Ekspertët alarmojnë: Keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje

Mbi 95 për qind e popullsisë në vend janë përdorues të internetit dhe si pasojë e kësaj, keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje. Sipas sociologeve dhe ekspertëve, ky fenomen ka pasoja të rënda për të ardhmen e fëmijëve dhe se familjet e institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë me shumë për sa i përket sigurisë së fëmijëve gjatë përdorimit të internetit.

Keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje dhe se raportimi i rasteve mbetet sfidë, pasi që në Kosovë mbi 95 për qind e popullsisë është përdorues i internetit dhe një pjesë e madhe e tyre janë të mitur. Se kjo situatë është shqetësuese dhe është jashtë çdo kontrolli e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën eksperti dhe ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

“Shqetësuese është moskufizimi i qasjes i cilësdo moshë në ueb faqe që konsiderohen ose janë të ndaluara në vendet e tjera për arsye të tjera. Kriteri tjetër që duhet të ekzistonte së paku është të identifikohen ata të cilët hyjnë në këto ueb faqe, të gjurmohet që të ketë një gjurmë eventualisht për vlerësimin e të dhënave që mbikëqyren. Ajo që është edhe më keqe është ekspozimi edhe në mediet publike dhe private”, ka theksuar Jashari për RTK-në.

Po ashtu, ai tha se pasojat nga ekspozimi i të miturve në rrjetet sociale  janë shumë të mëdha sa që sipas disa studimeve të bëra, edhe ADN- ja e këtyre personave ndryshon në moshën madhore si pasojë e keqpërdorimit të tyre në rrjetet sociale.

“Aq i thellë është ndikimi sa që në shkencë është vërtetuar që  ai person në moshën madhore pëson ndryshim të ADN-së. Kaq i thellë është ndikimi  për të cilën ne nuk jemi të vetëdijshëm dhe unë, sa isha në pozitën e Avokatit të Popullit, e pata  bërë një publikim të kësaj natyre për t’i vetëdijesuar institucionet përgjegjëse për të kuptuar se sa i madh është ndikimi. Por, për fat të keq, nuk pati ndonjë reagim pozitiv të institucioneve që merren me trajtimin shëndetësor, social dhe atë  psikologjik dhe për të njoftuar edhe popullatën se çfarë ndikimi mund të kenë sjelljet e tilla te fëmijët dhe në përgjithësi”, ka shtuar Jashari.

Se pasojat janë të mëdha gjatë abuzimit të fëmijëve në rrjetet sociale e thotë për Radio Kosovën edhe sociologu Shkodran Ramadani, që është edhe drejtor i Qendrës për Studime të Avancuar e që kanë organizuar studime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, të miturit që keqpërdoren në rrjetet sociale, në të ardhmen do të bullizohen, tha Ramadani.

“Numri i ulët i raportimit nuk është thjesht mos ekzistencë e këtij fenomeni, por ekziston një lloj hezitimi dhe frike për ta raportuar rastin për arsye se në disa raste të caktuara raportimi i rastit nënkupton edhe shpërndarje më të madhe të  materialeve. Por frika tjetër është edhe bullizimi”, ka theksuar Ramadani.

Ndërkaq, Policia e Kosovës në një përgjigjeje përmes postës elektronike i tha Radio Kosovës se hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale, duke përdorur programe kompjuterike dhe se qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet. Policia bënë të ditur se nuk disponojnë të dhëna të ndara për rastet e mashtrimeve online, sepse rastet evidentohen ashtu siç janë te përkufizuara sipas kodit penal te RKS-së. / Gazeta express / KultPlus.com

KOMF reagon ndaj lajmit për ngacmim seksual të të miturës

KOMF ka reaguar me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore, përcjellë KultPlus.

KOMF bën thirrje dhe apelon tek të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cenojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, ti largojnë ato. Pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.

KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë. Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuara dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.

“Si KOMF përmes organizatave anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, ofrojmë mbështetjen tonë për këtë rast, nëse kjo kërkohet nga institucionet”, thuhet në komunikatë.

Tutje, KOMF ka njoftuar se do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast dhe në të njëjtën kohë bën një apel ndaj gjithë organeve të përfshira në rast që të ndërmarrin veprime urgjente për trajtimin e tij. / KultPlus.com

Prej sot të miturit nga Kosova mund të udhëtojnë në Mal të Zi vetëm me certifikatë të lindjes

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq ka dhënë një lajm të mirë për kosovarët.

Që prej sot, 27 prill 2021, për në hyrje në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan për në Mal të Zi, të miturve nga Kosova për kalim u duhet vetëm një certifikatë lindje, kartë studentore apo shëndetësore.

Ai e theksoi se sapo ka marrë një lajm fantastik.

Postimi i plotë:

Që nga sot, 27 prill 2021, për hyrje në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan për në Malë të Zi, të miturve nga Kosova për kalim u duhet vetëm një certifikatë lindje, kartë studentore apo shëndetësore.

( së shpejti )

Njohja e ndërsjelltë e polisave të sigurimit.

Vetëm një kontroll gjatë kalimit në vendkalimin kufitar Sukobin/Muriqan gjatë sezonit turistik veror. / KultPlus.com

Kisha Katolike franceze mund të ketë abuzuar mbi 10 mijë të mitur nga vitet ‘50

Në 70 vitet e fundit, pjesëtarë të Kishës Katolike franceze mund të jenë autorë të abuzimeve seksuale mbi të paktën 10 mijë persona.

Ky është rezultati shokues, por ende paraprak, i zbuluar nga gjetjet e Komisionit të Pavarur për abuzimet seksuale (CIASE), një komision i ngritur nga vetë Konferenca e Peshkopëve francezë, për t’i dhënë fund heshtjes ndaj këtyre krimeve, që është ushtruar në veçanti ndaj të miturve.

Komisioni ka mbledhur deri më tani më shumë se 6500 dëshmi, që përfshijnë 3 mijë viktima.

Raporti final pritet brenda pak muajsh, dhe me siguri do të shkaktojë një “tërmet” në institucionin fetar të atij vendi dhe jo vetëm, por njëkohësisht nga disa pjesëtarë të rëndësishëm të saj, cilësohet edhe si mundësia për të mbyllur një kapitull të errët dhe për të rindërtuar besueshmërinë ndaj opinionit publik, të cenuar nga skandalet e shpeshta.

Sipas kryepeshkopit Charles Scicluna, një nga personat më të angazhuar në zbulimin e këtyre krimeve, është që raporti – por edhe drejtimi i ri i Papa Franceskut – për raportimin e menjëhershëm të këtyre krimeve, do të sjellë rezultate.  “Do të tregojë që lidershipi nuk shkon mbi ligjin, dhe që njerëzit që e duan Kishën do të na denoncojnë, po të bëjmë diçka që nuk shkon”. / KultPlus.com