Piktura murale e kishës së Shën Gjergjit në Vithkuq, në proces konservimi

Restauratorët e artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë janë në proces konservimi të pikturës murale në kishën e Shën Gjergjit në Vithkuq.

Ndërhyrja po realizohet në pjesën e apsidës së kishës. Si pasojë e lagështisë ndër vite, piktura murale, në këtë pjesë, kishte pësuar dëmtime dhe shkëputje të suvasë.

Pjesa e dëmtuar e pikturës murale u zhvendos me teknikën e operimit për të vazhduar me punën konservuese në ambientet e DRTK Korçë.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeengjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait e shumë të tjera, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije.

Kishat e Vithkuqit dhe të Voskopojës janë monumente me vlera arkitektonike dhe artistike, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin. Ato janë cilësuar si “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. /atsh / KultPlus.com

Kisha e Shën Gjergjit në Berat, objekti ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike

Në kishën e Shën Gjergjit në Berat vijon puna për kthimin e saj në identitet.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore solli sot në vëmendje punën që po bëhet në këtë monument kulture të ndërtuar në shekullin XVIII në Berat.

“Kisha e Shën Gjergjit në Berat, një objekt i veçantë, ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike”, – tha Margariti.

Kjo kishë, në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase.

Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë.

Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në anën juglindore të kalasë së Beratit dhe aktualisht ruan shumë pak nga ndërtimi i saj origjinal i shek. XVIII.

Një nga dëshmitë e para që kemi lidhur me arkitekturën e mëparshme të saj, është një imazh fotografik bardhezi nga agjencia LUCE gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në të duket se bëhet fjalë për një kishë tipmanastir, të rrethuar me mure prej guri dhe hyrje kryesore nga perëndimi.

Një element arkitektonik me rëndësi ishte prezenca e këmbanores me dy vendosje këmbanash në anën perëndimore të monumentit. Kisha, duke iu përshtatur terrenit shquhej për lartësinë dhe madhësinë e saj. Planimetria ishte drejtkëndore dhe në anën perëndimore ndodhej edhe një portik me kolonadë prej guri. Kisha e Shën Gjergjit është pjesë e monumenteve të tjerë të kulturës në Berat me vlera për trashëgiminë tonë kulturore. / KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në Berat

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në qytetin e “një mbi një dritareve”, përcjellë KultPlus.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin dhe konsolidimin e fasadës dhe çatisë së kishës që i përket shek. XVIII në Berat.

Margariti shprehet se edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, objekti është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi.

“Kjo kishë në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, ka shkruar ministrja. / KultPlus.com