Kolonia e piktorëve nga vendet e Ballkanit, nis sot në Ulqin

Veprimtaria e Kolonisë së Piktorëve Figurativë të organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në qytetin piktoresk të Ulqinit, nis sot dhe vazhdon deri më 16 shtator.

Kjo Koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit.

Në këtë Koloni marrin pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët do të vizitojnë qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale. Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, do të mund të krijojnë një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët do të hedhin në telajo muzën e tyre të frymëzimit.

Kolonia do të finalizohet me hapjen e një ekspozite të punëve të realizuara gjatë kohëzgjatjes së saj, pasditen e të shtunës, më 15 shtator 2018.

Tashmë, Kolonia e Piktorëve është kthyer në një shkollë më vete, ku çdo artist jo vetëm shpreh talentin e tij, por rritet artistikisht e fiton eksperienca të reja.

E zhvilluar jashtë territorit të Shqipërisë, kjo Koloni, me veprimtarinë e vet intensive 4-ditore, rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com

“Vitia Colony of arts 2017” mblodhi rreth vetes 25 artistë

Kolonia artistike këtë vit u organizua me artistë nga gjitha trojet shqiptare kurse në vitin e kaluar ishte organizuar me artistë nga Amerika. Për gjatë katër ditëve me radhë kjo koloni mblodhi rreth vetes 25 artistë, përcjellë KultPlus.

Ky projekt u organizua me qëllim të promovimit të vlerave kulturore e artistike si dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave mes artistëve ku për qëllim kishte edhe prezantimin e bukurive natyrore nga vendi ynë.

Kjo koloni u mbajt në fshatin Letnicë të Komunës së Vitisë, ky fshatë është i banuar nga tri komunitete si i tillë ka një shtrirje shumë të mirë gjeografike si dhe pamje atraktive e piktoreske, ku ja vlen të promovohet si vend turistik.

Ky projekt u finalizua me hapjen e ekspozitës kolektive në Galerinë e arteve në Viti, ku punimet e prezantuar dolën si rezultat i kësaj kolonie katër ditore.

Kordinator dhe ideator i këtij projekti ishte Mervan Mustafa kryetar i shoqatës së artistëve figurativë “Gursel Sylejmani”. Realizimin e këtij projekti e mundësoj Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, si dhe Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Viti.

Ky është projekti i fundit që u realizua nga Shoqata e artistëve “Gursel Sylejmani” pas disa projekteve që ishin realizuar gjatë muajve të kaluar, si në Francë, Zvicër e Amerikë. Tradita për organizimin e këtij projekti do të vazhdoj edhe gjatë viteve të ardhshme. / KultPlus.com

Peja nikoqire e kolonisë së artistëve ‘Bjeshkët e Bardha’

Në organizim të galerisë së Arteve në Pejë, u organizua kolonia e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”.

Në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, drejtori i galerisë së arteve në Pejë Zymer Mulliqi, pasi e veçoi lartë punën dhe përkushtimin e pjesëmarrësve në koloninë “Bjeshkët e Bardha 2017 ”, tha se aktivitetet e tilla janë të mirëseardhura për artistët figurativ, sepse sipas tij, Peja gjithmonë ka pasur piktor dhe talent të shkëlqyeshëm.

“Po, aktivitetet e ngjashme gjithmonë janë të mirëseardhura për komunitetin artistik. Aktiviteti i kolonisë po ecën ashtu sikurse e kemi planifikuar në ditën e parë. Peja gjithmonë ka pasur talent dhe piktor të shkëlqyeshëm. Besoj dhe shpresoj shumë, se në një të ardhme të afërt, numri i artistëve figurativ të rritet dhe ta kenë përkrahjen e duhur institucionale”, tha drejtori Mulliqi, duke treguar se dyert e galerisë së arteve të Pejës, gjithmonë janë të hapura për promovimin e punës së artistëve figurativ të komunës së Pejës.

Në anën tjetër, drejtori i dikasterit për Kulturë, Rini dhe Sport në komunës së Pejës Engelbert Zefaj, tha se përkrahja e vazhdueshme që u është dhënë artistëve figurativ të Pejës, asnjëherë nuk është keqpërdorur,sepse siç tha ai, sukseset e tyre nuk kanë munguar asnjëherë.

“E vlerësoj shumë punën e artistëve, sepse ata janë vlerë e shtuar e Pejës. S’ka dyshim se artistët e Pejës dhe galeria e arteve i japin gjallëri qytetit tonë. Ne i kemi mbështetur vazhdimisht dhe ata nuk ka kanë zhgënjyer asnjëherë, por gjithmonë na kanë shpërblyer me suksese dhe me punën e tyre profesionale”, tha drejtori Zefaj, i cili shton se përkrahja institucionale asnjëherë nuk do t’ju mungoi artistëve të Pejës.

Mes tjerash, vlen të theksohet se e pranishme në koloninë e artistëve ishte edhe piktorja e merituar pejane Liridona Gjuka –profesoreshë e pikturës në shkollën e mesme të arteve “Odhise Paskali”. Sipas kësaj të fundit, kjo koloni është një mundësi e mirë komunikimi artistik për artistët figurativ dhe se aktivitetet e tilla janë tejet frytdhënëse.

Për fund, duhet shtuar se pjesëmarrës në koloninë e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”, ishin piktorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Autor: Mangji Gashi./ KultPlus.com