Mbahet konferenca shkencore për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Instituti i Historisë Ali Hadri-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë organizuan konferencën shkencore jubilare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”.

Në këtë konferencë referoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Më tej, Akad. prof. dr. Marenglen Verli nga Instituti i Historisë në ASA paraqiti kumtesën me titull: “Refleksione për qëndrimin e shqiptarëve prej revoltës së dimrit të viteve 1944-1945 dhe demonstratave të viteve 1968-1981-1989 deri në luftën e Kosovës 1998-1999”.Akad. prof. dr. Beqir Meta dhe dr. Hasan Bello paraqitën kumtesën me titull: “Shtypi amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981”.Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Konteksti ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”.Ndërsa, dr. Artan Hoxha paraqiti kumtesën me titull: “Pasqyrimi i revoltave kosovare të vitit 1981 në shtypin komunist”.

Në datën 11 qershor pjesëmarrësit në konferencë kryen vizita në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz dhe në kullat e Tahir Mehës dhe Ahmet Delisë ku janë zhvilluar luftime dhe është bërë qëndresë e jashtëzakonshme, përkatësisht në vitet 1998, 1981 dhe 1913. / KultPlus.com

Në Lozanë të Zvicrës u mbajt konferencë njëditore mbi trashëgiminë historike dhe etnokulturore të Shqipërisë (FOTO)

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, me traditë në organizimin e tryezave, debateve dhe sesioneve të ndryshme shkencore edhe kësaj here ka qenë nismëtar i mbajtjes së një konference njëditore mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sikurse viteve të mëparshme edhe këtë vit pa kurrfarë hezitimi organizimin e këtij seminari me shumëllojshmëri temash e kanë përkrahur: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës, si dhe shoqatat voduaze“L’Atelier du Voyage” dhe “Foundation Octopus”.

Hapjes së këtij seminari i kanë paraprirë këngët e bukura të këngëtares sonë të njohur Elina Duni dhe poezitë tejet tërheqëse në frëngjisht dhe shqip të poetes dhe pedagoges Besa Myftiu.

Pastaj zonja Valbonë Hoxha, drejtoreshë e “L’Atelier du Voyage”të Lozanës,para auditorit të përbërë nga profesorë,studentë,nxënës e intelektualë të fushave të ndryshme ka kumtuar emrat e referueseve dhe temat që ata trajtuan në këtë sesion shkencor.

Hoxha e përpiktë në respektimin e kohës fjalën ia ka dhënë Ilir Gjoni-Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës.

Gjoni pjesëmarrësve të shumtë të këtij seminari u ka shprehur mirëseardhje, e në veçanti ka përshëndetur ekspertët e arkeologjisë: Jean Terrier, Gionata Consagra, Saimir Shpuza dhe Julien Pfyffer, udhëheqës i Fondacionit “Octopus” dhe gazetar special i shqyrtimit të temave nga fusha e arkeologjisë,sidomos nga ajo e navigimit dhe e gjetjeve nënujore.

Gjoni nga pozita e diplomatit pahyrë shumë në aspekte të tjera ka folur për Shqipërinë si vend i vogël i Gadishullit Ballkanik.

Ai ka thënë se vendi i tij është banuar qysh para 50000 vjetëve. Shqipëria e gjendur pranë brigjeve të detit Adriatik e Jon, në kryqëzimin e rrugëve midis Perëndimit dhe Lindjes,Veriut dhe Jugut në vijën detare ka krijuar historinë e saj mijëvjeçare.

Populli shqiptar edhe pse një popull i vogël me punën dhe luftën e tij krijoi vlera të vërteta materiale dhe kulturore. Ai në periudha të ndryshme kohe dha një ndihmesë modeste në historinë e përgjithshme të njerëzimit.

Ambasadori Gjoni me këtë rast përmendi kryeheroin e kombit tonë Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, Gonxhe Bojaxhiun alias Nënë Tereza ose Shën Tereza shqiptare.

Ai po ashtu përmendi nobelistin në mjekësi Ferid Murati, shkrimtarin Ismail Kadare, këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa, koreografin e vallëzimit klasik Driton Dovolani-Toni, fotografin Fadil Bersisha, paharruar edhe këngëtaren e muzikës popullore dhe xhaz Elina Duni, e cila me prezencën e saj i dha seminarit të sotëm fizionominë e dëshiruar.

Në vazhdim të diskutimit të tij Ambasadori Gjoni foli edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët. Ai tha se Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj.

Ajo vijimisht ndaj vendeve me të cilat kufizohet ka treguar tolerancë e mirëkuptim.

Me këtë frymë vazhdohet edhe sot jo vetëm ndaj vendeve të rajonit por ndaj të gjitha vendeve paqedashëse të botës.

Ambasadori Gjoni me theks të posaçëm vështroi marrëdhëniet e Shqipërisë me Zvicrën,në fusha të ndryshme. Zvicrën ai e quajti tokë të azilit duke e cilësuar si mike të vërtetë të shqiptarëve. Në momentet më të vështira dhe më kritike Zvicra priti dhe strehoi mijëra shqiptarë. Veç kësaj ajo ofroi ndihmë logjistike pothuajse në të gjitha fushat. Marrëdhëniet tona në të gjitha sferat me Zvicrën po shënojnë rritje dhe progres.

Shumë sipërmarrës zviceranë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për investime në Shqipëri, sidomos në turizëm,i cili me bregdetin e tij të mrekullueshëm ofron zhvillim për Shqipërinë,dhe sjellë dobi për investitorët zviceranë.

Krahasuar me vitet e më parme edhe numri i vizitorëve zviceranë në Shqipëri është shumëfishuar. Vetëm gjatë verës së sivjetme vendin tonë e sidomos bregdetin e tij e kanë vizituar mbi katërmijë zviceranë. Andaj qëllim ynë është dhe mbetet ruajtja dhe forcimi i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona tha në mbarim të diskutimit të tij ambasadori shqiptar.


Më pas në skenë është rikthyer zonja Valbonë Hoxha, udhëheqëse e “L’Atelier du Voyage” dhe konferenciere e këtij seminari duke thënë:”kam kënaqësinë,nderin dhe privilegjin e veçantë që sot para Jush, të prezantoj gruan e guximshme të nismave dhe aksioneve të shumta në Zvicër dhe Shqipëri zonjën Albana Krasniqi- Malaj, e cila edhe pse më 1992 shumë e re migroi në Gjenevë,pashkëputshëm punoi për sensibilizimin e çështjes shqiptare.

Pastaj zonja Krasniqi-Malaj, si çdoherë modeste dhe e matur në trajtimin e temave të mëdha pakaluar për asnjë çast kompetencat e saj si drejtuese e UPSH-së së Gjenevës dhe anëtare e Zyrës Federale për Migracion në Bernë të Zvicrës,foli mbi gjuhën,historinë dhe kulturën shqiptare.

Ajo nëpërmjet pamjeve të paraqitura në ekran plot emocion prezantoi kryeqytetin dhe qytetin më të madh të Shqipërisë-Tiranën. Për qytetin e saj të lindjes Tiranën zonja Krasniqi-Malaj ,tha se daton qysh në kohët më të lashta,gjë që është vërtetuar edhe nga gërmimet e gjetjet arkeologjike. Rindërtimi i Tiranës i përket vitit 1614. Qyteti nga të gjitha anët rrethohet nga një kurorë kodrinore-malore. Lartësia më e madhe arrin në malin e Dajtit me 1612 metra që shtrihet në lindje të qytetit./ KultPlus.com

Mbylli punimet konferenca shkencore ndërkombëtare për komunikimet dhe mediat

Problemet e komunikimit dhe të mediave në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, janë të ngjashme me ato të Italisë dhe vendeve të BE-së dhe të gjithë bashkë përballen me determinizmin teknologjik ku kapitali social dhe vlerat në shoqëri nuk krijohen në mediat sociale.

Këto ishin disa nga përfundimet e konferencës së Dytë shkencore ndërkombëtare mbi komunikimet mediat e cila i mbylli punimet sot në Prishtinë, organizuar nga Kolegji AAB, Universiteti italian të Peruxhas, Universiteti i Tiranës, Elbasanit, School of Journalism and Public Relation të Shkupit, Universiteti Bedër dhe Institutit maqedonas të Studimeve të Komunikimit.

Profesori italian, Rolando Marini, theksoi në konkluzionet e konferencës se Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera pjesëmarrëse në këtë konferencë, i kanë të njëjta probleme me të cilat përballet edhe perëndimi, ndërsa shqetësuese për të gjithë mbetet se si të fuqizohet shoqërizimi dhe bashkëndarja e vlerave në komunikimet online dhe mediat sociale.

Për profesoreshën maqedonase, Snezhana Trajkovska, problemi në mediat ballkanike, vazhdon të mbetet përfshirja e madhe e politikës në industrinë mediatike dhe kontrolli që ushtrohet nëpërmjet njerëzve të infiltruar në media dhe nëpërmjet financimeve të ndryshme që ushtron politika mbi mediat. Kjo bën, tha ajo, që publiku sot të mos dallojë shpesh informacionin e vërtetë nga informacioni i rrejshëm, i manipuluar apo propaganda.

Profesori nga Tirana, Ramadan Çipuri, tha në përfundimet e konferencës se ka ardhur koha që Shqipëria në bashkëpunim me Kosovën të punojnë në hartimin e një teksti edukues mediatik dhe kjo të bëhet pjesë e kurrikulave të arsimit parauniversitar dhe, siç u shpreh ai, këto kanë qenë edhe konkluzionet e konferencës së vitit të kaluar të studiuesve nga Universiteti i Tiranës, Kolegjit AAB dhe Universitetit Bedër.

Në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare të titulluar “Historia e medias dhe transformimet mediatike” pati 40 prezantime të studimeve shkencore nga 44 studiues të cilët vinin nga Kosova, Italia, Maqedonia, Shqipëria, Maqedonia, Norvegjia dhe Gjermania. Prej tyre, ishin 25 doktorë shkencash të komunikimeve dhe mediave, 7 profesorë të sociologjisë së komunikimeve dhe të tjerët ishin doktorantë të komunikimeve dhe gazetarë. Temat që u trajtuan në këtë konferencë kishin të bëjnë me metamorfozën e radios, transformimin e televizionit, transformimi i predikimti fetar sot nga mediat tradicionale në mediat e reja, a-kulturimi në mediatik, e vërteta dhe post e vërteta në mediat e sotme, evoluimi i gjuhës së urrejtjes online etj./ KultPlus.com