‘Kthimi i Karl Majit’, nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

“Kthimi i Karl Majit – Shfaqje argëtuese për popullin gjerman”, jepet premierë nesër (16 tetor), nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Reprizat e radhës të kësaj shfaqje do të jepen me datë 17 dhe 30 tetor. Shfaqja është bashkëprodhim mes Qendrës Multimedia nga Prishtina, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe teatrit Volksbühne të Berlinit.

Nën regjinë e Blerta Nezirajt, në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur: Arta Muçaj, Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpetim Selmani. Tekstin e dramës e ka shkruar Jeton Neziraj, skenografinë dhe kostumet Jelisaveta Tatić Čuturilo, koreografinë Gjergj Prevazi, kompozimin e muzikës Gabriele Marangoni, kurse dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik është Alban Beqiraj.

Rreth shfaqjes:

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.

Në shfaqjen tonë, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera.

Në njërën anë një perëndim i idealizuar, çerdhe e dijes, shkencës, kulturës e civilizimit, me katolikë që mbajnë fjalën, të shkathët e të mençur, kurse në anën tjetër një lindje ekzotike, despotike, me njerëz të pagdhendur, të padinjitetshëm, hajdutë e myslimanë që Zot kanë plaçkën – kjo është pjesë e trashëgimisë letrare në disa prej romaneve të shkrimtarit kult gjerman, Karl Maji.

Cili është ndikimi i kësaj krijimtarie letrare në perëndim sot – veçanërisht në tokat gjermanike, prej nga dhe vjen Maji?

Shfaqja i bënë një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”, dhe e cila, në babelin e letrave burokratike të EU-së na vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet!

Përderisa Karl Maji dhe shkrimet e tij mund të ‘shfajësohen’, me arsyetimin se ai ka jetuar në një shekull të padijes, të errësirës dhe të mundësive të kufizuara të komunikimit e qarkullimit të informatave, si mund të amnistohet e justifikohet një autor si Peter Handke? Një autor bashkëkohës i yni, që mohon gjenocidin në Bosnjë, dhe i cili për qëndrimet e tij fashiste merret në mbrojtje nga shumë intelektualë e gazetarë evropian (në emër të lirisë krijuese, natyrisht), dhe për më tepër kontributi i tij (jo vetëm letrar) njihet e vlerësohet, jo më vetëm me Ibsen Award, por edhe me Çmimin Nobel!

Ja, ky është bilanci i një Evrope që pos katër lirive dhe barazitarizmit, vetvetes është duke i projektuar edhe një anë tjetër me të ardhme të zymtë, të errët madje. Trumpët evropianë janë në ardhje e sipër! Sipari është hapur, rruga e tyre është duke u shtruar, bukur, me lajle-lule, edhe letrare madje! Fjalimet e Handkes & Co janë aty, për ata në ardhje që do të duan të bëjnë një “Let’s make Europe great again”, një Evropë nga e cila Kara Ben Nemsët e rinj do të nisen sërish, jo me kuaj, por ndoshta me tankse tani, për të eksploruar, edukuar e civilizuar lindjen barbare – dhe çdo lindje tjetër që nuk është si perëndimi i tyre. Kuptohet, edhe në Lindje po kështu lulëzojnë frustrimet dhe racizmi ndaj refugjatëve ballkanas dhe atyre të botës së tretë.  /KultPlus.com

Blerta Neziraj fiton çmimin si regjisorja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Gostivar

Regjisorja Blerta Neziraj është nderuar me çmimin për regjisoren më të mirë për shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit” e cila është prodhimi i fundit i Qendrës Multimedia.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Othello” u mbajt nga data 3 deri më 8 nëntor në Gostivar të Maqedonisë së Veriut. Përgjatë pesë ditëve, në kuadër të këtij festivali u organizuan një varg aktivitetesh si dhe shfaqje të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

Qendra Multimedia u prezantua me shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit” me regji të Blerta Nezirajt e tekst të Jeton Nezirajt, aktorë: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj si dhe muzicientë: Tomor Kuçi, Arbër Salihu dhe Drin Tashi.

Nga ky festival ata nuk dolën pa një çmim, për të cilin e falënderojnë festivalin. / KultPlus.com

Prishtina e pasluftës dhe vrasja e Rexhep Lucit, shpalosen sonte në skenën e TKK-së

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet e fundit për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.

Shfaqja përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën tjetër, “Pesë stinët…” e përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.

Në këtë proces kanë qenë të inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Duke e parë këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Prishtina, qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.

Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.

“Pesë stinët…” është një rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Shfaqja është realizuar nga regjisorja Blerta Neziraj, përderisa luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.

Muzicientë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer, muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.

Shfaqja vjen premierë sonte në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Vrasja e Rexhep Lucit”, premierë në Teatrin Kombëtar

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.

Shfaqja përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën tjetër, “Pesë stinët…” e përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.

Në këtë proces kanë qenë të inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Duke e parë këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Prishtina, qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.

Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.

“Pesë stinët…” është një rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Shfaqja është realizuar nga regjisorja Blerta Neziraj, përderisa luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.

Muzicientë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer, muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.

Shfaqja vjen premierë më datë 24 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Sfinga e gjallë”e Blerta Neziraj kërkon drejtësi për të vrarët politik

Alberina Haxhijaj

Regjisorja Blerta Neziraj, shfaqjet e të cilës publiku është mësuar që ti shoh nëpër skenat e pavarura të teatrove në Prishtinë, mbrëmë, është paraqitur për herë të parë si regjisore edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Neziraj përmes shfaqjes “Sfinga e gjallë” dëshmoi se do të ketë një jetë të gjatë si regjisore në skenën e TKK-së, shkruan KultPlus.

Shfaqja me regji të Blerta Neziraj, jetësoi dramën e shkruar nga shkrimtari Rexhep Qosja. Një tekst goxha i guximshëm i cili është në funksion të idesë dhe jo të personazheve, i shkruar në vitit e 70-ta e që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe. Po aq i guximshëm është edhe koncepti regjisorial dhe rimodifikimi që i është bërë kësaj drame.

“Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë. “Vrasjet politike” janë në fokus të kësaj shfaqje e cila sjellë gjendjen absurde të politikës në Kosovë. Sipas Qosjes koncepti regjisorial i regjisores Blerta Neziraj e ka pasuruar dramën e tij.

“Këtë vepër e kam shkruar në vitin 1972-1973. Këtu kjo dramë e imja është pasuruar shumë më shumë, është shumë më e pasur sesa ka qenë atëherë kur e kam shkruar. Jam shumë i kënaqur me regjisoren, shumë e zonja dhe shume krijuese, po ashtu edhe me aktorët”, tha ai.

Rreth 20 vite larg nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje ‘politke’ të bëra pas luftës nuk janë zbardhur. Mirëpo 20 vite pas, përmes teatrit kjo shfaqje ngre zërin në kërkim të drejtësisë dhe u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës. Sipas regjisores Neziraj, i takon asaj si regjisore që teatrin, vendit të cilit edhe i takon ta kthejë në një platformë ku mund të zhvillohen diskutime të tilla.

“Kur nuk ka stabilitet politik në një vend, mendoj që ne si artistë ish dashtë me bo thirrje për drejtësi dhe me ju dhënë zë viktimave. Siç edhe e patë, kjo shfaqje ju dedikohet këtyre të vrarëve, familjarëve të tyre, ju jepet një zë tjetër. Teatri është i gjallë, ndodhë një herë dhe nuk përsëritët më, pavarësisht pse është shfaqja e njëjtë. Në thelb teatri për mua është politikë. Për shkak të gjendjes tonë, mendoj që si artiste për të bërë protestë nuk duhet të shkojmë në rrugë domosdoshmërisht,  po mundem të kryej punën time këtu në skenë”, theksoi ajo.

Për më shumë se dy muaj i gjithë ekipi i kësaj shfaqje kanë shkëmbyer ide. Sjelljet e tyre kanë bërë që drama e Qosjes të vjen para publikut e “ri-vizituar’ me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. Përtej kësaj, e veçanta e kësaj shfaqje është se krijon edhe një rrafsh real. Çdo mbrëmje nga një anëtar i familjes së vrarë do të sjellë në kuadër të shfaqjes rrëfimin e tyre. Në premierën e shfaqjes, rrëfimin sesi e kanë vrarë babën e saj (Xhemajl Mustafën), e solli Beriana Mustafa.

“Imagjinoje veç një gjë, me jetu për 19 vjet, 20 vjet me një pikëpyetje në kry. Kush e boni? Çdo ditë, çdo sekondë të jetës sate, herë më shumë e herë me pak. Pra me një intensitet të ndryshëm në kry me qarkullu pyetja: kush e boni, pse? Me i shiku njerëzit me dyshim për 20 vjet, mos e boni aj e mos e boni ky, e gjyqësia mos me e pas guximin se është e dirigjume prej politikës me e thonë veç një fjalë, me shku me e arrestu dikon për vrasjen e Xhemajlit e për vrasjet e shumë të tjerëve, kjo ndodh veç në Kosovë”, janë fjalët e Beriana Mustafës, pas të cilës fillon përsëri loja e aktorëve me fjalët “Shteti nuk vret vetëm me plumba” nga aktori Adrian Morina.

Xhemajl Mustafa (ka lindur më 23 gusht 1953 – vdiq me 23 nëntor 2000). Ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova dhe anëtar i LDK-së. U vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan. Sipas regjisores, pikërisht kjo pjesë e shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme pasi që ajo ka dashur që të sjellë një moment real.

“Në teatër e ndërtojmë një rrafsh tjetër fiktiv me të cilin shumë shpesh dalim prej sallës edhe vazhdojmë me muhabete të rëndomta pasi që nuk e prekim thelbin e asaj se çka realisht ka ndodh. Për mua ka qenë me të vërtetë e rëndësishme me e pas një moment real për shkak se po flasim për një situatë e cila na përket neve edhe po shpresoj që këto vrasje sa më shpejt kanë me u zgjidhë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër regjisori dhe kritiku, Fadil Hysaj theksoi për KultPlus se nëse teatri nuk ka guxim me e fol të vërtetën nuk ka arsye me ekzistu. Sipas tij, kjo shfaqje në shumë aspekte e sfidon një realitet edhe historik edhe politik edhe i kyç artistët në një tematikë për të cilën mjerisht ata s’kanë guxuar deri sot me u shpreh në mënyrë kaq shokuese, me një guxim artistik dhe intelektual.

“Mendoj që në çfarëdo aspekti trajtimi i një temë e cila është e ndrydhur me vit, për të cilët shqiptarët flasin por jo në jetën publike, mendoj që e gjithë ajo energji e akumuluar për këto 20 vite e merr një trajtim artistik, vërtet superior, të jashtëzakonshëm, shokues në kuptimin edhe politik edhe artistik. Mendoj që ky lloj teatri i bënë një nder Kosovës, krijon shpresë që ky vend ka të ardhme pasi që po vjen një brez që guxon me fol, me vepru, me u ballafaqu edhe me të kaluarën çfarëdo qoftë ajo dhe sidomos me të vërtetën. Nuk ka kërkush monopol të vërtetës, sidomos në kuptimin e trajtimit artistik ekziston gjithmonë liria krijuese, kreative që e lejon artistin me shku deri në pakufi, po gjithmonë me një synim, të vihet në pah nëse kurrgjë tjetër e vërteta emocionale. Mendoj që kjo shfaqje, Rexhep Qosjen e kthen në një dimension të ri, i jep një vitalitet të ri, mendoj që është një lloj binomi, Rexhep Qosja dhe Blerta Neziraj”, tha ai.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj. Aktori Adrian Morina u shpreh se ka qenë kënaqësi që kanë pasur për bazë të kësaj shfaqje tekstin e shkrimtarit të njohur Rexhep Qosja. Morina beson që përmes kësaj shfaqje ata kanë arritur që të hapin një debat në lidhje me vrasje politike të bëra në Kosovën e pasluftës.

“Nëse kisha dashtë me veçu diçka te ky teatër i angazhuar, të ky teatër politik që e kam shumë për zemër, është që më vjen mirë që ma në fund pas 20 viteve,  në qoftë  se politika nuk ka mbërri me fol, nëse drejtësia nuk ka mbërri më fol, për të gjitha vrasjet që kanë ndodh pas luftës – kemi marrë guximin që përmes teatrit apo duke e shfrytëzuar teatrin si një mjet me komuniku me publikun dhe me i thonë ato që janë”, u shpreh ai.

Repriza e parë e shfaqje “Sfinga e gjallë” do të jetë sonte duke filluar nga ora 21:00 në TKK./ KultPlus.com

“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron në dramën e vrasjeve politike të pasluftës, vjen premierë në TKK

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës pritet të jepet premiera e shfaqjes ”Sfinga e gjallë”, përcjellë KultPlus.

Me regji të Blerta Nezirajt, drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur nga Kosova, Rexhep Qosja, vjen e “ri-vizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. 

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.

“Sfinga e gjallë” vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 27 maj, në ora 21:00.

 Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Koreograf: Gjergj Prevazi // Ass regjisor:  Imer Mushkolaj

Skulptor: Burim Berisha // Ass. skenograf: Gent Jetullahu // Inspicient: Bajram Mehmetaj // Dritat: Mursel Bekteshi // Toni: Arben Aliu

Organizator: Beqir Beqiri // Mjeshtër skene: Aziz Maloku // Rrobaqepës: Shemsi Avdiu // Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu // Rekuiziterë: Xhemail Gllavica e Driton Musliu // Garderoberë: Fahredin Ahmeti e Linda Ahmeti // Grimi: Flori Hasani, Myrvete Tahiri, Fatime Bejiqi Brajshori // Furnizues: Hysen Kuleta. / KultPlus.com

“Hipokritët ose pacienti anglez” e Jeton Nezirajt, premierë në teatrin Oda (VIDEO)

Qendra Multimedia do të sjellë edicionin e parë showcase, dhe poashtu ky është showcase i parë i organizuar ndonjëherë në Kosovë. Qendra. Multimedia.Showcase.2018 do të mbahet në Prishtinë, nga data 19 – 21 tetor 2018 dhe sivjet në të do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe premierën e shfaqjes së re “Hipokritët ose pacienti anglez”. Po poashtu, në këtë edicion, janë përfshirë edhe shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

Premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”, prodhuar nga Qendra Multimedia, vjen me tekst të Jeton Nezirajt e nën regjinë e Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt.

Kasta e aktorëve të shfaqjes përbëhet nga: Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimja, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, Suasa Abazi (muzikante).

Komedia “Hipokritët dhe pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shëndetësia s’është krijuar jo për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer industrisë farmaceutike, asaj të sigurimeve shëndetësore e spitaleve private, të cilat shëndetin e pacentit e shohin si produkt prej të cilit duhet të ftohet dhe prej të cilit mund të akumulohet kapitali. Kujdesi shëndetësor është marketizuar e komercializuar, kurse institucionet shëndetësore publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, me mjek të korruptuar ne mizantrop. Por sistemi shëndetësor natyrisht nuk vepron i vetëm dhe i shkëputur, ai është pjesë e një hallke më të gjerë të keqpërdoruesve që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.

Të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Evropë. Të varfëritë vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekjet për t’grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private. Kjo situatë ka thelluar pabarazinë mes shtresave sociale dhe shtetet në regjion, të udhëhequra nga elita politike të korruptuara, janë duke i kontribuar kësaj pabarazie.

Në Kosovë rreth 50 mjek e ish-zyrtarë qeveritar janë duke u akuzuar për skandalin e quajtur “rasti stenta”, për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti. Mjekë të tjerë, ndërkohë, janë dënuar për rastin tjetër të klinikës private “Medikus”, për trafikim ilegal të organeve. Një grup tjetër ndërsa akuzohet se ka qenë duke bashkëpunuar me kompanitë farmaceutike, duke u përshkruar pacientëve barna sipas emrit të kompanisë që i prodhon.

Në komedinë “The Hypocrites or The English Patient”, 6 personazhët, na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet “happy-end”-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intensive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase”. Në “Hipokritët…” publiku do të shoh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…

Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 tetor në ora 20:00, në Teatrin Oda në Prishtinë./KultPlus.com

‘55 Shades Of Gay’ shkon në Tiranë

Më datë 18 tetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë shfaqjet ‘55 Shades Of Gay’, një performancë teatrore e Qendrës Multimedia nga Prishtina, shkruan KultPlus.

Me tekst të Jeton Neziraj e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Hyrja do të jetë gratisë por megjithatë organizatorët sygjerojnë që publiku të rezervon ulëset në numrin: 042223022.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është:
a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?
Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

55 shades of gay është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institute.

Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi./ KultPlus.com

‘Një shfaqje teatri me 4 aktorë…’ shkon në Pejë

Komedia me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…” më 20 shtator do të shfaqet në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje sjellë në kastën e aktorëve Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani. Muzikantë: Art Lokaj (kitarë elektrike) Drin Tashi (bateri).

Pas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.
Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia. Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.

Shfaqja nis me fillim nga ora 20:00 ndërsa hyrja është gratis./ KultPlus.com