Amaneti i Ernest Koliqit

Nga: Frank Shkreli

Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja.  Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia. 

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet.  Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë!  Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh.  Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”  Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit.  Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.”   Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë  shumë më mirë se unë. 

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi.  Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare.  Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin  Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”.  Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”.  Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi.  Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar.  Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore  — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është një fotografi e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Gjergj Fishtën dhe Lasgush Poradecin. / KultPlus.com

Gjuhës Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi

Lshon amë ilire n’gojë agimesh s’vjetra
Ndo ‘i fjalë e jote than’ vetimeveti,
O gjuhë e folun n’botë ende ferishte
S’cilës Mayeri në të censhmet letra
Rraj’t e mshefuna n’mot nuk mund ia gjeti
As n’t’folun t’Cezarve as n’helenishte,
Përse Athina s’kishte
Emën as Roma, kur e rrept ushtove
Ndër vepra katallajsh qi npër jehona
Vigma t’fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndërtue ledhe përmbi troje t’ona.

Kuturesat e hyjit npër gjeth lisi
N’Dodonën shejte prifti, qi n’përgjime
Natën e ditën rrinte atje përdore,
Porse ndo ‘i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal’t e tueja i dha heshtime
T’perfrigueshme qi mbluen t’parat therore:
Ndoshta ndo’ i buz’ hyjnore
N’at mot qi zota shpesh përbujte toka
Shqiptoi kto fjal’ qi ne mbi goj’ na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta npër kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t’shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutës niste nen hyj ari
Me msy t’Helenit barkat tregëtuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t’reja,
Ty t’këlthitte n’timue anijetari
Tue i ra me kiç ilir pupës bishtnuese;
E përmbi val’ shkëmbuese
Ti jehojshe ndër hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plaçkat e rrmbyeme mbrend’ stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshës s’detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjetër qi mbërthen fjal’t t’ueja,
Zanin na e dridh’ me nji kreni t’pashoqe,
O gjuhë e folun për trimij pranvera,
E tok na mbajte ndër pushtime t’hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n’besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u përplas mbi tok’ shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n’ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n’buzë i ke krenare
Si n’mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve të paemën
Qi gzim e idhnim me ty knduen majë mali
Dhe kanga u humbi n’errësin e motit,
Kët përmallim qi mungullon mbi t’ëmën
E vjen nga heshtja e shekujve m’a fali,
Mue trashigues i tune n’dhe t’Kastriotit?
N’kthjelltin e ditës s’sotit
Kang’ ndoshta t’kndueme qi vorroi kalesa
Këndoi, o gjuh’ lulzue n’shkreti, dh’asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N’terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n’shekull
Bukurin tue sjell’ n’prak t’ksaj jete
E tjetra ligj’t e Arsyes qi mbarshtrojn’ fise,
Heshtën e rrojn’ veç n’karta: ti, për mrekulli,
Me nji mosh’ trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall’ po n’ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N’foshnjin e botës. Pse t’ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egërsija jote
Mos mban n’at gji, q’i hueji nuk pecati,
Stinën e fundme t’poezis s’ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh’ burrash
Qi me ‘i fjal’ t’vetme lidheshin për laku
Dhe soje as vdekja s’mujte kurr me i trande,
Shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash
Për kang’t e burrnis s’lasht q’ushqejm’ te gjaku
E t’lavdis s’re qi me t’fitue na kande;
Thjeshtin e ambël t’ande
Me ndjell’ dashnin e vashavet qi t’flasin
Falja poetve t’u, por n’qe se kamben
Buzës amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n’të namen.

O Kangë, Arbnor’t e plogtë i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn’ pa andrra fisnikije:
E n’qe se belkacuk’t e gjuh’s ilire,
Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire,
Me rrahje flatrash ik n’nalsi t’kalthera./ KultPlus.com

Shkodra në mëngjese

Poezi nga Ernest Koliqi

Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore
Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë:
Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.

Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë
T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë,
E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija,
Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija,
Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,

skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com

Miku

Tregim nga Ernest Koliqi

Në pikë të zhegut,sekretari i krahinës ia behi në kale para kullës së Uc Lleshit e vikati prej së poshtmi:

-Zoti toger!O zoti toger!

Uc Lleshi doli në krye të shkallës tue përgjegjë:

-Ç‘asht zani?

Mandej,si njohu njeriun,mori me u ulë tue i bzajtë mikut:

-Hajde,byrum.

– Jo, jo, s’po rri-ia priti tjetri maje kalit — por kemi marrë një urdhën prej Shkodret e erdha me ta kallzue.Ka ike mbrâmë një gazetar prej andej, një asi shkollarësh që shkruejnë kundra qeverisë e duket se âsht nisë me kapërcye kufinin këndej kah ana jonë. Qeveria e kërkon këtë njeri. Duhet, pra, të vésh rojë gjithkah për mos me lânë me kalue kurrsesi.
Uc Lleshi u mêndue pak, e mandej bâni:

– More, a e dini mirë që s’ka dalë përtej deri tash?

– E si ka pasë me e kapë kufinin në një natë? Ai mbrâmë, thashë, ka dalë prej Shkodret e ditën, pa e pasë kryet çelikut, s’ka guxue sak me udhëtue!

– Atëherë veç ne fluturoftë për hava se në ectë për tokë, i gjallë kufinin këtej pari ai s’po ta kapërcen. Po ti ndalu e pije një kafe

– S’mundem, zoti toger: me pret krahinani. Do të dalim edhe na me e ndjeke të ikunin. Lamtumirë.

– Udhambarë; e m’i thuej krahinarit që mos te bari hiç kasavet për sa i përket punës seme këtu.
Dhe me dorë diftoi rrethin e kufinit te afërm.

***

Sa u nis sekretari i krahinarisë, Uci i tha Mirashit, të nipit:

– Shko shpejt e m’i mblidh gjendarmët e m’i ço këtu sa ma parë. Tue kalue kah prozhmi, lëshoi zâ Dodës edhe Nikollës e thueji të lanë punën e të ngasin të vetë. Hajt, shpejto.
Djaloshi fluturoi e Uci i lypi së shoqes uniformën, që vishte vetëm kur u thirrte në ndonjë shërbim si ky; për ndryshe hante atë gjysmë rroge në shtëpi si oficer rezervë e kqyrte punët e veta.
U vesh, mbathi opangat, ngjeshi armët, zdrypi poshtë në oborr me prite njerëzit.
Burrë i shkurtë, me shpatulla të gjana e të fuqishme,kâmbët pak si të lakueme,Uc Lleshi, me gjithë që flokët s’i kishte fort të thinjun, diftonte së paku pesdhetë vjet të plotë. Por vizat energjike të fytyrës së djegun prej diellit e sytë si xhixha diftonin edhe se, për shpejti e guxim, nuk ia linte dalë një të riut. Njeri me influence në atë pjesë të Malësisë ku banonte, kishte pasë prej qeverise grada e shpërblime për me përfshi forcën e madhe të tij, që përndryshe mund të ishte e dâmshme, në makinën e Shtetit. E nuk kishte qênë masë administrative e gabueme, kjo, për atë kohë, pse qyshse Uci veshi uniformën, s’guxonte komitë ma me u endë në ato ana edhe urdhënat e qeverisë u zbatonin ma se miri. S’kish nën komandë gjendarme të rregullt, por njerëz besnike që mblidhte në rasë te nevojës. Këta ishin gjendarmët e tij. Gjind që shkonin e u vritnin mbas tij, pa kurrfarë shpërblimi, veç për hatër që i kishin e për nderna të vogla që atij i takonte me u bâmë në shehër e në mal. Edhe ate ditë, porsa u vojt lajmi, ia mbërrinë fluturim në oborr të kullës, të armatosun ma së forti. Uci u diftoi çashtjen gjithsesi e mbaroi tue thânë:

– E kemi do punë, burra. Ka me na takue ndoshta me ndejë dy-tri net pa fjetë. Duhet me hapë mirë sy e veshë e mos me lânë as mizën me fluturue.

Kurrkush ma mirë se ai nuk i njihte shtigjet e ndryshme që qesin në kufi, pse kishte pasë shpesh here nevojë për to në rasa të kritikshme të mâparshme. Nga dy e dy i drejtoi njerëzit ndër vende ku i lypte nevoja dhe, si u nisën të gjithë, u tha të bijve, Dodës e Nikollës:

– Ngjeshni armët dhe ejani me mue. Ti, Marash, ri në shtëpi.

Dhe u ul me dy djemt teposhtë. Ecën pa folë. Doda e Nikolla, i pari shkurtalak si i ati dhe i dyti me një trup vigâni, nuk guxonin me çelë gojë pa qênë të pyetun. Uci e kishte zakon, udhës, të mêndonte shumë e të fliste pak. Të bijtë e dinin që çdo méndim i tet ishte për nder e lumni të konakut.

“Feja kishte me qênë me e hetue e me e zânë këtë dreq shkollarit. Kishem me e sjellë unë vete në Shkodër, me e dorezue atje edhe me thânë açik në hyqymet që i ka ardhë koha me më bâ kapidan. Në më daltë me e krye këtë shërbim si duhet, kam të drejtë me e çelë gojën…”

Këto mêndime e bane Uc Lleshin në qef. Punët i shkonin gjithmonë mbarë, prandej kur i ngulej mêndja në nje send ishte gati i sigurtë se, me pak sabër e marifet, do t’i dilke në krye. Ishte njeri me orë. Vetëm një gjâ nuk i eci deri në ato ditë e kjo, për tê, ishte plagë e pambyllun që ia brênt zêmrën ditë e natë. Vjetin para, shtëpia e Gjokë Vatës kishte vra të vllanë, të anë e Mirashit, e me gjithë të orvatunit e të ,përpjekunit e tij e të mashkujve të shpisë ende s’kish qênë i zoti me ia marrë gjakun. Por s’ishte çuditë: shtëpia Gjoke Vatës, e rivalit të përhershëm të Ucit në atë krahinë,ishte e fortë, edhe ajo me rreth të madh, e gjint e saj nuk mund të vriteshin udobisht.

Kishin ecë ma se një orë nëpër teposhte të malit, kur Uc Lleshi u ndal dhe u tha të bijve:

– Ju të dyve po u ve rojë këtu, te Shtegu i Barijve. Jam i sigurtë se malësorët që e përciellin atë shkodranin, kanë me e keshillue me dalë nëpër këtë grykë. Asht si mënjane e mendojnë se e gjéjnë të lirshme. Ju, po patët se si, kapnie, në ardhtë ketu pari; përndryshej gjallë, mos e lêni me kalue…

E Uci u kthye, vetëm. lu ngjit prap malit, në një shej vêndi ndërroi rrugë e vojt me bâ kontroll një nga një rojet e vëmë nëpër shtigje, gjate kufinit.Kur mbërrini, lodhë e këputë, në oborr të kullës së vet, po errej.

***
Tue u ngjite nalt vêndoi me ngranë shpejt e shpejt, me pushue sa grima, me marrë Mirashin me vete e me dalë në roje gjithë natën. Mund e hetonin kund të arratisunin dhe, tue e ndjekë mjerisht, mund ta futnin si në kurthë në ndonjë shteg të zanun prej njerëzve të tij. E aty me e kape me dorë.

Në çardak, rrahi qerpikët, i çuditun. Kishte pa dritë në odën e miqve e dy pushkë varë në krraba. Në atë çast doli grueja prej odës së zjarrit e lajmueme nga zhurma e hapave për ardhje të tij.

– Kush âsht në odë te miqve? — e pyeti ai.

-Gjokë Vata…

– Kush? — përsëriti pyetjen me zâ të plasun.

– Gjokë Vata me një shkodran.

Uci u pré. Përqethje të ftofta ia mbuluen shtatin. Gjaksi i vllaut në shtëpi të tij? A ishte ândërr a zhgjândërr? Përmblodh krejt forcat e vullnetit dhe u shkund. Vari pushkën e vet bri tjerave dhe u mundue me u kthiellë në fytyrë. Hyni. Miqt po rrinin me Mirashin.

– Mbrâmja e mirë,burra, e mirë se u ka pru Zoti.

Ata u çuen ne kâmbë. Uci u mor grykë ma parë me Gjokë Vatën, që ish moshatar i tij, por ma i gjallë e me mustaqe që i shkonin dredha-dredha deri në veshë, e mandej me shkodranin. Ky dukej shumë i ri, ishte pak si i thinjun dhe i zbehtë në fytyrë, veshë allafranga. Ndêjen. Uci qiti kutinë e duhanit e u bâni cigare. Pyeti gjint e vet:

– A keni pru kafe?

– Kemi pi, kemi pi — tha Gjokë Vata.

– Bini edhe ka një tjetër — porositi Uci.

Për do kohë ngelën në heshtje. Ucit i pikonte gjak plaga që kish të pambyllme në zemër. Gjaksin, qe kërkoi kot një vjete rresht nëpër vetmitë e bjeshkëve për t’i ra pushkë lules së ballit, qe, e kishte përpara. E zakoni e detyronte me e prite e me bisedue me tê si me ma të shtrêjtin dashamirë, mbasi i kishte ra mik te shpia! Por idhnimin e përmbrendshëm mbas pak kohe e kapërceu kureshtja. Po pse, vallë, Gjoka bâni atë hap mjaft të vështirë edhe për të? Tue shikue shkodranin, Ucit diçka i shkoi nëpër mend si vetima, por s’desht me e përtypë gjatë atë mendim që e pezmatonte për së tepërmi. Ndau me iu shtrue se keqes që i kish takue, pa stërhollime të kota mêndjeje. Mbasi, qysh në te hyme, menjiherë kish vu re se miqt mbânin gjithnji të ngjeshun rrypat e fishekëve dhe armët e brezit, si u pi kafja e dytë, u soll prej tyne e tha:

– Lironiu, burra.

Gjokë Vata hoq alltinë me dorsë argjendi edhe rrypin ia dha Mirashit. Ashtu bâni edhe shkodrani.

– Mirash, bierna rakinë.

Në raki, të dy mallësoret rivala, biseduen mbi gjithfarë punësh tue u ndêjë larg, me hollesinë e zakonshme të tyne, çâshtjeve që mund ia prishnin qejfln, njânit ase tjetrit. Atij që i shifte të ndêjun kundroll shoiqishoqit, tue pi duhan e tue shpraze gota rakie, kurrë nuk mund t’ i shkonte mêndja që të nesërmen, me pasë për t’u ndeshe kund, ata dy burra do t’i mëshonin pushkë hekuri pa mëshirë njâni-tjetrit.
Shkodrani dukej ne kasavet; s’çelte gojë veçse me iu përgjegje urimeve që i bânin në pije. Uci e Gjoka kuvênduen mjaft, pa u shikue gati kurrë ndëër sy. Kah e vona, mbasi kishin rrokullue një numër bukur të madh gotassh, Gjokë Vata çoi të veten dhe iu solll shkodranit:

– Për të mirë, zotni, po ta fali edhe unë një gotë. Hiç s’ke pse rri në méndim tash qe gjinde ndorë Uc Llleshit

– Priç të mirë, Gjokë Vata, – ia priti ai tue u zgjue prej gjumit.- Po më kânda me ndigjue kuvêndin tuej, se sa për méndime më kanë lodhë vetëm deri sa mujta me mbrri te dera jote e në këtë shtëpi.

Uc Lleshi kuptoi e uli kryet. S’kishte ma pikë dyshimi: shkodrani qe i kish pru Gjokë Vata në derë s’ishte tjetër veç vetë gazetari i arratisun, njeriu për të cilin ai kishte dyndë të tânë gjinden e vet e zânë ane e kând shtigjet e kufinit. Méndime gjithhfarësh ia dogjen trutë si flaka e rrufesë.“I mêndshëm ky Gjoka, he shitofta Zâna! Mirë mjaft ka mujtë me e gjete mënyrën si me e shpëtue mikun shkodran edhe ndryshe. Por âsht i hollë! e ka mêndue se vêhej në rrezik me e ndjekë unë, jo ma vetëm si gjakës që e kam, por edhe si fajtor përpara qeverisë. E kishëm fikë me gjâ e me shtëpi! Por i ka dalë punës para…”.

Shqipnia ka zakone te çuditshme. Shtëpia e Uc Lleshit s’kishte njoftë kurrë kori. Kushdo që e kish mësy, kish qenë i sigurtë se gëzon proje deri në fikjen e në rrënimin e plotëë të saj. Nderi i shtëpisë e zakonet e véndit rrinin për Ucin përmbi çdo interesë, përmbi çdo urdhën qeverie e përmbi çdo ndiesi e arsye tjetër. Prandaj fshâni e tha me vete:

“E pat, kjo!” edhe tue u sjellë prej Gjokë Vatës, përgjegji:

– Çka kjoftë, lum Gjoka, e hajrit kjoftë… për këtë mik që as emnin s’po ia dij…

– Shefqet Kadia, – Ia priti vetë shkodrani, tue iu këputë fjalën përgjysëm.

– Kjofsh shëndosh!… Ndij, si qeshe tue thânë, çka kjoftë e hajrit, kjoftë për këtë zotni. Sa për mue, nuk do të kursehem me ia la borxhin që na kanë lânë të pamrët për mikun. Mandej, fundi le të dale ku të dalë!

Mbas këtyne fjalëve u shtrue sofra. Para se me kapë bukën mnë dorë, Gjokë Vata, mbasi kishte mbërri me e pruu bisedën atje ku i duhej, tha:

– Zoti të rritët oxhakun, Uc Lleshi.

Dhe, tue e shikue për të parën herë drejt ndër sy, vijoi:

– Ky zotnia kurrë ma ngusht se sot nuk na âsht gjete në jete të vet. Qeveria e kërkon e me bâ me e zânë… vaj hallti i tij! Ma ka mësy shtëpine e me ka ra nënë besë. Unë ta kam pru me ma marrë me ndore e me ma qite shëndosh andej kufiinit, pse e di mirë që, pa ndihmën tânde, kufinin, në këtë anën tonë, s’ka burrë qe e kalon.
Uci, me sa fliste Gjoka, e kish véndue punën e vet. Përgjegji, tue e përpjekë edhe ai shikimin me atë të rivalit:

– Unë, për këtë zotninë, do të bâj çka të më vijë për dore. Por një here po hamë e mandej do te méndojmë. Hangrën. Vonë e vonë mbas darke, i zoti i shtëpisë u ngrit tue thanë:

– Burra, erdh koha me e bâ një punë.

U çuen të gjithe, ngjeshën armët, u perfalën me gra e dolën. Gjoke Vata ia bâni te dera e oborrit:

– Të ardhëshim për të mirë, Uc Lleshi. Unë po çaj kah shtëpia. S’âsht nevoja të vij me juve. Zoti të rritë jetën për çka po i ban këtij zotnisë.

Uci ia ktheu:

– Kjosh me jetë dhe e mira të gjetet, por ti vetëm nuk po shkon. Mirash, përcille.

U përqafosen të gjithë. Gjokë Vata humbi në terr, i përciellun prej të birit të atij që kishte vra një vjet para.Nata ishte e freskët, plot me hyj e pa hânë. Agimi s’do te ishte larg. Shkodrani shkoi nëpër errësi, i udhëhequn prej Ucit që ndërronte hapat nëpër udhë tâne gurë me siguri të çuditëshme. Mbas një ore qe po i binin teposhtes sësë malit, u ndaluen ke një shteg i ngushtë. Hynë në një grykë prej kah shifej vetëm një rriske qiell e qëndisun me ar të hyjve. Diku, në një vend, Uci lëshoi një thirrje:

– Dodë! Nikolllë!

Prej territ, nga fundi i grykës, erdh përgjegja:

-Ç’asht zani?

– Unë jam: Uci; po ju, me kë jeni?

– Vetem jemi.

Dy djemt, si u afruen, hapën sytë tue pâ shkodranin, por nuk bânë zâ.Ulën kryet dhe u vunë mbas tet. Kur dolën nga gryka, që ishte mjaft e gjatë, qielli poo qartësohej prej lindjes .Përpara tyne rridhte nje prrue, me vargje te gjata shelqesh nëpër brigje. Ndriçimet e para të agimit nisën me u dridhë mbi ujë që gurgullonte. Uci tha:

– Tashti je i shpëtuem, lum zotnia. Përtej prronit âsht toka e huej. Kam mêndue se prej kësaj gryke do të dilnin kapidanë e shumë drue që këtu mbrêndë do të lâ ndoshta edhe togerllëkun. Por, ani, s’ka gajlle: pa besë e pa miq s’ka ç’ka na duhet as jeta në këto malet tona. Udhambarë!

– Paç të mbarë e Zoti të ruejte, Uc Lleshi, – bâni gazetari. – Këtë nder s’kam për ta harrue se t’ë jemë.

U përqafosen të gjithë, një nga një , me tê. Ai zdeshi këpucë e çorape e kapërceu prronin. /KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, takimi në Shkodër i penave të vetëtimshme të shqipes

Nga Frank Shkreli

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /KultPlus.com

Migjeni dhe unë

Nga: Ernest Koliqi

Dosja e “Arbërisë” Kush merret me politikë duhet të llogarisë edhe pasojat që rrjedhin nga një veprimtari e tillë, d.m.th. Do të presi të shame (shumë) e lavde (pak), shpesh të teprueme e në daç të parat e në daç të dytat. Në rrethin shqiptar mandej, ku pjekunia dhe njerzia shoqnore ma të shumtën mungojnë, miratimi e kundërshtimi shfaqen në mënyrë të pabukur, pa shkallzim ngjyrash (nuanca).

Edhe lavdì përdoret jo aq në naltësim të akcilit, po si e shtime pushke e tërthortë për të mposhtë ndoj kundërshtar. Me kohë ndoshta do të arrijmë edhe na të shofim kthjelltë, e zotësi dalluese mendje, në të gjithë shtrimjen e ndjesive larmiplote. Jo të ndame primitivisht me nji vijë të preme, këndej të mirët e të ndershmit, andej bakëqinjtë e të mbrapshtit… Nevojitet kohë që trutë tonë të thithin parime qytetënimi dhe të çlirohen nga skema e mirëfilltë mendore që përfshihet në dy majat e boshtit: “Hosana e Crucifige!” Kështu tue qenë punët, ma i miri qendrim për nji shqiptar që merret me politikë asht mos me i përfillë tepër as lavdet e as të shamet dhe me i përbashkue si të parat ashtu dhe të dytat në sitën e ndërgjegjes së vet, pa ja vu veshin fjalëve të hallkut. A nuk thotë goja e popullit: “Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit, nuk mbyllen kurrë!” Kjo në fushë politike, kurse në atë letrare meseleja ndrron. Thashemthanat e pathemelta duhet me i përgënjeshtrue, sepse kultura dhe letërsia e nji kombi janë visar i çmueshëm, janë palcë e jetës së fisit që duhet ruejtë e papeçatun, gangulluer. Kjo më shtyn me ndreqë do lajthime, të meta kritike dhe shtrëmnime të së vërtetës që sjellin mjegullim e pështjellim të damshëm në historinë tonë letrare, e cila përmbledh e rradhit kronologjikisht vlerat shpirtnore të kombit dhe fuqinë e tij krijimtare. Prandaj u lypi ndjesë lexuesv të “Shejzave”, po qe se këtu po shpërdoroj durimin e mirësishëm të tyne tue mbrojtë të vërtetën në nji çeshtje letrare ku ndodhet i ndërlikuem e i përziem personi im.

E njoh veten jo person politik që merret me letërsi, por letrar, që rrethana të veçanta e hodhën në vallet e politikës. Prandaj mbrohem si letrar. Çka flitet për mue si nji njeri politik nuk më ban as të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek: se ndër shkrime në daç të nënshkrueme, në daç anonime, ku unë sulmohem, të shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im. Po të vimë në temë. Skënder Luarasai, në hyrjen e vëllimit të tij me titull: “Migjeni” (Tiranë 1957, faqe 22-23) shkruan (nuk kuptohet a pse keq i informum, a se deshtas me qëllim denigrues) çka pason: “Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjet letrare, po lindte një diell… Rinia, gjithë rinia, së cilës i qante zemra për pak dritë e ngrohtësi në atë stinë të ftohtë të letrave shqiptare e përqafoi me gëzim e shpresa të mëdha për të ardhmen e kulturës tonë. Shtypi klerikal heshti duke pritur një qëndrim armiqësor: Shtypi i regjimit u përpoq ta bënte1) për vete Migjenin. Ernest Koliqi, i cili e njohu përnjëherësh talentin e Migjenit, i shkroi redaktorit të Illyrisë nga Roma2) që ta siguronte me çdo kusht bashkëpunimin e Migjenit për atë revistë profashiste.

Kur me 7 shtator 1935, u botua vjersha “Të lindet Njeriu”, po Koliqi, ky agjent i imperializmit italian3), që paguhej për të rekrutuar intelektualët shqiptarë në shërbim të fashizmit, përdori dhelpëri për ta shtënë poetin e ri shqiptar në kthetrat e tij fashiste Një dhelpëri të tillë përdori edhe redaktori përgjegjes i revistës “Illyria”, i cili dërgon kët letër lajkatare, me 4.XI.35: Të ndertit zotni Millosh Gjergj Nikolla, Shkodër: Shkrimet e Z. S’uaj, të cilat menjiherë kem vrojtë se kishin nji theks ndiesie për t’u shënue e sidomos nji tingull njerzor drejtuar kah vuejtjet e të vogjëlve, jemi përpjekur t’i qesim sa ma ne shesh në faqet e të rinjve. Për me ju dhanë zemër të vijoni sa ma me zell në udhën letrare që aq me seriozitet qëllimesh keni kap, këshilli i redaksisë i fletores sonë, vendosi me botue mbas sodit vjershat dhe copat në prozë të juaja në faqen e tretë. Si e dini në faqen e tretë shkruejnë vetëm ata autorë që mirë o keq e kanë marrë njifarë shugurimi nga publiku. Shpresojmë se edhe mbas sodit zotnia juej keni me bashkpunue në mënyrën sa më të afërme në fletoren tonë, e cila nëpërmjet qëllimeve të tjera, ka edhe atë t’i përkrahi të rinjtë me vlerë dhe ndjenja bujare. Vendimi i këshillit të redaksisë, përsa ju përket juve, asht nji dëshmi e qartë e kësaj përkrahje. Tue ju urue suksese sa ma të gjalla, për dobinë e artit dhe të letërsisë shqipe, ju lutemi të na dërgoni sa ma parë shkrime në mënyrë që së paku krye dy javesh emri juej të dali në faqe të dali në faqe të tretë. Si titull shpërblimi kësaj here drejtori dau me ju dërgue franga ari 10 (dhjetë) me mandat postë dita e sotme…4)” Këta ma të parët shkrime të Migjenit kanë randësi të madhe se dëftejnë menjëherë talentin letrar të Milloshit dhe dëshmojnë se me sa kujdes i kish ruajtur njohuritë e tij të gjuhës amtare, megjithëse ishte larguar prej qytetit lindor dhjetë vjet më parë, që kur ishte kalama; tregojnë se ç’ndjenja të forta e lidhnin me atdheun e tij. Dhe ato letra të rektorit të “Illyrisë”, tregojnë se në ç’mënyrë lajkatare, dinake u përpoqën profashistët në Shqipëri ta bënin të tyrin; tregojnë dhe se ç’karakter pati Migjeni, i cili nuk ra viktimë e kurthit të tyre!”5) Unë s’ia mohoj kritikuesit kuqalash, që dikur e pata dhe koleg në arsim, mjeshtërinë e perimtimeve letrare dhe historike, por tuj e njollosë e prishë në pikpamje shkencore vlerën e shkrimeve të veta, tepër lehtë ai tërhiqet nga fryma ideollogjike(?), ndërkrehet, humbet toruan dhe shkallon prej analizës së mirëpeshueme në shamje e dhunim të së vërtetës. Dam për letërsinë shqipe! Punët natyrisht u zhvilluan disi ndryshe e jo ashtu si i tregon panegjeristi i Migjenit.

I nënshkruemi… si lexues i zhuritur veprash poezie, qysh në moshën ma të gjelbërt, sa i ranë në dore do vjersha të Migjenit, kuptoj se ai pajisej me nji talent të njimendët poetik. Shija ime u shtrue ndër autorë së pari klasikë e neoklasikë, ma vonë në poetë të simbolizmit, sidomos flamant, ndoshta mëtonte në struktura formale kujdes ma të madh gjuhsor e stilistik. Kjo nuk më ndalonte veçse të çmoj në vjershatorin djaloshar hovin e ndjesive dhe të nji lumnije shprehjesh që merrnin ma tepër fuqi shi nga thjeshtësia e mungesa e plotë e qëllimeve lajkatuese. E bisedova me miqtë e “Illyrisë” dhe i nji mendjeje me Branko Merxhanin e Karl Gurakuqin, vendosëm me ia botue Migjenit, alias Millosh Gjergj Nikollës, vjershat në faqen e tretë të së përkohshmës, dmth, në faqen ku paraqiteshin shkrimet e auktorëve tanë ma të njoftun. Asokohe (1935), unë isha student në Padovë, e nuk merreshim me politike, prandej “agjent i imperializmit italian” (në paça qenë ndonjiherë…) duhet të jem ba ma vonë. Rreth asaj periudhe që shkon prej 1934 e deri 1937, Skënder Luarasi predikonte marksismin stalinian, i cili orvatej me shkallmue e dërrmue botën shqiptare që kishte nevojë për njësi, dhe përhapte idena dasije të klasave dhe frymën e luftës civile. Në nji kohë kur duhej fuqizue ideja kombtare, shpallte nevojën ndër të rinj të organizmeve ndërkombëtare, dmth hymjen e gjindjes shqiptare nën suazën e imperialismit sovjetik. Agjent, deshtas ose padeshtas i Rusisë. Vetëm dishiri me qit në pah nji poet i shtyni redaktorët e “Illyrisë” t’i drejtonin Migjenit nji letër trimnuese dhe t’i dërgojnë nji shpërblim për vjershën e botueme në faqen e tretë të së përkohshmes, vjershë që iu ra menjiherë në sy qeveritarëve të kohës, të cilët i qitën mjaft turbullime drejtorisë së saj. Fakti se asnji qëllim korruptues nuk e frymëzonte të nëshkruemin, qi njofti botnisht prirjen e rrallë poetike të Migjenit, e provon pak vjet ma vonë pranimi i tij në rradhën e auktorëve rendue e parashtrue n’antologjinë “Shkrimtarët Shqiptarë” (Tiranë 1941, pjesa e dytë, faqe 471-475). Në atë kohë s’kishem ma nevojë ta baj për vete, simbas mendjes së Luarasit, poetin orëzi shkodran, sepse së pari ky kish ndrrue jetë më 1938, dhe së dyti, mbasi Shqipnia tashma gjendej pjesë e Perandorisë së Liktorit, ish sosë çdo qëllim korruptimi. Dalja në antologjinë e lartpërmendur të emrave të Faik Konicës (fq.236-249), Fan Nolit (fq.272-288), Mit’hat Frashërit (294-304), e Millosh Gjergj Nikollës nuk mbet pa ba bujë. U padita si përkrahës personalitetesh e shkrimtarësh kundërshtarë të gjendjes së re. Padinat shkojshin te Mëkambsi, dhe ishin të përpilueme nga shqiptarët, ndër të cilët ndjehej edhe ndonji patriot, që sot më ngarkon me faje të randa politike… Migjeni xen nji vend të spikatun, në rradhën e shkrimtarëve tanë, por ia damtojnë namin ata që hiperbolikisht e ngjisin në Majën e Parnasit, ku mbretnon me dy tri shokë të tjerë Fishta. Nga “Illyria”, Migjeni mori vleftë e zà…6). Luarasi ka arritë vonë si shpallës i talentit të tij. Ka nis me ia burizanue emnin kur drejtuesat e huej te kuqalashizmit tonë hetuen në poetin e shqetë nji auktor të përshtatun me u instrumentalizue për qëllimet e veta hegjemonike mbas dekës së tij. Tash vonë, edhe nji farë Musa Krajet, në vepërzën e thatë: “Migjeni mësues” (Tiranë 1973, faqe 15) më shpifet gratis (duket se kuqalashve u djeg puna se ne e kemi hetue, zbulue zotësinë poetike të Migjenit para tyne) përkitasi me poetin e zhdukun para kohe. Qe çka thotë: “Ky rreth shoqëror (i Shkodrës), ndonëse jo shumë i zgjeruar, kishte hera-herë në mes edhe ndonji intelektual të njohur për pikëpamjet e qëndrimet e tjera. Nji nga ata ishte edhe Ernest Koliqi, që kishte qenë mësues e më vonë Ministër fashist i Arsimit. Koliqi kishte bërë ndonji lavdërim për Migjenin, i bindur se “fjala ka këmbë”, e duke i bërë qejfin, do ta bënte për vete kët njeri të thellë. Dhe është kuptimplote ajo që ngjau nji ditë, kur ky agjent i vjetër i fashizmit duke treguar barcoleta(?), tregoi edhe për nji malsor dhe nënën e tij, duke vënë në pah gjoja budallallëkun e malësorit. Kur të gjithë qeshën, Migjeni jo vetëm që heshti pa asnji shenjë kënaqësie, po i hodhi Koliqit nji shikim përbuzës, duke i thënë shokut të tij në dalje se: ‘Koliqi ishte njeri që tallej me hallet e popullit!’” Këtij jetëshkruesi të panjoftun të vjershatarit shkodran, nuk ia vlen barra qeranë me iu përgjegj, tue shpenzue frymë kot. Mjafton t’i kumtoj se unë kurrë s’e kam njoftë personalisht Migjenin, prandaj as nuk kam pasë rast të rrij në kafe me të. Kaq për hir të së vërtetës. *** 1)Nuk mund të radhitet “Illyria” ndër organe shtypi të regjimit, seps për çdo numër drejtoria e saj kishte telashe me ministrin e mbrendshëm të kohë. Sa për Branko Merxhanin, e redaktorët e tjerë (Anton Logoreci, Odise Paskali, Ismet Toto, etje.) nuk ishin sigurisht përkrahsa të regjimit. Sa për të nënshkruemin ai ndejti pesë vjet në mërgim (1924-1929), si ndjekës i qeverisë Fan Noli-Gurakuqi. Shtypi tjetër (fletore të përkohshme) as nuk bante tenezyl t’ia përmendte emrin Migjenit. Aso kohe nji poet ndjehej djerraditë kryekcyem! 2)Në Romë kam shkue i transferuem nga Padova, si lektor i shqipes në Universitet, në tetuer 1937. Në peridhën që përmend Luarasi isha për vakancë në Tiranë, e bajsha pjesë në redaksinë e “Illyrisë”. 3)Kam mjaft për me thanë, por e la për nji herë tjetër. 4)Përmbajtja e shkresës është e redaktorëve. Përpilimin e bani Karl Gurakuqi, siç e tregon qartas edhe stili tipik i tij, që ndiqte gjuhën e mesme zyrtare… 5)Mbas lajmeve që na erdhen prej Shkodre, Migjeni u gëzue shumë për letrën nxitëse të redaksisë së “Illyrisë”. Përkundrazi na u idhnuen disa të tjerë vjershatarë të rinj, ndër të cilët M.N., që nuk u gradue poet i faqes së tretë. 6)Në periudhën e bashkimit Shqipni-Itali, Beqir Valteri, në zyrë të “Shkëndisë”, e përkohshmja ku bashkpunuen, nji pjesë e mirë e shkrimtarëve, të cilët ma vonë fituen namë e za si përfaqësuesa të rrymë letrare të realizmit socialist, më solli profesoreshën Ollga Nikolla, të motrën e Migjenit, zonjushë e urtë, me sjellje të mira dhe arsimtare shumë e pregaditur. Ajo kishte përshtypjen se do t’u salvonte nga sistemi i ri. Unë e ndihmova me të gjitha mundësitë e mija, që aso kohe nuk ishin të vogla. Përkrahjen time ajo e meritonte, pa marrë parasysh mendimet dhe ndjesitë e saja, që unë nuk desha t’i hulumtoj… Marrë nga “Shejezat” vjeti XVIII – 1974 /KultPlus.com