Përurohet kisha e restauruar katolike në Rubik

Komuniteti Katolik në Rubik do të mbajë meshën e Krishtlindjes në kishën e rehabilituar falë programit “EU4Culture”.

Siti i parë i kompletuar nën “EU4Culture” u inaugurua mbrëmë në prani të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, ministres së Kulturës Elva Margariti, Dom Gjergj Metës, ambasadorëve të TeamEurope dhe autoriteteve lokale, njoftoi sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ministrja Margariti tha se, “është me të vërtetë domethënëse që objekti i parë i përuruar, ndër ndërhyrjet e Programit “EU4Culture” është jo thjesht një monument kulture, por një objekt me një rëndësi të veçantë shpirtërore; një objekt shprese”.

“Restaurimi i kishës së T’Shëlbuemit në Rubik, është një ogur i mirë për programin EU4Culture të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Nuk është thjesht një restaurim çatie apo fasade, por një investim që sheh përtej mureve”, u shpreh ajo.

“Së bashku me ambasadorin Soreca, e miq që na nderuan në këtë ceremoni, iu bashkuam gëzimit të komunitetit, të cilit iu rikthye kjo shtëpi e përbashkët, që i ka rezistuar shekujve”, përfundoi Margariti.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

Zbatuar nga UNOPS, EU4Culture synon të rehabilitojë dhe rigjallërojë trashëgiminë kulturore shqiptare të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Paralelisht, punimet kanë nisur edhe në 5 objekte të tjera: Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, Kisha e Rodonit, Ura e Kurçajt në Krujë, Kulla Veneciane dhe Hamami në Durrës. / KultPlus.com

Kishat katolike bekojnë çiftet homoseksuale, vendimi ngjall reagime

Priftërinjtë në rreth 100 kisha katolike të Gjermanisë, nga sot, do t’u ofrojnë bekimin çifteve të gjinisë së njëjtë.

Lëvizja “Dashuria fiton” u shfaq pasi Kisha Katolike në Vatikan tha në muajin Mars se Zoti “nuk mund ta bekojë mëkatin”, transmeton KultPlus.

Lëvizja e përshkroi këtë vlerësim të Kishës si një “shuplakë në fytyrë njerëzve në të gjithë botën”.

Tashmë kjo lëvizje ka publikuar një hartë që tregon të gjitha kishat që ofrohet bekimi për çifteve homoseksuale.

Papa Françesku ka thënë më herët se ai beson se çiftet homoseksuale duhet të lejohen të bëjnë “bashkime civile”. Vitin e kaluar në një dokumentar ai theksoi se këto çifte “kanë të drejtë të jenë në familje”.

Megjithatë, ai ka miratuar qëndrimin e Kongregatës për Doktrinën e Besimit, se Kisha Katolike nuk e ka fuqinë t’i bekojë bashkimet e çifteve të gjinisë së njëjtë. Në Kishën Katolike, bekimi jepet nga një prift ose një prelat tjetër. / KultPlus.com

Kisha Katolike franceze mund të ketë abuzuar mbi 10 mijë të mitur nga vitet ‘50

Në 70 vitet e fundit, pjesëtarë të Kishës Katolike franceze mund të jenë autorë të abuzimeve seksuale mbi të paktën 10 mijë persona.

Ky është rezultati shokues, por ende paraprak, i zbuluar nga gjetjet e Komisionit të Pavarur për abuzimet seksuale (CIASE), një komision i ngritur nga vetë Konferenca e Peshkopëve francezë, për t’i dhënë fund heshtjes ndaj këtyre krimeve, që është ushtruar në veçanti ndaj të miturve.

Komisioni ka mbledhur deri më tani më shumë se 6500 dëshmi, që përfshijnë 3 mijë viktima.

Raporti final pritet brenda pak muajsh, dhe me siguri do të shkaktojë një “tërmet” në institucionin fetar të atij vendi dhe jo vetëm, por njëkohësisht nga disa pjesëtarë të rëndësishëm të saj, cilësohet edhe si mundësia për të mbyllur një kapitull të errët dhe për të rindërtuar besueshmërinë ndaj opinionit publik, të cenuar nga skandalet e shpeshta.

Sipas kryepeshkopit Charles Scicluna, një nga personat më të angazhuar në zbulimin e këtyre krimeve, është që raporti – por edhe drejtimi i ri i Papa Franceskut – për raportimin e menjëhershëm të këtyre krimeve, do të sjellë rezultate.  “Do të tregojë që lidershipi nuk shkon mbi ligjin, dhe që njerëzit që e duan Kishën do të na denoncojnë, po të bëjmë diçka që nuk shkon”. / KultPlus.com