Një padi e ngritur kundrejt Institutit të Artit në Detroit, pretendon se një pikturë e Van Gogh e shfaqur në ekspozitën e këtij muzeu është e vjedhur.
Piktura, e quajtur “Lexuesja e romanit” dhe e njohur gjithashtu si “Zonja që lexon”, e vlerësuar të jetë 5 milion dollarë, ishte në pronësi të koleksionistit brazilian Gustavo Soter, deri në momentin që Instituti i Artit në Detroit e ka huazuar atë nga një palë e tretë e cila nuk është pronari i saj ligjor.
Gjykatësi në shqyrtim të çështjes ka urdhëruar përkohësisht muzeun e Detroit që të mos e zhvendosë, dëmtojë, shkatërrojë ose përdorë pikturën përgjatë shfaqjes së saj në ekspozitë në mënyrë që të ruhet vlera e saj.
Piktura e vitit 1888, e punuar me vaj në kanavacë, përshkruan një grua të re duke lexuar një libër të verdhë përpara një sfondi të verdhë të bibliotekës. Kjo pikturë do të qëndrojë si pjesë e ekspozitës deri në mbylljen e saj më 22 janar, teksa një seancë dëgjimore më 19 Janar do të vendosë për fatin e saj. /topchannel /KultPlus.com
Numri i vizitorëve në muzetë e vendit këtë vit ka shënuar një rritje domethënëse duke arritur në rreth 90 mijë vizitorë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e gjashtëmujorit të parë, të cilat sipas saj, “janë optimiste sa i takon numrit të vizitorëve në muze”.
“Krahasuar me një vit më parë, shumë më shumë vizitorë kanë shijuar pasuritë e muzeve tanë”, tha ministrja Margariti.
Sipas statistikave të publikuara nga ministrja, në 6-mujorin e parë të këtij viti, muzetë e vendit u vizituan nga 89 218 vizitorë. Ndërkohë për të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistrohen 31 387 vizitorë.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2020, u regjistruan 11 840 vizitorë.
Këto atraksione janë më të preferuarit gjatë kësaj periudhe për turistë e huaj pasi ata shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë. / atsh/KultPlus.com
“Shtëpia me gjethe”, dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë, viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha
Nga Afrim Demiri
Shpesh biografia e shtëpive gjason me të njerëzve. Edhe ato në periudha të ndryshme kanë funksione të ndryshme, me një fjalë kanë identitete urbane dhe administrative, krejtësisht të ndryshme. Po rrallë ndodhë që ajo shtëpi që ishte projektuar të jetë shtëpi e lindjeve, të kthehej në shtëpi të vdekjeve dhe njëkohësisht të ndërlidhte tri periudha kohore, të mos them tri epoka.
E ndërtuar më 1931 si shtëpi obstetrike, me nismën e mjekut të mirënjohur dr. Jani Basho, duke qenë ndër të parat shtëpi lindjeje në Shqipëri, ajo gjatë okupimit bëhet qendër e Gestapos fashiste, kurse gjatë kohës së komunizmit kthehet hiç më pak në qendër të sigurimit të shtetit.
E vendosur, jo larg objekteve të tjera qeveritare, kjo shtëpi me një dizajn urban me plotë delikatesa zbukuruese fillon, të quhet në zhargonin qytetar “Shtëpia me gjethe”, një epitet ky mbase i lakmueshëm për çdo shtëpi tiranase normale. Por ky cilësim sikur nxjerr në pah, në mënyrë ironike një paradoks të kohërave, sepse sipas një parafrazimi të lirë të Nonda Bulkës, kjo shtëpi më parë do të duhej të thirrej “Shtëpia me gjemba”, nisur nga fakti se brenda mureve të saja fillonin përgjimet, persekutimet, ndjekjet, kurdisjet dhe paragjykimet deri në vrasje të qytetarëve të Shqipërisë komuniste. Nuk dihet saktësisht prej kur dhe si ka zënë fill ky epitet apo prej atëherë kur trupit të saj kanë filluar të ngjiteshin bimët kacavjerrëse dhe fasadës së saj me ngjyra të murrme t’ia jepnin një tis të gjelbërt.
Kjo shtëpi edhe sot e ruanin këtë emërtim, që tingëllon sikur të ishte një kod i komunikimit sekret të sigurimcave të shtetit, tashmë e zyrtarizuar në institucionin e Muzeut më të ri të Tiranës po me këtë emër: “Shtëpia me gjethe”.
Dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha.
Por në realitet unë nuk dilja nga filmi, as nga ndonjë pyll, por nga shtëpia aq afër qendrës së Tiranës, e cila me dekada ishte shndërruar në makth publik, duke prodhuar dhe inskenuar situata komplotiste për “armiqtë e popullit”.
Ky muze nuk kishte nevojë për ciceron! Çdo artefakt, çdo element fliste me gjuhën e vet. Edhe ashtu ciceronët shpesh e ndërpresin një përjetim autentik në mes të vizitorit dhe elementeve të ekspozuara. Tashmë kaq vjet pas diktaturës, pas aq leximesh për natyrën dhe karakterin e panjohur të saj në Shqipëri, sikur mjaftonte një parakalim në heshtje nëpër 9 seksionet e muzeut me mëse 31 kthina.
Qysh në fillim një citat e Enver Hoxhës, sqaronte karakterin monolit të shtetit partiak- policor : “ Punonjësit e Sigurimit të shtetit janë vetëm punëtorë partie, në rend të parë vetëm punëtorë politikë dhe asgjë tjetër”.
Dhe më pas hapeshin një nga dhomat e dëshmive të metodave më bizare të hetuesisë, ku elemente autentike ta afronin ndjenjën e ankthit të fateve të njerëzve nën torturë. Mjatohej t’i lexoje dikund rreth 35 lloje të përdorimit të torturave ndaj të dyshuarëve për vepra kundër shtetit duke filluar që nga hedhja e krypës në mish, nga përdorimi i elektroshokut e deri tek shurdhimi nëpërmjet zhurmave të padurueshme, futjes në arkivol për së gjalli për të pranuar procesverbalin e hetuesisë apo hedhja e tyre nga lartësia.
Dosjet ishin aty! Duhej kohë për t’i lexuar, emrat ishin mbuluar me ngjyrë të zezë, sikur fatet e tyre të dikurshme , pastaj hapeshin dyert e dhomave muret e të cilave ishin të mbushura me emra të përndjekurish, me emra të të burgosurve dhe të pushkatuarëve. Përkundër shkrimit të dendur dhomat nuk i kishin zënë të gjitha emrat e 18mijë të burgosurve të dënuar rreth 6 mijë të vdekurve si dhe mbi 20mijë të internuarve. Ishte e llahtarshme të shiheshin muret e veshura me emra të viktimave sikur të ishte një dizajn i dhembshëm i tapetave murale.
Përkundër udhëzimeve lehtë humbëshe nëpër kthina, dhoma të torturës. Dëgjoje rrëfimet e të mbijetuarëve, marshet e paradave socialiste dhe pjesë nga seancat e gjykimeve. Përnjeherë kohërat gërshetoheshin dhe dukej se gjithçka mbulohej nga fëshfërima e gjetheve që depërtonte nga ndonje dritare gjysmë e hapur. Pa një pa dy të dilte përballë zbulimi i përgjuesit shqiptar, i njohur me emrin “Çimka”, i mbajtur në heshtje të propagandës, karshi zbulimit të traktorit shqiptar. Një grumbull gjësendesh nga përditshmëria ta përkujtonin si ke mundur të jesh i përgjuar nga ai regjistrues minimalist elektronik. Një pallto e varur ruante siluetën e trisht të sigurimcit, i cili xhironte me kamerën më objektiv të nxjerrur në gjoks, si dekoratë për çlirimin e atdheut. Diktafonët, magnetofonët me shirit, kamerat e hershme ishin aty, të firmave të ndryshme gjermano-lindore, japoneze dhe kineze. Në laboratorin e larjes së fotografive bardh e zi sikur ishte ndalur koha dhe i priste vizitorët. Po ato tretje kimike, po ata filma që dikur i përdornim për të fiksuar kohën tonë rinore, kurse aty ishin varur fotot e të pandehurve, të cilëve një foto rasti ia kishte marrë jetën.
Një ndjenjë aty për aty më ndau në dysh. Kujtimet nga vizita që i kisha bërë më 2013 –të, Muzeut të pafajsisë së Orhan Pamukut në Stamboll, ma sillnin ndjenjën se isha në Muzeun e fajësisë , derisa e vizitoja tash, në Tiranë “Shtëpinë me gjethe”. Atje çdo element lidhej me dashurinë, kurse këtu çdo element me dyshimin, krimin dhe vrasjen.
Si gazetar hyra në siklet kur u fundosa në dhomën e përdorimit të gazetave dhe artit si mjet i propagandës nga shteti për ideologjinë, ku madhërohej veçmas puna e sigurimit shtetëror. Aty shihej fuqia e keqpërdorimit të mediave dhe artit. Shumë pamje nga filmat e kohës mund t’i shikoje nga kabinat e errëta, kur dikur na dukeshin filma me moral socialist, e sot shiheshin si ana e errët e propagandës. Por gjithçka ka ndryshuar, edhe unë kam ndryshuar edhe ne kemi ndryshuar, po sikur “Shtëpia me gjethe”.
Shtrirja e rrjeteve kabllore të përgjimeve sikur tentatulet e marimangës së kuqe ngjallnin habi . Mini centralet postare të prodhuara nga inxhinierët shqiptarë me emrin “Valbona” dhe “Shkëndija”, kishin mundësi të përpunonin rreth 40 përgjues “Çimka” njëkohësisht, të shpërndara nëpër ambasada të huaja dhe hotele ku kishin qasje të huajt, etj.
Pak pa përfunduar vizita, shfaqej një dhomë tipike familjare e banimit të qytetarëve të zakonshëm , për të sjellë imazhin e kohës, ku në ballë ishte TV-ja e markës “Iliria” si dhe radioja “Mimoza”, kurse mbi to qëndronte fotoja e xhaxhit Lenin, kurse në një dollap radhiteshin domosdoshmërisht librat e Enver Hoxhës. Shpesh sigurimi kishte zgjatur fijet e tij edhe brenda familjes shqiptare duke e shkatërruar moralin e saj dhe duke e instrumentalizuar individin deri në tjetërsim.
Muzeu është hapur më 2017, nga një ndërtesë militante, ishte kthyer në objekt kulture. Në oborr nga pjesa e pasme të presin qindra foto të punëtorëve të sigurimit, të atyre që e kanë ndërgjegjjen e ngarkuar drejtpërdrejt për tmerrin që kanë instaluar dhe zbatuar mbi qytetarët. Gjithë jetë kishin punuar brenda tash fytyrat e tyre ekspozohehsin jashtë dhe merrnin gjykimin publik të çdo vizitori në heshtje. Në mes tabllove të tyre i ishte vendsour citati i shkrimtarit dhe përkthyesit Amir Kasaruho, ai dhe familja e të cilit kishin përjetuar përndjekjen: “…atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”.
Pak para daljes nga oborri na shfaqet edhe tuneli nëntokësor sa për të na mbajtur ankthin e kësaj shtëpie edhe jashta saj. I tërë Muzeu dukej si një kërkim falje publike për të gjitha viktimat.
Dal nga Muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, që bënë rinkosntruktimin e një kohe e cila nuk guxon të harrohet.
Përballë Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ngritej Kisha Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, si shenja më e afërt simbolike e rrënimit të shtetit ateist. Në mes tyre kalonte rruga “Ibrahim Rugova”, një tjetër simbolikë e demokracisë. Të dy objektet vizavi njëra tjetrës sikur shënonin periudhën e katër, epokën e tranzicionit plural.
Derisa me vonesë mësoj se Muzeu “Shtëpia me gjethe” është zgjedhur nga Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në dhjetor të vitit të kaluar si “Muzeu më i mirë 2020”, më shkon ndër mend se sa pak kemi bërë ne në Kosovë për ruajtur kujtesën kolektive. Gjithë ai fat tragjik i shqiptarëve të Kosovës ndër vite prej kohës së Muhaxherisë, kolonizimit serb, masakrës së Tivarit, Aksionit të armëve, shpërnguljeve për Turqi e deri tek diferencimet dhe burgosjet masive dhe dëbimi biblik gjatë luftës dhe asnjë objekt i denjë muzeal.
Në anën tjetër, pikërisht në hapësirat e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ditë më parë ishte dhënë shfaqja “Çimka”, një krijim unik, bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të Tiranës dhe Qendrës për Art dhe komunitet- Artpolis, Prishtinë, me autor Shpëtim Selmani dhe në regjinë e Zana Hoxha, e cila synon t’i gjejë pikat e fateve të përbashkëta të qytetarit shqiptar nën regjimet totalitare, andej dhe këndej kufirit. Kësi lloj projektesh të përbashkëta duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera.
Shënimet flasin se Muzeu “Shtëpia me gjethe”, po vizitohej nga shumë grupe shkollarësh, qytetarësh si dhe nga vizitorë ndërkombëtarë. Nuk e di nga politikanët shqiptarë sa është vizituar, por çdonjeri prej tyre duhet të shkon dhe të shoh si mund të deformohet shërbimi i shtetit i cili është i thirrur me emrin inteligjent, “shërbimi i inteligjencës”, kur ai i shërben interesave ideologjike dhe partiake..
Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar shumë rrëfime se si e kanë pritur dhe përjetuar të mbijetuarit këtë Muze, por mbase shumëçka nuk është ndriçuar në këtë fazë, por besoj se Muzeu mund të pasurohet me dëshmi të reja, por edhe me shkëmbime dokumentacionesh nga institucione tjera që mbulojnë fushën e sigurisë, sepse ndriçimi dhe ndëshkimi i krimeve, jo vetëm komuniste është obligim për gjeneratat. / KultPlus.com
Muzeu i New Maryland zhytet në mitologjinë e sirenave
Sirenat shfaqen të mëdha në imagjinatën popullore, duke u shfaqur në filma si The Little Mermaid e Disney dhe duke spërkatur nëpër logot e filxhanëve të kafesë Starbucks.
Pavarësisht statusit të tyre ikonik, asnjë muze kushtuar këtyre krijesave mitike, të banuara në det nuk ekzistonte në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara deri më tani, transmeton KultPlus.
Siç raporton Matthew Prensky për Daily Times, Muzeu i Sirenave u hap në Berlin, një qytet i vogël në jug të Maryland nw mars, Hapësira synon të nxjerrë në pah historinë e sirenave duke shfaqur artefakte dhe vepra arti të lidhura me qeniet imagjinare.
Edhe pse ne dimë shumë më tepër për detin, ne jemi ende të detyruar nga miti i sirenës, “thotë poetja Nancy Mitchell, e cila punoi në muze me themeluesen Alyssa Maloof.
“… Ajo ishte një krijesë që martoi dy botë, një krijesë e detit, ajo ishte përtej të gjitha rregullave të shoqërisë, … përtej rregullave të njeriut.”
Gjashtë nga muret e hapësirës janë të dedikuara për të gjurmuar pamjet e sirenave nga shekulli i parë i erës sonë deri në vitin 2017. Sipas Yusra Asif të Delaware News Journal, atraksione të tjera përfshijnë “peshore sirenash” të zbuluara në Ishullin Wight aty pranë dhe një Sirenë Feejee (modeli gjysmë majmun, gjysmë peshk i taksidermisë i promovuar si autentik nga showmani i shekullit XIX PT Barnum)./KultPlus.com
Shumë kohë më parë, fati i miliona gjermanëve të dëbuar nga Europa Qendrore dhe Lindore në fund të Luftës së Dytë Botërore ka ngjallur polemika.
Një muze do të hapet në Berlin për të treguar historinë e tyre dhe për të qartësuar kujtimet.
“Si përfaqësohen migracionet e detyruara të përjetuara nga gjermanët, pa lënë asnjë dyshim për fajësimin tonë në gjenocidin e hebrenjve?, thekson Gundula Bavendamm, drejtoreshë e institucionit të ri, për të përshkruar sfidën e zbuluar nga ekipi ynë.
“Fondacioni për Mërgim, Dëbim dhe Pajtim” trajton një kapitull delikat në historinë gjermane, dëbimet e pakicave me origjinë gjermane që jetojnë në territoret e kthyera në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Bish-Bashkim Sovjetik, ose Rumani, pas disfatës së Rajhut Nazist në 1945
Historia dhe vuajtjet e këtyre popullatave fillimisht u errësuan nga tmerret e kryera nga nazistët, të cilat ndalonin konsiderimin e gjermanëve si viktima.
“Ndonjëherë duhen disa breza dhe konstelacionet e duhura politike për të parë të kaluarën”, thekson Bavendamm përpara hapjes së planifikuar të muzeut për publikun të mërkurën.
Në kërkimin e saj për një rrëfim të ekuilibruar, ekspozita i vendos këto dëbime në kontekstin e logjikës ekspansioniste të Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit dhe i konsideron ato në një kontekst global.
Fondacioni, në pjesën qendrore të Berlinit, ndodhet midis muzeut të ish-selisë së Gestapos dhe rrënojave të stacionit Anhalter, nga ku hebrenjtë u dërguan në kampin e përqendrimit të Theresienstadt, në Republikën Çeke.
Hyrja në hapësirën në katin e dytë, kushtuar eksodit të gjermanëve, mund të bëhet vetëm përmes një dhome të errët kushtuar Holokaustit.
Pastaj vijnë dëshmitë intime: vizitori zbulon karrocën e përdorur nga familja Ferger për t’u arratisur nga territori i Serbisë së sotme, një qëndisje të papërfunduar apo edhe një batanije, kaq shumë sende të braktisura gjatë këtyre nisjeve të nxituara.
Në çantën prej lëkure të një vajze të re ndodhet adresa e saj në qytetin Fraustadt, sot Wschowa në Poloni: Adolf Hitler Strasse 36.
“Ne nuk donim të bënim një inventar por të dinim historinë e secilit objekt, fatin e secilës familje”, shpjegon Gundula Bavendamm.
“Dëshmitë audio të familjeve të dëbuara ose pasardhësve të tyre shoqërojnë pothuajse secilën pjesë të paraqitur”, shton ajo.
Numri i këtyre personave të zhvendosur vlerësohet midis 12 dhe 14 milionë. Shumë i përkisnin komuniteteve gjermanofolëse të vendosura në Europën Lindore, midis Danubit dhe Volgas, që nga shekulli i XIII.
Disa anëtarë të këtyre pakicave mbështetën forcat pushtuese naziste, duke nxitur armiqësinë e popullatave të tjera, të përdorura për të justifikuar dëbimet e pasluftës./atsh/ KultPlus.com
Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.
Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve.
Resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe fshatrat turistikë, kanë bërë që turizmi në këtë qytet të jetë një burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.
Pesë muzeumet unike, janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve në çdo kohë të vitit.
Bashkia e Korçës fton turistët, të kalojnë një fundjavë të bukur në Korçë dhe të mos ikin pa vizituar muzeumet.
Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko”, Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar. /atsh/ KultPlus.com
Italia dhe UNESCO kanë nënshkruar një marrëveshje prej 1 milion euro për të rinovuar një nga muzetë më të famshëm të Bejrutit.
Muzeu, ndodhet në një vilë historike në Achrafieh dhe në të ndodhen më shumë se 1 mijë e 500 vepra arti së bashku me koleksione të tjera të vlefshme.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministrja Italiane e Punëve të Jashtme, Marina Sereni dhe drejtoresha e zyrës së UNESCO-s në Bejrut, Costanza Farina, në prani të kryetarit të bordit të muzeut, Dr. Tarek Mitri.
Kostoja e restaurimit të muzeut është 2.5 milionë euro, me Francën që tashmë ka dhuruar 500 mijë euro. Financimi nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) do të përdoret nën iniciativën e UNESCO-s Li Beirut, e cila synon të riparojë shkolla, ndërtesa kulturore, muze dhe galeri të dëmtuara nga shpërthimi në Bejrut.
Muzeu Sursock u krijua në vitin 1912 nga koleksionisti libanez Nicolas Sursock. Muzeu u hap më 1961 dhe u bë një qendër e madhe për artistët libanezë, ndërsa mirëpriti ekspozita nga e gjithë bota. Muzeu qëndroi i hapur gjatë Luftës Civile Libaneze dhe u rinovua në vitin 2008. Muzeu ndodhet vetëm 800 metra nga qendra e shpërthimit të portit./ KultPlus.com
Drejtorët kryesorë të muzeve dhe galerive u kanë dhënë publikut një shans për të parë nga afër thesaret kombëtare.
Distancimi shoqëror do të thotë që arti i mirëfilltë, si Gainsborough, Cornard Wood i sapo restauruar në Galerinë Kombëtare, ose gjetjet e çmuara arkeologjike nga Sutton Hoo në Muzeun Britanik, do të jetë më e lehtë se kurrë më parë për t’u shqyrtuar.
Hartwig Fischer, drejtori i muzeut britanik, tha se ai e konsideron këtë si moment perfekt për të rizbuluar ekspozitat.
“Në verë, muzetë zakonisht vizitohen nga një përqindje e lartë e turistëve, kështu që ky vit sigurisht do të jetë më ndryshe”, tha ai.
Drejtori i Galerisë Kombëtare, Dr.Gabriele Finaldi thotë se pati kërkesa të mëdha nga vizitorët për të zbuluar artin, ambientet e brendshme të bukura, pamjet e mrekullueshme dhe njohjen me Van Gogh, Turner, Leonardo da Vinçi dhe Artemisia Gentileschi.
Biletat për në galeri janë në dispozicion që nga kjo javë, duke përfshirë shfaqjet falas dhe ekspozitat e reja.
Ndryshe, numri i vizitorëve në muzetë britanike u ul për 80 përqind për shkak të bllokimeve nga koronavirusi vitin e kaluar./ KultPlus.com
Muzetë turke dhe vendet arkeologjike u vizituan nga më shumë se 8.91 milionë njerëz në vitin 2020, edhe pse shpërthimi i koronavirusit po krijonte kaos në industrinë e turizmit në të gjithë botën.
Një total prej 204 muzeshë, 142 vende arkeologjike dhe 296 muze private prisnin të apasionuarit e historisë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, e cila siguroi të dhënat.
Më shumë se 3.25 milion objekte historike janë të ekspozuara në 204 muze.
Mesatarisht 40 mijë objekte janë shtuar në koleksionet e muzeve çdo vit dhe 11 mijë e 632 pasuri të luajtshme kulturore janë vendosur në konservim.
Si pjesë e përpjekjeve për të rritur numrin e muzeve në Turqi, 161 muze u rinovuan midis viteve 2002-2020 dhe 43 u hapën me njohje ndërkombëtare.
Përveç kësaj, 16 muze të sapondërtuar – përfshirë në Adana, Uşak, Kayseri, Mersin dhe Van – janë duke mirëpritur vizitorët./ KultPlus.com
Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.
‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.
“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.
Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.
“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com
Shishja e parë e përdorur për të administruar vaksinën anti-Covid të Pfizer, do të vendoset në një muze në Londër.
Më 8 dhjetor një grua 90-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, Margaret Keenan është e para që u vaksinua kundër COVID-19. Shishja historike, dhe shiringa që u përdor, do të ekspozohen kështu që prej fillimit të vitit të ardhshëm në Muzeun Shkencor të Londrës, përkatësisht në pavijonin e historisë së mjekësisë.
Vaksina mund të konsiderohet së shpejti edhe si një prej triumfeve më të mëdhenj të shkencës, pasi ofron një dritë shprese pas një viti të gjatë në pandemi, ku deri tani mbi 1,6 milionë vetë kanë humbur jetën.
Vaksina e realizuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, ka rezultuar nga testimet se është 95% efektive. Ajo ka marrë miratim për përdorim në disa shtete, por Britania e Madhe ishte e para. Përveç saj, një vaksinë anti-Covid ka prodhuar edhe kompania tjetër amerikane Moderna, ndërsa Kina dhe Rusia kanë nisur prej disa javësh tashmë të vaksinojnë popullatën me vaksina të prodhuara “në shtëpi”. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një grup të ish-burgosurve politikë, në krye me Fetah Berishën, kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.
Ministrja Dumoshi i njoftoi ish të burgosurit për planet që ka MKRS-ja në shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.
Ministrja e informoi z. Berisha dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze. Ministrja tha se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale, dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale.
“Është obligim dhe detyrim i institucioneve të Kosovës që të dokumentojnë vuajtjet, përjetimet dhe tmerret që kanë kaluar gjeneratat e mëparshme për të ardhur deri sot kur ne kemi shtetin dhe institucionet tona”, u tha ministrja Dumoshi.
Ish i burgosuri Fetah Berisha, e falënderoi ministren për këtë nismë dhe u shpreh se në këto ambiente ku po qëndron bashkë me shokë kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme.
“Prej ditës së burgosjes 22 korrik në vitin 1981, natën e parë më kanë dërguar në kufi me Shqipërinë, ku policë të asaj kohe, më kanë shkreh në dru, më pas më kanë sjellë në burgun e Prishtinës dhe më kanë mbajt 6 muaj për të zhvilluar hetimet deri sa janë kryer ato dhe gjykata e atëhershme e qarkut e Prishtinës më pati dënuar me dy vite burg”, rrëfeu i emocionuar ish i burgosuri rahovecas Fetah Berisha.
Berisha, por edhe të burgosurit e tjerë vizituan qelitë dhe pavijonet e ish-burgut dhe sollën në kujtesë tmerret që kanë përjetuar aty dhe vlerësuan se është një veprim shumë i duhur dhe i pritur, nisma për të shndërruar ish-burgun e Prishtinës në muze.
“Është mirë që gjeneratat që vijnë pas të dinë se çfarë ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës për të ardhur deri tek liria”, u shprehën ish të burgosurit, të cilët edhe e falënderuan ministren Dumoshi për këtë projekt.
Ministrja dhe ish të burgosurit vizituan ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish-burgosurve asnjë i burgosur nuk dilte në këmbë të veta por sillej në qeli kapur nga persona tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Eva Margariti u ka bërë thirrje shqiptarëve të vizitojnë këtë verë muzetë dhe parqet arkeologjike të vendit tonë duke blerë biletën nga shtëpia.
Ministrja Margariti gjithashtu ka rikujtuar dhe “Paketën Covid”, që ofron çmime të reduktuara për hyrjen e vizitorëve në muzetë dhe parqet arkeologjike, deri më 31 gusht.
“Këtë situatë të vështirë pandemike, mund ta shfrytëzojmë për të njohur më shumë Shqipërinë. Përmes “Paketës Covid”, deri në 31 gusht mund të përfitoni nga oferta e çmimeve të biletave, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike me çmime simbolike”,- thekson Margariti.
“Çmimet janë edhe më të ulëta nëse do të zgjidhni ta prisni biletën tuaj online, në faqen www.cultureticketalbania.al. Kjo ofertë vlen për 10 muze e parqe arkeologjike, informacioni për të cilat është i mundshëm në 6 gjuhë të ndryshme. Bli biletën tënde nga shtëpia! www.cultureticketalbania.al”- shprehet Margariti. /Atsh /KultPlus.com
Prizrenit po i shtohet edhe një muze. Para disa muajve, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB Kosova, për funksionalizimin e muzeut të Nënës Terezë, përcjellë KultPlus.
Ky projekt rrjedh nga marrëveshja kryesore “Shtegu kulturor Gjurmëve të Nënës Terezë”, i cili është bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në kuadër të alokimeve IPA II 2014 dhe 2015.
Në objektin për muzeun e Nënës Terezë, i cili është ndërtuar në vitin 2010, përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar qasje personave me aftësi të kufizuara.
Komuna ka njoftuar që së shpejti do të bëhet edhe thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë. / KultPlus.com
Qeveria në detyrë ka marrë vendim që ish-bugu i Prishtinës në rrugën “Luan Haradinaj” të shpallet muze, shkruan KultPlus.
Vendimi u mor në një mbledhje që u mbajt online nga qeveria në detyrë.
Ndërsa lajmin e dha edhe Yll Rugova, zëvendësministër i Kulturës i cili ka njoftuar që tashmë është duke u analizuar mënyra e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
“Ky burg, i ndërtuar në fund të të dyzetave, që ndodhet në rrugën Luan Haradinaj, në qendër të qytetit, është objekt historik ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht. Sot e vizituam burgun me zyrtarë të trashëgimisë kulturore për të analizuar mënyrat e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
Me 23 maj është lëshuar edhe vendimi i Qeverisë për inicimin e këtij transformimi, pra shndërrimit prej burgut të njerëzve, në mbrojtës të kujtimeve”, ka shkruar Rugova. / KultPlus.com
Shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç të Bashkisë së Pustecit, së shpejti do të kthehet në muze. Investimi është financuar nga Bashkimi Evropian me vlerë 200 mijë euro, në kuadër të projekteve ndërkufitare.
Drejtori i trashëgimisë kulturore ne qarkun e Korçës, Gjergji Kokim shprehet se muzealizimi i shtëpisë së Sterjo Spasses do të jetë një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit.
Koki tregon se objekti ku dikur ka banuar shkrimtari Sterjo Spasse sot është në një gjendje të degraduar.
Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej dy vjetësh. Me përfundimin e rikonstruksionit shtëpia e shkrimtarit do të pajiset edhe me objekte të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente. /Vizion Plus/ KultPlus.com
Mbyllin përkohësisht dyert dhe ndërpresin aktivitetin dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës.
Ata janë muzeu kombëtar I arsimit, I njohur ndryshe si muzeu I Mësonjtores së parë Shqipe dhe muzeu arkeologjik.
Shkaku që këto dy qëndra muzeale mbyllen për një afat të pa caktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.
Gjergji Koki, drejtor I Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarë për këto objekte.
Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë muzeu I arsimit dhe ai arkeologjik.
Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjtores së parë Shqipe, nuk I përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.
Mbyllja e dy qëndrave muzeale në Korçë, është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor.
Ende nuk dihet se kur këto qëndra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa muzeu kombëtar I arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.
Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes. Por, ky përvjetor vjen ndryshe për njeriun e madh të letrave shqipe, shtëpia e të cilit shumë shpejt do të jetë një muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, kanë nisur pa humbur kohë punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë.
“Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli. Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë. E falënderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës, teksa bashkia po eksploron se si do të marrë një rol aktiv edhe në muzetë e qytetit, dhe mbi të gjitha t’i uroj atij jetë të gjatë, shëndet dhe gëzuar ditëlindjen”, tha Veliaj.
Arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë.
“Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri. Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte. Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë”, tha Elisabetta Terragni./Tiranapost.al/ KultPlus.com
Kompleksi i shpellave në Tajlandën veriore, ku 12 djemtë dhe trajneri i tyre i futbollit mbetën të bllokuar për më shumë se dy javë, do të shndërrohet në një muze.
Zyrtarët e skuadrave të shpëtimit thanë se muzeu do të tregojë se si u zhvilluan operacionet, duke shtuar se ai do të jetë një atraksion i madh për Tajlandën.
Fëmijët e shpëtuar janë në spital dhe po e marrin veten shpejt. Pamje video janë shfaqur që i tregojnë ata në formë të mirë edhe pse do të qëndrojnë në karantinë edhe për një javë. Marinsat tajlandezë po ashtu kanë publikuar pamje dramatike të vetë operacionit, që tregojnë se si zhytësit ekspertë kishin nxjerrë pjesëtarët e ekipit të futbollit Wild Boar, në sipërfaqe.
Shpella Tham Luang, është një nga sistemet më të mëdha në Tajlandë. Ajo është e vendosur nën malet përreth qytetit të vogël Mae Sai, në provincën veriore Chiang Rai në kufirin me Mianmarin.
Zona është kryesisht e pazhvilluar, me kapacitete të kufizuara për turistët. Nuk është e qartë nëse muzeu do të jetë operacional brenda këtij viti, edhe për faktin se Tajlanda është e ekspozuar ndaj përmbytjeve gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në tetor.
Ishte pikërisht fillimi i papritur i sezonit të shirave që bllokoi djemtë nën tokë ndërsa ata po eksploronin shpellën.
Të paktën dy kompani, po kërkojnë ndërkohë të bëjnë një film për të treguar historinë e shpëtimit. Edhe para se 13 të bllokuarit të nxirreshin, studio amerikane Pure Flic, që bën filma frymëzues me tema kristiane, njoftoi se producentët e saj ishin në terren duke folur me punonjësit e skuadrave të shpëtimit, për një film të mundshëm.
Por, sipas studios me bazë në Los Angeles, Ivanhoe Pictures, ajo është zgjedhur zyrtarisht nga qeveria tajlandeze dhe marina për të bërë një film./ KultPlus.com
Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, ka njoftuar se Shtëpia e Herticëve – Shtëpia Shkollë në periudhën e sistemit paralel të shkollimit e cila gjendet në Kodrën e Trimave, do të kthehet në Muze, shkruan KultPlus.
Shtëpia e Herticëve në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë. Këtë shtëpi, në të cilën janë shkolluar rreth 10 gjenerata të gjimnazit që sot njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, në kohën e sistemit paralel në Kosovë.
Ndërsa ky muze sipas Rugovës, do të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla.
“Shtëpia e Hërticëve do të kthehet në muze qysh edhe e meriton. Periudha e sistemit paralel të shkollimit ka rëndësi shumë të madhe për popullin e Kosovës dhe si e tillë duhet të kujtohet dhe shpjegohet si duhet për vetë neve që mos ta harrojmë, por të tregohet edhe për gjeneratat e reja që fatmirësisht nuk e kanë pëtjetuar atë.
Gjithsesi ky muze duhet të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla. E këtu duhet veçuar familjen Aliu që e ka ruajtur këtë ndërtesë dhe po vë ate në dispozicion të Komunës për muze.
Faleminderit edhe Emanit për ndihmën që po e jep në këtë iniciativë, së bashku me shumë studiues e qytetarë që s’po e lënë idenë e arsimit paralel të zbehet në harresë”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com
Jahti i Josip Broz Titos, i njohur si “Galeb”, në të cilin dikur qëndronin yjet e Hollywoodit dhe liderët botërorë, do të shndërrohet në muze në ujë, transmeton AP.
Autoritetet lokale do të riparojnë jahtin në kuadër të projektit në vlerë prej 5.4 milionë eurosh.
Jahti do të marrë një pamje të re dhe ajo pritet të rregullohet gjatë vitit të ardhshëm./ KultPlus.com
Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.
Një relikë, kujtim nga Nëna Terezë, po e shëtitë botën në një turne për tu ekspozuar në lokacione të ndryshme.
Bëhet fjalë për një pëlhurë/mbulesë burynxhuk e shënuar me gjak të bamirëses dhe e vendosur në kryq, e cila këtë vikend u ekspozuar në Irlandë, shkruan KultPlus.
Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.
Nënë Tereza ka lindur më 1910 në Shkup ndërsa vitin e kaluar u shenjtërua në Romë nga vetë Papa. / KultPlus.com