajo përmbante, më shumë i referoheshin formës se sa përmbajtjes. Madje, kjo e fundit, me ndonjë përjashtim, në pikat kryesore (ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, reformat kushtetuese me të cilat shteti maqedonas trans-formohet nga shteti-komb te shteti qytetar-multietnik) ruante në tërësi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj krizës në Maqedoni si dhe zgjidhjes që duhej dhënë, të shpalosura në forumet kryesore ndërkombëtare nga KS i OKB-së, OSBE-ja, BE-ja e deri te NATO-ja, dhe po ashtu, që njëherësh ishin edhe qëndrime zyrtare të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat ishin elaboruar edhe në takimet me zyrtarët më të lartë të shteti maqedonas, po edhe me takimet e herë pas hershme me liderët politikë shqiptarë në Maqedoni. Këto qëndrime, po ashtu, vinin edhe nga Shqipëria dhe nga Kosova, ndonëse në rolin e spektatorit të thjeshtë.
Edhe pse SHBA-të, Franca, Gjermania si dhe përfaqësuesit e BE-së sa për sy e faqe, kërkuan nga A. Xhaferi dhe I. Imeri që të heqin dorë nga Marrëveshja e Prizrenit, meqë ajo “kthente në subjekt të marrëveshjes ata që kishin marrë armët”, megjithatë, ata dëshironin që liderët shqiptarë të mbeteshin në koalicionin qeverisës, i cili, shfaqej si garantues i bisedimeve për paqen dhe marrëveshjeve të ardhme. Ky konstalacion ishte i vetmi që pengonte alternativën e luftës.
Këtë e dinin edhe maqedonasit, që ndonëse sulmonin A. Xhaferin dhe I. Imerin si “bashkëpunëtorë të terroristëve” e të ngjashme, ishin të vetëdijshëm se ata ishin të pashmangshëm dhe madje, edhe të dobishëm për vetë çështjen, ngaqë vetëm me anën e tyre, pengonin shfaqjen e Ali Ahmeti në bisedime të drejtpërdrejta si dhe legjitimimin e faktorit luftë, që për opinionin maqedonas ishte i papranueshëm, ndonëse edhe luftëtarët ashtu siç flisnin paralajmëronin se do të merreshin me politikë. Maqedonasit, po ashtu e dinin, se me deklarimin e UÇK-së për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovraniteti shtetëror të Maqedonisë si dhe tërheqjen e tyre nga kërkesa për shtetin dy-kombesh, pra për federalizimin, ia kishin dalë që disfatën në planin ushtarak ta kthejnë në një fitore politike, edhe për vetë faktin se slogani i diskriminimit kombëtar, i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, “i terrorit demokratik”, e mbi të gjitha i degradimit të shqiptarëve në pakicë dhe të tjera me të cilat kishte filluar kryengritja shqiptare në Tanushë dhe ishte përhapur me të shpejtë në pjesët tjera, ishte rrudhur në atë se “në Maqedoni po luftohet për reforma, luftohet për barazi”, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e “gabimeve gjatë procesit të shtetndërtimit”, që mund të korrigjohen me marrëveshje, siç do të ndodhëm me atë të Ohrit.
Dhe, meqë ishte arritur deri te një modus që “reformat demokratike” të shërojnë “gabimet e tranzicioneve demokratike”, siç kishe filluar të fliste propaganda mediatike e Shkupit, pra kur UÇK-ja gjithë çështjen e shihte te “receta e reformave dhe shteti multietnik”, dhe jo të ndryshimet kushtetuese, atëherë ishte e pritshme, që nga maqedonasit, “intermexoja” midis “luftës dhe paqes” të shfrytëzohet që faktori ushtarak shqiptar, meqë kishte hequr dorë nga kërkesat që do ta rrezikonin shtetin maqedonas dhe nuk paraqiste më kërcënim për copëtimin e tij e të tjera rreziqe që mund t’i vinin, të dobësohet sa më shumë, e me ta edhe faktorët politikë shqiptarë, që do të flisnin me gjuhën e tyre gjatë bisedimeve për paqen.
Kjo në të vërtetë do të shihet me operacionet ushtarake që do të vazhdojnë sapo të jetë shpallur “Marrëveshja e Prizrenit”, me “Vaksince” në katundin Vaksince, më 24 maj 2001 dhe luftimet në Mateç gjatë tri ditëve të ardhshme dhe tëtje-rat gjatë ditëve në vazhdimi kur do të sulmohen Sllupçani, Hotëk dhe Orizore.
Në këto operacione lufte, ndonëse pa pasoja për UÇK-në, e cila edhe më tutje kishte ruajtur pozicionet dhe në disa pjesë edhe kishte përparuar, kishte pë-suar popullata. Forcat policore dhe ushtarake maqedonase, me anën e artilerisë qëllimisht kishin bombarduar vendbanimet e shqiptarëve, shtëpitë dhe pronat e tyre madje edhe bagëtia. Nuk ishin kursyer as infrastruktura publike. Rreziku që u vinte nga shtrirja e luftës nëpër pjesët urbane, operacionet “spastruese” që kryheshin, kishte detyruar shumë prej banorëve të largoheshin prej zonave të luftës në pjesët tjera të vendit, po edhe në drejtim të Kosovës.
Kundërpërgjigjja e UÇK-së ndaj këtyre veprimeve luftarake kishte qenë e natyrës mbrojtëse dhe e matur, me lëvizje përpara në drejtimet strategjike pa rrezikuar popullatën dhe pronat e tyre. Të tilla ishin ato në rajonin e Dervenit dhe në Shkup, veçmas në drejtim të Haraçinës, prej nga do të vihen nën mbikëqyrje pikat kryesore përreth Shkupi dhe në drejtim të Kosovës, me çka duhej të ush-trohej trysni e mëtutjeshme edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që mbështeste forcat maqedonase.
Veprimet luftarake të forcave policore dhe ushtarake maqedonase të trumbetuara si ofensivë përfundimtare ndaj pozicioneve të UÇK-së për rrënimin e saj, të cilave nuk u besonte kush, në të vërtetë dëmtonin popullatën shqiptare të viseve të shpallura si zona lufte në mënyrë që prej andej të shpërnguleshin me çka ata do t’i paguanin “koston” rebelimit me armë. Por, tymi që vinte nga andej si dhe pamjet e luftës propaganduese, do t’i shërbejnë Trajkovskit për shpalljen e “Planit për paqe”, që shprehte idenë “se zhvillimet e mëtutjeshme duhej të drejtohen në dy kahe: Në marrëveshjen për reformat politike, sipas kërkesave të UÇK-së, që duhet bërë me partitë politike shqiptare PPD-në dhe PDSH-në, me kushte që ato të ndiqnin rrugën e veprimit kundër UÇK-së dhe në idenë për zhdukjen e UÇK-së me përdorimin e forcës”. Ky plan, në katër faza, duhej të zgjaste jo më shumë se një muaj e gjysmë.
Në këto rrethana, pra kur Shkupi kishte filluar të keqpërdorte gatishmërinë e shqiptarëve për kompromise të dhimbshme, çfarë kishin bërë në të vërtetë me Marrëveshjen e Prizrenit, më 11 qershor, kemi edhe futjen e njësive të UÇK-së në Haraçinë, vendbanim në hyrje të Shkupit.
Ishin këto operacione spkektakultare të luftëtarëve shqiptarë, që për pak iu kthyen strategjisë së luftës, me çka, faktori ndërkombëtar përfundimisht u bind se shteti maqedonas, përkundër fjalëve të mëdha, nuk ishte në gjendje që konfliktit të armatosur me UÇK-në t’i jepte përgjigje ushtarake, pra të fitonte luftën, siç fliste pareshtur. Përkundrazi, u pa qartë, se UÇK-ja ishte në gjendje që ta vazhdonte luftën me sukses dhe në përputhje me të, sipas nevojës, serish t’u kthehej kërkesave maksimaliste: federalizimit të Maqedonisë mbi parimet e shtetit dy-kombesh, ose të kantonizimit.
Haraçina, pra, kur u pa qartë se luftëtarët shqiptarë ishin në gjendje që luftën ta kthenin në mjet të politikës edhe me kërkesat nismëtare që do të mbështeteshin me fakte të kryera (ndarja e brendshme Maqedonisë në përputhje me “Iliridën”), e gjitha i dha përgjigje fundit të luftës dhe fillimit të bisedimeve për paqen, që do të përmbyllen me “Marrëveshjen e kornizës së Ohrit”, e nënshkruar në Shkup, më 13 gusht 2001.
Ato që ndodhën nga mesi i qershorit deri nga fillimi i gushtit e deri te nënshkrimi përfundimtar, ishin vetëm pjesë e një skenari kryekreje ndërkombëtar (NATO-BE), që i duheshin një epilogu, ku lufta nuk duhej të kthehej në sukses, e as paqja në disfatë, por në një normalitet politik të dobishëm “për të gjithë”.
Nga ky këndvështrim duhet parë edhe ato që ndodhen në Maqedoni brenda shtatë muajsh me çka iu hapën dyert tri zhvillimeve:
a) Hyrjes së NATO-s në Maqedoni
b) Ridefinimit të shtetit maqedonas nga shteti kombëtar, në shtet qytetar multietnik, sado që ky formulim shtetit do t’ia ruajë karakterin maqedonas me riformulimin në Kuvendin e Maqedonisë, dhe
c) Pajtimit të shqiptarëve me realitetet e reja politike në shtetin maqedonas,
të cilat mbetën thuajse të njëjta me ato të para luftës.
Si do të shihet, përfituesi më i madh do të jenë liderët ushtarakë të UÇK-së, nga trashëgimia e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), dega e Zvicrës, që siç kishte ndodhur edhe me rastin e luftës së Kosovës, armët e dorëzuara do t’i zëvendësojnë me ato të posteve të partive politike, do të kyçen në jetën politike të vendit.
“Partia e Demokratike e Integrimeve” (PDI) e Ali Ahmetit, do t’i fitojë zgjedhjet e para “të shteti multietnik” dhe në këtë mënyrë ia doli, që me oreolin “e partisë së luftës”, t’ia marrë primatin politik edhe Arben Xhaferit për të vazhduar ku kishte mbetur ai – kthimit në pjesë të mekanizmave institucional të drejtuar nga politikanët maqedonas pa ia dalë që të ndryshojë gjendjen për të cilën edhe ishte luftuar, gjë që nga ky këndvështrim, kjo luftë, mbetet e papërfunduar.
( Fragment nga librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, Prishtinë, 2019)/KultPlus.com
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dhe Radio Vatikani në gjuhën shqipe shënuan përvjetorin e të kaluarit në amshim të Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi, i cili vdiq më 5 gusht, 1752. Pak shqiptarë mund ta dinë, por Ipeshkvi Kazazi zbuloi i pari librin e parë shqip, “Mesharin” e Gjon Buzukut. Gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, në vitin 1740, Kazazi zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kur studjuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente veprën e parë në gjuhën shqipe, po në këto arkiva, nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.
Gjon Nikollë Kazazi ka lindur më 2 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto të Italisë, ku edhe ka përfunduar studimet. Në vitin 1727 Gjon Nikollë Kazazi mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit, ai do të shugurohej meshtar dhe në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit. Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Thuhet se Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit, kryesisht, arkivit të “Propaganda Fide”.
Ndërkaq, në këtë përvjetor, Jusuf Buxhovi, historiani, autori, gazetari, intelektuali dhe aktivisti politik nga Kosova, është autor i romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, (Botimi i Plotësuar nga Shtëpia Botuese Faik Konica”. Pas disa botimeve e ribotimeve të mëparshme, romani ribotuar i plotësuar është përkthyer kohët e fundit në italisht nga Lilian Cuka dhe është promovuar në Romë në fillim të qershorit që kaloi, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”, para një audience përfaqësuese kulturore dhe intelektuale italiane, ku morën pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe të arbëreshëve të Italisë, ndër të tjerë. Botimi në italisht i kësaj vepre të autorit Buxhovi pason përkthime në disa gjuhë dhe disa tjera që thuhet se janë në fazën përfundimtare të përkthimit në anglisht, frëngjisht, sllovenisht dhe spanjisht. Sa i përket përkthimit në gjuhët e huaja të romanit të tij, “Shënimet e Nikollë Kazazit”, historiani i shquar shqiptar Z. Buxhovi është cituar të ketë thenë se “Kjo i ndihmon letërsisë shqiptare që të afirmohet në përmasat ndërkombëtare, veçmas kur kjo bëhet me një vepër që shpalos dramat e saj të brendshme në rrethanat ekzistenciale — në një hapësirë të ndeshjeve të perandorive dhe besimeve — ku politika dhe besimet luftojnë për hapësirë dhe dominim të përhershëm.”
Botimi në italisht i këtij libri u promovua në Romë, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës në kryeqytetin Italian, me këtë rast, shprehej në faqen e saj të internetit se, “Është nder të promovosh historinë e Kosovës përmes rrëfimeve të fakteve historike, të cilat për shekuj me radhë na kanë bërë krenarë për identitetin tonë. “Për ty Toka ime – Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, e shkrimtarit dhe historianit tonë të mirënjohur, Jusuf Buxhovi, tani botuar edhe në italisht nga shtëpia e njohur botuese, Armando Editore, ka kontribuar në forcimin e rrënjëve evropiane të popullit tonë”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë me rastin e promovimit të romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit të autorit Jusuf Buxhovi.
“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Të përkas ty, o toka ime”, mund të jetë slogani mbi të cilin autori ndërthurë një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të lartë, e drejton lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më pas përshtypjet e veta personale.”
Ndërsa Radio Vatikani ka transmetuar një intervistë, Majin që kaloi, me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer italisht e ka cilësuar si një monument të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve të lidhur me qytetërimin perëndimor, por njëherësh pasqyron edhe dramën e një populli që vazhdimisht i nënshtrohet përpjekjeve të huajve për t’i dominuar ata. Ndërkohë, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një shkrim vlersues të romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, e ka cilësuar veprën e Jusuf Buxhovit, si “një prej romaneve tona më të mira bashkohore”. Vlerësimi i plotë i Dr. Rugovës mund të lexohet në këtë link, për ata që janë të interesuar: Rugova për librin e Buxhovit: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ndër romanet tona më të mira (kultplus.com)
Por le t’i këthehemi figurës së Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazit në përvjetorin e vdekjes së tij dhe protagonistit të romanit të shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi, njëri ndër më të mirët historian të Kombit shqiptar. Ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë së shqiptarëve kur klerikët katolikë – përveç veprimtarisë së tyre fetare – janë marrë edhe me mbrojtjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, ashtu edhe Gjon Nikollë Kazazi, gjatë gjithë jetës së tij, krahas thirrjes së tij fetare në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, sipas Radio Vatikanit, “Kultivoi me pasion e urtësi edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, biblike si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike por edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar”. Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Romë, në vitin 1740, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’, të dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij, “Doktrina E Kërshten”.
Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për tu takuar me Papën si dhe me përfaqësues të dikastereve të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Radio Vatikani shqip i cilëson si tepër të rëndësishme dhe me vlerë të madhe kishtare e historike raportet që imzot Kazazi ka sjellur personalisht në Vatikan apo që i ka dërguar Vatikanit në vitet 1743-1744 e gjatë viteve tjera më vonë, në cilat informon Papën mbi situatën tejet të rëndë të krishterëve jo vetëm në në trojet shqiptare por edhe në vende tjera ballkanike që ishin nën sundimin e perandorisë osmane, thuhej në programin e radio Vatikanit kushtuar këtij kleriku të madh shqiptar. Kryeipeshkvi i Shkupit shqiptar, Gjon Nikollë Kazazi ka vizituar Romën për herë të fundit më 1750 sepse ai ndërroi jetë me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera, jo vetëm në historinë e Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit e i popullit, por edhe në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot si “Meshari” i Dom Gjon Buzukut.
Duket se përkthimi në italisht i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ka berë jehonë të madhe në qarqet kulturore të Italisë dhe më gjerë. Jusuf Buxhovi ka njoftuar më heret se së shpejti libri, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, do të shëndërrohet në film botëror në italisht, ndërsa zbuloi se për këtë nismë tashmë ai
ka nënshkruar disa kontrata paraprake me një ndër shtëpitë filmike më të njohura të Italisë për realizimin e filmit bazuar në “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, një ngjarje kulturore që do të dëshmojë për lidhjet e identitetit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve me qytetërimin perëndimor.
Po e mbylli këtë përkujtim në përvjetorin e vdekjes së Kryeipeshkvit të Shkupit shqiptar Gjon Nikollë Kazazi me një fragment të shkurtër nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi — me një këshillë që vlen edhe sot se, “Do të jetë mëkat i madh që dëshmitë tona për t’i bërë ball të ligës së pashembullt, të mos shënoheshin…Në atë gjysëmterr që mezi përballohej nga drita e dobët e qiririt, gjeta fletoren dhe gjithë drithërimë hudha fjalët e para: …unë Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, i lindur në Gjakovë, në ditën e dytë të motit të madh një mijë e shtatëqind e dy, me ndjenjën e përulësisë më të thellë para të Madhit si dhe të përgjegjësisë së plotë që ka njeriu për të vërtetën, duhet të dëshmoj rreth një mynxyre të madhe që na ka rënë në kokë…Ne pra, i madh e i vogël, nga dita e sotit i jemi nënshtruar një rrethimi të tmershëm, që vjen fare papritur me kërcënimin që të mbesim të shkëputur përgjithmonë nga bota…Ky kërcnim lidhet me shfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se ndodhet midis nesh, sado që ajo ende nuk është dëshmuar. Sprovat e Zotit janë të mirëseardhura dhe të mirëpritura, por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, sikur len për të dyshuar se ajo është pjellë e ligësisë së robit…Megjithqë me kohë çdo gjë do të sqarohet, ne duhet t’i bëjmë ballë të ligës që vjen nga robi, nga që këtë e kemi për detyrë pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat ballafaqohemi…Në këtë rrugë kemi për detyrë që të ushqejmë shpresën, por edhe të gjejmë rrugët që çojnë të zgjimi i ndjenjës së kundërvenies së të ligës që na kërcënon deri në asgjasim… Këtë nuk do ta kemi të lehtë, por nuk kemi shtegdalje tjetër…Natën e mirë, trishtim, por edhe shpresë…”
Fragmenti nga romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” – është këshillë edhe për t’u ballafaquar me gjëndjen sot në trojet shqiptare: Ballafaqim me të keqën, sidomos me të keqen që vjen nga robi, nga njeriu vet, që të mos t’i nenshtrohemi asaj të keqeje dhe të mos dorëzohemi para saj! Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e “përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së vërtetës” dhe detyrimi që të gjithë kemi si individ dhe shoqëri për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të vërtetën, sa u përket “sëmundjeve” që kanë kaplluar shoqërinë shqiptare edhe sot e e kësaj dite e që janë “pjellë e ligësisë së robit”, të — pushtetarëve autoritarë modernë — dhe nuk janë sprova të Zotit…”. Kjo është e Vërteta që duhet të dëshmojmë të gjithë, për të pasur sadopak shpresë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në trojet e veta!
Një autor që arrin të ndërtojë një opus sistematik, çfarë është vepra letrare, publicistike dhe historiografike e Jusuf Buxhovit, kulmi i rezultatit për të është kur vepra e tij i nënshtrohet një procesi të valorizimit, domethënë të një stadi të receptivitetit, akt që veprën autoriale e fut shkallë-shkallë nga klasika, në grupin e veprave ekzempël, që janë paradigmatike për kohën kur u krijuan si vlera të verifikuara për periudhat e tjera.
Vepra letrare e Jusuf Buxhovit fillin e ka në librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus impozant si vëllim, ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama.
Pjesën komplementare të Jusuf Buxhovit përben edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).
Një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm i të arriturave në këtë fushën e historiografisë është vepra voluminoze:”Kosova”I,II dhe III, më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera,. domethënë historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme të dihomisë shtetërore midis “periferisë si qendër dhe qendrës si periferi”, që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.
Me veprën historiografike, e cila kërkon një qasje të specializuar ekspertësh, dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela,drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një mozaik të plotë nga i cili del profili i një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij politike, ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi, ai që kërkon idealitetin në të gjitha sferat e jetës. E gjithë kjo nxjerr në pah koherencën botëkuptimore të autorit, pra veprimin e një mendjeje paradigmatike intelektuale që është jetësisht i lidhur me proceset historike të etnisë.
Jusuf Buxhovi në radhë të parë është shkrimtar, krijues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, autor, që siç thamë, i më shumë se 30 veprave në zhanrin e tregimit, novelës, dramës,romanit, por që pjesa qendrore i takon romanit. Që në tregimet e para autori arrin të ndërtojë bërthamën tematike, amzën e rrëfimit, tematikën që arrin të bëhet obsesion autorial, së pari lojën si kuptim i thellë i ekzistencës njerëzore me të gjitha modulacionet e saj, dhe, së dyti, që është më kryesorja, historinë si ekzistencë kolektive në kontuum kohor. Tema e historisë nga vepra në vepër vjen duke u zgjeruar, duke pësuar modulacione dhe duke u bërë një refleksion permanent, e cila do të përfundojë si një botëkuptim, si një filozofi e historisë, e cila doemos se autorin do ta detyrojë, them kushtimisht, të kalojë edhe në domenin e shkencës, duke sjellë jo vetëm interpretime interesante, por edhe një pikëvështrim të ri të historisë së etnisë, që në periudhat më të hershme dhe riinterpretimin ndryshe të fatit kombetar, në periudhat më të vonshme.
Kështu seria e romaneve “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, (1982), “Nata e shekujve”, (1985), “Galeria e te vdekurve”,(1987), “Libri i të mallkuarve”,(1989), “Prapë vdekja”,,I-II-III, (1991,1993,1995), “Qyteti i dënuar me vdekje”,(2000), “Letrat për Kryeprincin”,(2000), “Vera e fundit e Gjin Bardhit” (2003), “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun “Kodi i Dashurisë” (të botuara në vitet 2004-2006), dhe “Udhëtimi i Mendim Drinit”, (2006), imponon një klasematikë historike, e cila mbështetet në dokumentin historik, përkatësisht empirinë historike dhe përpunimit të tyre, me ç’ rast faktografia historike merr dimensionin subjektiv, domethënë atë artistik, atë që i falet fiksionit, përkatësisht imagjinatës autoriale dhe sistematikës që kërkon filozofia autoriale e historisë. Duhet thënë se në narracionin romanor të këtyre veprave mbizotëron parimi i kronologjisë, domethënë preokupimi dhe trajtimi i historisë nacionale, që zë fill në antikitet, për të kaluar pastaj nëpër të gjitha stadet që e shpijnë nga e sotmja. Në planin e trajtimit artistik nisma me dokumentin shënon anën “fizike” të botës, trajtim i reales, i asaj që ka ndodhur dhe që në forma të ndryshme është ruajtur si një lloj empirie historike, për të kaluar pastaj në anën metafizike të botës dhe të vetë procesit historik, që mbruan atë komponentën artistike. Brenda këtyre dy skajeve shtrihet fusha e gjerë e refleksionit, e cila tangjenton me filozofinë e historisë, domethënë pikëvështrimin autorial dhe interpretimin e faktografisë nga prizmi vetiak, duke vjelë më këtë rast përvojat hegeliane e sidmos niçeane e shopenhaueriane në “përpunimin” e procesit historik.
Si fushë e markuar dhe më e preferuar del mesjeta, koha e prerjeve në ndërgjegje, periudhë e mbizotërimit të konflikteve religjioze, kohë e gërshetimit të mosmarrveshjeve grandioze civilizuese dhe përleshjeve mes tyre, e ballafaqimeve vendimtare të koncepteve civilizuese të burimeve të ndryshme dhe të kundërta, por gjithherë duke e shquar diagonalen nacionale në të.
Në kontinuitetin narrativ buxhovian ndeshet një proces permanent i evoluimit të formave të trajtimit të historisë. Evoluimi ka të bëjë me modifikimin e brendshëm të percepcionit historik por edhe të procedimeve artistike dhe të teknikave të trajtimit të fabulës historike. Nga procedimi klasik, që e ndeshim te romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, ku e gjithë historia apo ngjarja, në kuptimin narratologjik, ndërtohet duke rrëfyer një “gjendje epidemie” (I.Rugova), procedim që ndeshet edhe te romanet vijuese, “Galeria e të vdekurve” dhe “Libri i të mallkuarve”, kalohet në rrëfim-meditim, në një refleksion mbi ngjarjen, domethënë se shkojnë paralelisht, drama historike, zakonisht presupozohet si një tragjedi etnike, me dramën në ndërdijen e personazhit. Ky procedim, po qe se duam t’i japim një status teorik, mund të trajtohet si një “psikohistori”, në pajtim me pikëpamjen e njohësit të kësaj problematike, Frank Fernar, që është një formë e individualizuar e perceptimit të historisë përmes mekanizmave subjektivë. Pikërisht ky lloj trajtimi , i cili arrin ta rrudhë fabulimin në refleksion, i mundëson autorit ta projektojë një lloj filozofie të historisë, e cila herë është një koncept i ciklizmit historik, siç e percepton filozofi mesjetar italian, Xhanbatista Viko, që pastaj të evoluojë në një “frymë absolute”, si formë iniciale e historisë që e afirmoi botëkuptimi niçean për zhvillimin e historisë njerëzore, për tu shfaqur pastaj si një botë e vullnetit dhe e përfytyrimit, që të përmbyllet me idenë autoriale mbi ngadhënjimin e perandorisë të së mirës. Autori nga rrëfimi i ngjarjes, i historisë , i fabulimit kalon në refleksion, në psikohistori, në të rrëfyerit e përjetimit të frymës historike. Duke u marrë më këtë lloj të mbindërtimit artistik, duke u lëshuar në krahët e refleksionit, autori i jep vetes mundësinë që të merret me rivlerësimin e historisë, veçanërisht historisë nacionale, për të nxjerrë konsekuenca për të sotmen dhe për të anticipuar të ardhmen. Po qe se opusin e tij romanor e vështrojmë nga kjo pikëpamje do të ndeshemi më fenomenin e projektimit të të sotmes në planin historik, por edhe hipostazim të një filozofie politike në praktiken aktuale. Kështu, duke lexuar, madje tani duhet rilexuar, romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, do të ndeshim profilin e intelektualit dhe rolin e tij në histori. Pikërisht zhvillimet politike të mëvonshme kanë vërtetuar këtë supozim të autorit mbi rolin dhe përgjegjësinë e intelektualit në raport me historinë.
Vështrimi i historisë, duke ndjekur kronologjinë strikte, prek segmentet më të ndjeshme të ekzistencës kolektive të etnisë që nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Brenda këtij korpusi romanor është me interes të veçohet trilogjia e ashtuquajtur “gjermane”, ku përfshihen romanet “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, ku preken raportet gjermano – shqiptare, duke filluar nga sfera e kulturologjisë e deri te raportet historike e aktuale të natyrës politike. Këtë relacion të këtij binomi autori e arsyeton me argumentin historik mbi gjenealogjinë e lashtë dhe të një burimësie të njëjtë, por që ka dimensione të ndryshme: madhështinë tragjike të historisë gjermane dhe historinë tragjike të një civilizimi të rënë pellazgo-ilir.
Derisa trilogjia gjermane trajton raportet gjermano-shqiptare në diakroni dhe sinkroni, ajo pasohet nga romani “Udhëtimi i Mendim Drinit”, që është vazhdim, kësaj radhe në planin refleksiv, i trashëgimisë mendore gjermane dhe projektim i një filozofie të historisë, që është në një farë mënyre eksplikim i tezave niçeane mbi procesin historik të një kombi. Në këtë roman kemi një fabulim të minimalizuar, të rrudhur deri në maksimum, që jepet trajtën e refleksionit të thellë mbi rolin e individit, mbi konceptin e zhvillimit të historisë, mbi vullnetin për fuqi, por edhe mbi botën si vullnet dhe përfytyrim e që është thelbi i historisë shopenhaueriane. Në qendër të kësaj filozofie është individi, forca e vullnetit të tij, pra të një individualiteti të jetërsuar fizikisht, por mendërisht superior, çfarë është Mendim Drini. Kësisoj bëhet një prerje e trungut historik të etnisë, për të nxjerrë ata rrathët koncentrikë të epokave të shënuar njëri pas tjetrit me gjithë empirinë e vet tragjike. Edhe ky roman, si edhe romanet e tjera, bëjnë apel për vetëdijesimin historik dhe për shquarjen e forcës së brendshme të etnisë që ka akumuluar gjithë atë përvojë, e cila mund të shndërrohet në një energji që do të gjenerojë perspektiven e etnisë. Dimensioni nacional edhe këtu është ajo lepeza gjithëpërfshirëse tematike që derivon nga amza historike. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se autori nga romani në roman ndjek një vijë të vazhdueshme të përdorimit të procedimeve të reja dhe teknikave të nduarnduarta , duke filluar nga ditari, rrëfimi linear, rrëfimi i tipit epistolar e deri te hulumtimi i teknikave të ashtuquajtura të pasqyrimit të historisë përmes prizmit të dokumentaritetit dhe fakticitetit.
Avancimi në përdorim të teknikave shihet veçanërisht te romanet më të fundit, “Dosja e hapur” (2014) dhe “Dosja B”, (2016), që janë romane-kronikë, të mbështetura në dokumentaritet dhe pluralitet procedimesh, ku elementi më shques i rrëfimit romanor del të folurit për tabutë politike, domethënë ligjërim pa eufemizëm, rrëfim i drejtpërdrejtë, konkret deri në gjuhën e dokumentit.
Të gjitha këto na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një korpus romanor që lidhen mes veti në mënyrë ciklike, që domethënë se janë shfaqje e një vizioni autorial me një spektër të gjerë të vështrimit të problematikave.
Prandaj, në fund, mund të nxjerrim si konstatim, madje edhe kategorik, se i gjithë ky opus ndërtohet nga një autor i një profili origjinal, i një intelektuali aktiv, një sfiduesi i të së kaluarës dhe të tashmes dhe anticipuesi i të ardhmes dhe perspektivës historike të etnisë, që janë të rrallë sot edhe në letërsitë e mëdha.
NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË DHE LINDJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS
Jusuf Buxhovi
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u hap më 17 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi që në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë. Aty duhej të vendosej për fatin e saj, pa marrë parasysh se vendi qe pushtuar nga të gjitha anët: në Veri nga ushtritë malaziase, në Verilindje nga ato serbe dhe në Jug nga Grekët. Përjashtim këtu bënin dy qytete shqiptare: Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake e natyrshme në raste të tilla, filloi me dy qëndrime të ndërtuara që më parë, të imponuara nga diplomacia austro-hungareze dhe politika e saj, të cilat po ashtu ishin në përputhje me interesat e Lidhjes Trepalëshe. Dhe ato ishin:
a) njohja e ekzistencës së Shqipërisë, pa marrë parasysh statusi që duhej t’i caktohej, dhe
b) vendet ballkanike fituese të luftës me Perandorinë Osmane, duhej të shpërbleheshin me territore, por jo në përmasa me kërkesat e tyre të plota, meqë kjo ngatërronte dhe madje rrënonte interesat e fuqive të mëdha europiane, ato të Lidhjes Trepalëshe, sidomos të Vjenës dhe Romës, të cilat nuk ishin të interesuara që ngopja e shteteve sllave të Ballkanit të shkonte në dëm të interesave të tyre, meqë ashtu forcohej edhe ndikimi rus në këtë pjesë të rëndësishme. Po ashtu, bërjen e Shqipërisë shtet e shihnin në (mos) përmbushjen e apetiteve të ndërsjella për shtrirje sa më të thellë në Ballkan, të cilat Shqipëria i pengonte.
Kundër forcimit të ndikimit rus në Ballkan ishte edhe Britania e Madhe po edhe Franca, që ndonëse luftonin çfarëdo përfitimi të Austro-Hungarisë në këto zhvillime, nuk mund të lejonin që ajo të përfitonte nga gjendja e re. Nga ky pozicionim, Britania e Madhe, e cila mori përsipër rolin e “shpëtimtarit të paqes” që duhej të arrihej nëpërmes balancimit të interesave të Fuqive të Mëdha, u vu në mbrojtje të një Shqipërie, e cila ishte e vetmja në gjendje që t’i ndihmonte këtij qëllimi, që për politikën e Londrës kishte rëndësi të madhe. Këtu në të vërtetë ndodheshin edhe gjasat e mbijetesës së saj.
Për Shqipërinë, megjithatë, kishte rëndësi njohja e ekzistencës së saj qysh në fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i zgjidhjeve të shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese, të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit nën rrethanat e gjendjes ushtarake. E rëndësishme, po ashtu ishte, që të shkëputeshin që të gjitha lidhjet me Perandorinë Osmane, në mënyrë që hipoteka e saj të mos e ngarkonte të gjente vendin midis shteteve europiane. Si u pa në fillim, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, po nisi edhe t’ia rëndojë kapërcimin nga Lindja në Perëndim. Rusia, madje, kishte deklaruar se “ishte edhe në interes të vendeve europiane e edhe të vetë Shqiptarëve që të ruanin lidhjet me Perandorinë Osmane nga shkaku i pranimit të tyre në masë të islamit, i cili kishte ndikuar dhe ndryshuar edhe mentalitetin e tyre si popull”!
Edhe Franca, nuk ishte gjithaq larg këtij mendimi, sado që arsyetimet e saj nuk ishin të natyrës “së civilizimeve”, por thjeshtë praktike, meqë sipas disa vlerësimeve që kishte nga diplomatët e saj në Stamboll “organizimi shtetëror i Shqipërisë dhe administrata e saj gjithsesi duhej ruajtur diçka të traditës së gjatë shtetërore osmane, meqë ata në të kishin luajtur një rol të rëndësishëm”.
Në seancën e parë, Konferenca e Ambasadorëve, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e Sër Eduard Grej (Edward Grey), vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancinë e kontrollin ekskluziv të gjashtë fuqive të mëdha. Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë të studionin dhe t’u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi organizimin e shtetit autonom shqiptar.
Në lidhje me kufijtë Konferenca vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në Veri me Malin e Zi e në Jug me Greqinë. Me këtë vendim, duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, Fuqitë e Mëdha ia mbyllnin rrugën Serbisë për të dalë në Adriatik me anën e aneksimit të territoreve në Veri të Shqipërisë. Roli i Austro-Hungarisë këtu do të jetë vendimtar, meqë kështu përjashtohej mundësia që Serbia të dilte në det, dhe kjo mund të bëhej me anën e aneksimit të pjesës veriore, siç kishte ndodhur në të vërtetë, kur ushtritë e saj kishin depërtuar nga Shëngjini e deri në Durrës që ushtarakisht të paraprinin këtë pretendim. Nga ana tjetër, Serbisë iu njoh e drejta të kishte një dalje tregtare në det nëpër një skele shqiptare të lirë dhe asnjanëse. Ajo do të përdorej me anën e një hekurudhe ndërkombëtare, nën kontrollin europian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare, me liri transiti për gjithë mallrat, duke përfshirë këtu edhe municionet e luftës. Të nesërmen, më 18 dhjetor, këtij vendimi iu nënshtrua edhe qeveria serbe.
Kur jemi te formulimi nismëtar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 18 dhjetorit 1912, pra kur Shqipëria do të shpallej autonomi nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, me interes për atë fazë për Shqipërinë ishte theksimi i garancive dhe i kontrollit ekskluziv të gjashtë Fuqive të Mëdha ndaj saj, gjë që kishte rëndësi dhe Qeverisë së Vlorës do t’i shkojë përshtati. Sepse, Fuqitë e Mëdha i ngarkonte me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mbikëqyrjes së gjendjes në gjithë vendin, të cilën qeveria e Vlorës nuk mund ta bënte edhe po t’i jepej mandati i qeverisjes, siç do t’i ngarkojë edhe me përgjegjësinë e largimit të ushtrive pushtuese jashtë vijave që Konferenca do t’i caktojë si kufi të Shqipërisë pa marrë parasysh sa dhe si ata ishin të natyrshëm.
Me këtë, do të fillojë koha e mbajtjes së Shqipërisë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me disa faza, e cila vendin nuk do ta nxjerrë nga terapia e krizës në të cilën do të gjendet, por njëherësh do t’ia heqë rrezikun e zhbërjes si shtet, siç dëshironin dhe vepronin fqinjët e saj.
Edhe duke u anashkaluar çështja e sovranitetit ose suzerenitetit të Sulltanit, përderisa do të hiqet fare me vendimin e 29 korrikut 1913 kur Konferenca e Londrës, më në fund, do të pranojë projektin për organizimin e shtetit shqiptar, sipas të cilit Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgimore, me ç’rast i hiqej çdo lidhje suzereniteti me Perandorinë Osmane, megjithatë ky vendim la jashtë shtetit shqiptar dy qendra të rëndësishme të saj: Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë nën Serbi dhe Janinën me rrethinë nën Greqi. Humbja e këtyre pjesëve, nga diplomacia evropiane, veçmas ajo austro-hungareze që mbronte interesat shqiptare, u pa e zhdëmtuar nga mbrojtja e Shkodrës, pasi që ajo të jetë pushtuar nga Mali i Zi, të cilën ia dorëzoi Esad Pashë Toptani, në kohën kur Konferenca e Londrës ndodhej në një fazë delikate të caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Vendimet e Konferencës së Londrës legjitimuan ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, ndonëse të përgjysmuar, por njëherësh promovuan edhe “Çështjen e Kosovës”, që si e tillë do të mbetet problem i hapur ndërkombëtar për afër një shekulli.
(Shkëputur nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021)./ KultPlus.com
Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit.
Shkruan: Aleksandar Zoto
Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa ketë vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosvës, qoftë edhe në pak kopje.
Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktesishtm shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm emitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet, e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.
Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.
Në romanin „Keshtjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke.Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.
Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërist „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështërsitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar pëfrundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.
Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi të „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut,murgut themelue të letërsisë së shkruar shqiptare.
Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane.Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë.Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë- të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i ninshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.
Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyreve të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë.Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur.Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.
Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë: figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përseritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit:murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj… Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshe të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.
Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.
Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.
Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë. Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike.Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt,qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta. Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë.Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë:vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë,në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.
Sipas datës së shkrimti dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe dlmosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, mesiguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne.Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kuqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të teksit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përserisim, nuk llogariet aspka), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuatjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?
Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht.Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi,përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm,aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur.Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.
Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.
Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.
Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar, sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik.Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë.Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspanzionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?
Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre.E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.
Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike.Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.
Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkron veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.
Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik; ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllëzërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, shiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektinin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës.Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.
Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përseritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla kahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin.Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues,këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit.Copa e poçarisë së vletër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellsia e dheut, afrimon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë.Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë krkonikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme.Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.
Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit. Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulta dhe për tradhti.Njëri prej tyre,Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.
Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë, përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse,që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike.Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri atry sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.
Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drej epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë,ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme.Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrëgët“për rregullimin përfundimtar të çështjes shqipütare). Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vertetojnë mjaftueshëm: ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske.Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështejve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhëmshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. / KultPlus.com
Ndonëse rënia e ish Jugosllavisë, me shfaqjen e shteteve të pavarura: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundit Kosovës, ndryshoi realitetet shtetërore, me çka te shumë nga këta popuj filloi edhe dekonspirimi i “amzës së jugosllavizmit” të mbështetur mbi platformën e “Naçërtanjes” së Garashaninit dhe epiqendrën e saj “historike” – Mbretërinë Mesjetare të Dushanit, megjithatë, te shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në masë të madhe vazhdon diktati i historiografisë serbomadhe, diktat ky që me riaktivizimin e sintagmës së “botës serbe”, po mban peng politikisht dhe kulturalisht Kosovën!
Jusuf Buxhovi
Shthurja e Bizantit me anën e formacioneve të tjera autonome shoqërore dhe politike (feudeve, zhupanive dhe dinastive), siç ishin edhe “Despotati i Epirit”, “Despotati i Artës”dhe “Regnum Albaniae” e vitit 1272-1296 dhe të tjerave deri në shekullin XV kur do të marrë fund kjo perandori, në ato rrethana dramatike dhe fare të paqëndrueshme për nga realitetet shoqërore dhe politike, nxori në pah në njërën anë faktorët vendorë mbi të cilët perceptoheshin po edhe ndërtoheshin interesat e Lindjes dhe të Perëndimit për ndikim sa më të madh, kryesisht me anën e faktorit kishë, siç ishte rasti me Perandorinë Katolike të Kostandinopojës pas Kryqëzatës së katërt më 1204-1264 dhe të “Despotatit të Epirit”, dhe në tjetrën anë, pretenduesit për fronin e Bizantit, ndër të cilët duhet dalluar dinastinë Nemanjane të Rashës, e cila gjatë kohë së Stefan Dushanit (1331-1355) ia doli që të jetë forca kryesore e Bizantit, që u quajt edhe “Illyricum Magnum”.
Natyrisht se faktori Rashë, i parë në përputhje me realitetet e kohës dhe jashtë interpretimeve dhe përvetësime, nga ato që do të t’i bëhen nga ana e historiografisë serbe, asaj ruse dhe shkollës së sllavistëve të Vjenës në shekullin XIX, paraqet pikën kyçe të këtyre zhvillimeve historike, ngaqë, e nxjerr atë nga pengu i këtij keqinterpretimi, pra i përvetësimit joshkencor, siç është paraqitja e saj “themel të shtetit mesjetar serb” dhe, po ashtu, ia merr të drejtën Kishës Ortodokse Serbe, që të përvetësojë krishterimin ortodoks me liturgji të sllavishtes së vjetër kishtare. Jashtë këtyre përvetësimeve antihistorike, Rashës dhe dinastisë Nemanjane, i kthehet pamja e saj historike me faktorët shoqërorë, politik nga antikiteti (origjina tribale) si dhe roli i saj në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe të Epirit si forcë hegjemone në zhvillimet që e përcollën Bizantin nga shekulli XII – XV kur do të shembet përfundimisht.
Vendosja e shtetit mesjetar serb mbi dihominë e faktorëve joshkencorë: kishë-komb – duke u injoruar bërthama sllave nga shfaqja e saj e deri te shtrirja, që më së paku lidhet me gjeografinë historike të tyre siç paraqitet nga serbët dhe, njëherësh duke u përvetësuar sllavizmi si konglomerat etnik dhe, duke u konvertuar popujt antikë tribalët, dardanët, keltët dhe të tjerët në serbë në përputhje me fantazinë e Priftit të Duklës nga “Gesta Regnum Sclavorum” (Kralevstvo slovena) e Orbinit – paraqet spektrin argumentues të rrëzimit të falsifikimeve, që për një kohë të gjatë, edhe janë pranuar, nga shkaku se ka munguar qasja kritike dhe objektive shkencore ndaj tyre.
Për t’u argumentuar këto shtrembërime, mistifikime, përvetësime dhe falsifikime ndër më të ndryshmet mbi bazat e një platforme shtetmadhe dhe ideologjie hegjemoniste sllavo-ortodokse, që u shfaqen nga “Naçertanja” e vitit 1844 e deri te programet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve të viteve 1937, 1944 dhe së fundit të viti 1986, përqendrimi bie mbi pasqyrimin e falsifikimit të dokumenteve mesjetare nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në përputhje me konceptet shtetmëdha dhe ato hegjemoniste të projektuara në Rusi nga mesi i shekullit XVIII, me ç’rast pikënisje janë ato të autorëve bizantinë, pastaj literatura hagjiografike me theks të veçantë te përpjekjet që dinastia e Nemanjajve dhe Rasha të nxirret “themel i shtetit mesjetar serb” jashtë konteksteve kohore dhe jashtë raporteve shoqërore dhe politike të atyre rrethanave, ndërsa kisha e Rashës gjoja me autoqefali nga mesjeta. Ndonëse ishte fjala për një shkëputje të përkohshme nga Peshkopata e Ohrit, së cilës do t’i bashkëngjitet pas pak, së cilës madje i atribuohet liturgjia në gjuhën serbe, edhe pse dihet se ajo ishte një gjuhë kishtare e vjetër (amalgam midis sllavishtes dhe bullgarishtes), ngaqë gjuhë serbe do të ketë në gjysmën e dytë të shekullit XIX pasi që do ta formojë V. Karaxhiqi me ndihmën e shkollës sllaviste të Vjenës. Të kësaj natyre janë edhe shumë nga “monografitë” për jetën kishtare serbe si dhe jetëshkrimet rreth jetës dhe veprës së dinastisë Nemanja, të rishkruara ose të falsifikuara, gjithnjë me arsyetimet joshkencore “të përpunimit të tyre”, në përputhje me qëndrimet hegjemoniste.
Ndër këto rrëfime të mbështetura në hagjiografi (literaturë kishtare, bien në sy botimet “Sveti Sava – Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998, “Stevan Prvovenčani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanović, pastaj “Živopis Svetog Save” nga Teodosije Hilan-darski si dhe vepra e Konstantin Filozofit “Povest slovina – Žitije despota Sre-fana Lararevića“, Beograd 1989, me ç’rast pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm!
Ngjashëm ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Cara Dušana,cara srpskog 1349-1354”, Beograd 1870, në parathënien e së cilës pranohet se „Kanuni mesjetar nuk ekziston, por ai është arrnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi (Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859.
Mënyra si është ngritur kjo vepër deri te shkalla e „testamentit“ shtetëror dhe juridik të „Perandorisë“ së Stefan Dushanit në shërbim të krijimit të platformës ideologjike dhe politike të shtetit mesjetar serb për nevoja politike në shekullin XIX, që do t’i paraprijnë atij në hartën politike të Evropës të pranuar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, përkthimi në disa gjuhë dhe shpërndarja nëpër qendrat kryesore evropiane, tregon më së miri për ndërlidhjen e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në konstruktimin e tij me anën e sajimit të dokumenteve gjoja të shkapërderdhura pa kredibilitet shkencor. Kjo formë e arnimit të „dokumenteve“ të „strukur“ nëpër kisha dhe biblioteka „të harruara“ pasqyrohet më së miri në veprën e Novakoviqit. Autori, megjithatë, duke dëshiruar që të tregojë “për vjetërsinë” e kësaj vepre, që e ka të qartë se mungon, mbështetet mbi disa shtresime të sajimeve dhe përpunimeve të teksteve që kanë për qëllim „nxjerrjen në dritë“ të „dokumenteve autentike“ me anën e ndërtimit „të pjesëve të humbura“! Siç është thënë edhe më herët, bazë e kësaj pune kanë shërbyer punëtoritë e kishave të ndryshme, në radhë të parë atyre në Hilandar, dhe të tjerave në Rusi për t’i distribuuar dokumentet e përpunuara dhe të retushuara në Vjenë, te shkolla e njohur e sllavistëve, prej nga pastaj „dokumentet meritore“ janë trajtuar nga studiuesit e ndryshëm për t’u krijuar „dosjet“ si „Monumenta slavica“ e të tjera, me të cilat janë ushqyer historitë e serbëve, të bullgarëve, të rusëve me „dokumente autentike“. Autori i „Zakonikut“, në parathenie, zbulon teknologjinë dhe infrastrukturën e përpunimit dhe të falsifikimit të dokumenteve kur merret me „historikun“ e Zakonikut, që doemos lidhet me Vjenën dhe punën e studiuesve të atjeshëm, në radhë të parë të atyre sllavë ose serbë. Kështu, pikënisja e „Zakonikut“ fillon te J. Rajiq, më 1859 te botimi „Istorie slovenskoh narodie“, për t’u bartur pastaj te Mikloshiqi, i cili do ta paraqesë në gjuhën gjermane „Lex Stepani Dušani“, Vjenë 1856, prej nga pastaj do t’i bjerë në dorë P.J. Schafarikut, i cili do ta përfshijë në librin „Pomatky drevnioh pismenietvi Jihostovanie“, në Pragë, 1860. Schafarik, tekstin nuk e dha në mënyrë integrale, meqë ai nuk ekzistonte, por e parashtroi në 9 dorëshkrime të ndryshme me pretendimin se ato „janë pjesëza të zbuluara në manastire të ndryshme (Ravanicë, Rudnik, Kazan e të tjera) gjoja nga ato të viti 1350 e deri në vitin 1700, e ku vend të rëndësishëm zë teksti nga Petërburgu i N. Nadežnjev, që njihet nga manastiri Bistrica i Vllahisë. Këto tekste, as gjuhësisht e as përmbajtësisht, nuk formojnë tërësinë e një kanuni, gjë që e pranon edhe Shafariku. Por, Novakoviq, në botimin e tij, copëzat e Shafarikut i ndërlidh me dy tekste „autentike“, nga shekulli XIX. Njëri nga Struga, i mbledhur nga një prift rus. Dhe tjetri nga Prizreni, po ashtu i mbledhur nga një prift i quajtur Sime. Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV, në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva, Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqi që ta nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“ dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviq shpjegon origjinën e teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.
Meqë botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi, pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886, paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të “rizbuluara” të versionit të “Kanunit” të Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin tjetër pos një bartje (kopjim) të drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat, ishin në pjesë e të drejtës romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë, shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski katuni).
Nuk është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte) dhe e ritit latin (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)! Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka shërbye që të gjitha disajnimeve të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, në saje të “verifikimit” nga historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të Vjenës, është pranuar te një pjesë e mirë e historiografisë botërore për t’u bartur edhe te ajo ideologjike e ish Jugosllavisë, gjë që si e tillë, do të kopjohet e plotë edhe nga historianët shqiptarë (në të dy anët e kufirit).
Ndonëse rënia e ish Jugosllavisë, me shfaqjen e shteteve të pavarura: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundit Kosovës, ndryshoi realitetet shtetërore, me çka te shumë nga këta popuj filloi edhe dekonspirimi i “amzës së jugosllavizmit” të mbështetur mbi platformën e “Naçërtanjes” së Garashaninit dhe epiqendrën e saj “historike” – Mbretërinë Mesjetare të Dushanit, megjithatë, te shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në masë të madhe vazhdon diktati i historiografisë serbomadhe, diktat ky që me riaktivizimin e sintagmës së “botës serbe”, po mban peng politikisht dhe kulturalisht Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinë.
Andaj, institucioneve shkencore akademike në Shqipëri dhe Kosovë, u bie barra që të ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua ngas diktati i falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe. Ndonëse kjo, bazuar në qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore, është e domosdoshme.
(Shkëputje nga “Dardania – antika, mesjeta”, botuar nga “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston 2020). / KultPlus.com
Për popujt e Evropës dhe jo vetëm të Evropës, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 shënon një ngjarje të rëndësishme, meqë nga rrjedhat dhe vendimet e tij do të ndikohen jo vetëm realitetet shoqërore të kohës, por edhe ato historike në përgjithësi, të cilat do të marrin kahun e krizave që do të vazhdojnë në forma të ndryshme për t´u kthyer deri tek ajo që mund të quhet planimetri e re gjeostrategjije dhe gjeopolitike. “Natyrisht se shkas për një zhvillim të tillë paraqitnin, në njërën anë, dobësimi i vazhdueshëm i Perandorisë Osmane, që nuk kishte si të përfundonte ndryshe veçse me rrënim dhe në tjetrën anë lindja e fuqive të reja, Gjermanisë dhe Italisë, që bënte të ruhej baraspesha e deriatëhershme ndërkombëtare.“
Ky ekuilibër u prish sidomos pas fitores së Rusisë mbi Turqinë në vitin 1877 dhe pas nënshkrimit të ngutshëm të Paqes së Shën Stefanit, në mars 1878, me ç´rast Rusia, nëpërmjet krijimit të shtetit të Bullgarisë po fitonte pjesën më të ndjeshme të Ballkanit dhe po dilte në Mesdhe.
Ishte më se e qartë se Bullgaria e madhe e Shën Stefanit nuk paraqiste tjetër përpos një dorë të djathtë të Rusisë, e cila kështu po realizonte ëndrrën e kamotshme për depërtim të thellë në Ballkan dhe për një hegjemonizëm në këtë pjesë nevralgjike të Evropës, pikërisht aty ku historikisht zhvillohej ndeshja midis Perëndimit dhe Lindjes dhe në njëfarë mënyre edhe mbaheshin çelësat e gjeostrategjisë botërore.
Paqja e Shën Stefanit me ato që solli, dridhi me të drejtë që të gjitha fuqitë Evropiane, të cilat nuk kishin si të mos përqendroheshin kundër realiteteve që solli ajo në planin politik dhe diplomatik. Kështu, Anglia, e cila kishte depërtuar thellë në Lindjen e Mesme dhe që edhe më tutje kërkonte shtigje të reja tutje Indisë, me një paqe të tillë, siç ishte ajo e Shën Stefanit, e detyruar nga Rusët, shihte se po i rrezikoheshin interesat vitale, veçmas ato që i kishte përcaktuar Paqja e Parisit e vitit 1856 dhe status quoja e saj. Ndërsa, Austro-Hungaria dhe Italia, sidomos kjo e para, me krijimin e shtetit të madh bullgar në Ballkan, kishte frikë të madhe se mos Rusia, pas një traktati të tillë, po ua mbyllte dyert të tjerëve në këtë pjesë të Evropës.
Pra, përpos shumicës së popujve të Ballkanit, që ishin të pakënaqur me Traktatin e Shën Stefanit, edhe fuqitë e mëdha, në krye me Anglinë, iu kundërvunë vendimeve të tilla. Bile, dukej se nëse Rusia do të vazhdonte të ngulte këmbë se paqja e Shën Stefanit ishte fjala e fundit e saj, atëherë nuk mbetej tjetër përveçse një luftë e pashmangshme midis Anglisë dhe Rusisë, në të cilën do të përfshiheshin edhe të tjerët. Për këtë arsye, u shtrua nevoja e ngutshme e një takimi ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha do të bisedonin shtruar për të gjitha çështjet, para se këtë ta bënin armët. Në këtë drejtim, Gjermania u tregua më e angazhuara dhe pothuajse mori përsipër që të gjitha ndërmjetësimet, qoftë të uljes së tensionimeve që u shfaqën, qoftë rreth përgatitjes së një kongresi të madh, ku përveç Rusisë dhe Perandorisë Osmane, Anglisë e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popujve, të cilët luftonin për pavarësi kombëtare, por që aty nuk do të ishin për të vendosur, por për të parë si do të vendosnin fuqitë e mëdha. Bizmarku, që kishte bërë aq shumë për unitetin dhe prosperitetin e shtetit të ri gjerman, tashmë gjendej para një detyre tejet të rëndë, që në njërën anë sa më shumë që të ishte e mundur t´i pajtonte të gjitha kundërshtitë dhe konfliktet në shpërthim e sipër midis fuqive të mëdha dhe në tjetrën anë, të minonte sa më shumë vendimet e Shën Stefanit, ku Rusia do të mbahej sa më larg Evropës, por që një gjë e tillë të arrihej pa ndonjë shqetësim të madh a luftë midis superfuqive.
Por, si të arrihej diçka që „Mishi të piqej e helli të mos digjej“, kur gjendja pas marrëveshjeve të Shën Stefanit ishte aq e nderë dhe e ashpërsuar njëherësh sa që shpesh dukej se qëllimi i tillë madje ngjante i paarritshëm. Vetë Bizmarku, që mori rolin e ndërmjetësuesit të shkathët dhe për këtë u mbiquajt edhe makler i madh, thotë se „Gjermanët nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë në Ballkan a më larg, në një kohë kur edhe më tutje kishim probleme të brendshme, por gjithsesi ishim të shqetësuar se çfarë po ndodhte përreth nesh dhe mund të kishte ndikim te ne. Rusia ishte e thelluar shumë në Ballkan dhe kjo bëri që Austro-Hungaria disa herë të protestojë dhe filloi të nxiste Anglinë që të lidhnin një aleancë kundër Rusëve. Po ashtu edhe Italia, e cila po përgjonte se ç´ndodhte, po shqetësohej. Franca, megjithaqë parapelqente dobësimin e boshtit Vjenë-Berlin, edhe ajo tregonte interes për ato që ndodhnin dhe nuk pajtohej me gjendjen e re që të jetë me favore të njëanshme për Rusinë. Pra, ishte më se e qartë se fuqitë e mëdha do të rrokeshin keqas me njëra-tjetrën dhe kjo përleshje, dashur padashur do të përfshinte edhe Gjermaninë, e cila nuk ishte e interesuar të futej në ndonjë konflikt. “Prandaj, kush përpos nesh”, thoshte Bizmarku, “duhej ta merrte rolin e një pajtuesi? Ne ishim të vetmit që nuk kishim dorë në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Neve pra na binte barra e përgatitjes së takimit të tillë, ku për herë të parë do të bisedohej që të mos ndodhte një konflikt midis fuqive të mëdha.“
Si e tillë, sipas shumicës së studiuesve të kohës, Gjermania njëmend ishte shteti më i përshtatshëm për ndërmjetësime të tilla, ndërsa Bizmarku politikani më energjik, i cili do të duhej të ndërmjetësonte midis ëve të elektrizuara.
Natyrisht se për të marrë një rol të tillë nuk ishte shumë lehtë, sepse, siç thotë Emil Ludvig, njëri ndër studiuesit më të mirë të Bizmarkut dhe të Kongresit të Berlinit, „Rrethanat atëbotë ishin të tilla që kërkonin një personalitet të fortë, i cili do ta gjunjëzonte në mënyrë diplomatike Rusinë dhe do të bënte që baraspesha e forcave prapë t´u shkonte për shtati atyre që ishin kundër Rusisë, gjë që e gjithë kjo duhej të bëhej me një diplomaci finoke. Këtë mund ta bënte vetëm Bizmarku“.
Kështu, periudha prej marsit të vitit 1878 e deri në qershor të po këtij viti, kur do të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, nuk mund të ishte ndryshe përveçse përplot vlime diplomatike, ku përvijoheshin vijat e qarta të vendimeve që do të pasonin në Kongres. Bizmarku ishte figura kryesore e këtyre bisedimeve. Ky, me anën e kanaleve diplomatike bënte për-pjekje që t´i harmonizonte qëndrimet para se t’i fillonte punimet Kongresi. Nga të dhënat që mund të shihen, del se pas kërcënimeve të para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Anglisë, që erdhën menjëherë pas nënshkrimit të Paqes së Shën Stefanit (në fund të marsit dhe në fillim të prillit) me ç´rast Rusia haptas hodhi poshtë propozimin e Anglisë për mbajtjen e një kongresi të ri pas Shën Stefanit, forcat e tjera përreth, si Austro-Hungaria dhe Franca filluan të ofronin rezoluta dhe propozime për kapërcimin e krizës që solli Paqja e Shën Stefanit. I njohur është, për shembull, propozimi i Austro-Hungarisë i 26 marsit të vitit 1878, që i ka bazat në Marrëveshjen e Rajhshtatit të vitit 1876 dhe Konventa ruse-austro-hungareze e 15 janarit të vitit 1877. Konventa ruse-austro-hungareze e vitit 1877, përveç të tjerash, parasheh që pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane në Ballkan të krijoheshin shtetet e pavarura: Bullgaria, Rumelia dhe Shqipëria. Sipas burimeve gjermane, çështja e Shqipërisë së pavarur, sipas kësaj marrëveshjeje, është jo gjithaq e sqaruar, sepse zihen në gojë dy terma: vetëqeverisje dhe autonomi, të cilat i përdornin Andrashi dhe Goroshkovi.
Pra, ofroheshin zgjidhje, të cilat, në të vërtetë, kundërshtonin vendimet e marra pak më parë në Shën Stefan, por pa iu mbyllur rruga realiteteve të reja të krijuara pas Luftës ruse-turke, e fituar nga Rusia, e cila, dashur a padashur, nuk mund ta kthente gjendjen ku ishte, pa iu dhënë njëfarë kundërshpërblimi Rusisë, por mendohej që ky shpërblim të ishte sa më i vogël dhe sa më i parëndësishëm në planin strategjik.
Në këtë kohë edhe vetë Rusia, e shtyrë nga gjendja e krijuar ndër-kombëtare, që do të mund të shpinte në një aleancë të re midis Anglisë, Austro-Hungarisë dhe Francës kundër saj, do të lëshojë pe në të mirë të pranimit të bisedimeve të drejtpërdrejta, duke treguar në këtë mënyrë se megjithatë, është e gatshme të heqë dorë nga Shën Stefani në dobi të faktorizimit të mëtejshëm të saj në sferën ndërkombëtare, si fuqi e pashmangshme e kohës. Shuvalovi, kryeministër rus, brenda një kohe të shkurtër vizitoi dy herë Berlinin, ku u takua me Bizmarkun. Më 9 maj të vitit 1878 dhe më 20 maj Bizmarkut iu ofrua besimi i shtetit rus rreth organizimit dhe mbajtjes së një kongresi ndërkombëtar, ku do të shqyrtoheshin çështjet që dolën pas Luftës ruse-turke. Kështu, më 22 maj Shuvalovi do të presë në Petersburg një delegacion anglez dhe kjo jepte të kuptohej qartazi se një kongres i tillë do të organizohej. Më 28 dhe 29 maj edhe Austro-Hungaria do të bëjë të ditur propozimin përfundimtar për zgjidhjen e çështjes lindore.
Punët, pra, po shkonin mbarë. Fuqitë e mëdha nëpërmjet kanaleve të shumta diplomatike dhe takimeve të njëpasnjëshme kishin përballuar atmosferën e kërcënimit me luftë dhe i afronin qëndrimet e tyre para se ato përfundimisht t´i hidhnin në tryezën e bisedimeve të Kongresit të Berlinit, që do të mbahej pas pak. Për vetë kongresin mbetej ratifikimi përfundimtar i marrëveshjeve dhe çështje të tjera që merreshin si anësore, e që nuk do të duhej të luanin ndonjë rol aq të madh, pa marrë parasysh rëndësinë që mund ta kishin më vonë.
Thelbi i marrëveshjeve ishte ky: Rusia duhej të hiqte dorë nga depërtimi i madh në Ballkan përmes Bullgarisë dhe se do të bëheshin përpjekje që Perandorisë Osmane nëpërmes status quo-s prapë t´i zgjatej jeta në pjesën Evropiane, ani pse ishte krijuar bindja se kjo nuk paraqiste tjetër veçse përpjekje për të fituar kohë të domosdoshme nga të gjithë për të vendosur se si do të mbushej hapësira që për pesë shekuj ishte mbikëqyrur dhe sunduar nga Perandoria e Bosforit.
Anglia në këtë drejtim ishte posaçërisht aktive dhe kërkonte që para se të fillonte Kongresi i Berlinit shumë gjëra të bëheshin të qarta, qoftë në raportet e saj me Rusinë, qoftë me Turqinë, si dhe me situatën në Ballkan. Kështu, më 30 maj, pas shumë ndërmjetësimeve të ës gjermane, asaj franceze dhe deri diku italiane, bëhet takimi i njohur midis Shuvalovit dhe lordit Solsberi. Në këtë takim historik Rusët përfundimisht do të dorëzohen dhe do t´i pranojnë qëndrimet dhe propozimet për modifikimin e Paqes së Shën Stefanit. Çdo gjë tjetër pas këtij takimi ishte formalitet, meqë rrugët e marrëveshjes tashmë ishin të hapura. Rreziku i konfrontimit midis Rusisë dhe Anglisë ishte kapërcyer.
Ishte më se e qartë se Evropa, për herë të parë, në një përbërje të tillë do të shqyrtonte çështje aq të rëndësishme, të cilat do t´i ndërrojnë raportet e kohës.
Më 3 qershor, gjashtë përfaqësuesit e fuqive të mëdha: të Anglisë, të Rusisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Italisë dhe të Gjermanisë, morën ftesat për të marrë pjesë në Kongresin e Berlinit, i cili duhej të fillonte punimet më 13 qershor. Po ashtu, në këtë Kongres u thirrën edhe përfaqësues të shumë popujve, të cilët asokohe luftonin për pavarësi në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Ata do të vinin në Kongres si vëzhgues.
Në Kongres nuk u thirrën përfaqësuesit e popullit shqiptar, e kjo as që mund të pritej, meqë ata në kuadrin e Perandorisë Osmane kishin tretmanin e milleti-osman, pra nuk trajtoheshin si kombësi, edhe pse kjo çështje tashmë kishte filluar të animohej nga një grup intelektualësh shqiptarë në Stamboll, por që nga Porta e Lartë ishte refuzuar me anatemën se diç e tillë çonte te rrënim i Perandorisë, ndërkohë që edhe kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila filloi tri ditë para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, shprehnin përcaktimin e fortë për t’i mbrojtur tokat e tyre nga copëtimet, por jo kërkesën për një autonomi shqiptare brenda Perandorisë Osmane siç do të dalë më vonë, kur Lidhja do të konfrontohet me Perandorinë Osmane dhe me fuqitë e mëdha.
Me këtë rast gjithsesi se ka vend për një sqarim, që ka të bëjë me një paqartësi, që shfaqet në “Historinë e Popullit Shqiptar”, vëllimi i dytë, i botuar në Tiranë në vitin 2002, ku thuhet se “në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes të mbajtur më 1 korrik 1878, ishte kthyer nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit!”
Pavarësisht këtyre insinuatave me të cilat edhe sot manipulohet, megjithatë çështja e bashkimit të Shqiptarëve në një vilajet, si dhe ato për autonomi, që do të animohen gjatë kohës kur Lidhja do të ndryshojë kërkesat e veta nga ato të mbrojtjes se territoreve perandorake te autonomia, nuk mbeti si çështje e shurdhër, si thuhet shpesh. Përkundrazi, për vetë faktin se Perandoria Osmane tashmë i kishte ditët e numëruara, ndërkohë që telashet që linte ajo prapa, nuk mund ta përjashtonin edhe çështjen shqiptare, dashur a pa dashur disa nga fuqitë e rëndësishme Evropiane shtetin shqiptar kishin filluar ta projektonin si një faktor që do të përfshihej në sferat e tyre të interesave dhe madje në këtë plan edhe të punonin, siç do të veprojë Anglia, e cila do ta autorizojë Lordin Edmond Fitzmauricie, që në përputhje me artikullin XVIII dhe XXIII të Kongresit të Berlinit, Portës t´i kërkojë që të krijojë një Shqipëri autonome në një vilajet, që do të bashkonte vilajetet e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, që do të mbetej nën suzerenitetin e Sulltanit.
Në konferencën e Kostandinopojës më 20 prill 1880, para Komisionit Ndërkombëtar për Reformat e brendshme të cilat Porta do t´i zbatonte, Lordi Fitmauricie, deklaroi se fliste në emër të Lordit Beaconsfield, i cili porosiste se krijimi i një Shqipërie të fortë autonome është në interes të Evropës. Historiani gjerman Hanns Dieter Schanderl, në librin këtë e thekson si qëndrim të rëndësishëm me të cilin do t´i hapet drita e gjelbër shtetit të ardhshëm shqiptar. Schanderl, duke cituar një dokument të Forin Officit të 26 majit 1880, bën të ditur se Lordi Fitmauricie, gjatë takimit me ministrin e jashtëm turk, Sawa Pashën, do t´ia dorëzojë një memorandum me projektin e Shqipërisë si vilajet autonom.
Megjithatë, nga protokollet e mbledhjes së shtatë, të tetë, të dhjetë, të dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë, bie në sy se përfaqësuesit e delegacionit të Portës, Aleksandër Karateodor Pasha dhe Mehmed Ali Pasha, kur konkretisht u bisedua rreth zgjerimit të Malit të Zi dhe të Serbisë me territoret e banuara me Shqiptarë, por edhe kur u bisedua për kërkesat e Greqisë ndaj Epirit dhe të Thesalisë, flisnin në emër të Shqiptarëve dhe madje shfaqen edhe në rolin e mbrojtësit të tyre gjithnjë në përputhje me mandatin që edhe shqetësimet e tyre të trajtohen si të të gjithë shtetasve të tjerë të Perandorisë Osmane, pra si milleti-osaman, të cilët nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e kusuritjeve midis shteteve të ndryshme. Nga ky këndvështrim duhet vënë në pah deponimet e përfaqësuesve të delegacionit të Portës së Lartë, siç ishte i Karateodori Pashës në mbledhjen e dhjetë kur ai do ta paraqesë qëndrimin e Portës rreth mospajtimit që Tivari t´i jepet Malit të Zi dhe për këtë ai përmend disa arsye pse kufijtë e Shqipërisë nuk duhet të ndryshohen. ”Porta nuk ka asnjë kundërshtim për Spican, por insiston se Tivari është shqiptar, se malazeztë aty mund të mbesin vetëm me dhunë, kundër vullnetit të popullatës shqiptare.” Ai përmend sulmet e vazhdueshme të ndërsjella mes Shqiptarëve dhe Malazezve dhe thotë se qeveria e tij ka marrë telegrame brengosëse. Edhe Mehmed Ali Pasha në mbledhjen e dymbëdhjetë, do të kërkojë që viset shqiptare Plava, Gucia dhe Tivari të mos shkëputën nga etnia e tyre dhe këtë e konsideron të padrejtë dhe shton se a nuk do të ishte më mirë të parandalohet që popujt e racave dhe të kulturave të ndryshme të vendosen pa ndonjë domosdoshmëri të madhe nën pushtetin e një race të jashtme? Për këtë arsye, ai kërkon që gjatë zmadhimit të territorit aktual shtetëror të Malit të Zi, këtij vendi t’i jepen vetëm territore, banorët e të cilave janë të së njëjtës racë, e kryesisht edhe të të njëjtit religjion si Malazeztë dhe jo territoret shqiptare. Sipas tij, do të ishte më e drejtë që nga ana e Shqipërisë Malit të Zi t’i jepen Kuçi, Drekaloviqi dhe rrjedha e Moraçës, deri te liqeni i Shkodrës, ndërsa në Turqi të mbeten qarqet shqiptare të Plavës dhe Gucisë, si dhe qyteti i Podgoricës, me një rajon të mjaftueshëm për mbrojtje. Me të njëjtat argumente kërkon që qyteti i Tivarit të mos ndahet nga Shqipëria. Tone të ngjashme kishte edhe paraqitja i Karateodori Pashës në mbledhjen e trembëdhjetë kur do të përkujtojë të pranishmit se Epiri dhe Thesalia nuk janë të banuar vetëm me popullatë greke, siç thoshin përfaqësuesi grek, ata rus dhe francez, por ka edhe të tjerë që kundër-shtojnë kalimin në shtetin grek dhe me këtë rast zë në gojë peticionet 15, 19 dhe 23, të dërguara nga popullata e këtyre viseve që tashmë gjenden në tryezën e bisedimeve, peticione këto që në regjistrin e letrave që i janë drejtuar Kongresit cilësohen si protesta të Shqiptarëve kundër copëtimit të trojeve të tyre.
Por edhe përkundër kësaj, se përmendet etnia shqiptare, por në të Shqiptarët përmenden si milleti-osman, historiani gjerman Petër Bartle konstaton se „Shqiptarët, jo vetëm që nuk u thirrën në Kongresin e Berlinit, ku vendosej edhe për fatet e tyre, por ata nuk patën as ndonjë mbrojtës të tyre, i cili sadopak do të fliste për ta“, që do të thotë se përfaqësuesit e Portës në Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare që hapësira e tyre sa më pak t´u jepej të tjerëve, dhe këtë e bënin duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si tërësi etnike, por assesi që asaj nga aty t´i paracaktohej çfarëdo statusi autonom. .
Kongresi i Berlinit i filloi punimet zyrtarisht më 13 qershor 1878 dhe zgjati deri më 13 korrik të po këtij viti. Ai pati 20 seanca dhe gjatë tërë kohës punimet i mbajti në ndërtesën e Raihskancelarit në Vilhelmstrase. Nën udhëheqjen e Bizmarkut, në tryezën e bisedimeve u ulën: delegacioni i Anglisë, i prirë nga lordi Solsberi, delegacioni i Rusisë, i kryesuar nga Shuvalovi dhe Goroshkovi, i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga Sadullah Bej dhe Mehmed Ali Pasha (Maxharr Pasha), i Austro-Hungarisë, i kryesuar nga Andrashi, si dhe delegacioni i Francës dhe ai i Italisë. Në Kongres morën pjesë gjithashtu edhe shumë përfaqësues të shtypit të kohës, vëzhgues dhe politikanë nga Gjermania dhe vendet fqinje. Për opinionin dhe për të pranishmit, me një interes të veçantë ishte pjesë-marrja e personaliteteve të larta, si e Goroshkovit, kryeministër rus, pastaj pjesëmarrja e kryeministrit të Anglisë Baconsfield, prezenca e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Velington. Nga përbërja e delegacioneve dhe e paraqitjes së tyre mund të shihej fare lehtë se këto ë që gjendeshin para një konflikti të armatosur (Anglia dhe Rusia), në Berlin kishin ardhur për të demonstruar edhe forcën politike dhe atë diplomatike. Ishte pra, më se e dukshme që përkundër bisedimeve paraprake, të cilat u zhvilluan gjatë dy muajve të fundit (në prill dhe në maj), megjithatë arena kryesore historike do të jetë në Berlin.
Sipas protokolleve origjinale të Kongresit të Berlinit, që në fillim të seancës së dytë pati njëfarë fërkime midis Anglisë dhe Rusisë. Kryeministri britanik, në gjuhën angleze protestoi kundër pranisë së flotës ruse në afërsi të Kostandinopojës, ndërsa kryeministri rus Goroshkov tha se pikërisht prania angleze në atë pjesë të detit ka bërë që edhe Rusët të mos tërhiqen.
Bizmarku, si udhëheqës i Kongresit, kërkoi që këto akuza të ndërpriten dhe të mos përqendrohet vëmendja tek ekseset që mund ta çrregullonin punën e paraparë. Ai, bile, edhe pse ato ditë u bë një atentat kundër mbretit Vilhelmi i Parë, nuk deshi që tubimi të shpërqendrohej nga ajo ngjarje.
Punimet e Kongresit nuk ishte e mundur të kishin rrjedhë fare të qetë, meqë fjala ishte për çështje të mëdha dhe tejet të rëndësishme, të parat të një natyre të tillë. Shqetësimet dhe kacafytjet qenë më të ndjeshme midis seancës së katërt dhe të gjashtë, sepse zhvillohej një betejë e madhe për largimin e ndikimit, por edhe të pranisë së drejtpërdrejtë të Rusisë nga Ballkani, edhe pse gjatë bisedimeve paraprake dukej se rreth saj ishte arritur një pajtim parimor edhe nga rivalët më të fortë, Anglia dhe Rusia. Kështu, në seancën e pestë dhe të gjashtë u pranua propozimi i Austro-Hungarisë që Rusia brenda gjashtë muajsh të largohej nga Rumelia Lindore, brenda nëntë muajsh të largohej edhe nga Bullgaria, e cila u nda në dy pjesë. Rusia duhej të largohej edhe nga Rumunia brenda dymbëdhjetë muajsh. Në seancën e tetë u bisedua për njërën ndër pikat më të ndjeshme të Kongresit – për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Me propozimin e Anglisë, Kongresi do të duhej t´i hapte rrugë Austro-Hungarisë për në këtë krahinë. Andrashi kishte luajtur një rol të madh në këtë drejtim, me ç’rast në saje të shkathtësisë së tij që para fillimit të Kongresit kjo çështje kishte filluar të zgjidhej në dobi të Vjenës.
Në seancën e tetë u hoq përfundimisht nga rendi i ditës çështja e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa për Serbinë u vendos të bëhej shtet i pavarur. Me këtë rast u tha se ajo duhet të respektonte kombet e tjera brenda kufijve të saj, bashkë me përkatësitë fetare dhe identitetin etnik. Po ashtu, në këtë seancë që u mbajt më 26 qershor, Serbia, me insistimin e përfaqësuesit të Perandorisë Osmane, Mehmed Ali Pasha dhe të Andrashit, mori për obligim se do të ketë qëndrim të drejtë ndaj popullatës joserbe në pjesët jugore që iu dhanë, me çka zotohej se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që popullatën e këtyre vendeve ta detyronte të braktiste trojet e veta. Kryeministri i Serbisë Ristiq, në emër të princit Milan, lexoi një deklaratë, me të cilën ky vend merr përsipër mbrojtjen e të gjitha të drejtave të popullatës joserbe që do të përfshihej në hapësirën e shtetit serb, që nga ushtrimi i lirë i religjionit e deri te mbrojtja e pronës. Sipas pikës 36, Serbia zgjerohej me Kurshumlinë dhe me një pjesë të krahinës së Vranjës, bashkë me qytetin e Vranjës.
Në seancën e trembëdhjetë, që u mbajt më pesë korrik, për herë të parë u bë fjalë për çështjen e autonomisë lokale për popullatën katolike të Mirditës. Ky propozim doli nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë dhe ai i Francës, që u arsyetua si „çështje e imunitetit të privilegjeve që malësorët mirditas kanë gëzuar gjatë gjithë kohës, e cila në të ardhmen duhet të garantohet“.
Rreth këtij propozimi reagoi Memed Ali Pasha, i cili theksoi se nuk mund të flitet për kurrfarë privilegje, sepse kjo do të kishte pasoja zingjirore, por që Porta, në kuadër të reformave zotohet se do të ketë parasysh edhe rastet e veçanta. Pas një shkëmbimi mendimesh me përfaqësuesin e Anglisë dhe atë të Francës, Sadullah Bej, do të propozojë një zgjidhje kompromisi sipas të cilës Porta nuk do të ndryshojë statusin e Mirditës, që do të thotë se atyre edhe më tutje u mbesin ato që u quajtën „privilegje“ me çka si duket u plotësua ai që në parakushte u quajt koncesion evropian ndaj Rusisë dhe Sllavëve të Jugut se në kongres nuk do të bisedohet për kurrfarë autonomie tjetër, pos asaj të Bullgarisë, me arsyetimin se çfarëdo kërkesash të ngjashme, që do të paraqiten, duhet të barten në kuadër të zotimeve të Perandorisë Osmane për reformat e brendshme, që ajo mori në Kongres.
Përkundër trajtimit si objekt kusuritjesh, përmendja e kazave shqiptare, e qyteteve që po ashtu quhen shqiptare (si Ulqini, Tivari, por edhe Prokupja, Kurshumlia) si dhe futja e tyre në protokolle me këtë trajtim dhe emërtim, tregon për pranimin e etnisë shqiptare si faktor të gjallë dhe të pakapërcyeshëm, dhe kjo për historinë ka rëndësi, me çka bie poshtë çfarëdo aludimi rreth përkufizimit të tyre gjoja si „kuptim gjeografik“, me të cilin është spekuluar shumë nga ana e historiografisë serbe. Madje, etnia shqiptare si e lidhur, gjeti vend edhe në të gjitha hartat që Kongresi mori në shqyrtim për t´u pasqyruar si e tillë edhe në atë përfundimtaren, ku mbi shtrirjen e katër vilajeteve u shënua Albanien.
Megjithatë, nga moria e materialeve të ndryshme që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe arkivat e tjerë, si në atë të Berlinit, Ahenit dhe të Koblencit, mund të thuhet se Shqiptarët dhe çështja e tyre, nëse në tryezën e bisedimeve të Kongresit u trajtuan ashtu si u trajtuan, pra si etni me tretmanin e milleti-osman, jashtë Kongresit, ishin të pranishëm në faqet e shtypit gjerman, i cili u kushtoi një vëmendje të duhur, jo vetëm nga pikëpamja informative, por edhe e trajtimit analitik dhe politik të gjithë problematikës së tyre, që u intensifikua para, gjatë dhe mbas mbajtjes së Kongresit për të vazhduar edhe më vonë deri tek shpallja e pavarësisë kombëtare. Ky qëndrim i shtypit gjerman ndaj çështjes shqiptare në një çast aq të rëndësishëm, ishte edhe për t´u pritur nëse kihet parasysh se në fokusin e vrojtimit gjerman Shqiptarët do të futen që moti, qysh në shekullin e dymbëdhjetë e tutje, për të vazhduar edhe më vonë me shtrirjen e tyre në fushën e kulturës dhe të hulumtimeve të shumta që nga historia, etnografia dhe veçmas gjuhësia, ku kjo e fundit, në saje të interesimit të madh të misionarëve gjermanë që kaluan nëpër Ballkan, por edhe të konsujve dhe kronistëve të ndryshëm, që nga mesjeta e hershme e tutje, gjeti një vend të rëndësishëm, me ç´rast disa nga shkencëtarët e rëndësishëm të këtij populli, me studimet e tyre të çmueshme, do t´ia dalin që popullit shqiptar t´ia përcaktojnë vendin e vet në kuadër të qytetërimit antik, si pasardhës të ilirëve, ndërsa gjuhën shqipe ta quajnë bijë e ilirishtes. Mjafton këtu të përmenden disa nga emrat e studiuesve dhe hulumtuesve gjermanë që popullit shqiptar i kanë dhënë shumë, që nga kalorësi Arnold von Harf, Ksylanderi, Hahni, Lamberci e deri te Gustav Majeri, i cili në kohën e mbajtjes së Kongresit të Berlinit nxori „Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe“, që paraqet një monument të madh të gjuhësisë shqiptare. Kështu, një populli thuajse të harruar dhe që politikisht dëshirohej të shihej, por edhe të mbahej sa më larg hapësirës së civilizimit evropian – pa ngurruar që nga disa vende sllave dhe ortodokse, si Serbia, Rusia, po edhe Greqia, të anatemohej edhe si rrënues i saj dhe shpifje të tjera, në mënyrë që t´u pamundësohej themelimi i shtetit në përputhje me shtrirjen etnike, që shfaqej ndër me kompaktet në gjithë hapësirën Evropiane që mbante Perandoria Osmane – iu bë pra nga ky shtyp një nder dhe një shërbim i madh.
Shikuar në tërësi, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ia doli të zhvlerësonte Traktatin e Shën Stefanit që u imponua nga fitorja e tetë me radhë e Rusisë ndaj Turqisë dhe me këtë të pengonte një luftë të mundshme midis Anglisë dhe Rusisë, siç do t´ia zgjasë edhe për pak kohë jetën Perandorisë Osmane në Ballkan, por me këtë nuk do të sigurohet as paqja e as stabiliteti i qëndrueshëm, siç thuhej në disa nga kryeqendrat Evropiane. Përkundrazi, me faktin që në këtë Kongres Austro-Hungaria do të vërë dorë mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, me arsyetimin se do të mund të parandalohej të rrënohej ajo që merrej si baraspeshë midis fuqive të mëdha rivale të kontinentit të vjetër, do t´ua hapë rrugën gjithë atyre zhvillimeve pak a shumë do t´i ndikojnë ngjarjet që do të çojnë te krizat tjera edhe më të thella të cilat do t´u paraprijnë luftërave ballkanike dhe asaj botërores. Kështu, Ballkani dhe hapësira e tij do të kthehet në një poligon të paqëndrueshëm jo vetëm politik, por edhe strategjik në përgjegjësi, ku do të përvijohen interesat e ndryshme të fuqive të mëdha.
(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit 1878”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.) / KultPlus.com
Historiani Jusuf Buxhovi ka bërë kritika të forta ndaj akademikëve shqiptarë duke thënë se kërkimet shkencore të Shqipërisë nuk janë në asnjë vend të botës.
Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, ai tha se shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej.
“Po shoh se gjithë puna shkencore dhe akademike në Shqipëri po kërkon që të reformohet, pra në njëfarë mënyre të kthehet aty ku ishte para disa viteve. Për mua nuk ka rëndësi forma, por ka rëndësi përmbajtja. Institucioni shkencor këto 20 vjetët e fundit, nuk ka qenë në përputhje me kërkesat që i ka imponuar tranzicioni i dy shteteve tona. Ne jemi pas në shumë pikëpamje. Shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej. Ne nuk jemi të pranishëm në institutet amerikane, Në bibliotekat amerikane mungojnë tekstet elementare të Shqipërisë”- tha ai. / KultPlus.com
Jusuf Buxhovi: “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, roman. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2011.
Nga Ramadan Musliu
Periudha e fundit e zhvillimeve letrare shquhet për prirjet e fuqishme transformuese, me theks të veçantë në zhanrin e romanit. Ky transformim i brendshëm i zhanrit, që ndodh për shkak të ndryshimeve thelbësore socio- historike dhe socio – kulturore, gjen shfaqjen më të plotë në procesin e konkretizimit të rrëfimit e që, thënë më ndryshe, vjen si pasojë e pranisë së jetës në rrëfim, profilizimit të karaktereve të personazheve dhe përgjithësisht mbizotërimit të empirisë të të gjitha llojeve, duke filluar nga kjo e jetës së përditshme e deri te empiria historike dhe etnopsikologjike të njeriut tonë. Në këtë proces të transformimit shpesh e më shpesh ndodh që autorët t’i kthehen dokumentaritetit, por jo edhe përfoljes së tij, por duke e funksionalizuar atë, duke e shndërruar në një apokrif artistik.
Hapja e rrëfimit në të njejtën kohë ka mundësuar që të behën përkime përvojash edhe me artet e tjera. Kur është fjala për romanin mund të themi lirisht se hetohet një kthim i dukshëm nga absorbimi i teknikave të filmit, qoftë përmes përdorimit të teknikës së copëzimit të rrëfimit apo edhe të montazhit, ku sprovohet aftësia e shkrimitarit për manipulimin me kohën e rrëfimit dhe hapjen ndaj perspektivave dhe aspekteve narrative. Kjo ka bërë që amplituda e romanit të sotëm të jetë tejet e gjerë, duke filluar nga kufinjtë ekstremë, përpjekja për trivializimin e formave të zhanrit, çfarë do të ishte tipi i romanit – paskuinë, pastaj romanit – pamflet, për të pasë një shtrirje nga hapësirat e reja të prozës romanore , siç ndodh me veprat romanore t ë Ramadan Hazirit, Ardian Haxhajt, Gëzim Aliut, Anton Ndrecajt, Drenushe Zajmit, e sidomos romanit më të ri të Jusuf Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës.
Teksti dhe konteksti
Romani më i ri i Jusuf Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” është një rrëfim që tematizon empirinë e realitetit aktual. Mirëpo nuk është vetëm aktualiteti i temës dhe rrethi i referencialitetit vlera dominante e tij ngase kemi të bëjmë me një rrëfim kompleks, me një roman që dallohet edhe për strukturën e veçantë kompozicionale, me teknikat narrative që ndryshojnë edhe nga proza e tij e përparshme, sikundër edhe nga trendet aktuale në zhanrin e romanit. Pra në spikamë është teknika e rrëfimit, që kur bashkëdyzohet me peshën e temës dhe aktualitetin e referencave e fuqizon këtë vepër brenda zhanrit të vet.
Objekt i tematizimit të romanit është jetëshkrimi i një sportisti, Bashkim Kosovës, një boksier me një karrierë brilante kombëtare dhe ndërkomëbtare. Jeta e boksierit, që nga fëmijëria, vrasja e prindërve nga sherbimet sekrete serbe, odieseada e tij që nga jeta në jetimore, kthimi ne vendilindje, formimi prej sportisti dhe ndërtimi i një kariere brilante, pengesave të shumta nga politika serbe, angazhimi i tij në jetën gazetareske e politike, burgosja dhe në fund, vrasja – përbën boshtin syzheik të romanit. Bashkë me zhvillimin e veprimit autori është përkujdesur në ndërtimin e një konteksti më të gjere politik, social, etik, kulturor e sportiv që e karakterizon një periudhë brenda të cilit vepron kryeprotagonisti.
Nga konteksti politik lexuesit do të kuptojnë se fjala është për një personazh që përfaqëson brezin e tretë të një familjeje të përndjekur nga strukturat e pushtetit serb, siç ka vepruar edhe me të gjitha familjet e mëdha në Kosovë. Duke e kontekstualizuar personazhin brenda një ambienti socio-politik ai jep një tabllo të gjerë të zhvillimeve politike sa rrëfimit pothuajse i jepen atributet e romanit politik. Jusuf Buxhovi, për dallim nga shumë autorë të tjerë që merren më këtë tematikë, rindërton vetëm një kontekst politik, duke mos kaluar në rrafshet e alegorizimit apo edhe të ironizimit të njërëzve konkretë nga jeta e përditshme dhe nga empiria e përditshme, duke i dhënë romanin rolin e një instrumenti për qërim të llogarive më një kohë dhe akterët e asaj kohe dhe gjithnjë të vështruar nga një prizm personalizues. Në romanin “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” kemi vetëm një kontekstualizim të përsonazhit brenda një rrafshi politik aktual, duke e lënë atë të veprojë dhe të zhvillohet sipas ligjësive të rrëfimit romanor dhe të botës së fiksionit, çfarë është e domosdoshme për atë që nuk do ta bëjë veprën e vet artistike pamflet politik.
Shenjat e realitetit
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” përbëhet nga tri pjese dhe “Shtojca”, si pjesë përmbyllëse e rrëfimit. Që të tri pjesët dallohen për formën e diskursit. Pjesa e parë e romanit, që duket si një ekspozicion, është një rrëfim nga perspektiva e narratorit të gjithëdijshëm, ku bëhet “prezentimi” i shenjave të biografisë. Nga kjo pjësë mësojmë jetëshkrimin e kryeprotagonistit Bashkim Kosova, ku ai na del se është trashëgimtar i një familjeje me tradita feudale, e cila është nën një presion të vazhdueshëm nga okupatori serb. Babai i kryeprotagonistit të romanit, Naim Kosova, një përfaqësues i një familjeje me traditë nga Prishtina, si pilot – kapter i armatës jugosllave, vritet nga shërbimet e caktuara sekrete serbe. Po të njejtën ditë në një aksident trafiku i vritet edhe e ëma, Marija Paleviq, e bija e një avokati kroat me origjine arbereshe nga Zara dhe motra e gjeneralit Josip Paleviq. Pas vrasjes së prindëve Bashkimi mbetet, së pari nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore më nje status special të të birit të ish ushtarakut, që pastaj të mbetet nën përkujdesjen e familiarëve të tij në Prishtinë. Gjatë shkollimit të hershëm ai zbulon talentin e tij për sport dhe duke iu përkushtuar boksit arrin të ndërtojë një karierë të suksesshme prej sportisti me renome botërore. Duke qenë fitues i shumë medaleve, që nga e arta e lojërave olimpike, të argjendëtes si nënkampion botëror, ai bëhet idhull i rinisë kosovare dhe shenjë e identitetit të një lëvizjeje që shpie nga ideja mbi “bashkimin nacional”, që buron edhe nga emri dhe mbiemti i tij. Si tillë ai behët objekt i persekucionit të pashembulltë të të gjitha strukturave etatiste serbe.
Pjesa e dytë e romanit është kryesisht një tekst i karakterit dokumentar. Në të janë përfshirë pjesë nga “reportazhet”, “fejtonet” dhe “artikujt”, të shpeshtën denigrues nga shtypi serb (gazetat “Politika”, “Veçernje novosi”, “NIN”, “Politika ekspres”, “Jedinstvo” etj) dhe ato favorizuese të gazetës së përditshme “Rilindja” të Prishtinës. Shkrimet e gazetës “Rilindja” janë dëshmi e zhvillimeve jo vetëm sportive, por edhe kulturore, intelektuale dhe politike në Kosovë gjatë periudhës së viteve të ‘80 – ta, që shpiejne deri në krijimin e një lëvizjeje gjithëpopullore për Kosovën shtet, çfarë ishte ajo e prirë nga LDK në vitin 1989, jashtë koncepteve ideologjike marksiste – staliniste.
Krahas një përfytyrimi pozitiv që krijohet nga dokumentariteti i “dëshmive” shqip të gazetës “Rilindja”, autori përmes teksteve që janë nga burimësia e medieve beogradase, arrinë të plotësojë “dosjen e urrejtjes”, e cila asocionon traditën e gjatë të makinerisë propagandistike serbe, e filluar nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, me “Naçertanien” e Garashaninit, e plotësuar me shumë projekte gjenocidale (V.Gjorgjeviq, Moleviq, Andriq, Çubrilloviq, marreveshja serbo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi), Memorandumi i ASHA-s, etj. do të shpie deri te gjenocidi i fundiviteve të nëntëdhjeta në Kosovë.
Autori me shumë sukses pajton dokumentaritetin me fiksionin, duke arritur që më një forcë artistike të krijojë iluzionin e fuqishëm artistik të dokumentit.
Ndërkaq pjesë e tretë e romanit është një rrëfim në vetën e parë, ku kryeprotagonisti “pasqyron” jetëshkrimin e jashtëm dhe të brendshëm të vetin, duke ndriçuar shumë moment intime, elemente që lidhen më botën e tij subjektive, raportet familiare, etj. dhe ku del në pah një proces i tërë i zhvillimeve psiko-sociale, filozofike e që tangjentojnë me proceset e jashtme, si ato sociale, morale, por edhe me zhvillimet politike, ngase vetë Bashkim Kosova është një nga akterët e rëndësishëm të skenës politike kosovare, duke qenë edhe njëri nga themeluesit të LDK-së.
Kjo pjesë është tepër e rëndësishme ngase rrëfimit ia siguron atë bazën subjektive dhe aspektin e brendshëm të karakterit, pa të cilin personazhi do të mbetej në suaza të një deskriptivizmi repertoresk.
Ndërkaq “Shtojca”, përfshin intervistat me hallën e kryeprotagonistit, Shpresa Berisha – Kosova, dajes së tij, gjeneralit Josip Paleviq, të njohurve të tij, Luan Hoti, Bekim Krasniqi. Kjo pjesë vjen si një epilog i gjithe rrëfimit, sepse krahas përmbylljes së linjës narrative, ajo njëherit ka funksionin e zbërthimit të enigmes përfundimtare, e cila bartet në gjithë rrëfimin: cili është mesazhi i një zarfi që Bashkim Kosova e ka marre nga daja Josip Paleviq.
Ideografia e veprës
Rrefimi romanor, sikundër mund të shihet, ka tri tipe të tekstit që shkrihen njëra në tjetrën, duke krijuar një mozaik narrativ funksional që për shumëçka i falet teknikave të filmit. Te themi se situata iniciale e rrëfimit është dhënë në Prolog, e fillon rrëfimin me vdekjen e kryeprotagonistit. Kjo situatë fillestare e rrëfimit jepet më një të folur pothuajse repertoresk dhe nga kjo drejpërdrejtshmëri kuptojmë se autori, analogjikisht me romanet e tipit kriminalistik, do të merret me rikonstruktimin jo vetëm të një krimi, por do të bëjë retrospekcion në jetën e Bashkim Kosovës. Pra autori veprimin e vendos në një kohë reale dhe më te gjitha shenjat të identifikueshme të realitetit: “Ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, Bashkim Kosova, kampion i gjashtëfishtë i Kosovës në boks, i kategorisë gjysëm të rëndë, kampion i katërfishtë i Jugosllavisë se dikurshme të të njejtës kategori, kampion i pesëfishtë i Jugosllavisë me klubin “Prishtina”, pastaj kampion i Ballkanit, kampion europian, fitues i medales së artë në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Angjelos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhë së fundi edhe nënkampion botëror në Kampionatin e Boksit Amator në Toronto, në vitin 1986, do të vdesë nga plagët e marra sa po të arrijë në Qendrën e Emergjencës të Spitalit të Prishtinës.”
Pse ky krim mu në ditën që duhej të ishte solemniteti i mileniumit? Këtu zë fill rikonstruktimi i historisë së re dhe riinterpretimi i procesve politike të disa dekadave të fundit. Bashkim Kosova është më shumë se një personazh i zakonshëm i një rrëfimi që merret me tematizimin e aktualitetit, sepse ai është edhe sportist, edhe eksponent i një familjeje feudale shqiptare, e cila ose duhej të zhduket nga okupuesi serb, ose duhej të shpërngulej për në Turqi, si u tjetërsuan edhe shumë familje të tjera kombëtarisht ose duhej të “integrohej” në sistemin institucional serb me një kujtesë të fshirë nacionale. Kjo nuk ndodh me këtë familje për të vetmen arsye se gjeni i fuqishëm etnik del i patjetërsueshëm nëpër shekuj. Autori prej një mjeshtri me përovojë në interpretimin e historisë kalon nga plani individual, mbase edhe duke e margjinalizuar funksionin e personazhit letrar, sepse ai mbetet në nivelin e ilustrimit të një teze historiko-politike, e kalon rrëfimin në planin familiar e nga plani familiar në atë nacional. Po të njejtën gjë e bën edhe në planin kohor, duke e kthyer aktualitetin në kahen reverse, për të arritur deri në histori dhe parahistori. Duke i shkrirë këto aspekte dhe duke i vënë në një plan historik J. Buxhovi bën një retrospekcion historiko – politik të etnosit iliro-dardano-shqiptar në Kosovë. Ai nisët nga dosja personale e kryepersonazhet, e vë ate në planin familiar dhe nga ai familiar në atë etnik. Edhë më kohën ndodh kështu, sepse aktualiteti, që është pothuajse dominues, edhe për shkak se është rezultantë e një zhvillimi historik, shfaq të gjitha përversitetet dhe gjendja mentale që e pasqyron edhe një energji të grumbulluar shekullore, për të mbërri deri te dosja e hapur “Kosova” , që fillon në Dardaninë antike, për të arritur në kohën tonë dhe që ilustrohet qoftë përmes atentatit ndaj simbiolit të shtëtësisë së Kosovës, qoftë edhe përmes “zarfit të zbrazët”, të cilin gjenerali i KOS-it, Josip Paleviq ia jep Bashkim Kosovës për t’ia dorëzuar njeriut të parë të shtetit të Kosovës. Pikërisht zarfi bosh, që në planin narrativ del si një mjet katalize të ngadalësim-shpejtim të veprimit romanor, është edhe kumulacioni i pritjes së recepientit dhe çelësi për konstatimin e një gjendjeje politike që buron drejtpërdrejtë nga dosja “Kosova”. Sistemi i shenjave të lidhura mes veti krijon ideogramin, domethënë pasqyrën e një gjendjeje në sinkroni dhe diakroni të entiteti nacional në një kohë-hapësirë të caktuar.
Perspektivat narrative
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” për trajtën narrative, skeletin kompozicional, mënyrën e ndërtimit të syzheut dhe shumë aspekte të tjera paraqet një vepër që ofron një lëndë të bollshme për diskutim. Romani fillon, siç kemi thënë, me prolog, ku jepet situata iniciale narrativë, për të vazhduar më tri pjësët romanit, ku se cila ka një qasje ndryshe problemit, ka natyrë tjetër proceduale, por qe të gjitha shkrihen në një vijë fabulativë. Po kaq edhe “Shtojca”, që është një fragmentim i romanit, që del jashtë koceptimit të zakonshëm të formës së rrëfimit të këtij zhanri, sepse përbëhet nga intervista si zhaner letraro-puliciatik, vetëm sa e plotëson idenë e autorit për një procedim ndryshe dhe për një formë të personalizuar të rrëfimit romanor. Cila është kjo formë, ta quajmë kushtimisht e individualizuar apo edhe e personalizuar e rrëfimit romanor dhe cilat jane efektet artistike?
Autori në stilin e një njohësi jashtëzakonisht të mirë të teknikave të kompozicionit filmik, do të bëjë copëzimin e rrëfimit, ku në të njejtën kohë do të participojnë perspektivat e ndryshme të narracionit, që nga retrospekcioni, i cili paralajmërohet në “Prolog” e deri te rrëfimi nga pozita e naratorit të gjithdijshëm të pjesës së parë, rrëfimit të karakterit dokumentar në pjesën e dytë, deri te introspekcioni, në pjesën ë e tretë. Sikundër mund të shihet në roman ka disa tipe tekstesh, perspektivash narrative, pozicionesh të ndryshme të narratorit, sikundër edhe tipe të ndryshme të dikursit narrativ.
Secila nga këto perspektiva të rrëfimit ka edhe funksionin e veta artistik. Pjesa e parë e romanit, ku autori i bën një ekspozicion të gjerë kontekstit brenda të cilit lind, zhvillohet dhe vepron kryepersonazhi Bashkim Kosova, është një vështrim neutral, të folurit përmes faktografisë biografike, ku gërshetohen kohë, përvoja dhe ku jepen indiciet për zhvillimin e mëvonshëm të syzheut, qoftë përmes tekstit kryesor apo atij ekspikativ. Në këtë pjesë dëgjohet zëri i rrëfimtari të gjithëdijshëshëm apo “zotit të rrëfimit”, të cilit i falet e gjithe fabula romanore. Edhe kjo pjesë është mjaft e copëzuar dhe funksioni i fragmentit del më shumë si një paralajmërim i asaj që do të ndodhë në sinkronicitetin rrëfimor.
Pjesa e dytë e romanit është një rrëfim që ndërtohet në vijën dokumentare dhe, siç kemi thënë diku më herët, ka funksion në krijimin e iluzionit artistik të realitetit. Këtu pasqyrohen efektet e apokrifit artistik dhe efekti që del nga letrarizimi i dokumentit. Në këtë pjesë kemi një vështrim nga jashtë edhe të personazhit edhe të problemeve të tjera që shtrohen në rrëfim. Në planin e ideve në këtë segment narrativ kemi krijimin e idesë mbi formimin e “Dosjes së urrejtjes , e cila fillon më kryepersonazhin për t’u shtrirë pastaj në gjithë kolektivitetin dhe për të përfunduar me gjenocidin e pashembulltë mbi kolektivitetin të cilit i përket Bashkim Kosova. Në këtë pjesë autori me të madhe mbështetet në empirine reale, në dokumentet konkrete, në fakte dhe të dhëna e që të gjitha këto krijojnë pasqyrën mentale të një kohe në të gjitha planet. Me zhvillimin e rrëfimit del se kjo “Dosje e urrejtjes” është vetëm një pasqyrim i një momenti historik të një dosjeje që e përcjell popullatën vendore të kësaj pjese të Dardanisë që nga antikiteti, ku shqiptarët të shumtën e herave janë vetem një element manipulues në duart e uzurpuesve të këtyre teritoreve gjatë historisë.
Pjesa e tretë e romanit është një pasqyrë e të rrëfyerit të autorit, ku jepen nyjet jetësore nga jetëshkrimi i tij, duke prekur situata ekzistenciale, morale, psikologjike po edhe të politikës, sportit dhe të aktiviteteve të tjera të kryeprotagonistit. Në këtë shtegëtim introspektiv autori personazhin e vet e vë në sprova të ndryshme, duke përkuar me momntet kyçe të një realiteti konkret. Mbase kjo është pjesa më pikante e (auto)biografisë së kryeprotagonistit si në planin intim, privat, familiar, social, etj. Këtu kemi një vështrim nga brenda të problemeve që shtrohen dhe këtu është ai diskursi vetëkritik ndaj një realieti.
Ndërkaq në “Shtojcë” kemi një si prolog, një përmbyllje të rrëfimit ku autori i kthehet prapë formës dokumentare të rrëfimit, sepse intervista dhe zhanri (kuazi)letrar-publicistik është procedimi dominues.
Brenda këtyre tipeve të rrëfimit kemi edhe forma të tjera të diskursit, ku më dominuesi është ai i valorizimit dhe rivlerësimit të historisë, por edhe të aktualitetit. Autori në vend së të përdorë korrektivin imagjinativ, ai me të madhe vë në përdorim aspektin aksiologjik, që është i domosdoshëm kur është në pyetje tematizimi i empirisë historike, aktualitetit politik dhe përgjithësisht i dukurive dominuese në një shoqëri e që lidhet me perspektivën e saj.
Horizonti receptiv
Gjatë leximit të këtij romanit nuk mund të mos imponohet pyetja: ku është kufiri mes dokumentit dhe tekstit artistik, faktografisë dhe fiksionit? Mirëpo vetë natyra e letërsisë është e tillë se mundëson absorbimin e të gjitha përvojave, madje duke e transformuar çfarëdo qoftë ai dokumentaritet në faktoigrafi të pastër artistike. Romani i takon botës së fiksionit,kurse dokumenti botës së faktografisë historike. Dallimi mes tyre qëndron në faktin se i pari është në dispozicion të përhershëm të lexuesit, kurse i dyti pronë e kohëpaskohshme e specialistëve të caktuar që merren më kohën kur u përket dokumenti.
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” tematizon një empiri historike që përmbylet me ngjarjet aktuale të periudhës së fundit historike. Bashkë me aspektin fabulativ shkon edhe shtresimi askeptues i tekstit, në të cilin autori merret me rivlerësimin e historisë dhe pasojave në aktualitetin politik. Duke u marrë me këtë aktualitet autori konstaton gjendjet reale: riaktualizimin e “Dosjes Kosova”, referencat që dalin nga “zarfi i zbrazët”, që është një përpjekje për ta vetëdijësuar lexuesin për joperspekvizmin politik, për rigjallërimin e akterëve të “Dosjes Kosova”, për një proces politik që ka derivuar të gjitha këto perversitete që mbyllin çdo perspektivë.
Një rrëfim që bën heqjen e tabuve të çdarëdo natyre qofshin, pos efektit artistik që ka, ai njëherit mundëson edhe një katarsis moral të vetë lexuesit. Por ka pasë dhe do të ketë lexues që do të mund të identifikohen më ngjarje dhe procese, si në kuptimin pozitiv po aq edhe në atë negativ, sa reagimet e tyre do të na kujtojnë se në shoqërinë e sotme është mjaft veprues koncepti dhe praktikat e një lloji të revolucionit kulturor kinez në formën autoktone tonën. Po aq keqinterpretimi i të gjithë atyre që e gjejnë veten në këtë rrëfim na bëjnë më dije se ky roman ka qenë i domososhëm të shkruhet, së paku për ta bërë autopsinë e një politike shterpe, ku njeriu ndjehet viktimë e mekanizmave iracionalë si në romanet e Kafkës, për dallim se këtu nuk ka shtet e ka viktima.
Në fund te them se letërsia shpesh ka nevojë edhe për vepra që do të mundësojnë një katarsis moral para se atë estetik. Këtë funksion romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” i Jusuf Buxhovit e kryen më te madhe, duke e renditur autoriun tek ai grup i paktë, mbase edhe ineksistent, në kulturën tonë, që bëjnë detabuzimin e politikës dhe shoqërisë dhe që me reagimet e veta intelektuale dhe artistike krijojnë mundësinë të jenë në paqe me ndërgjegjen vet.
Historiani, publicisti, shkrimtari Jusuf Buxhovi ka kujtuar profesor Fehmi Aganin në përvjetorin e vrasjes së tij, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij.
NË NDERIM TË PROFESOR FEHMI AGANIT
me rastin e përvjetorit të vrasjes
Na bashkoi ideali për liri, demokraci dhe pavarësi, në rrethanat kur brezi ynë u ngarkua me përgjegjësinë historike, që lëvizja kombëtare të vendoset në binarët e pakthyeshëm të shtetndërtimit.
Vrasja e profesor Aganit ishte përpjekje të ndalet ky rrugëtim historik./ KultPlus.com
Drejtuesi i shtëpisë botuese amerikane “Jalifat Publishing”, Ramiz Tafilaj, kohë më parë pati një takimi me avokatin e njohur nga Anglia, Tobi Cadman, i specializuar për krimet e luftës dhe të drejtat e njeriut.
Me këtë rast, avokatit Cadman, i angazhuar në mbrojtjen e disa nga të akuzuarit nga Kosova në procesin gjyqësor në Hagë, tregoi interesim për librat “Kosova” në anglisht të historianit Jusuf Buxhovi. Me këtë rast, botuesi amerikan ia dhuroi librat avokatit.
Këtë informacion e ka ndarë sot me lexuesit e tij, historiani Jusuf Buxhovi. / KultPlus.com