Kabinat e famshme telefonike do të mbrohen nga mbyllja

Mijëra kabina telefonike në mbarë Mbretërinë e Bashkuar do të mbrohen nga mbyllja, sipas BBC.

‘Ofcom’, rregullatori i telekomunikacionit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se do të ndalojë  mbylljen e 5 000 kabinave telefonike në zona me sinjale të dobëta celulare ose shkallë të lartë aksidentesh, nëse ato janë ende të nevojshme nga komunitetet lokale.

Vitet e fundit këto kabina kanë dalë jashtë funksionit.

Por, aktualisht, një kabinë telefonike do të ruhet nëse:

  • ndodhet në një pikë të nxehtë aksidenti ose vetëvrasjeje
  • në shumë se 52 telefonata janë bërë prej saj gjatë 12 muajve të fundit
  • rrethanat e jashtëzakonshme nënkuptojnë se ka nevojë për një të tillë
  • vendndodhja nuk mbulohet tashmë nga të katër rrjetet celulare

Selina Chadha, drejtoreshë në ‘Ofcom’ thotë se “disa prej tyre do të përdoren për të kryer një numër relativisht të ulët telefonatash. Por, nëse një nga ato telefonata është nga një fëmijë i shqetësuar, një viktimë aksidenti ose dikush që mendon për vetëvrasje, ajo linjë telefonike publike mund të jetë një mjet shpëtimi në një kohë nevoje të madhe”. / KultPlus.com

Kabinat e telefonit shndërrohen në hapësira ekspozuese

A ka mundësi që një kabinë telefonike të shndërrohet në një hapësirë arti? Kjo ishte pyetja që artistët Damián Ortega dhe Bree Zucker, drejtori i galerisë “Kurimanzutto” në New York, kishin në mendje kur organizuan “TITAN”, një ekspozitë në të cilën 12 vepra të artistëve u vendosën nëpër kabina të telefonit në rrugën “Sixth Avenue” në Midtown Manhattan. Ekspozita që është hapur më 12 tetor dhe të jetë e qasshme deri më 3 janar të vitit 2021.

Kjo hapësirë e artit do të jetë e përkohshme në shumë kuptime. Dikur në fillim të vitit të ardhshëm, pasi që mbaron ekspozita, qyteti i New York-ut që ka pronësinë e kioskave të tanishme të “Titan-i” do të heqë kabinat, duke larguar ato që konsiderohen të vjetruara e që prej kohësh janë një pjesë integrale e peizazhit të qytetit. (Në vend të tyre do të jenë kioskat që ofrojnë wifi.), raporton KOHA, përcjell KultPlus.

Zgjedhja e kabinave midis Rrugë “51” dhe “56” ishte e qëllimshme. Për Ortega dhe Zucker, vendndodhja përfaqëson një “qark” të rëndësishëm të qytetit, me Muzeun e Artit Modern dhe “Radio Music City Hall”, skulpturat e ndryshme publike dhe më e rëndësishmja, ndërtesat e mëdha të korporatave të gjitha të vendosura afër.

“Për ne, kjo rrugë është një mikrokozmos dhe një arenë e përsosur për studim”, ka thënë Zucker për “ARTnews’. “Vendndodhja nuk është arbitrare – ishte një caktim i lokacioneve që u bë në hartën e Manhatanit, për të nxjerrë në pah një arterie specifike të qytetit”.

Ortega shtoi: “Ne nuk mund ta mbulonim qytetin ose gjithë ‘Avenue Sixth’, por mund të bëjmë një ndërhyrje akupunkturale”.

Për ekspozitën e hapur, Ortega dhe Zucker kanë mbledhur së bashku një grup të konsiderueshëm artistësh, duke përfshirë artistët Minerva Cuevas, Jimmie Durham, Rirkrit Tiravanija, Hans Haacke, Glenn Ligon, Zoe Leonard, Yvonne Rainer, Patti Smith dhe Renée Jeshile. Secili artist ka pasur kabinën e tij të telefonit dhe në vend të reklamave veprat e tyre janë paraqitur në të tri anët e kioskës. Ekspozita shoqërohet gjithashtu me një ueb-faqe të realizuar posaçërisht për këtë, e cila përfshin një hartë se ku mund të gjeni secilën kioskë dhe një deklaratë të artistit për secilën vepër.

Shumë nga punimet në ekspozitë janë të bazuara në tekst, si Cildo Meireles që paraqet disa vargje nga Ungjilli i Mateut i Dhjatës së Re. Nga njëra anë, theksohet vargu i gjashtë: “Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngopen”. Anne Collier ka riparuar serinë e saj të vitit 2011 “Questions”, imazhe të bukura që paraqesin përkufizimet e fjalorit (në letër me ngjyra) të fjalëve si “prova” dhe “supozim”. Dhe Rirkrit Tiravanija po paraqet fraza të mëdha me shkronja të shkurtra si ” Febreze for Fascism”.

Artistë të tjerë ripozicionuan disa nga punimet e tyre më të njohura për shfaqjen. Hal Fischer po paraqet shembuj nga seria e tij e mirënjohur e teksteve fotografike të viteve 1970 “Gay Semiotics”, dhe Jimmie Durham ka krijuar një hartë të thjeshtë me një pikë të madhe të kuqe, duke thënë “You Are Here” (me sa duket një referencë për vazhdimin e serisë ““A Pole to Mark the Center of the Ëorld”).

Megjithëse ndihet e harmonizuar me klimën kulturore të vitit 2020, zhvillimi i ekspozitës në këtë mënyrë, duke përdorur kabinat e vjetra të telefonike, i paraprin pandemisë, pasi shfaqja për të është punuar që gati një vit. Zanafilla e saj filloi kur Ortega erdhi për herë të fundit në New York dhe vizitoi galerinë e “Kurimanzutto” dhe lagjen përreth. “TITAN” paraqiti një mundësi, siç ka thënë Ortega, për të lejuar artistët të kontribuojnë në diçka që nuk po ndodhte digjitalisht, veçanërisht pasi që lodhja online e botës së artit është rritur në muajt e fundit.

“Në një kohë kur njerëzit janë të mbyllur në shtëpitë e tyre ose të izoluar në hapësirat e tyre, kjo ide e bashkimit në rrugë për të parë një ekspozitë që mund ta shihni në mes të natës është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pandemisë” ka thënë Zucker.

Megjithëse “Kurimanzutto” njihet tani si një nga galeritë kryesore, Ortega ka thënë se kjo ekspozitë është një kthim në ditët më të hershme të galerisë në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, kur artistët e saj themelues do të organizonin ekspozita në hapësira jokonvencionale – nga një treg frutash në një dyqan mobiliesh të braktisur.

“Po përpiqeshim t’i shpëtonim kubit të bardhë dhe të ndiqnim energjinë e qytetit”, ka thënë Ortega, i cili ishte një nga 13 artistët që themeluan “Kurimanzutto” së bashku me pronarët e tij, Mónica Manzutto dhe José Kuri.

Zucker shtoi, “Kishte këtë energjinë e një komuniteti, duke ndërtuar një projekt së bashku në një hapësirë ​​që mbase nuk ishte kuptuar ose njohur si një hapësirë ​​për të treguar art. Në vend që të qëndronim brenda mureve të kabinetit që kishim krijuar në New York, ishte kjo lëvizje për t’u rikthyer në venat e qytetit në kanalin e komunikimit”.

Kabinat e telefonit ishin hapësira ideale për projektin sepse ato “tashmë ishin fytyra publike, por që nuk viheshin re”, ka thënë Zucker. “Ato ishin në këndet e hapësirës e që ishin disi të padukshme, por janë kudo në qytet, megjithëse janë kaluar pa kuptuar mirë se ato janë në fakt hapësira”. / artnews/ KultPlus.com