Viti 1987, kur Esat Bicurri i këndonte Grykës së Kaçanikut (VIDEO)

Sot shënohet 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut. Më 07 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Për nder të kësaj date shumë të rëndësishme në historinë e Kosovës, KultPlus ju sjell këngën e njohur ‘Gryka e Kaçanikut’, të intepretuar nga Esat Bicurri në turne me grupin e TVP-së në Shqipëri, në vitin 1987.

Hej Kaçanik o shkamb e gur
Vritesh e pritesh për flamur!
Për flamurin e Skenderit
Luftojnë djemt’ e Idriz o Seferit
”, janë këto vargjet e famshme të kësaj këngë të cilat i dijmë secili prej nesh.

Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Esat Bicurri – Gryka e Kaçanikut, në turne me grupin e TVP-së në Shqiperi. Viti 1987..

Gepostet von Arkivi-RTK am Mittwoch, 21. November 2018

Ushton gryka e Kaçanikut
Morën zjarr këta gur’t e malit.
I: Përmbi çallmat e Anadollit
Ndizen hutat e shqiptarit! :I
Ref.:
I: Hej Kaçanik o shkamb e gur
Vritesh e pritesh për flamur!
Për flamurin e Skenderit
Luftojnë djemt’ e Idriz o Seferit! :I
Kurr nuk çarten o kullat tona
Vendit tonë i dalim zot.
Tirq e zhguna e xhubleta
Thurr i kemi o me barot.
Ref.:
Hej…
Sulen trimat nga Kabashi,
Nga Lubizhda e Stagova.
Th’rret me t’madhe Dërgut Pasha:

Ndihmë Sulltan se sot marova! / KultPlus.com

Nesër në Kuvend shënohet 30-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut

Të hënën, më 7 shtator, në ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës do të shënohet 7 Shtatori, respektivisht 30-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Në këtë solemnitet do të marrin pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut.

Shkaku i masave antiCOVID-19, mediat mund ta përcjellin aktivitetin nga Galeria e sallës së Kuvendit të Kosovës.

Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua Deklarata e Pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviqit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.

Ben Apolloni vjen me dokumentar për Kushtetutën e Kaçanikut: Mburrem me sakrificën e bashkëvendasëve të mi

Xhemile Hysenaj

Republika e Kosovës konsiderohet një vend që brenda vetes ngërthen tema mjaft të rëndësishme e shumë të ndjeshme ku secila prej tyre ka potencial që të kthehet në libër, film apo dokumentar. Jo rrallë kjo edhe është bërë, por nuk ka mjaftuar që ky thesar të shkojë drejt fundit. Regjisorët vazhdojnë të hulumtojnë për të sjellë temat më të rëndësishme të Kosovës përmes filmave e dokumentarëve, në këtë formë ato histori e ngjarje të mbesin të dokumentuara përmes artit e të shpalosen për botën, shkruan KultPlus.

Regjisori i njohur Ben Apolloni, i cili njihet për shfaqjet teatrale e filmat e shkurtë, që kanë rezultuar mjaft të suksesshëm, ku secili prej tyre ka prekur tema të ndjeshme, kësaj radhe vjen me një dokumentar në të cilin pritet të trajtohet një temë historike mjaftë e rëndësishme për Kosovën.

Në një intervistë për KultPlus, Apolloni ka treguar më shumë rreth konceptit e realizmit të këtij dokumentari, për të cilin shpreson të lansohet për publikun po këtë vit.

Bëhet fjalë për një dokumentar mbi ngjarjen historike të Kushtetutës së Kaçanikut, ku pikërisht kështu edhe mban titullin dokumentari. Një ngjarje kjo të cilën Apolloni e konsideron tejet të rëndësishme e që meriton të shkruhen libra, e të bëhen filma e dokumentar për të.

Ai tregoi se si ide bazë e ka pasur qysh në vitin 2006, ku në një bisedë me njërin nga organizatorët e mbledhjes së 7 shtatorit, Hebib Shehun, ky i fundit i kishte treguar për mënyrën se si ishte organizuar ajo mbledhje në rrethana të jashtëzakonshme, ku edhe delegatët edhe organizatorët (qytetarët e Kaçanikut), kishin rrezikuar jetët e tyre, të miqve e familjarëve.
”Mënyra se si është organizuar kjo mbledhje, është pothuajse skenar i gatshëm për film artistik, të cilin unë me shumë qejf do ta kisha realizuar, mirëpo në pamundësi financiare po përpiqem që ta bëjë film dokumentar. Mirëpo nuk do të lë anash as idenë e një filmi artistik mbi këtë temë”, deklaron Apolloni për KultPlus.

Dokumentari “Kushtetuta e Kaçanikut”, që njëherë e kishte titullin e punës “Dasma e fshehtë”, trajton mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, ku delegatët shqiptarë, në pamundësi për të punuar në objektin e Kuvendit, ishin detyruar që të gjejnë një vend alternative që ta votojnë Kushtetutën e Kosovës, mbledhje kjo e cila është mbajtur në Kaçanik. Këtë datë Apolloni e konsideron edhe si ditëlindjen e Republikës së Kosovës, duke dashur kështu që të shpreh mirënjohjen e tij drejt të gjithë atyre që morën pjesë në këtë akt heroik, e në mënyrë të veçantë qytetarëve të Kaçanikut, të cilët siç tregon Apolloni, ata bënë çdo gjë që të mbrojnë delegatët e Kuvendit në krye me Ilaz Ramajlin, që të kryejnë punën e tyre pa pengesa e në mënyrë të sigurt.

Foto nga ‘Kushtetuta e Kaçanikut’

”Rrethanat kanë qenë të atilla që po të mos kishte funksionuar çdo gjë si është më së miri, ka ekzistuar mundësia e ndonjë masakre atë natë në Kaçanik. Dhe mos të harrojmë, unë jam kaçanikas dhe mburrem që bashkëvendësit e mi kanë bërë punë të mëdha për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, shprehet tutje Apolloni.

Ndër të tjera, regjisori tregon se përmes këtij dokumentari do të tentojë të shpalosë edhe emra të rinjë të cilët ai i konsideron heronjë. Sipas tij, përveç heronjve që i njohim, prapa tyre ka pasur edhe shumë heronj të tjerë që kanë qëndruar në hije, apo prapa perdes së teatrit të historisë.
“Pra, me këtë dua që t’i nxjerri në skenë edhe ata të ‘panjohurit’”, shprehet tutje ai.

Xhirimet e dokumentarit do të zënë vend kryesisht në Kaçanik, por edhe në Prishtinë e në qytete tjera dhe sipas Apollonit xhirimet mund të zgjasin aq sa ka nevojë të xhirohet për të krijuar rrëfimin e kësaj ngjarjeje. Sipas tij, një informacion apo një deklaratë e ndonjë personazhi mund të nxisë drejt xhirimeve të diçkaje të cilën nuk e kanë planifikuar apo për të cilën nuk kanë qenë të informuar më parë. Ndërkaq, protagonistët e këtij dokumentari do të jetë edhe ai që ka qenë protagonist i kësaj ngjarjeje historike, Ilaj Ramajli, por edhe bashkëpunëtorët e tij si Hebib Shehu, Refik Raka, Feride Hyseni etj.

Dokumentari ishte planifikuar që të fillojë në prill, mirëpo për shkak të vonesës të fondeve nga Ministria u pamundësua një gjë e tillë.

“Sivjet është 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut dhe dëshira ime është që ta përfundoj dhe shfaqi dokumentarin si premierë pikërisht më 7 shtator, por ky vit i ‘sëmurë’ që ka ngatërruar çdo gjë, shpresoj të mos më ngatërrojë edhe planet e këtij projekti’, thotë Apolloni.

Premiera e dokumentarit do të shfaqet në Kosovë mirëpo do të shqyrtohet mundësia edhe për transmetim në vende tjera. Secili film apo shfaqje ka tendencë të përçojë ndonjë mesazh, të shpreh apo të shfaqë diçka. Duke qenë se qysh në titull të këtij dokumentari vërejmë se bëhet fjalë për një ngjarje tejet të rëndësishme për historinë e Kosovës edhe mesazhi që ky dokumentar tenton të përçojë tek publiku është i rëndësishëm dhe kuptimplotë.

“Ne duhet të kujtojmë këtë ngjarje dhe ngjarje të tjera të rëndësishme për vendin tonë. Për shtetin e Kosovës kanë sakrifikuar shumë njerëz, shumë gjenerata dhe ky shtet që kemi është produkt i sakrificave të shumë gjeneratave para nesh. Ky shtet nuk ka lindur ashtu rastësisht dhe lehtësisht si kërpudha pas shiut. E duke mësuar se çfarë kanë bërë gjeneratat para nesh për krijimin e shtetit, ne do ta kuptojmë më mirë rolin që kemi tani për ta ndërtuar këtë shtet”, përfundon Apolloni. / KultPlus.com