Promovohet ‘Kujtesa e Kosovës’, botimi me intervista të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” sot është promovuar botimi 10 vëllimësh “Kujtesa e Kosovës”, si përmbledhje e përvojave të të mbijetuarve dhe familjarëve nga kjo masakër.

Këto histori personale të banorëve, do të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe ishte një nga vendet më të rëndësishme për ndërgjegjen historike të Kosovës.

Me këtë rast, u hap edhe ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, ku u prezantuan videointervista të transkriptuara të dëshmitarëve të masakrës së kryer më 25, 26 dhe 27 Mars të vitit 1999.

Në këtë ngjarje mori pjesë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe dëshmitarë e familjarë të të vrarëve në këtë masakër./KultPlus.com

24 vite nga rivarrosja e 82 martirëve të Krushës së Madhe

Sot janë bërë 24 vite nga rivarrosja e 82 martirëve të Krushës së Madhe të cilët u vranë më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, shkruan KultPlus.

Masakra e Krushës së Madhe llogaritet të jetë ndër më të mëdhatë, të kryer nga forcat serbe në Luftën e Kosovës së vitit 1999, nga e cila mbetën të vrarë 243 qytetarë të vendit. Prej tyre, 60 persona ende figurojnë të zhdukur, ndër të cilët është edhe patrioti dhe intelektuali, Ukshin Hoti.

Përveç dëmeve të mëdha në njerëz, forcat serbe dogjën edhe 893 shtëpi, duke e shkatërruar në tërësi çdo gjë tjetër të ndërtuar nga qytetarët punëtorë të këtij vendi. Në diegien e shtëpive, u dogjën edhe fotografi dhe gjëra të tjera me vlerë, me synimin për të humbur identitetin e vendit./KultPlus.com