Katari i dhuron Turqisë dhe Sirisë, fshatrat e Kupës së Botës për viktimat e tërmetit

Shtëpitë e lëvizshme dhe portokabinat do të përdoren në zonat e tërmetit për të akomoduar njerëzit e mbetur të pastrehë pas tragjedisë. Dërgesa e parë që mbante 350 njësitë fillestare, tashmë është nisur nga Katari për në Turqi dhe Siri.

Shteti i Gjirit është zotuar gjithashtu të dërgojë 10.000 njësi banimi të lëvizshme në zonat e tërmetit, tha Fondi për Zhvillim i Katarit në një postim në Twitter.

“Duke pasur parasysh nevojat urgjente në Turqi dhe Siri, ne kemi marrë vendimin për të dërguar kabinat dhe karvanët tanë në rajon, duke ofruar një mbështetje shumë të nevojshme dhe të menjëhershme për popullin e Turqisë dhe Sirisë”.

Turqia është goditur nga një tërmet i tmerrshëm me magnitudë 7.8 ballë, që ka tronditur themelet e vendit. Sipas vlerësimeve, numri i të vdekurve nga ka kaluar shifrën 36.000 me numërimin që pritet të rritet. Turqia ka kthyer vëmendjen e saj nga shpëtimi i njerëzve në sigurimin e strehimit dhe burimeve të nevojshme për ata që janë prekur nga tragjedia.

Katari kishte planifikuar gjithmonë të dhuronte njësitë e banimit, të cilat ishin instaluar për të strehuar fluksin e tifozëve që vizituan vendin arab gjatë turneut nëntor-dhjetor. / KultPlus.com

Vepra arti në shkretëtirë, Katari ekspozon instalacione pranë siteve të trashëgimisë botërore

Në shkretëtirën e Katarit janë ekspozuar instalime të artistit Brazilian Ernesto Neto dhe artistëve të tjerë me famë botërore. Qëllimi është të tërhiqet vëmendja për mbrojtjen e planetit nga vendi organizator i Kupës së Botës.

Shkretëtira e Katarit është mbuluar me vepra të artistëve me famë botërore. Mes tyre spikat instalacioni zhytës i artistit brazilian Ernesto Neto, “Turtle Slug, TemplEarth” që i bën homazh mjedisit natyror dhe krijon një hapësirë ​​për meditim, reflektim midis vizitorëve dhe shpirtit të shkretëtirës. Vepra shpreh kërkimin e vazhdueshëm të artistit për hapësirën e trupit, ekuilibrin dhe gravitetin.

“Kupa e Botës është një kohë për të menduar për botën, jo vetëm për të menduar se kush do të fitojë dhe kush do të luajë futboll. Kjo vepër është një këngë, është një lutje për një kohë të re, është një lutje për një tokë të re, për një njerëzim të ri me më shumë butësi ndaj njëri-tjetrit dhe gjithashtu ndaj planetit”, tha Ernesto Neto.

Instalimi i këtyre veprave të rëndësishme, mes tyre edhe nga artisti islandez-danez Olafur Eliasson dhe libanezo-amerikani Simone Fattal, nxjerr në pah rëndësinë e vendeve të trashëgimisë afër të Katarit.

Veprat janë ekspozuar pranë Al Zubarah, i cili u shpall sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2013. Ky sit ndodhet afërsisht 100 km në veriperëndim të Dohas, qytetit tregtar të perlave në shekullin 18-19.

Përveç instalimeve, hapësirat publike të vendit po shndërrohen në një eksperiencë të madhe muzeu arti në natyrë, përpara fillimit të Kupës së Botës.

Duke e bërë artin pjesë të jetës së përditshme, Katari u bë një nga vendet e para në Gjirin Persik që krijoi një program gjithëpërfshirës të artit bashkëkohor publik. / KultPlus.com

Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Kryetarin e Kuvendit Konsultativ të Shtetit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të dy vendeve tona.

Presidentja falënderoi Kryetarin Al-Ghanim për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit, duke ritheksuar gatishmërinë të forcojmë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.

Dy bashkëbiseduesit këmbyen mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.

Presidentja Osmani bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve. Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale. /KultPlus.com

Një ekip turk i arkitektëve ka ideuar “hotele lundruese” për vende të pasura si Katari

Vende si Dubai apo Katari janë gjithmonë në kërkim të gjërave të reja, e sidomos atyre arkitekturore, me koncepte dhe struktura gjithmonë e më të pazakonta.

Ndërtesat gjigante “që gërvishtin” qiellin në këto vende tashmë janë bërë të zakonshme.

Kësaj here ekipi turk “Hayri Atak Architectural Design Studio” ka shkuar më larg, pasi po ideon projektin e hoteleve lundruese, të cilët mund të gjenerojnë vetë energjinë elektrike, duke mbledhur dhe ripërdorur ujërat e shiut apo mbetjet ushqimore.

Struktura lundruese do të funksionojë në një mënyrë të ngjashme me një gjenerator, duke shfrytëzuar rrymën e ujit, turbinat e erës dhe fuqinë e baticave, duke e shndërruar të gjithë këtë në energji elektrike.

Ndonëse hoteli do të rrotullohet 360 gradë për të vënë në funksion sistemin e tij, mysafirët nuk kanë gjasa të përjetojnë ndonjë marramendje. I ideuar të ketë rreth 152 dhoma dhe një luks që i shkon përshtati vendeve të tilla, hoteli fillimisht do të ndërtohet në Katar, por projekti sipas dizajnerëve, mund të vendoset kudo për shkak të “tiparit të tij të lëvizshëm”.

Ekipi beson se pavarësisht vonesave për shkak të pandemisë, projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2025. Megjithatë, synimi është që të punohet për 16 hotele të tilla luksoze. \ a2news/ KultPlus.com

Sot në Prishtinë promovohet romani me motive shqiptare i autorit nga Katari

Ndërsa ditë më parë në kryeqytetin e Katarit, Doha, u hap ambasada e Republikës, që ishte shkas të mblidhej atje komuniteti i vogël i shqiptarëve nga të gjitha hapësirat ku jetojnë, sot në kryeqytetin e Kosovës promovimi i romanit të njërit nga shkrimtarët më të njohur të këtij vendi do të jetë arsye e mirë të mbledhë dashamirët e artit të shkruar.

Në orën 12, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare do të bëhet promovimi i romanit “Kusari” të shkrimtarit nga Katari, Abdulazis Al Mahmud, i cili mbështetet në motive shqiptare. Promovimin e këtij romani, që ishte kthyer në bestseler, dhe që përjetoi shtatë ribotime dhe u përkthye edhe në gjuhën angleze, bëhet në bashkëpunim me Institutin për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë. Atë në shqip e përktheu Ejup Ramadani, ndërsa e botoi “Buzuku”, shkruan Koha.net.

Me rastin e promovimit të këtij romani, sot në Prishtinë do të jetë i pranishëm edhe autori Abdulazis Al Mahmud.

“Kusari” ishte romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ai motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit , përfshirë edhe luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në Arabi.

Autori Abdulaziz Al Mahmud u paraqit së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe ia kushtoi kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu,e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A.Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi. / KultPlus.com

Katari ndërton bibliotekën më të madhe në botë

Plot fëmijë rrëmojnë në raftet e saj ose ulen me libra në duar, në këmbët e shtyllave të mëdha, që mbështesin mega-strukturën e “Rem Koolhaas”, prej 45.000 metra katrorësh.

Në 6 muajt e parë të vitit, thonë drejtues të saj, çdo libër i seksionit të fëmijëve është huazuar, çka tregon se përpjekjet për të tërhequr dhe më të vegjlit, kanë dhënë fryt.

QNL-ja, e shitur si një bibliotekë “e zhurmshme”, përmban një auditor me 120 vende dhe një zonë eventesh në zemër të hapësirës, së mbushur me dritë natyrale, e cila të kujton një aeroport modern.

“Të gjithë librat që shihni në këtë vend mund të huazohen nga përdoruesit. Ndryshe nga shumë biblioteka kombëtare, ne kemi një funksion të bibliotekës publike që bashkërendohet me funksionin kombëtare dhe atë kërkimor”, është shprehur Stuart James Hamilton, zëvendës drejtori ekzekutiv i bibliotekës.

Me mbi një milion libra dhe 500,000 botime digjitale, biblioteka e ndodhur në Doha, është më e madhja në Lindjen e Mesme.

Megjithatë konkurrenca nuk mungon, Emiratet e Bashkuara Arabe po përpiqen t’ia kalojnë Katarit me bibliotekën më të re, në Dubai, “Mohammed Bin Rashid”, e cila kur te çelet, thuhet se do ti ofrojë plot 1.5 milion libra, publikut për lexim./ Insajderi/ KultPlus.com