Promovimi i “Kosovës” I-VIII në Shqipërisë: Vepër e rëndësishme që thyen status quon e historiografisë shqiptare

Sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u bë promovimi i veprës historiografike “Kosova” V-VIII të historianit Jusuf Buxhovi, përcjellë KultPlus.

Në këtë promovim morën pjesë akademikë të njohur shqiptarë, historianë dhe intelektual të shumtë, si Rektori i Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, akademikët Neritan Ceka dhe Nestor Thereska, historiani Hadan Bello, shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, etnografja Luljeta Dano, ambasadori Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi si dhe ish ambasadorët e Shqipërisë Islam Lauka, Mal Berisha dhe të tjerë nga radhët e shtypit dhe të qarqeve intelektuale të Tiranës.

Rreth veprës së Buxhovit folën, ambasadori Avni Spahiu, përkthyes i veprave në anglisht, veprën e cilësoi hap të rëndësishëm në demistifikimin e gënjeshtrave të historiografisë serbe.

Ndërsa rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, e quajti vepër të rëndësishme të historiografisë shqiptare, që ndriçon shumë çështje antike të Dardanisë si qendër e botës ilire.

Nikollë Camaj, foli rreth diapazonit historiografik të autorit në letërsi që asaj i kanë dhënë dimension antologjik. Rexhep Shahu foli rreth Buxhovit si publicist të kohës së kthesave historike. Në fund, akademik Neritan Ceka falënderoi në emër të nikoqirit. Theksoi se vepra e Buxhovit meriton vëmendje për çështjet e hapura si dhe guximin që të thyhen stereotipet ideologjike dhe ato që i ka vu historiografia serbe, që duhet të rishqyrtohen në përputhje me faktet.

Në fund, autori Buxhovi theksoi se ndjehet i nderuar që veprës së tij, më në fund , iu hapëm dyert në Akademitë e Shkencave të Shqipërisë, me të cilën, tha se ka dallime dhe kundërshtime për shumë çështje, por që ato duhet të çojnë te njohja e të vërtetës jashtë kornizave ideologjike të historiografisë hegjemoniste serbe.

Promovimi u udhëhoq me shumë sukses nga Ambasador Flamur Gashi, ish gazetar dhe ish ambasador i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. / KultPlus.com

Më 13 shtator në ASHSH promovohet vepra-kolanë e historianit Jusuf Buxhovi

Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing” në Huoston-Teksas, SHBA dhe Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë e “Gazeta e Alpeve”-(media PanShqiptare e NdërBallkanike), organizojnë me 13 shtator 2022, promovimin e veprës-kolanë të historianit Jusuf Buxhovi: “KOSOVA” (Vëllimi I-VIII, në shqip, 5.600 faqe) “KOSOVA” (Vëllimi I-III, në anglisht) dhe “KOSOVA: histori e shkurtër” (Botim i dytë, njëvëllimsh. 2021, me 912 faqe) , përcjell KultPlus.

Ngjarja fillon nga ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Nderojnë me praninë e tyre personalitete akademike, diplomatike, studiues, etj. nga Shqipëria, Amerika, Kosova, Kanadaja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Europa. / KultPlus.com

Buxhovi – midis Kamysë e Kadaresë

o Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”,nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit

Shkruan: Aleksandar ZOTO

Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.

Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.

Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.

Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.

Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.

Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.

Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.

Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.

Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë:figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.

Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.

Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.

Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë.Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta.Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.

Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?

Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.

Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.

Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.

Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar,sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?

Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.

Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.

Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.

Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik;ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllezërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.

Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.

Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit.Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.

Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë,përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.

Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vërtetojnë mjaftueshëm:ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. /KultPlus.com

Kallushi, Rugova dhe Xheva

-Një përkujtesë e shkurtër nga biseda e Ibrahim Rugovës me shkrimtarin Kapllan Kallushi gjatë pritjes në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në shtatorin e vitit 1990, me ç’rast Rugova i sugjeroi që 33 vitet e burgut në Jugosllavi dhe Shqipëri t’i shfrytëzojë për të pasqyruar dhunën e diktaturave komuniste në të dy anët si dhe bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy shteteve për ndjekjen e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe të patriotëve të tjerë antikomunistë dhe jo për ngritjen e akuzave ndaj shkrimtarëve, ngaqë amnestohen shkaktarët e vërtetë të tragjedisë personale dhe kolektive!

Nga Jusuf Buxhovi

Në njërën ndër ditët e nxehta të atij shtatori, në rrugë e sipër për të barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku kishim edhe qendrën e LDK-së, te kafe “Elida” ku rëndom pinim kafen e mëngjesit, Xhemail Mustafa dhe Ramadan Musliu, kishin zënë këndin me një mesoburrë. Sapo u afrova, Xhema me tha se ishte shkrimtari Kapllan Kallushi. Kishte ardhur për ta takuar Ibrahim Rugovën dhe, po ashtu, interesohej për një intervistë në gazetën “Rilindja”.

Takimi i papritur me Kallushin më gëzoi për dy arsye.

E para kishte të bënteme atë se Kallushin e kisha lexuar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta, kur interesimi për letërsinë ishte thuajse ushqim i përditshëm shpirtëror. Asokohe, në “Jetën e re”, novelat e Kallushit “Fanola” më kishte fascinuar. Bashkë me të tjerat (Trubadura) ma kishte krijuar përshtypjen e prozatorit më të mirë shqiptarë të kohës. Me tregimet dhe novelat e Demaçit, R. Kelmendit, A. Pashkut, R. Rexhepit, “Jeta e re” ishte kthyer në një mësonjëtore të letërsisë shqipe prej nga shkrimtarët e rinjë (T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramdani, Y. Shkreli e të tjerë), po krijonin modelet e tyre të brendshme, parakusht ky për ngritje letrare.

Arsyeja e dytë, kishte të bënte me atë se, pas gjithë asaj që dihej për ndjekjet dhe përndjekjet e gjata, vitet e burgjeve në Jugosllavi dhe në Shqipëri ( ndonëse në vitin 1965, romanit “Tradhtia”, nga Enver Hoxha në “Zërin e Popullit” ishte auajtur “vepër madhështore”, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte shpallë vepra më e mirë e vitit), rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1990 ia kishte hapur “dyert e lirisë”, të cilën ai në disa prononcime të shkëputura e quante “vazhdim i diktaturës në rrethanat e reja”, pra “një mashtrim, ku xhelatët e deridjeshëm vazhdojnë t’i ndëshkojnë viktimat e tyre”!

Në të vëretë, takimi i parë dhe i vetëm i Dr. Rugovës me Kapllan Kallushin, u nis dhe u sos te kjo çështje, që Kallushi e shtronte me shumë ngërç, me emocionalitet të mundimshëm, ndërkohë që Rugova përiqej ta lironte nga ajo që atij i kishte kaluar në fiksim ngulfatës, që si do të shihet do ta kthejë në viktimë të saj, prej nga shkrimtari ndër më të talentuarit e kohës, do t’ia lëshojë vendin hakmarrësit të pandreçshëm që do ta çojë edhe deri te “tradhtia” ndaj vetvetes dhe kauzës mbi të cilën kishte filluar rrugëtimi i tij si shkrimtari shqiptar ndër më premtuesit.

“Është mirë që kohën e burgjeve jugosllave dhe atyre shqiptare ta trajtosh në një vepër letrare gjithëpërfshirëse. Veçmas bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy vendeve kundër ndërgjegjes kombëtare shqiptare… Meqë jeni mjeshtër i pendës, një prozë e tillë do të nxjerrë në pah Gulagun shqiptar… Një vepër e tillë do të arrinte përmasat edhe të veprës së Solzhenjicinit…”

Rugova, disa herë ia përsëriti këto fjalë Kallushit. Po ai, nuk ndalej që nuk ndalej, me akuzat ndaj shkrimtarëve shqiptarë që thoshte se nga xhelozia kishin shpifur dhe e kishin çuar në burg!

“Dua të tregoj se si shkrimtari për shkrimtarin është ujk…”

Rugova i tha se kjo mund të ishte e vërtetë, por gishtin duhej drejtuar nga shkaktarët e zezonës shqiptare dhe njerëzore në pëprgjithësi (diktatura komuniste, ideologjia e saj) dhe jo te viktimat.

“Nuk ishin ata viktima. Ishin pjesë e aparatit policor”, zuri të çirrej Kallushi.

Rugova prapë e ruajti qetësin edhe kur Kallushi ia lëshoi përpara një manuskript, ku tha se gjenden akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare kundër tij.

“Bota duhet ta dijë këtë”, tha Kallushi, kur Rugovës iu sosën fjalët dhe e pa se Kallushi ishte në një gjendje të rëndë, që duhej ndihmuar disi.

Në këtë mënyrë përfundoi edhe takimi i parë dhe i vetëm i Kapllan Kallushit me Rugovën. Ky takim, si duket i kishte lënë shije të hidhur, ngaqë e kishte kuptuar se shkrimtari i talentuar Kapllan Kallushi nuk ekzistonte më. Burgjet e gjata, mundimet dhe gjithë ato që e kishin përcjellur, e kishin shndërruar në një urrejtës, mohues dhe vetëmohues…

Po atë ditë, Xhemail Mustafën e këshilloi që bisedën eventuale me Kallushin, për të cilën ai edhe kishte ardhur në Prishtinë, ta lironte nga mllefet dhe traumat e rënda psikike që ia kishin lënë atij vitet e gjata të burgjeve dhe përjetimet e tmerrshme në to…

“Përpiqu që Kallushi të flasë për Gullagun shqiptar… Të tjerat janë të dëmshme për ne dhe për të…”

Intervista e Xhemail Mustafës me Kapllan Kallushin kishte dështuar, pikërisht te kjo çështje, ngaqë Kallushi nuk kishte pranuar të fliste për tjetër pos për “shkrimtarët që e kishin çuar në burg” dhe për të njëjtit “që edhe pas lirimit nga burgu “po e ndiqnin pamëshirshëm me ndihmën e hetuesve të deridjeshëm, prokurorëve dhe gjithë infrastrukturës së dhunës”, të cilët “me rrëfimet e tyre si sigurimca, gjoja rreth bashkëpunëtorëve të sigurimit nga radhët e intelektualëve, ishin kthyer në “vrasëse të lirisë mashtruese”! / KultPlus.com

“Shteti sekular dhe identiteti ynë kulturor dhe kombëtar ne rrezik”

Shkruan Jusuf Buxhovi

Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik. Në këtë proces retrogard, evolucionet historike që kanë sjell emancipim iluminist, zëvendësohen nga revolucionet fetare sipas modeleve të njohura ku emancipimi dhe iluminizmi zëvendësohet me klerikalizmin politik, që për viktimë të parë ka ndërrimin e identitetit kombëtar dhe qyetetërues në atë fetar,siç po ndodh me krijimin e etnive fetare në Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, me çka krijohen platformat për shtete mbi baza fetare.

Ky proces, në saje të pazareve të vazhdueshme të elitave të papërgjegjshme politike në pushtet dhe jashtë pushtetit me klerikë që ndjekin agjendat e tyre për shtete fetare, tashmë ka prekur edhe shtetin e Kosovës dhe karakterin e tij sekular me arsim laik, gjë që rrezikon jo vetëm qenien e tij, por edhe karakterin kulturor të lidhur me përkatësinë e qyetetërimit perëndimor, për ç’gjë Perëndimi intervenoi ushtarakisht në vitin 1999 për t’i penguar projektet gjenocidiale të Çubrilloviqit dhe Millosheviqit! /KultPlus.com

Jusuf Buxhovit i dorëzohet çmimi “Guximi intelektual”

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka ndarë mbrëmë titullin “Guximi intelektual” për vitin 2021 për shkrimtarin dhe historianin, Jusuf Buxhovin.

Me rastin e marrjes së këtij çmimi, Buxhovi është shprehur i nderuar duke konsideruar se ky çmim ka rëndësi pasi që është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë, kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më ta paktë, më të anatemuar deri në linçim publik.

“Çmimi vjetor “Guximi intelektual” është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë në rrethanat kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më të paktë, gjithnjë e më të anatemuar deri në linçim publik, ndërkohë që shtohet numri i atyre që përgjegjësinë intelektuale dhe intelektualitetin e zëvendësojnë me kthimin në shërbëtorë të politikës ditore për përfitime personale! Ndaj edhe dorëzimin e çmimit nga kryetari i shoqatës “Jakova”, Ruzhdi Sefa, e konsideroj jo vetëm një mirënjohje të çmueshme veprimtarisë sime letrare dhe shkencore, por edhe një nxitje që kjo rrugë të vazhdohet në planin e kauzitetit shoqëror në përputhje me maksimën e njohur të filozofit francez Morin, se intelektualët mbajnë përgjegjësi jo vetëm për atë që ka ndodhë e nuk është dashtë të ndodhë, por edhe për atë që është dashtë të ndodhë dhe nuk ka ndodhë”, shkruan Buxhovi. / KultPlus.com

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” sot i ndanë titullin “Guximi intelektual” Jusuf Buxhovit

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” sot do të ndajë titullin “Guximi intelektual” për vitin 2021 për Jusuf Buxhovin.

Ky organizim do të mbahet në orën 19:30 në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

Programi i solemnitetit përkon me ditëlindjen e 76 të Jusuf Buxhovit dhe është menduar si një ngjarje me koncept kulturor-intelektual.

“Në pjesën e parë formale Jusufi do të shtjellon temen “A ËSHTË ZDHEDHUR RRUGA E DUHUR?.”.. Kurse në pjesën e dytë me pika muzikore janë ASHKËT dhe Vëllaznim Buxhovi me orkestren e tij”, ka njoftuar Shoqata e Intelektualëve “Jakova”. / KultPlus.com

Kartolinë për ditëlindjen e Jusuf Buxhovit: Shekulli kulturor mban inicialet J.B

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, sot feston 76 vjetorin e lindjes, përcjellë KultPlus.

Shkrimtari Shefqet Dibrani, i ka dedikuar disa vargje në këtë ditëlindje.

Kartolinë për ditëlindjen e Jusuf Buxhovit (04.08.1946)

Shekulli kulturor mban inicialet J.B

(Miqësisht e kulturalisht për ty në këtë ditë miku im JB!)

Ti nuk prânë së rrëfyeri miku im,

Thuaja se asgjë me vete nuk do marrësh, asgjë…

Atje mëtanë, atje ku nuk flitet më, ku nuk thuhet gjë

Jeta përtej jetës është historia, është libri dhe letërsia

E ti miku im i shkrove librat, e bëre historinë

dhe kuluturalisht emancipove shoqërinë …. / KultPlus.com

Dashuria midis vuajtjes dhe besnikërisë

Besnik Mustafaj: “Vera pa kthim”, roman. Botoi “Ora”, Tiranë 2002.

Nga Jusuf Buxhovi

Nëse “alibia” e ngjashmërive “të rastësishme” letërsinë e mbronë nga anatema e identifikimit të personazheve me realitet që atë mund ta kthejnë në një akuzë publike, megjithatë paradigma e “përsëritjes së ngjarjeve”, në romanin e Besnik Mustafajt “Vera pa kthim”, koherencën e kthen në një realitet jetësor thuajse të gjithëkohshëm që përthekon dramat e brendshme të ndikuara nga faktorët e shoqërorë-politik (në rastin konkret diktatura naziste, por që më tepër mund të jetë edhe ajo komuniste) ku dashuria kthehet në një stigmë “të pamundur” një në si ndëshkim makabër, ndërsa besnikëria “e panevojshme”, meqë “vetëm shkatërron njeriun”.

Romani, ndonëse duket se krijon stigmën e dashurisë dhe të besnikërisë në një raport “shkatërrues për njeriun” në rrethanat e pamundësimit të saj nga ndërhyrjet nga jashtë (përfundmi i Gorit në kampin nazist, që përkon fund e krye me kampin e diktaturës komuniste në Shqipëri), siç shfaqet ajo e rikthyer në një kujtesë e Sanës ndaj Gorit, që lehtë mund të cilësohen edhe për të kundërtën (varësisht nga këndvështrimi i leximit të tyre), megjithatë tragjicitetin e saj si reminishencë shpirtërore mbi të cilin mbështetet i gjithë prosedeu i rrëfimit romanesk, e ndërton mbi paralelizmat midis të shkuarës, që thuajse e përjashton të sotmen, ku edhe përjashtohet fare e nesërmja, paralelizëm ky i një obsesioni apoliptik të jetës pa dashuri ose me dashuri të mbikëqyrur? Në këtë trekëndësh kohor: të së djeshmes ( gjuhë e Gorit), të sotmes së Sanës (kujtesës), dhe të nesërmes, që përjashtohet fare nga ballafaqimi i të parës me të dytën, ku e djeshmja, thuajse në tërësi e mbizotëron të sotmen dhe e heq fare të nesërmen, pra ardhmërinë, mbindërtohet aspekti i përsëritjes së të njëjtës, si një filozofi, që sikur krijimtaria (në rastin tonë letërsia) i jep legjitimitet të plotë dhe të përhershëm vetëm aspektit të mbizotërimit të së keqes mbi të mirën, të urrejtjes mbi dashurinë si çështje që kanë preokupuar krijimtarinë nga antikiteti e deri te koha jonë . Në këtë aspekt, dy personazhet e këtij romani të Mustafajt, Sana, që nëpërmes kujtesës dhe “rikthimit të saj” imagjinar pas dekadash i referohet një dashurie “si mburojë shpirti” kur asaj “do t’i kalojë edhe koha”, gjëqë flet për një tragjicitet të skajshëm dhe, Gori, i cili “flet në të kaluarën”, jo vetëm që e demitizojnë besnikërinë, (ngaqë ajo kthehet në një kujtesë që venitet nga koha), por nxjerrin në pah faktorët real që atë e rrënojnë në tërësi (diktaturën fashiste) dhe e kthejnë në një viktimë të realitetit të trishtë jetësor, siç ishte edhe ai i jetës së Gulagut në diktaturën evneriste-staliniste në Shqipëri. Madje, për lexuesin që sado pak është i ngarkuar me këtë realitet të përjetuar apo të dëgjuar, epilogu (përfundimi i Gorit në kampin gjerman) disa ditë para se ai të çlirohej nga antifashistët, përjetohet si një realitet i komunizmit shqiptar dhe i kampeve të tij famkeqe ku kanë përfunduar tragjikisht ëndrrat, dija si dhe dashuria njerëzore, për t’ia lëshuar vendin dehumanizimit si një sindrom rrënues që edhe sot e gjithëditën me të madhe po e përcjell botën shqiptare në planin socio-kulturor dhe politik madje. Ndaj, vlerësimet, që romanit mund t’i vinë nga jashtë, ku nuk mungojnë edhe ato “te një Penelope shqiptare”, që pret dashurinë e të ngjashme, tretën kundruall realitetit shqiptar, ku edhe dashuria si çdo gjë tjetër e vlershme vritet nga diktatura dhe përmasat e saj çnjerëzore, pa gjasa që ajo të rikuperohet në rrethanat e ndryshimeve të mundshme…

Megjithqë, ky “epilog” që edhe është i pritshëm aty ku fatet e dashurisë dhe ato të përgjithshme njerëzore deri te përmasat e tragjikes më absurde përcaktohen nga faktorët politikë dhe ata të vetëdijes totalitare që ngritën në piramidat e pushtetit, është pasqyrimi brilant i kësaj ndjenjeje, që te Sana fiton një dimension ndër më të fuqishmit në letërsinë tonë të kësaj natyre. Autori, me filigranizëm, nxjerr në pah atë tragjikë që dashurinë e kthen në vuajtje të thellë gjithëkohore dhe gjithnënjerëzore, ndërsa dashurisë, tragjikja i atribuohet si një fatum i madhështisë së saj, si një zhdëmtim për besnikërinë ndaj saj?… / KultPlus.com

 ‘Kosova’ e Jusuf Buxhovit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

GJatë një aktiviteti kulturor dje  në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, drejtori i shtëpisë botuese amerikane “Jalifat Publishing”, Ramiz Tafilaj, i dhuroi bibliotekës së Akademisë së Shkencave disa vepra të historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi. Ndër to: “Kosova” I-V, “Kosova” I,II,III në anglisht, “Kosova – histori e shkurtër”, “Dardania” dhe “Maqedonia” në anglisht  si dhe romanet: “Dosja B” në anglisht, “Mona”dhe “Rrushja”.

Botuesi amerikan, së shpejti, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do t’ia dhurojë të gjitha botimet e kësaj shtëpie, me ç’rast, në Tiranë, pritet edhe promovimi i disa prej tyre (“Kosovës” në  tetë vëllime), vepër kjo tashmë e pranishme në universitetet dhe institutet shkencore amerikane dhe gjetiu./ KultPlus.com

Dija e pushtetit apo pushteti i dijes?

Nga Jusuf Buxhovi

Nimon Pashës, i mbyllur në havlet, assesi t’i hiqeshin nga koka ato që ia kishte thënë në dhomën e kronikës, Mustafa Pasha, dymbëdhjetë vjet sadriazem nën dy sulltanë, rreth dijes së pushtetit dhe pushtetit të dijës. Kur ia kishte bërë me dije se nuk pranonte fronin perandorak, që po i ofrohej, ngaqë, si mendimtar dhe krijues, kishte vendosur të ndiqte pushtetin e dijës, gjyshi plak i kishte thënë:
“Qyprilinjtë e kanë fat dijen e pushtetit, pra të qenit në majën e fronit, nga çasti që kanë ikë nga kasabaja, ku si bashibozukë vrisnin për mos me u vra..”
Kur deshi t’i thoshte se çdo pushtet ishte vrarës, dhe se, pushteti i dijës e shpëtonte nga kjo, iu bë se gjyshi plak po i thoshte se gjithësesi do të përfundonte i vrarë, në mos nga perandoria që atyre ua kërkonte forcën dhe jo dijen, kjo do ta gjente nga zilija dhe smira e krijuesve vasalë dhe hyzmeçarëve të shumtë të pushtetit, të asaj turme të të padinjiteshmëve, që nuk durojnë madhështinë e krijijuesve dhe mendimtarëve të pavarur, jashtë çdo pushteti…
Nimon pasha, në atë gjendje gjithë dëshpërim oshëtiu:
“Më mirë i vrarë se vrasës… A nuk është ky fati i përhershëm i krijuesve?…”

(Shkëputje nga romani “Libri i të mallkuarve”, Rilindja, Prishtinë, 1986.)./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi nderohet me titullin ‘’Guximi intelektual’’ për vitin 2021

Kryesia e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka nderuar historianin Jusuf Buxhovi me titullin ‘’Guximi intelektual‘’ për vitin 2021, shkruan KultPlus.com

Lajmin e ka bërë të ditur prof. dr. Ruzhdi Sefa, kryetar i SH.I. ‘’Jakova’’. 

“Në ditën e lindjes së një kombi të madh dhe aleatit të popullit tonë për 246-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, po shpallim fituesin.

‘’Guximi intelektual’’ për vitin 2021, Jusuf Buxhovi, intelektuali i cili prej kohësh manifeston guxim të madh në historiografi, në letërsi si dhe në politikë”, ka shkruar Sefa.

Komisioni përzgjedhës arsyeton vendimin me këtë fragment: Intelektuali Jusuf Buxhovi, prej kohësh manifeston guxim të madh në shkencë (historiografi), në letërsi – me romanet e tij që me përkthime në disa gjuhë kanë arritur edhe përmasat e afirmimit ndërkombëtar, si dhe në politikë – me qëndrimin kritik ndaj dukurive që pushteti të shfrytëzohet për përfitime private dhe jo për trajtimin e shtetit si një institucion që u shërben interesave madhore të qytetarëve dhe kauzave të lirisë dhe të demokracisë…””. / KultPlus.com

Buxhovi: Kosova duhet të ndalojë orgjinë hegjemoniste kishtare serbe në Gazimestan

Nga Jusuf Buxhovi

Shteti i Kosovës, që ta dëshmojë sovranitetin historik dhe kulturor në hapësirën e vet të lënduar dukshëm me Pakon e Ahtisarit dhe lëshimet Kishës Ortodokse serbe, së pari duhet të ndalojë “haxhillëqet” kishtare serbe në Kosovë, veçmas këtë që lidhet me shënimin e Vidovdanit. Pastaj, duhet të ridefinojë monumentin e ngritur në Gazimestan në përputhje me të vërtetën historike jashtë ikonografisë hegjemoniste serbe që shpik “varre serbe” dhe “toka serbe” kudo, gjë që nënkupton shpalljen e një konkursi ndërkombëtar për ngritjen e një memoriali që pasqyron rolin e faktorit arbëror në mesjetë  në kuadër të formacioneve feudale ku ata ishin të barabartë me të ngjashmit në hapësirën e shkapërderdhur të Bizantit si dhe të faktorëve të tjerë në të në rrethanat e krishtërimit të përbashkët…

Shënimit të betejës së Kosovës në përputhje me konceptin hegjemonist të Beogradit, që nuk paraqet tjetër pos një orgji shoviniste, duhet t’i jepet fund njëherë e mire!

Ka dy arsye të forta për këtë vendim:

E para, ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit shtetëror të Kosovës nga një agresion vandal që përsëritet çdo Qershor gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, kur Kosova është çliruar nga pushtimi serb, gjë që nënkupton edhe lirimin nga ikonografia e këtij pushtimi, që mbështetet mbi një mit të falsifikuar siç ishte Beteja e Kosovës, së cilës, kisha ortodokse serbe, prej vitesh ia jep konotacionet e një liturgjie religjioze mbi konceptet hegjemoniste serbomëdha.

E dyta, ka të bëjë, me atë se një ngjarje historike, çfarë ishte Beteja e Kosovës e Qershorit të vitit 1389, ndonëse gjithnjë me deficite të mëdha të argumentimit shkencor, nuk guxon që të mbetet në pronësi të interpretimit të historiografisë serbomadhe dhe konceptit të saj antishkencor me ç’rast ajo paraqitet si “beteje” serbe kundër osmanëve, ku përjashtohen faktorët e saj kryesorë – Arbërit dhe të të tjerët, në një luftë të Lidhjes së të krishterëve të Ilirikut kundër osmanëve, që u zhvillua në Dardani dhe assesi në Serbi, ngaqë asokohe, nuk ka pasur as Serbi e as shtet mesjetar serb, siç propagandon Beogradi, duke u mbështetur mbi gënjeshtra dhe fakte të trilluar, gënjeshtër kjo që për fat të keq pranohet edhe nga një pjesë e mirë e historiografisë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë.

Parakusht që Kosova, më në fund, të mbrojë sovranitetin e vet shtetëror dhe njëherësh ta mbrojë të vërtetën historike nga një keqpërdorim flagrant me Luftën e Kosovës, në mënyrë që Beogradit t’i merren edhe të ashtuquajturat “tapi historike” ndaj Mesjetës dhe Kosovës me të cilat po demonstron në saje të koncesioneve të Pakos së Ahtisarit dhe veprimeve të tjera të papërgjegjshme të politikës së Kosovës gjatë këtyre njëzet vjetëve, është që ta marrë nën mbikëqyrje kompleksin memorial të Gazimestanit, duke e shpallur atë monument të trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës. Kjo nënkupton ridefinimin e memorialit nga aspekti historik dhe kulturor në përputhje me të vërtetën historike, që si parakusht duhet të ketë largimin e monumentit të tanishëm të Gazimestanit, të vendosur dhunshëm në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar nga Beogradi, i cili simbolizon karakterin hegjemonist serbomadh. / KultPlus.com

Mallkimi i kasabasë së përhershme

Mesha Selimoviq: “Dërvishi dhe vdekja”, roman. Botime Koliqi, Prishtinë, 2022, përkthyer nga Esad Mekuli dhe Tajar Hatipi.

Nga Jusuf Buxhovi

Në krijimtari, të shumtën në letërsi dhe, kryesisht në prozë, doktrinat politike dhe ato religjioze, në planin shoqëror, rëndom humbin kauzalitetin, por ruajnë mentalitetin e shtrirjes së tyre në sferën shpirtërore në farma të tjera. Kjo është edhe e natyrshme kur kihet parasysh se krijimtaria pasqyron realitetin jetësor në përputhje me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm të përfshirë në dramat mbi të cilat ndërtohet kompleksiteti njerëzor, ku paradigma jetësore nxjerr në pah karakteret e ndryshme që atë e derterminojnë në thellësi. Natyrisht se ky zhvillim ciklik manifeston mentalitetet në përputhje me (mos)depërtimin e ideve si formë e konfrontimeve prej nga pasqyrohet vetëdija e hapërisrave (e hapjes) me atë të provincës (mbylljes) dhe të thadrimit të saj në faktor ngecjeje.

Këto raporte, në rrethanat ballkanike, për arsye të jetës nën pushtimin pesëshekullor osman, si kod shoqëror-politik po edhe kulturor i njohur si orient, që në mëynrë permanente lufton oksidentin, kanë determinuar “mentalitetin e kasabasë”. Kanë ndikuar gjendjet identitare thuajse të gjitha etnive. Gjendje kjo që kthehet në një luftë të brendshme të tyre, çastin kur zë të rrënohet baraspesha midis etnisë dhe religjionit në përputhje me zhvillimet politike siç është ajo e hapësirës disashekullore e orientit po i rikthehej okisdentit në kornizën e shteteve nacionale, të krijuara mbi perceptimet e konvertimit të etnive nga ato fetare në nacionale.

Në këtë ndryshim të pashmangshëm, ndërhyrja e mentalaitetit të kasabasë, shfaq gjithë tragjiken e vet shumështresore, ku mësimet e caktuara fetare kanë determinuar fatumin si “vullnet i Zotit”, që robi i tij duhej t’u nënshtrohej, me ç’rast pranohet edhe dhuna deri në shkatërrim e të ngjashme, që kundërshton nevojën e kundërvënies, qoftë edhe atëherë kur kërcënohet shkatërrimi në masë i njeriut dhe qenies së tij në emër të besimit.

Romani “Dërvisi dhe vdekja” i autorit Mesha Selimoviq, i botuar nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, në mënyrë monumentale paraqet përpjekjen për thyerjen e kësaj tragjike brendapërbrenda vetë mekanizmit që ka krijuar dogmën e “vullnetit të Allahut”, përpjekje kjo që, gjithnjë në përputhje me fuqinë e saj, tregon morbiditetin e mentalitetit të kasabasë kur ajo kthehet në pjesë të të menduarit, që pengon veprimin e ndryshimit të saj kur përfundojnë edhe faktorët e jashtëm që e kanë sjellë atë. Dërvishi Ahmet Nuredini, shfaqet si njëri ndër personazhet më domethënës i kësaj kundërshtimie të brendshme, i metamorfozës nga ithtari i idesë “së vullnetit të Allahut” dhe pranimit të saj deri në nënshtrim, tek militanti i luftimit të saj, çastin që shesh se bota e ideve (fetare) që ua kishte kushtuar jetën dhe atyre që shfaqeshin si realitet shoqëror dhe politik, ishin shpërputhëse dhe tragjike në planin jetësor, meqë me ato mësime, ndrydhej deri në mbytje vullneti i të drejtës së jetës në dobi të rrënimit të asaj njerëzore nga tirania e pushtetarëve. Dervish Ahmet Nuredini, pas vrasjes së vëllait Harunit, nga pushtetarët e kasabasë me dyshimin se ai “kishte shkitur nga rregullat e Allahut”, transformon çështjen e “bindjes urdhërit” tek “kundërshtimi saj” me anën e “marrjes së pushteti”, që do të rivendoste raportet midis “zotit dhe njeriut”, ku i dyti, shpreh vullnetin për jetë në kuadër të ligjit të shtetit, por assesi të tiranisë së pushtetarëve. Ky ndryshim për të cilën ai edhe thuar intrigën e kundërvënies së pushtetit të kasababasë deri te rrëzimi i pushtetarëve (kadiut dhe valiut), e përcjellë edhe nga një hakmarrje të përgjakshme ndaj tyre me ç’ka ai, nga “vullneti i masës së egërsuar” do t’i zëvendësojë ata , në të vërtetë nduk ndryshon mentalitetin e kasabasë, meqë është thadruar në vetëdijen e mosndryshimit nga frika se ndryshimi, në rastin e dhënë tek popullata boshnjake e një kasabaje të Bosnjës, sjell edhe shthurjen e saj, për ç’gjë ajo është e frikësuar së tepërmi nga shkaku se është e kërcënuar nga të gjitha anët dhe me të drejtë ngaqë shenjat e paralajmërimit të rënies së perandorisë osmane, përcilleshin me copëtimin e saj tragjik tek kundërshtarët e saj, të cilët kërkonin ndryshimin e identietit të saj shumëshekullor në një tejtër, që deri me dje e ka marrë për “rajë”, shtresë e shfrytëzuar dhe e nënshtruar.

Përpjekja e dervish Ahmet Nuredinit, që pushteti i tiranisë të zëvendësohet nga ai i “ligjit të zotit”, shfaqet po aq absurd, ngaqë mentaliteti i kasabasë, nuk është në gjendje të pranojë ndryshimin edhe në rrethanat kur kërcënohet skajshmërisht nga zhvillimet që zhvendosnin raportet shoqërore shumëshekullore në dëm të saj. Këtu, në të vërtetë, vrasja e paralajmëruar e Ahmet Nuredinit nga kundërshtarët e tij të mentalitetit të kasabasë, në njërën anë paraqet tragjiken e mosndryshimit përkundër rrezikut se ajo sjell kobin e pashmangshëm, dhe në tjetrën anë, me ikjen prej saj (të Hasanit që në ndjekje të një dashurie me një latine ik në Dubrovnik), paraqet “shpëtimin”, por jashtë saj, që do të thotë humbjen e diçkaje që lidhet me qenien identitare te një etnie, që ndryshimi e kërcnon me shfarosje, po qe se nuk ndryshon, ose me shpërbërje, po qe se largohet prej saj!

Kjo logjikë disfatiste, e paraqitur me një prosede letrar ndër më autentikët e letërsisë bashkëkohore evropiane, gjë që këtë vepër e kthen në një roman monumental, pasqyrimin e saj tragjik e gjen te vetë sjellja e shkrimtarit, i cili, duke e përshkruar fatin e boshnjakëve si një “mallkim historik” nga shkaku i mosaftësisë që rrënjët e identietit të tyre etnik dhe historik në rrethanat e diversitetit fetar t’i ndërtojnë dhe ruajnë mbi kulturën gjuhësore, po mbi atë fetare, do të pranojë supremacionin e “kulturës serbe” si “strehë” të “etnisë boshnjake”, ndonëse fatin e së cilës, atë tragjik, më së miri e pasqyron personazhi i sheh Ahmet Nuredinit! / KultPlus.com

144 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Buxhovi: Ngjarje madhore që vuri në binarët historik pavarësinë kombëtare

Jusuf BUXHOVI

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në medresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë  duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit i caktuar më 13 qershor.

Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella).

Ndërsa nga Vilajeti i Janinës  mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë.

Në Kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë  boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe  mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton në tërësi pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.

Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit.

Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me atë se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit, që asokohe lidheshin me mbrojtën e territoreve shqiptare që kërcënoheshin nga copëtimet. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall  edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.

Kuvendi themeloi organet e larta. Në krye të Lidhjes ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët  krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe  komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga Suljeman Vokshi.

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).

Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit.

Nenin 4, kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”,  bën të ditur për  ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.

Fryma kombëtare, nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, filloi të animohet qysh në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes, që u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish)  e Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar.

Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname.  Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.

Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon nj fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman,  që projektohej  edhe si “Shqipëri Osmane”,  që do t’ia lëshonte vendin Shqipërisë evropiane, çastin që Perandoria Osmane nuk do të ishte më. /KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon librin ‘Rrushja’, trajton fatin tragjik të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Flonja Haxhaj

Tragjedia e gruas shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë u përblodh në librin ‘Rrushja’ të autorit Jusuf Buxhovi, libër ky i cili u promovua dje në librarinë ‘Dukagjini’ në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Libri trajton historinë e trishtë të fatit të shumë grave kosovare që u dhunuan nga forcat serbe gjatë luftës.

Vetë autori i librit tha për KultPlus se ky libër flet për një ndër krimet më të rënda kundër njerëzimit.

“Ky dhunim është bërë edhe me një prapaskenë tjetër është synu që femrat e dhunuara shqiptare të mbesin shtatzëna siç është vepru edhe në Bosnje dhe në vendet e tjera ku ka shkuar soldateska serbe. Kjo ka të bëjë me një mentalitet morbid të serbëve që ta ndërrojnë në këtë formë edhe strukturën popullative.”, tha Buxhovi i cili shtoi se mos trajtimi i duhur i kësaj teme ka bërë që Serbia të krijojë disa avantazhe në raport me politikën e Kosovës, e ndonjëherë duke u shfaqur edhe si viktimë.

“Unë si historian i kam trajtuar këto probleme por si shkrimtar, trajtimi i kësaj teme nëpërmes imagjinatës fiton një fuqi të përhershme.  Kam bërë përpjekje që edhe faktori ndërkombëtar ta ketë edhe një dëshmi letrare rreth saj, sepse dëshmitë letrare janë dëshmitë më të fuqishme.”, deklaroi më tutje Buxhovi për KultPlus.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe redaktori dhe botuesi i librit, Nazmi Rrahmani, i cili theksoi se ky libër është vepra e parë në letërsinë tonë,  në të cilën,  në një mënyrë komplekse,  trajtohet dhunimi i femrave shqiptare gjatë luftës së fundit nga forcat paramilitare serbe  në përputhje me strategjinë e njohur të Beogadit që gjeonocidi ndaj shqiptarëve të përcillet edhe me formën më të rëndë,  që krahas kodit moral, për qëllim kanë edhe prekjen e kodit gjenetik të një popullate.

“Autori shpjegon motive në romanin ‘Rrushja’ duke u kthyer në retrospektivë për shumë ngjarje, vrasje, që kishin ndodhur në kohë dhe vende të ndryshme të cilat kishin një zanafillëqë lidhej me shumë ngjarje të cilat kanë shumë arsye për të metur enigmatike dhe misterioze”, tha Rrahmani.

Rrahmani, vlerëson se kjo vepër si e tillë, ia del që të kthehet në një dëshmi letrare të njërit ndër aktet më barbare që përdori regjimi i Millosheviqit ndaj shqiptarëve. Sipas Rrahmanit, në këtë vepër, drama e dhunimeve përcillet edhe me pasqyrimin e dramave të tjera paralele, që në çdo luftë, sado e drejtë të jetë, janë të pashmangshme.

Duke u ndërlidhur me ato që tha botuesi Rrahmani, autori  bëri të ditur se romani “Rrushja”, pas “Dosjes B” dhe “Monës”, përmbyll “Trilogjinë e luftës”. Trilogjia do të botohet së shpejti si tërësi, në mënyrë që të pasqyrohet e tragjika  e luftës me dramat  e saj tepër të rënda,  që e përcollën atë./ KultPlus.com

“Rrushja” promovohet nesër në Prishtinë

Romani “Rrushja” nga autori Jusuf Buxhovi, që doli këto ditë nga shtypi, nesër promovohet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë.

Rrushja, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”.

Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimin nuk e përjeton si liri…

Promovimi mbahet nesër (e enjte) në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë.

Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com

Njeriu i dyzuar në romanin “Dushkaja” të Jusuf Buxhovit


Nga Kiço Mavro

Dua të shfrytëzoj rastin sot në këtë takim për të shprehur një nga bindjet e mia si njeri, mësues, intelektual dhe krijues, se kontestimi më i mirë i formimit të individit si njësi dhe i shoqërisë si bashkësi, është gjuha dhe historia. Ato e bëjnë njeriun të shprehet bukur dhe saktë, të artikuloj mendime të vlerëshme dhe të thëna drejt, të jetë i dëshirueshëm në bisedë dhe objektiv në gjykim.

E them këtë sepse ky qëndrim i imi ,i shprehur sot këtu, i shkon aq shumë për shtat z. Buxhovi,i cili, në të gjithë rrugëtimin e tij si krijues, gjuhën dhe historinë i ka mbajtur jo vetëm të pandara, por shpesh lexuesi nuk e gjen kollaj se ku ta vendos autorin, te letërsia apo historia.

Jusuf Buxhovi besoj se është unikal në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Letërsia dhe historia për të nuk janë thjeshtë dy faqe të së njëjtës monedhë, por pashmangësishtë ato janë një dhe e vetme, të cilat autori në veprat e tij ka ditur me mjeshtëri ti kaloj secilën në shinat e veta.

Gjuha( kuptojmë dhe futim këtu dhe letërsinë ) si formë e shprehjes së mendimit dhe historia si fakt i zhvillimit kohor, pra letërsia dhe historia te Buxhovi janë plotësuese të njëra-tjetrës, ato udhëtojnë së bashku ,shpeshherë në paqe dhe shpeshherë në përballje, me të vetmin synim që çdo fakt të kthehet në realitet jetësor dhe vetë jeta në kujtesë historike.

“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse tërësia e fjalëve që dimë”- thotë një gjuhëtar. Jusuf Buxhovi nuk di vetëm shumë fjalë, të cilat me mjeshtëri artistike i ka hedhur në veprat e shumta letrare, por ai di dhe njeh mirë shumë realitete historike të vendit të tij, duke ngritur me këndvështrimin e vet një vepër monumentale për histpriografinë e Kosovës.

E përbashkëta në krijimtarinë e tij si gazetar, shkrimtar dhe historian është një truall dhe vetëm një, është Kosova. Ajo është vendi ku lindin, marrin formë dhe flasin veprat e autorit. Ai flet për Kosovën e sotme, për atë çfarë po ndodh në kohën e tanishme, kohë të cilën e kishte menduar dhe ëndërruar krejt ndryshe me atë qe po ndodh realisht.

Buxhovi ka shkruar shumë vepra letrare ,nga të cilat, sot do të veçoj romanin “Dushkaja”.
Që në faqet e para të romanit lexuesi e kupton që “Dushkaja” është një roman ndryshe, me një formë të veçantë. Teksti është ndërtuar mbi rrëfimin e një njeriu të dyzuar dhe si një dialog i dy anëve po të të njëjtit njeri. Po kush është ky njeri, ky personazh që dialogon me veten dhe pse?

Romani ka në qendër një burrë të shkuar në moshë, piktor nga profesioni, i cili, tashmë i mbetur dhe i mbyllur në atë “botë të ftohtë e të humbur”, në Dushkajën “e kapluar me thera e murriza”, por që ai “e merrte për skajin e vetëm të virgjër të botës”, flet e kundërshton veten.

Kështu ,një natë fundvjeshte, mes dyshimesh dhe hamendjesh, fillon dialog me Zërin. Kur e dëgjoi për herë të parë Zërin, piktori u përpoq ta gjente mes pikturave të tij në mur, por jo, atë nuk mund ta shikonte, vetëm do ta dëgjonte. Kështu fillon e ndërtohet një situatë e rrafshit psikologjik që gjatë dialogut merr formë kuptimore. Zëri nuk është asgjë tjetër veçse vetja e tij, pjesa e tij kundërshtuese. “Duhet ta pranosh se brenda teje ka qenë një zë pa zë dhe një heshtje me zë…”shprehet personazhi diku.
Pra, dialogët, në të vërtetë janë monologë që realizohen në dy zëra të të njëjtit personazh. Bota e parë dhe e ndjerë nga piktori deri tani, nëpërmjet rrëfimit të dyzuar, kthehet përmbys, është e gabuar sipas Zërit, anës tjetër, kundërshtuese të tij.

Duke bërë një analizë të veprave të tij, piktori ,në fakt analizon historinë dhe ngjarjet kryesore që ka kaluar ai dhe populli i tij. Qendra e botës nuk është tjetër veçse Dushkaja, ”skaji i vetëm i virgjër i botës” Në këtë pafajësi, ligjërimi për Dushkajën nga piktori dhe qëndrimeve kundër nga Zëri fillon dhe ndryshon brenda personazhit edhe Dushkaja, që nga ,”skaji i vetëm i virgjër i botës” bëhet ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” dhe në fund në ”skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë…”

Vërtet Dushkaja nuk del në roman si vend i përcaktuar, por me të rrëfimtari i veprës lidh çdo gjë të tij, prandaj dhe e idealizon atë. Zëri me këndvështrimin e tij e kthen përmbys gjithçka. Ne e kuptojmë se Dushkaja nuk është gjë tjetër veçse një gjetje metaforike që ngërthen brenda saj çdo vend e popull që është sfilitur nga luftërat e gjata e të pafndme, ku në fund fitues dalin maskarenjtë, të poshtrit, vrasësit, tradhëtarët.

Ka çaste që personazhi e vesh me ndjesi të bukura e dashurie Dushkajën, por nuk zgjat kjo ndjesi, sepse nga trysnia që ushtron Zëri e kupton që edhe ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” është “strehë e përhershme e vrasësve”, ajo “është vendi ku jetojnë vrasësit, por edhe të tjerët që paguajnë për të vrarë”.
Në roman mungon veprimi i jashtëm. Kjo nuk e tkurr romanin, përkundrazi, me dialogët mes Piktorit dhe Zërit veprimi hapet sa në kohë aq dhe në hapësirë. Atje është një jetë e tërë me gjithçka përjetoi në rrugëtimin e tij njeriu artist dhe artisi njeri. Gjejmë atje mënyrën se si e ka parë botën personazhi dhe si ngre dyshimin se gjithçka ka besuar deri tani është e rreme, e gënjeshtërt, e pavërtetë. Mjeshtëria e Buxhovit qëndron në faktin se ai tërë këtë dyzim brenda një njeriu e ka dhënë me një zbërthim psikologjik të mrekullueshëm, që të tërheq e nuk të lë ta ndërpresësh leximin. Autori është shprehur “se në këtë libër ka ndërlidhje me historisë dhe pjesës shpirtërore, duke shtuar se nuk mund të ketë histori që nuk ka histori të shpirtit”.

Romani “Dushkaja” është një tablo e qartë brenda kornizës së tranzicionit të Kosovës, vendit ku shkrimtari jeton, por ajo mund të jetë fare mirë dhe e Shqipërisë, nëse sjellim në kujtesë ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve në fillim të viteve nëntëdhjetë për liri dhe demokraci dhe realitetin e ditëve të sotme se sa e çfarë është liria dhe demokracia e fituar.

“Shoqëria jonë sipas mendimit tim e ka dorëzuar lirinë, ua ka dorëzuar atë dhunuesve të lirisë”- thotë shkrimtari në një intervistë.

Ky mendim i tij ma forcon bindjen pse Buxhovi nuk e ndan historinë nga veprat e tij. Për të e tashmja është vetëm një përpunim modern i të shkuarës, “përsëritje e së njëjtës” dhe historia është shndërruar në “Histeri”.

Romani “Dushkaja” është një qëndrim qytetar dhe intelektual i ndërgjegjshëm për gjendjen e njeriut të pasluftës në Kosovë, që e do dhe e çmon shumë lirinë, por po kaq do dhe çmon faktin ta shoh veten të vlerësuar. Këtë situatë Buxhovi e ka dhënë me një ndjesi të lartë artistike.

(Fjalë të thëna në takimin e autorit me krijuesit sarandiotë më,19.05.2022). / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi me takim letrar në Gjirokastër

Gjatë qëndrimit në jug të Shqipërisë, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i shoqëruar nga botuesi amerikan Ramiz Tafilaj, pati një takim tejet mbresëlënës letrar në bibliotekën e qytetit “Apostol Meksi” me krijues, lexues, e ku morën pjesë edhe prefekti i qarkut Odise Kote, Kryetarja e Qarkut të Gjirokastrës, Lindita Rova dhe kryetari i bashkësisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Bashkëbisedimi letrar u udhëhoq nga poeti Odise Kote, i cili paraqiti portretin letrar të shkrimtari Buxhovi me ç’rast u vlerësua me pietet proza e autorit si një vlerë e rëndësishme e letërsisë kombëtare. Autori u përshëndet edhe nga Lindita Rova dhe Flamur Golemi.

Me këtë rast, të pranishmëve dhe bibliotekës “Apostol Meksi” iu dhuruan 80 libra, për ç’gjë, nga Biblioteka autorit iu dha mirënjohje. / KultPlus.com

 

 

 

Rikthehet faqja elektronike e Jusuf Buxhovit

Pas një ndërprerjeje të shkurtër për arsye teknike është rikthyer faqja ekektronike: jusufbuxhovi.al.

Në këtë faqe gjenden disa nga botimet historiografike: “Kosova” në tri vëllime në anglisht, “Maqedonia” në anglisht dhe shqip, “Dardania” dhe “Kosova – histori e shkurtër”.

Nga romanet gjenden:

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, trilogjia “Libri i Bllacës”, “Trilogjia gjermane”, “Letrat për Kryeprincin”, “Libri i të mallkuarve”, “Jeniçeri i fundit”, “Dosja B” (shqip dhe anglisht), “Mona” dhe “Dushkaja”.

Në këtë faqe që mund të shfrytëzohet gratis, gjenden edhe shënime, recensione si dhe opinione të autorit.

Faqja do të plotësohet me botime tjera në gjuhët e huaja. / KultPlus.com

“Rrushja” e Jusuf Buxhovit, promovohet nesër në Gjakovë

Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që doli nga shtypi para pak ditësh, nesër promovohet në Gjakovë, në orën 13, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim “Rugova”, shkruan KultPlus.

“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!

‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshorti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!

Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…

Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com

Botohet romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi

Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që sapo doli nga shtypi, trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!

‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshoriti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!

Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…

Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com

“Errësirën”, mesjetës dhe Arbërorëve ia ka krijuar qasja joshkencore ndaj saj

Jusuf Buxhovi

Akademik Pëllumb Xhufi, në një leksion me temën “Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një vështrim mbi problematikën” paraqiti një varg problemesh që pengojnë në ndriçimin e historisë së mesjetës së hershme. Mes tyre, u përmend metodat e studimit. U theksua “se ka një material të ngjeshur dokumentesh të botuara në gjuhën latine dhe italishten mesjetare, e më gjerë për të cilat duhet përdorur origjinali krahas përkthimit”.

Ajo që bie në sy te hapja e kësaj çështje gjithsesi ka të bëjë me nxjerrjen në pah te një fakti tejet të rëndësishëm – të Arbërve në Bizant, ku, pos tjerash, thuhet se “burimet bizantine pohojnë se ekzistonte një marrëdhënie e rregulluar me marrëveshje të veçanta, ku Arbrit gëzonin njohjen e një autonomie politiko-administrative të tyre nga Perandoria Bizantine. Shqiptarët nuk quheshin bizantinë, por quheshin aleatë.”

Natyrisht se këtu dhe te kjo çështje fillojnë keqkuptimet, që historiografia institucionale shqiptare ia ka krijuar vetes prej më shumë se një gjysmë shekulli ngaqë është ndjekur blanco metodologjia e njohur e shkollës vieneze të shekullit XIX dhe diktati i saj me mangësi shkencore, ku vendi i shqiptarëve në historiografi nga antikiteti, mesjeta hershme, ajo e mesme dhe koha më e re, nuk është parë në qendër të saj, siç ka qenë në të vërtetë me ndërlidhjen me Pellazgët dhe fuqinë e trinomit mbretëror ilir (Maqedoni, Dardani, Epir) që e ka dominuar atë në periodën para dhe pas heleniste, por në periferi, gjithnjë në kuadër të tërësive “të huaja”, pra të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve dhe të tjerëve!

Kjo pikëpamje, që ka dominuar historiografinë prej gati dy shekujsh nga shkolla sllaviste e Vjenës, e ndërtuar kryekreje mbi koncepte politike dhe në emër të interesave të caktuara të ridizajnimit të hartës shtetërore europiane nga Kriza Lindore e këndej dhe e përqafuar me zell të madh nga propaganda hegjemoniste ruso-sllave, është pranuar edhe nga historiografia institucionale shqiptare nga themelimi i saj thuajse me inferioritet të plotë. Ngjashëm ka ndodhë edhe me teorinë indoeuroiane si dhe vendin e shqipes në të, ndonëse e përcjellë me dyshime të mëdha nga shumë studiues të njohur ndërkombëtarë pikërisht për këtë arsye.

Nëse dikur si alibi ka shërbyer faktori ideologjik dhe ai i diktatit të historiografisë serbomadhe, gjithnjë i lidhur me faktorin e parë në rrethanat e sistemit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, megjithatë, eliminimi i këtyre faktorëve është dashtë të përcjellët edhe me rishqyrtime, korrigjime si dhe me rishkrime historiografisë.

Dhe, tash, kur hapen këto çështje në nivel të një Akademie të Shkencave, që deri më tani e ka përfaqësuar këtë diskurs me mjaft fanatizëm, madje edhe duke i anatemuar përpjekjet që ato të shihen “ndryshe” nga studiues jashtë saj si dhe ndërkombëtarë, shtrohet nevoja për rishqyrtime të gjithmbarshëm historiografike të atyre nga antikiteti, mesjeta e deri te koha më e re, mbi konceptin e pamjes së iliro-arbërorëve-shqiptarëve në të si pjesë e qendrës dhe jo e shkapërderdhur tek të tjerët, si periferi, siç pretendon shkolla sllaviste e Vjenës, që edhe sot e gjithditën me perfiditet, përfaqëson këto qëndrime nga historiani kontrovers Olivier Shmitt dhe disa të tjerë.

Ndryshimi i kësaj paradigme, krahas rishqyrtimit të lidhjeve të ilirëve me botën pellazge si dhe raportet me helenizmin, pa mëdyshje nënkupton përqendrimin te rishikimi i vendit të Arbërve në Bizant, si pjesë shpirtërore (me krishterimin), asaj institucionale – në ngrehinën e saj në kuadër të strukturave administrative-vetëqeverisëse (me Ilirikun dhe themat në kuadër të statusit të qytetarisë bizantine romarios), ku Arbrit bashkë me Grekët dhe Latinët shkrinë identitetin e tyre etnik në dobi të atij perandorak. Ndriçimit të kësaj çështje, po ashtu, i ndihmon vendi dhe roli i Arbërve edhe në kuadër strukturave feudale dhe të asaj që Shufllay me të drejtë e quan “separatizëm feudal” nga koha e procesit të shthurjes së Bizanit (midis shekujve XII-XIV), sidomos nga kryqëzata e katër e këndej, kur shfaqet edhe Despotati i Epirit, si alternativë e përjashtimit të qendrës së Bizantit nga Kostandinopoja në Nike pas vendosjes në të Perandorisë Katolike nga 1204-1267 dhe më vonë edhe “Mbretëria e Arbërisë” Anzhue (1272-1296) dhe garës së njohur e despotëve për krijimin e strukturave autonome-feudale, në kuadër të hapësirës perandorake.

Në këtë proces dezintegrues, rol të madh luan edhe ndriçimi i dinastisë Nemanjane të Rashës, si një faktor hegjemon force në Ilirik, që për dy shekuj, në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, në kohën e Stefan Dushanit, u vetëshpall “perandor” me pretendimin që ta zëvendësojë kurorën e Bizantit. Në bulat e tij dhe të paraardhësve, jo rastësisht përmendën dhe Arbrit bashkë me grekët, vllehët dhe të tjerët. Shumë nga këto bula janë falsifikuar nga Kisha ortodokse serbe si dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në përputhje me konceptin e përvetësimit të Rashës Nemanjane si “shtetit mesjetar serb”, prej nga përjashtohe koncepti i “Ilyricum Magnum”.

Interpretimi i drejtë i raporteve të Rashës Nemanjane në Ilirik ka rëndësi jo vetëm për Arbrit, por në përgjithësi për ndriçimin e zhvillimeve në kuadër të Bizantit, meqë kjo dinasti luajti rol tejet të rëndësishëm në garën midis krishterimit lindor dhe atij perëndimor si dhe luftë së vendeve katolike kundër atyre ortodokse nën kurorën e Bizantit. Rasha dhe, mbretëria e Bullgarisë para saj, po edhe feudalët e shkapërderdhur arbëror, patën një vend të veçantë në këtë garë. Meqë aty përcaktohej hegjemonia midis tyre, në rrethanat e shfaqjes së osmanëve, të cilët ndikuan që Bizanti, në kohën e Paleologëve të kthehet në aleatë të tyre, gjë që përshpejtoi ngritjen e osmanëve në fuqi në dëm të krishterimit katolik. Në këtë kthesë të rëndësishme, Rasha, pati një ndikim të madh, ndonëse fillimisht ishte në anën e Vatikanit. Stefani i I, më 1219, u kryqëzua “mbret” nga Papati, në mënyrë që më vonë, siç veproi Dushani, të marrë anën e Bizantit me pretendimin që ta fitojë kurorën e tij. Në këtë proces, pra të luftës së dy kishave, përfshirja e Arbërve është aktive me anën e formacioneve shoqërore-shtetërore të një rë ndësie të madhe strategjike, me Despotatin e Epirit në anën e Bizantit dhe të krishterimit ortodoks dhe, me Mbretërinë e Arbërisë Anzhue, në pjesën e tyre më të madhe, në anën e katolikëve të perëndimit. Në këtë zhvillim historik, me kapërcime dramatike dhe e përcjellë me luftëra të ndërsjella në dobi të njërit apo tjetrit kryq, që është minimizuar nga historiografia shqiptare për arsye që u cekën më lartë, Rasha Nemanjane inkorporohet si faktor hegjemon me pretendimin që ta fuste në konceptin e vet faktorin arbëror, ndonëse të shkapërderdhur nëpër feude, në përputhje me raportin e forcave të kohës, që do të ishte kompatabil edhe me interesat e veta. Raportet ndërlidhëse në vend të atyre përjashtuese të arbërve me Nemanjajt në kuadër të kësaj gare midis Lindjes dhe Perëndimit, kanë rëndësi të madhe për ndriçimin e një kornize komplekse historike që ka të bëjë kryekreje me Arbërinë Mesjetare në kuadër të Mesjetës dhe të faktorëve kyç në të. Kjo fiton peshë edhe më të madhe nga fakti se historiografia hegjemoniste serbe dhe ajo ruse-sllave në përgjithësi është munduar që despotatin e Rashës, nga shfaqja e paqartë si zhupani në shekullin XI e deri te forcimi në shekullin XIII dhe XIV, ta konvertojë në “shtet mesjetar” serb, ndërsa rasianët t’i konvertojë në serbë, përkundër fakteve të shumta historike nga autorë bizantinë (përfshirë këtu edhe perandorin Kantakuzen) ku ata paraqiten si Tribal (sipas autorëve antikë fis ilir),ndërsa Rasha si Tribalia,të cilën filologu serb Budimir, krahas etimologjisë së emërtimit Rasa nga Arsa në shqipe, jo rastësisht e quan “kështjellë e fundit të Bizantit në Ilirik”. Konvertimi i tribalëve në serbë, është i pranishëm edhe në gjashtë vëllimet e “Historisë së popujve të Jugosllavisë në dokumentet bizantine” të botuar midis viteve 1953-1974, por me një ndërhyrje flagrante kur emërtimi tribal i rasianëve “shpjegohet” si “hutim” i perandorit të Bizantit dhe të tjerëve nga Herodoti!

Historiografia institucionale shqiptare, ka sot mundësi të shumta që të kundërshtojë, madje edhe ta demantojë konvertimin e Rashës Nemanjane në “shtet mesjetar serb” që është bërë me falsifikimin e dokumenteve kishtare nga Beogradi (kristobulat dhe zhititë – përshkrimet fetare nga Hilandari) dhe të tjera. Këto falsifikime pranohen edhe nga historianë objektivë serbë (Ruvarac, Budimir dhe, edhe rusi Jastrebov). Kundërshtohen, po ashtu edhe nga shumë e shumë relacione diplomatike të Vatikanit, të Vendikut, Raguzes dhe atyre hungareze, në të cilat Rasha quhet vetëm Rasia, Rascia dhe assesi “mbretëri serbe”. Ky veprim madje mund të gjendet edhe te historiani serb S. Novakoviq, i cili, në parathënien e veprës “Zakonik Stefana Dushana cara srpskog” pranon se në studimin e tij nuk mbështetet mbi “Kanun mesjetar të shekullit XIV”, por të sajuar në shekullin XIX nga disa rrëfime të priftërinjve rus në Prizren! Në parathënien e kësaj vepre, Novakoviq pranon se ato rrëfime që ai sjell në libër, fillimisht “si rrëfime” nga priftërinjtë rusë në Prizren janë bartur te A. Shafariku në Vjenë dhe ai i ka plasuar te “Documenta slavica”. Të tilla pastaj janë pranuar edhe nga Jiriçek dhe sllavistë të tjerë të Vjenës, bashkë me falsifikime të tjera nga punëtoria e rishkrimeve të dokumenteve mesjetare në Odesë dhe Hilandar. Përballë këtyre argumenteve dhe të tjerave që mund të zbulohen nëpër arkiva meritore, thyhet “miti” rreth Rashës “serbe”. Ndërkohë që del në pah pikërisht ana tjetër e saj, ajo e krijimit të një “Illyricum Magnum” nga vendet katolike (Hungaria, Gjermania e të tjera), që lidhen me kryqëzatën e katër e këndej (1204-1353), bartëse e së cilës ishte paraparë të jetë Rasha Nemanjane, pasi që ajo të zgjerohet nga Nishi për në Prizren dhe Ohër, gjithandej Ilirikut në hapësirën e Dardanisë mesjetare atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, e ku do të përfshihen edhe shumë nga feudalët arbër: (Balshajt, Kastriotët, Topiajt e të tjerët).

Se thyerja e “mitit” të “shtetit mesjetar”, nuk paraqet ndonjë vështirësi shkencore, këtë, madje, e pranon edhe V. Çubrilloviqi në librin e tij “Politička misao Serbije” me atë që thotë se “ekziston një shpërputhje e madhe, thuajse e papërballueshme nga aspekti historik, midis etnisë serbe me qendër në Bosnjen Qendrore dhe Sllavoni, siç e paraqet edhe Porfirogeniti Serbisë politike, të shekullit XIX.” Nëse kësaj i shtohen edhe ato që thotë Jagidiq se “Serbia etnike i ka gjurmët në pjesën perëndimore të lumit Drina, ndërsa kultura serbe dhe nacionalizmi serb, që do të pranohet ndërkombëtarisht në Kongresin e Berlinit më 1878, bërthamën e ka në pjesën hungareze të Vojvodinës (Karlovc dhe Temishvar) dhe jo në Kosovë”, atëherë përballimi i kësaj çështje, në përputhje me dokumentet e shumta nga autorë mesjetar, nuk do të duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Kësaj duhet t’i paraprijë heqja dorë e historiografisë shqiptare nga dogma e “shtetit mesjetar serb” në Kosovë dhe të Rashës qendër të saj dhe aprovimi i një plani hulumtues-shkencor afatgjatë (nga studimet multidisciplinare), në të cilin do të përfshiheshin që të gjithë historianët shqiptarë (institucionalë dhe jashtë tyre) për kompleksitetin e mesjetës, me theks të veçantë te roli i Dardanisë mesjetare dhe i krishterimit , ku ai u zyrtarizua në shekullin IV, atij të ndarë në shekullin XI (në ritin lindor dhe atij perëndimor), pastaj të gjuhës së liturgjisë kishtare (greke dhe të sllavishtes së vjetër kishtare) dhe faktorëve që krijuan që në shekullin XIX, etnitë fetare mbi bazat e liturgjisë kishtar (të sllavishtes së vjetër – në serbë dhe malazias, dhe të greqishtes – në grek), të kthehen në etni kombëtare. Natyrisht se te trajtimi shkencor i këtyre çështjeve, i përcjellë me simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, me botime komplekse shkencore si dhe te përkthimi i veprave të autorëve shqiptarë në anglisht dhe depërtimi i tyre në universitetet prestigjioze botërore, institutet dhe bibliotekat e tyre, gjendet edhe përgjigjja rreth përvetësimit të krishterimit ortodoks nga kisha ortodokse serbe që ajo e ka përvetësuar jashtë realiteteve historike në dëm të shqiptarëve dhe të trashëgimisë së tyre të krishterë – nga shfaqja në Ilirik si dhe Rashës dhe dinastisë Nemanjane -jashtë përvetësimit serb me çka i hiqet velloja “errësirës mesjetare” të Arbërve. / KultPlus.com

“Kosova” në anglisht në bibliotekën e Stokholmit

Krahas depërtimit gjithnjë e më të madh në bibliotekat e universiteteve dhe të instituteve shkencore amerikane si dhe në shumë qendra të tjera universitare botërore, “Kosova” në anglisht, këto ditë, në saje të angazhimit të Ilir Canhasit, gjeti vend edhe në Bibliotekën e Stokholmit.

Këtyre veprave së shpejti do t’u bashkohen edhe “Maqedonia” dhe “Dosja B” në anglisht. / KultPlus.com