Koreografi Gentian Doda: Përditë më kalon në mendje të heq dorë, por baleti për mua është një domosdoshmëri

Era Berisha

Ekziston një emocion që pikon thellë në qenësinë e njeriut, pothuajse fshehurazi, i cili me fuqinë e tij arrin që tërësisht të t’lërë mbushur me habi dhe me rrahje të shpejta të zemrës. Kjo është ndjesia që zhdërvjellët nëpër trup në momentet kur përjetoni krijimet e koreografit shqiptar, Gentian Doda. I lindur në Tiranë, ai nisi karrierën fillimisht si balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për të vazhduar tutje me pushtimin e skenave të teatrove të ndryshme nëpër vende të botës si: Paris, Madrid, Nju Jork, Moskë, Berlin, Hong Kong, Itali, Izrael, Danimarkë, Seul e Japoni. Por, për të arritur deri në maje të tilla, duhet vrapuar mbi perfeksion çdo herë e më shumë, dhe kjo pikësëpari duhet bërë mbi gishta. Nga roli në rol, nga vepra në vepër, bukuria e baletit nuk duhet paraqitur thjesht në formën estetike, por dhe atë emocionale. E për këtë dukuri më së miri ka rrëfyer vetë balerini dhe koreografi, Gentian Doda, në një intervistë të veçantë për KultPlus.

Si një gjëegjëze e këndshme është baleti, kjo formë arti që ka nderuar audiencën për shekuj me radhë. Nuk ka rëndësi ndonëse lëviz në dyshemenë e teatrove të mëdha apo atyre të vogla, por ajo që vlen më së shumti, padyshim qëndron tek aftësia për të joshur audiencën, nëpërmjet emocionit, aftësisë për të treguar një histori/ngjarje, kombinimit të lëvizjeve të sakta, muzikës dhe estetikës vizuale. Këtë e vërejmë më së miri edhe tek shpirti artistik i koreografit Doda, i cili me gjithë fuqitë e tij të brendshme dhe pasionin e njëmendtë, na sjellë çdo herë projekte që burojnë pastërti si loti.

Pas TKOB-së, koreografi Doda filloi një karrierë të suksesshme ndërkombëtare gjatë së cilës ai punoi si balerin në vende të ndryshme si në Teatrin Shtetëror të Operës dhe Baletit të Azerbajxhanit, në “Teatro Arena di Verona”, në “Balletto di Parma”, në “Compania de Victor Ullate” dhe në “Compania Nacional de Danza”. Dashuria për baletin i kishte ardhur krejt natyrshëm. Nuk është se u lind dhe tha se do të bëhej balerin, por ai e ndjente domosdoshmërinë e shprehisë së trupit dhe duke qenë se shqiptarët njihen si popull shumë kërcimtar, atij u krijuan situata të ndryshme që i erdhën në mënyra të rastësishme, që futën kështu thellë në shpirtin e tij, një copëz magjie që sa vazhdohej e bëhej më e madhe.

Fabio Marcato

Në anën tjetër, janë pikërisht fillesat e para ato që shpeshherë skalisin njeriun për atë se çfarë potencialisht vjen më pas. Dhe fillesat e para, koreografi Doda i pati pikërisht në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri. Për të, momenti kur këmba e tij ka shkelë për herë të parë aty, është zbehur paksa, por mban mend se si ndjente një pasiguri, një dyshim që përkonte me aftësitë e tij për t’u përballur me këtë profesion, ngaqë përgjegjësia ishte tejet e lartë. Ai, prekjen e cilësdo skenë e përshkruan sikurse hyrjen e shenjtë në një tempull, dhe të qenurit aty, do të thotë të jesh i ekspozuar para publikut. Atij i duket se në skenë je një njeri i vetëm, andaj edhe gjithmonë shoqërohesh me një ndjenjë dyshimi. Por, duket që as pengesat e para nuk ishin aq të forta për ta mundur shpirtin luftarak të tij, i cili shpeshherë në dyshemetë e skenave, na del një shpirt i një natyre të butë, shkruan KultPlus.

“Çdo herë që del në skenë është sfiduese. Edhe tani kur ngjitem në skenë ekziston kjo sfidë me vetveten. Të shkelësh në një skenë është diçka që sjell emocione shumë të forta. Kthehet në një varësi, në një adrenalinë që nuk mund të quhet as gëzim, as frikë. Sikur shkel në limbo”, ka përshkruar Doda momentin kur ai përballet me cilëndo skenë.

Asgjë tjetër nuk e frikëson njeriun më fort sesa të kujtohet për emocionet e një shfaqjeje baleti, apo për çdo krijim artistik tjetër. I tillë është rasti me koreografin Doda, në shfaqjet e së cilit fillimisht duhet të dëgjosh fjalët, ta kuptosh muzikën, të ndjesh praninë e hapave si dhe të frymëmarrjeve, e pastaj ta përjetosh bukurinë dhe shëmtinë e gjithçkaje tjetër që ofrohet në skenë.

Për Dodën, ndikimet më të mëdha e më të thella të karrierës së tij si balerin pasojnë nga puna me koreografë si: Maurice Béjart në Ballet de Lausanne. E më pas edhe përvojat e ndryshme me: Nacho Duaton, Jiri Kylian, Mats Ek, Ohad Naharin, Wim Vandekeybus, William Forsythe, etj; me të cilët ka kërcyer në teatro që i kanë lënë mbresa të mëdha e të cilat janë: Châtelet në Paris, Teatro Real në Madrid, Brooklyn Academy në Nju Jork, Bolshoi Teater në Moskë, Staatsballett në Berlin, Art Centre në Hong Kong, pastaj dhe skenat në Seul e Japoni. Dhe në qoftë se ai do të kthehej ndonjëherë në kohë, nuk do të kishte ndryshuar asnjë hap drejt rrugëtimit të tij artistik.

“Janë të shumta skenat që më kanë shënjuar, dhe çdo skenë ka të bukurat dhe sfidat e veta.”

Andis Rado

Doda më vonë zbuloi talentin e tij si koreograf kur krijoi një punëtori koreografike në “Compania Nacional de Danza” nën drejtimin e Nacho Duato. Aty nisi diçka e re, që ndoshta as ai nuk e kishte menduar kurrë më parë.

“Përditë më kalon në mendje të heq dorë, por kjo nuk ka qenë zgjedhje në jetën time, kjo është për mua një domosdoshmëri. Është nevoja për t’u shprehur që më shtyn të vazhdoj. Ka dhe momente të shkurtra shumë përmbushëse, që megjithëse nuk e justifikojnë vështirësinë, më gënjejnë në njëfarë mënyre që të vazhdoj. Në fillim të karrierës sime, një artist më pati thënë “Tu prish jeta”.  Është e vërtetë, sepse mendja ime punon në çdo moment në relacion me krijimin, nuk mund ta ndaj nga mendimet e tjera. Nuk e shoh si një “stil jete”, nuk është as një punë 8 orëshe, përkundrazi është një mund dhe kërkim i vazhdueshëm, që bëhet pjesë edhe e ëndrrave. Çdo gjë që më mbështjell e perceptoj në relacion me krijimin”, ka thënë Doda.

Sipas tij, ai ndjente nevojën për t’u shprehur në një mënyrë tjetër, e jo të vepronte sikurse një “instrument”.

“Si krijues marr pozicion nëpërmjet asaj që ndjej, mendoj dhe dua të them, ndërsa si interpretues isha duke realizuar botën e dikujt tjetër, sado që ta personalizoja.”

Valeria Isaeva

Thellë-thellë, secili artist brenda vetes ka ca pengesa që dinë edhe t’i ndajnë ëndrrat në dysh. I tillë ka qenë edhe rasti me Dodën, i cili thotë se pengesat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta, por ai gjithmonë e ka inkurajuar dhe bindur veten që të mos dorëzohet para tyre, në asnjë moment. Ndërsa, për procesin e krijimit të një koreografie, ka thënë se do duhej të shkruante një libër të tërë, marrë parasysh këtu fazat e ndryshme dhe emocionet që ka në thelb vepra.

“Kjo është një përgjigje shumë e gjatë, për të cilën do duhej shkruar një libër. Është proces i gjatë dhe konfliktiv, por nuk dua të them negativ. Ka përplasje emocionesh të ndryshme. Por ekzistojnë shumë mënyra kompozimi, të cilat e kthejnë këtë larmishmëri emocionesh në profesion. Krijimi është edhe zanat. Mes gjithë vështirësive gjen bukurinë. Këtu varet edhe se çfarë konsiderojmë “të bukur”, duhet ta përkufizojmë një herë çfarë duam të themi me bukuri të procesit. Çfarë më pëlqen tek krijimi është që ka të bëjë me një botë të brendshme, më shumë se sa të jashtme. Kjo brendësi më intereson për ta bërë të dukshme. E kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet zanatit, teknikave, parimeve të mbështetura edhe në disiplina të tjera përtej kërcimit: skulptura, muzika, arkitektura, letërsia, kinemaja, të gjitha këto e mbështesin procesin tim krijues”, thotë ai.

Për t’u bërë një me skenën, do të thotë që e tërë ekzistenca e një artisti do të rrafshohet me tokën dhe emocionalisht do të arrij pikë kulmore të një niveli qiellor, mirëpo për ta jetësuar këtë ndjesi përbrenda, do të thotë që ta jepni veten tërësisht ndaj atyre ndjesive të brendshme të cilat duhet dalë në pah nëpërmjet lëvizjeve, kërcimeve, hapave si dhe një mendjeje të qetë e precize. Këtë nuk e arrin shumëkush. Ndoshta ka njerëz të atillë që kanë kaluar gjithë jetën duke ndjekur pas atë përjetim, por nuk kanë arritur në një fund të lumtur. Ndërsa, sipas Dodës, të bërit një me skenën, nuk ndodh shpesh.

“Të bërit një me skenën ndodh shumë rrallë. Fakti që ndodh aq rrallë ishte një nga arsyet që më bëri t’i largohesha interpretimit. Por kur ndodh është e papërshkrueshme me fjalë.”

Andis Rado

Koreografi Doda gjithashtu ka qenë i angazhuar në shumë bashkëpunime dhe projekte të pavarura duke ekspozuar veprat e tij në Gjermani, SHBA, Izrael, Spanjë, Itali, Shqipëri, Danimarkë dhe Kinë ndër të tjera. Në gusht të vitit 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit në Staatsballett në Berlin, pozicion të cilin e mbajti për katër vjet.

Ndërsa, për rikthimin e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri më 2020, ai tha se kishte pasur më shumë pritshmëri.

“Kisha më shumë pritshmëri. Më ftuan për të konsideruar drejtimin artistik të baletit në 2020, dhe punova gjatë me ekipin tim për një program tre-vjeçar dinjitoz dhe profesional. Ishte një ëndërr e bukur, por kuptova shpejt se vetëm e tillë do të ngelte, dhe nuk vazhdova më tej.  Sido që të jetë, aty më shoqëron gjithmonë një ndjesi përkatësie dhe kënaqësie për rikthimin. Ndërsa projekti ‘Actus, for Vjosa’ që u shfaq aty, ishte produksion i pavarur i HBS Tirana dhe ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, dhe nuk kishte të bënte me programin e TKOB në vetvete”, ka treguar Doda.

Valeria Isaeva

Teksa jemi tek tema e “Actus for Vjosa”, mund të themi se projekti solli emocione të shumta. Lumi Vjosa është një pasuri natyrore me bukuri të veçantë që ka Shqipëria, andaj si homazh për natyrën, është krijuar koreografia kontemporane nga Doda ku performuan 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë. “Actur for Vjosa” qe një koreografi unike për Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, me ç’rast koreografi Doda u bë zëri dhe imazhi i Shqipërisë. Teksa shohim trupat që lëvizin, kthehemi e mendojmë për brishtësinë, forcën, magjinë që natyra bart. Njëlloj sikurse uji në atë lum, trupat e balerinëve lëvizin rrjedhshëm, lëshohen nga njëri tek tjetri dhe lëvizjet e tyre rrjedhin krejt natyrshëm. Kjo ka qenë një punë njëvjeçare që është bërë për ‘Vjosën’, si dhe kompozimin e muzikës origjinale e ka krijuar kompozitori shqiptar që jeton në Spanjë, Çezer Aliaj, ku është frymëzuar në disa struktura polifonike. Edhe kërcimi është frymëzuar në disa estetika lëvizjeje. Vepra ka pasur për synim që të prezantojë Shqipërinë si imazh dhe jashtë.

“Projekti lindi në bashkëbisedim me Gökhan Tuncer, drejtorin e Heinrich Böll Stiftung Tirana. Frymëzimin për krijimin, përtej kauzës e cila ishte shumë e rëndësishme, më shumë e gjeta në imagjinatën se si do ndjeheshim po ta humbnim këtë natyrë. Dinamikat e lumit dhe bukuria e egër, ishin ngacmime që i studiuam shkencërisht në detaj, dhe shërbyen si baza të krijimit si ana koreografike, ashtu edhe muzikore bashkë me kompozitorin Çezar Aliaj dhe artistët e tjerë që morën pjesë. Humbjen e pashë si një problematikë njerëzore, jo vetëm natyrore. Mosekzistenca e lumit do te ishte mosekzistencë e njerëzimit. Vetë qytetërimi ka lindur buzë një lumi”, ka shpalosur Doda.

Valeria Isaeva

Në vitin 2011, Doda mori Çmimin e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe çmimin Scapino Production. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të Nju Jorkut, Baletin Scapino, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.

Por, ai për këto çmime ka thënë se kanë pasur të bëjnë më shumë me marketingun, sesa artin në vetvete.

“Që në 2005 isha ‘house choreographer’ i Compañia Nacional de Danza në Spanjë, dhe këto që përmendët ishin pasoja të asaj pune të rëndësishme kërkimore që po bëja atje. Çmimet kanë pasur më shumë të bëjnë me vizibilitetin dhe marketingun, se sa me artin në vetvete. Në art mendoj se nuk mund të ketë konkurrim, vlerësimi i një vepre arti është shumë relativ. Ndërsa mësimi është vetë përvoja, puna me njerëz të ndryshëm, karaktere dhe kultura të ndryshme. Por në këtë gjuhë universale, siç është ajo e kërcimit, të gjitha diferencat kthehen në favor, në pasuri”, thotë ai.

Sipas tij, vlerësimet e ndryshme që i janë bërë gjatë karrierës, e sidomos gjatë periudhës që u konsiderua një yll i skenave botërore, nuk kanë asnjë vlerë.

“Thellë-thellë, vlerësimet nuk asnjë vlerë. Duke lënë mënjanë egon, asnjë vlerë. Sepse procesi dhe rritja është tërësisht personale, qëllimi është individual. Sigurisht, mirënjohja më jep një lloj kënaqësie, sepse është provë që arrij të komunikoj. Por për zhvillimin personal nuk kanë asnjë rëndësi, nuk më bëjnë këto vlerësime as më të mirë as më të keq. Jam në një proces të vazhdueshëm.”

Ai tutje ka thënë se nuk e gjen veten në ndonjë pozicion ku mund t’i këshillojë të rinjtë për të ndjekur rrugën e këtij profesioni, duke marr parasysh problematikat që njëri ka përbrenda vetes.

“Është rrugë shumë e bukur nëse e gjen veten në të. Si e gjen veten, nuk mund ta them, nuk ndjehem në pozitën që të këshilloj, sepse çdo individ ka arsyet personale, të ndryshme nga tjetri. Por i rëndësishëm është formimi përtej sallës së baletit. Një formim me amplitudë shumë më të gjerë se vetëm kërcimi. Çfarë të bën artist është vizioni, emocioni, nevoja për t’u shprehur, pa përmendur dedikimin total dhe punën fizike që është e nënkuptuar.”

Në anën tjetër, koreografi Doda, e sheh të vështirë për të vlerësuar punën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ndonëse sipas tij, nuk ka mungesë të talenteve por mungesë të vizionit.

“Është vështirë për t’u vlerësuar, sepse mungon një strukturë me baza serioze të një projekt ndërtimi afatgjatë. Deri tani baleti nuk ka pasur një drejtim artistik, një strategji zhvillimi me vizion për ndërtimin e një repertori origjinal artistik. Problematika ka qenë kjo mungesë vizioni dhe rigoroziteti në punë, e jo mungesa e talenteve. Mua personalisht më shqetëson sepse duket se po e dëmton perceptimin e artit të kërcimit nga publiku, i cili po shihet si një “argëtim”, në vend që të konsiderohet si një mjet i thellë e i domosdoshëm për zhvillimin individual, shoqëror dhe kulturor.”

Tutje, koreografi Doda na tregoi se momentalisht është duke punuar për një projekt shumë të rëndësishëm për vitin 2024, të cilën e konsideron si një ëndërr që po merr jetë dita ditës, por që ende nuk ka të drejtën që të flas për të, pasi lajmi fillimisht duhet të bëhet i ditur nga institucionet përgjegjëse.

Krejt në fund të kësaj interviste, ai u shpreh për ne se nuk ekziston kurrfarë arsye që ai do të hiqte dorë ndonjëherë nga ky profesion.

“Për asnjë arsye. Po të kisha edhe një arsye të vetme për të hequr dorë, nuk do ta besoja 100% këtë që bëj, prandaj nuk do ta bëja dot siç e bëj. Pastaj, kërcimi për mua është një mjet për t’ju hapur edhe botëve të tjera të kinemasë, muzikës, instalacionit vizual, etj. Ky nuk është limit, është pasurim. Nuk kam arsye të heq dorë”, ka thënë Doda. / KultPlus.com

‘FemArt’ solli performancën “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda, shpaloset motivi i një kënge të vjetër arbëreshe

Era Berisha

Dita e katërt e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” solli performancën artistike me titull “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës arriti të krijojë një frymëzim të gjallëruar përbrenda motiveve të paqarta të cilat u grumbulluan dhe morën formë atëherë kur trupat e tre balerinëve bashkoheshin për të formësuar një imazh të ngurtë që ngjallte kuriozitete të shumta, shkruan KultPlus.

Mbrëmë salla e Teatrit Kombëtar po mbushej dalëngadalë me prezencën e të pranishmëve të cilët fillimisht u përplasën me një mjegull në atmosferë e cila veçse po tregonte pak për formatin e kësaj performance. Ndonëse numri në publik nuk ishte edhe aq i madh, kjo megjithatë e bënte këtë mbrëmje edhe më të veçantë ngase ajo që pas pak do të shpalosej mbi skenë, do të ishte aq speciale dhe e mjaftueshme për të pranishmit që sytë i kishin të drejtuar me padurim drejt skenës.

Fiks në orën 20:14, nisi gjithçka. Terri zgjoi krahët sipër vendit dhe mbuloi gjithë hapësirën derisa drita rrethore mu në mes të skenës e përndjekur nga mjegulla e vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes, shoqëroi lëvizjet, hapat dhe kërcimet e balerinëve si: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Të tre këta trupa shpalosën një mori intensitetesh që në thelb kuptimi i tyre ishte i fshehur por gjallërohej kur trupi i ndonjërit prekte një trup tjetër, kështu dhe rikrijohej lidhja e këputur mes tyre, me ç’rast evokohej një ndjenjë, një emocion dhe një fotografi nostalgjike.

Muzika origjinale nga kompozitori Çezar Aliaj vjen e frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe andaj dhe rrjedh lehtësisht nëpër gjymtyrët e tri balerinëve që mbi skenë krijonin përfytyrimin se po transformoheshin vazhdimisht e po merrnin formë të ndryshme nga çasti në çast. Ndërkaq, muzika si pjesë e pandashme e vallëzimit, i përngjante ‘tik-takut’ të një ore që po kalonte dhe ndërkohë ndjehej nevoja për ndërveprimin e performuesve në skenë.

Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa shfaqën në pah një punë të fortë dhe mjaft të kontrolluar të këmbëve dhe krahëve, duke vënë fokusin mbi tkurrjen dhe lirimin e trupit në momente të paparashikueshme por jashtëzakonisht të bukura. Në anën tjetër, dalloheshin ndryshimet drastike në ritëm, shpejtësi dhe drejtim të cilat shpalosën karakteristika unike jo vetëm të lëvizjeve në këmbë, por edhe në dysheme, e sidomos në rëniet e tyre improvizuese.

Po ashtu, vetë koreografi Gentian Doda ka arritur të krijoj baraspeshën midis një tradite të lashtë arbëreshe dhe kërcimit bashkëkohor e lëvizjeve që erdhën në një nivel shprehës tejet të lartë. Talenti i tij krijues solli mbi skenën e Teatri Kombëtar të Kosovës një vepër që në esencë është sa tradicionale aq edhe moderne. Vetë shkëputjet e emocioneve dhe disponimit përbrenda teknikave të balerinëve ndërlidheshin në një mënyrë mbresëlënëse me stilin muzikor të përzgjedhur.

Gjetja e mënyrave për të kërkuar angazhimin moment pas momenti të të pranishmëve brenda një mjedisi siç është teatri, është bërthama kryesore para krijimit të një vepre. Koreografi Doda me këtë krijim të veprës siç është “Vals i këputun” ka hyrë brenda qosheve të zemrës së njeriut dhe ka ngjallë një ndjeshmëri të pakrahasueshme e cila ka lënë gjurmë që as koha nuk do të mund t’i fshijë dot.

Për të treguar më shumë rreth kësaj shfaqje, për KultPlus foli koreografi Gentian Doda i cili konsideron se folklori pa artin bashkëkohor dhe modern, nuk do të kishte jetëgjatësi.

“Është një festival shumë i rëndësishëm për vetë aktivizmin dhe socializmin e këtij qëllimi që ka si festival. Për mua është një kënaqësi e madhe sepse është hera e parë në Prishtinë por më vjen keq ngaqë nuk kishte publik shumë. Por ishte shumë interesante sepse po ndanim së bashku këto ndjenja”, thotë Doda.

Sipas tij, vepra është komplet e frymëzuar në motive shqiptare, më konkretisht në motivin e një kënge të vjetër shqiptare arbëreshe, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Çezar Aliaj i cili jeton në Spanjë.

“Këtë vepër kemi që një vit që po e lëvizim. Zana Hoxha e ka parë para një viti në ‘Za Fest’ dhe ishte shumë e interesuar, andaj dhe më kontaktoi. Shpresoj që edhe këtij pak publiku, t’i ketë interesuar vepra e të ketë ndjerë diçka”, shpalos ai.

“Arti kontemporan dhe arti modern është shumë i rëndësishëm t’i japi jetëgjatësi, traditës dhe folklorit. Folklori pa artin kontemporan dhe pa artin modern nuk do të ketë jetëgjatësi, për shkak se duhet të ketë një zhvillim.”

Ndërsa, balerini Elton Cefa e cilëson këtë shfaqje si shumë të vështirë në realizim por tejet të bukur në pamje. Ai për KultPlus, koreorgrafin Doda e cilësoi si “shkollë më vete”.

“Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kthehem pas pesëmbëdhjetë viteve në këtë skenë pasi kam punuar me trupën e Baletit të Kosovës gati shtatë vjet. Kam shumë kujtime të bukura këtu dhe shpresoj të kem lënë ndjesi dhe shije shumë të mirë tek spektatorët. Shfaqja është shumë e bukur për t’u parë por shumë e lodhshme për ne sepse kemi gati një vit e gjysmë që punojmë në këtë proces shumë të vështirë por aq edhe të bukur. Kur punohet me koreografin Gentian Doda është si të bësh një shkollë më vete nga të gjitha anët dhe shpresoj shumë që edhe trupa e Baletit të Kosovës të ketë një bashkëpunim të tillë me Gentian Dodën, sepse do të ishte një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë”, thotë Cefa.

Kurse, balerina Rosella Pellicciotti për KultPlus tha se shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike prandaj e gjithë shfaqja është një përpunim i kujtimeve.

“Kjo shfaqje është vendosur për herë të parë në muajin gusht të vitit 2021, në Shkodër ku pati premierën, ndërkohë që procesi ka filluar që në janar të 2021-tës. Pastaj është vendosur edhe në Tiranë dhe tani për herë të parë në Prishtinë. Mund të them që shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike apo ngjarje por kompozitori ka krijuar një muzikë origjinale për shfaqjen dhe është bazuar në motive shumë të vjetra arbëreshe, kështu që e gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve që vinë bashkë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, thotë Pellicciotti.

Gjithashtu, balerini Fjorald Doci foli rreth lëvizjeve që sipas tij vinë të bazuara në kujtime, fotografi apo imazhe.

“Lëvizjet janë të bazuara në kujtime, foto, imazhe të cilat mundohemi t’i rikthejmë nga një kohë e shkuar por që janë të ngrira në fragmente. Kjo sjell një qasje shumë interesante gjatë procesit dhe na ka bërë të eksplorojmë në fusha të cilat i kishim të reja”, thotë Doci.

Koreografi Robert Nuha për KultPlus tregoi se këso shfaqje janë shumë të nevojshme në Kosovë, ngase janë në një mungesë të madhe.

“Shfaqja ishte padyshim e nivelit evropian. Është një shfaqje e dansit bashkëkohor e cila tek ne në Kosovë, megjithëse ka tendenca, akoma mungon. Kështu që kjo që sonte e pamë këtu është shumë e mirë për artistët, artdashësit dhe kërcimtarët që duan të zhvillohen në dansin bashkëkohor. Ishte një shfaqje tejet mbresëlënëse dhe unë për vete kam pasur fat që të punojë me kërcimtarët që ishin në skenë por sonte ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Kur vjen një shfaqje nga një koreograf si Gentian Doda, sigurisht që pritshmëritë janë të tilla. Më bëhet qejfi shumë që FemArt po sjell shfaqje të tilla sepse na duhen shumë”, thotë Nuha.

Performanca “Vals i Këputun” vjen nga realizimi i ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). / KultPlus.com