Shpaloset programi i plotë i “Kosovo Theatre Showcase 2022”

Edicioni i 5-të i Kosovo Theatre Showcase do të fillojë më 25 tetor dhe do të përfundojë pas 5 ditësh, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion do të jenë mbi 10 shfaqje teatrale, derisa janë të planifikuara edhe evente të tjera sikurse panele të diskutimit.

“Jemi të lumtur të ndajmë me ju programin përfundimtar të Kosovo Theatre Showcase 2022.
Këtë edicion, përpara mbi 60 mysafirëve nga e gjithë bota, jemi krenarë të prezantojmë disa nga shfaqjet më të mira të prodhuara në Kosovë këtë vit. Përpos programit të shfaqjeve, kemi organizuar një program të pasur të ngjarjeve rrjetëzuese si panele, punëtori, performanca, marketin ndërkombëtar të teatrit e mbrëmje muzikore!
Të gjitha ngjarjet janë të hapura për publik. Shfletoni programin më poshtë, për më shumë detaje! Ju mirëpresim!”, thuhet në njotifimin e Qendrës Multimedia.

Më poshtë gjeni programin e plotë të Kosovo Theatre Showcase 2022.

https://qendra.org/wp-content/uploads/2022/10/Kosovo-Theatre-Showcase_program_2022_booklet_2.pdf / KultPlus.com

Sot shfaqet premiera botërore e ‘Balkan Bordello’ në Prishtinë

Në kuadër të Kosovo Theatre Showcase, sot duke filluar nga ora 20:00 në Prishtinë ipet premiera botërore e shfaqjes ‘Balkan Bordello’ të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt.

Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. Në shfaqje luajnë një kastë prej 10 aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë; Onni Johnson, Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser e Verona Koxha.

E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.

Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. ‘Balkan Bordello’ është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. “Balkan Bordello është një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar. Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash”.

“Duke e huazuar pejsazhin e Orestisë së Eskilit, shfaqja evokon arketipin e një shoqërie që del nga lufta në një gjendje konfuzioni, ku raportet e rregullit dhe pushtetit të vjetër janë përmbysur, e rregulli e pushteti i ri nuk duket të kenë legjitimitet, sepse janë të bazuara në forcë”, ka shkruar për shfaqjen sociologia e analistja Anna Di Lellio.

“Në të vërtetë pak gjëra kanë ndryshuar që nga vepra e Eskilit e shkruar në Greqinë Antike e deri më sot: asgjë nuk mund tu japë një shpjegim të arsyeshëm tragjedive njerëzore të shkaktuara nga njerëzit dhe në këtë kuptim ‘Balkan Bordello’ e adreson këtë pakuptimësi me anë të një humori specifik që ne e njohim mirë”, shpjegon Jeton Neziraj, autor i Balkan Bordello.

Nga ana teknike, për këtë shfaqje janë angazhuar profesionistë të shquar të teatrit. Muzika: Gabriele Marangoni. Skenografia: Marija Kalabić. Kostumet: Gabriel Berry. Koreograf: Gjergj Prevazi. Koncepti visual dhe i dritave: Nico de Rooij.

Pas premierës në Prishtinë, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase shfaqja do të ipet në Gjilan dhe Ferizaj ndërsa gjatë nëntorit Balkan Bordello do të prezentohet edhe në Tiranë (6 nëntor) e Beograd (8 dhe 11 nëntor) para se të shfaqet edhe në teatrin prestigjioz La MaMa në New York gjatë marsit të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com

Pas gjashtë vitesh, shfaqja “John Cage’s Hamlet” e regjisorit Bekim Lumi rikthehet të mërkurën

Shfaqja “John Cage’s Hamlet” e regjisorit të ndjerë Bekim Lumi rikthehet pas gjashtë vitesh në kuadër të Kosovo Theatre Showcase të mërkurën më 3 nëntor në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.

Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë më 20 nëntor 2015 ndërsa në shfaqje luajnë Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Luan Durmishi (tenor), Adorel Haxhiaj (violonçelo).

Kjo shfaqje përdor një qasje teatrore eksperimantale përmes të cilës Hamleti i Shekspirit ndërthuret, përzihet, shkrihet e tretet në një material bashkë me vizionin muzikor të kompozitorit avangard amerikan John Cage. Edhpse është e bazuar në tragjedinë e Shekspirit, performanca i refrohet asaj në shumë pak pjesë.

“Jemi angazhuar maksimalisht që në këtë Showcase ta kthejmë Hamletin e Bekës si mënyrë për ta kujtuar vetë regjisorin tone që në pak kohë teatrit të Kosovës i dha freski në repertor, inovacion në qasje e cilësi në prurje. Bekimi ishte ai ‘fajtori’ pse kreacioni teatror kosovar pësoi një transformim inspirues që bëri që edhe njerëzit ti ktheheshin shfaqjeve”, thuhet në deklaratën e organizuesve të Showcase.

Përkundër pagëzimit dhe identifikimit të saj me emrin e John Cage-it, ajo nuk shërbehet me muzikën e tij, por, vetëm në aspektin konceptual, frymëzohet dhe merr shkas nga idetë, nga vizioni dhe nga maksima e tij antologjike se “Çdo gjë që ne bëjmë është muzikë”. Të tjerat janë heshtje”. Kjo është fjalia e prekshme, mistike e rrëqethëse me të cilën Princi Hamlet, si një amanet për mikun e tij të zemrës, Horatin, jep frymën e fundit të jetës së tij. Me fuqinë e saj shprehëse dhe emocionale, kjo fjali ngjethëse vjen e ngjashme me veprën e famshme muzikore 4’33” (“Four minutes, thirty-three seconds”) të John Cage. Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase mbahet prej 2 deri më 7 nëntor në Prishtinë, Ferizaj e Gjilan ku do të prezantohen 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa Kosovo Theatre Showcase organizohet nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit në Gjilan, Teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe teatrin “Dodona” në Prishtinë. / KultPlus.com

Edicioni i katërt i ‘Kosovo Theater Showcase’ fillon në nëntor

Edicioni i katërt i ‘Kosovo Theater Showcase’ do të mbahet në nëntor të këtij viti, shkruan KultPlus.

‘Kosovo Theater Showcase’ do filloj nga 2 nëntori dhe do të mbahet deri më 7 nëntor.

Në njoftimin e bërë nga Qendra Multimedia theksohet se në këtë vit do të ketë 10 shfaqje nga teatrot dhe kompanitë e ndryshme të Kosovës, si dhe 5 shfaqje nga rajoni dhe më gjerë.

Gjithashtu në njoftim tregohet se mbii 50 kritikë ndërkombëtarë të teatrit, programues të festivalit dhe gazetarë të tjerë të kulturës dhe adhurues të teatrit do të jenë  në Prishtinë për një panair kulturor të drejtpërdrejtë që ngërthen bashkëpunimin, krijimtarinë dhe inovacionin.

‘Kosovo Theater Showcase 2021’ organizohet nga Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Oda në Prishtinë, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, Teatrin e Qytetit të Ferizajt, Teatrin Dodona në Prishtinë dhe disa partnerë të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë.

Njoftimi i plotë në link: http://qendra.org/kosovo-theater-showcase-2021-dates-announced/?fbclid=IwAR3V2WahaVcjpCAOhPtFEKSv_LdlbKZ8WEVIrH4daCtMkpbYTvf4Aoqy_Cs / KultPlus.com

Dy aktore serbe shpalosën rrugëtimin e tyre në Kosovo Theater Showcase

Medina Pasoma

Ulëset e teatrit Oda u mbushën me praninë e audiencës të cilët u bashkuan për të dëgjuar rrugëtimin artistik dhe pikëpamjet e aktoreve serbe Mirjana Karanoviq dha Jasna Gjuriqiq në kuadër të edicionit të tretë të Kosovo Theater Showcase, shkruan KultPlus.

Me një karrierë të bujshme dhe të njohur në Ballkan, aktoret filluan diskutimin e tyre nën moderimin e gazetarit Agron Bajrami nën organizimin e Qendrës Multimedia.

Mirjana Karanoviq është njëra ndër aktoret më të famshme të teatrit dhe kinematografisë post-jugosllave, aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe kritikuese e luftërave në Jugosllavi. Në anën tjetër Jasna Gjuriqiq është aktore e njohur serbe e cila në vitin 2010 fitoi çmimin për aktoren më të mirë në festivalin e filmit në Locarno, Zvicër.

Rrëfimin e saj së pari e shpalosi Mirjana Karanoviq, e cila theksoj se tanimë vizionet e saj janë ndërtuar mbi një bazë reale dhe jo me gjëra të paarritshme. Në anën tjetër kur ajo flet për aktrimin, nuk mund ta quaj atë “punë”.

“Është nevojë e madhe e brendshme që unë të shprehem në skenë dhe në 10 vitet e fundit jam fokusuar më shumë në krijimtarinë time, në atë se çfarë do të lë pas si gjurmë, si një udhërrëfyes për disa”, tha Mirjana.

Aktorja Karanoviq sheh ndryshime në fushën e teatrit, përderisa më parë ai ka qenë institucioni kulturor që ka trajtuar temat e mëdha sociale dhe kundërshtime ndaj sistemit, sot e tëra përqendrohet në tema subjektive.

“Sot shfaqja teatrore është shumë intime për shkak se ekziston trendi i fuqishëm që gjithçka të shkoj sipërfaqësisht. Temat e rëndësishme mbulohen me pëlhurat e maskuara, të cilat janë plotë lecka të vogla”, shton Mirjana Karanoviq.

Mirëpo, pavarësisht këtij roli të evoluar, ajo beson se themeli i teatrit kurrë nuk do të zhduket.

“Kishte periudha të tmerrshme në historinë njerëzore, luftëra, shkatërrime, murtaja, kolera. Por, teatri në të gjitha këto mbijetoj dhe mendoj që nuk do të zhduket kurrë sepse është një gjë e gjallë”, thekson aktorja që kaloj shumë vite në teatër.

Në anën tjetër ajo është kundër ekskluzivitetit dhe banalitetit që sot janë aktuale nëpër botë. Pikërisht formulimi i pyetjeve të pavenda dhe mos interesimi për art të mirëfilltë është arsyeja pse ajo qysh moti nuk pranon të intervistohet.

Tutje, Karanoviq tregon se do të filloj me xhirimin e filmit të dytë që ka autorësinë e saj, e për të cilin ndjehet e lumtur. Ndërkaq për planet e së ardhmes, ajo mendon se njerëzit shumë shpesh vetëm duhet të ndjehen mirë dhe të ëndërrojnë pa vepruar. Mirëpo, për të mbetet e rëndësishme të dihet se çka ëndërrojmë, sa është reale dhe si do të realizohet ajo.

“Planifikimi i të ardhmes nuk përfshinë gjithmonë njerëzit e mençur, por atë e bëjnë të tjerë që gënjejnë duke thënë se po punojnë për të mirën e përgjithshme dhe për një të ardhme fenomenale, vetëm nëse shkoni pas tyre. Jemi të robëruar brenda vizioneve, “profetëve” të rrejshëm, me vizione sipërfaqësore”, shprehet aktorja Mirjana, e cila ka dyshime se si do të duket e ardhmja.

Mirëpo, në mes të konfuzioneve për të ardhmen dhe jetesës në të tashmen, hapësira e saj e lirë mbetet arti, përkatësisht teatri.

“Është hapësirë e lirisë edhe para se të hyj në të, sepse unë bëj zgjedhje, me kë dhe çfarë do të punoj prandaj në këtë hapësirë fizike hyj e shtendosur nëse duhej apo nuk duhej. Ajo që i kam thënë vetes është se s’do të bëj gjëra për dikë tjetër, gjithmonë di pse bëj diçka”, shprehet Mirjana Karanoviq.

Përgjatë karrierës, ajo thotë se është ndjerë krenare, e turpëruar, ka rënë dhe është ngritur mirëpo, kur rikthehet pas dhe e sheh gjithë rrugëtimin, e vetmja gjë të cilën do ta ndërronte mbetet mësimi i dy gjuhëve të huaja. Ndërkaq, ajo nuk është e penduar as pse ka jetësuar role si viktimë e regjimit serb, për të cilën ka marrë shumë kritika dhe sharje nga populli i saj.

“Ata që urrejnë bëjnë zhurmë dhe për këtë ju mendoni se çfarë po ndodh në xhungël. Por, janë vetëm disa majmunë që kërcejnë në degë. Do të më pëlqente të mos ekzistonin ato njolla, vula, etiketime që ia bëjmë dikujt në ballë por s’mund ta ndërroj”, shprehet ajo për fyerjet që ka marrë ndër vite.

Në anë tjetër, aktorja Jasna Gjuriqiq nis rrëfimin e saj duke thënë se ka filluar të aktroj në vitet e 90-ta, atëherë kur kishte lindur vajzën e saj dhe rrugëdalja e vetme për të kishte qenë skena.

“Më kanë mësuar në shkollë se gjithçka duhesh ta thuash në skenë, përmes rolit ta tregosh qëndrimin tënd. Skena teatrore për mua është një hapësirë tejet serioze sikurse filmi, ndërkaq aktori është një qenie e përgjegjshme që skenën duhet ta trajtoj si hapësirë publike për të kumtuar diçka”, thotë Jasna Gjuriq.

Tutje Jasna shprehet se ndjehet e shqetësuar nga fakti se që nga shpërbërja e Jugosllavisë aktorët detyrohen të punojnë punë jashtë artit, nëpërmjet politikës apo hapjes së ndonjë biznesi, në tentim të mbulimit financiar.

Mirëpo, pavarësisht vështirësive materiale që ka ky profesion, në fund të fundit arti mbetet vendtakimi i popujve. Andaj për aktoren Gjuriq, vizita e vendeve të ndryshme duke jetësuar role mbetet një kujtim shumë i mirë.

“Te publiku shoh vetëm një gëzim të madh sepse më duket që gjithsecili jemi të vegjël. Në brendi mërzitemi shpejt dhe na duhet një energji, njerëz e fytyra të reja. Jemi fqinj të parë dhe kjo më duket e mrekullueshme”, shprehet Jasna Gjuriq.

E ardhmja për aktoren serbe mbetet diçka që duhet ta ndërtoj gjithsecili, të ndryshoj diçka mirëpo, kjo nuk do të thotë të ndikoj mbi tërë shoqërinë.

“Ajo që ia kam vënë vetes detyrë qe 5 vite është ta jetoj momentin. Jeta me projeksionet e vetes në të ardhmen sjell vetëm të këqija dhe ta komplikon jetën”, shprehet Jasna.

Për të më e rëndësishme mbetet e sotmja, sesa e nesërmja.

Në fund publiku pati rastin t’i bëj pyetje dy aktoreve serbe. Diskutimi është organizuar përbrenda projektit Reconnection 2.0 i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia (Prishtinë) dhe Heartefact Fund (Beograd)./KultPlus.com

Sot në Prishtinë fillon edicioni i tretë i Kosovo Theater Showcase

Sot në ora 20:00 në teatrin ODA në Prishtinë, shfaqja “Balava”, prodhuar nga Heartefact Fund në Beograd hapë edicionin e tretë të Kosovo Theater Showcase, përcjellë KultPlus.

Për pesë ditë me radhë, në kuadër të Kosovo Theater Showcase do të organizohen shfaqje të prodhuara nga teatrot lokale dhe ato të rajonit [Qendra Multimedia, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt, Teatri “Metropol” në Tiranë, Integra në Prishtinë si dhe Heartefact Fund në Beograd].

Përgjatë pesë ditëve do të organizohen edhe ngjarje të tjera me qëllim rrjetëzimin e profesionistëve vendorë të teatrit me mysafirët e Showcase-it të cilët janë punëtorë ndërkombëtarë teatrorë (regjisorë, përzgjedhës festivalesh, aktorë etj.) Poashtu, do të organizohen dy panele diskutimi:

Njëri më 28 tetor duke filluar nga ora 11:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, mes aktoreve të njohura serbe Mirjana Karanovic dhe Jasna Duricic. Tjetri më 30 tetor duke filluar nga ora 10:00 në Teatrin ODA, ku do të flitet për gjendjen e teatrove para, gjatë dhe pas pandemisë si dhe do të prezantohet raporti i hulumtimit në lidhje me gjendjen e teatrove lokale në Kosovë. Në këtë diskutim do të na bashkohen Vlora Dumoshi, Ministre e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Florent Mehmeti, drejtor ekzekutiv në Teatrin ODA dhe Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Diskutimi do të moderohet nga Shaban Maxharraj, gazetar për kulturë dhe autor i hulumtimit. / KultPlus.com