Kuzhinat më të mira në botë, ja ku renditet ajo shqiptare

Së fundmi, TasteAtlas Awards rendit kuzhinat më të mira në botë, me Italinë, Greqinë, Spanjën, Japoninë, Indinë, Meksikën, Turqinë, Amerikën dhe Francën, në krye të listës. Kuzhina shqiptare renditet e 68-ta, përcjell albinfo.ch.

Gatimet tradicionale shqiptare përfshijnë flija, tava kosi, qoftet e fërguara, fërgesë, petulla, jani me fasule, ballokume, paçe koke, qifqi, qumështor, gjizë, e të tjera.

Shqipëria, një vend i pasur me histori dhe kulturë të thellë, ka një trashëgimi të pasur ushqimi tradicional.

Përmes shekujve, populli shqiptar ka zhvilluar teknika të veçanta ushqimi, të cilat janë pasuar me kujdes nga breza pas brezi.

Ushqimi tradicional në Shqipëri ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së qytetarëve, duke shërbyer jo vetëm për të ruajtur formën fizike, por edhe si një mënyrë për të promovuar bashkëpunimin dhe solidaritetin në komunitet. / KultPlus.com

Rikthehet edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival

Edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare, që do të frymëzojnë lëvizje dhe veprimin.

Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.

Festivali ofron një gamë të gjerë mundësish për bizneset, familjet, njerëzit e të gjitha moshave por edhe iniciativat jo-fitimprurëse që kanë të bëjnë me ushqimin që të ndajnë produktet, shërbimet dhe programet e tyre.

Festivali mbahet nga data 22 deri me 31 Korrik 2022 në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Action Bronson promovon kuzhinën shqiptare në emisionin e tij në SHBA

Një ndër artistët më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare është edhe Action Bronson, shkruan KultPlus.

Hip-hop artisti shqiptar, i cili në realitet quhet Arian Asllani, gjithashtu ka një ndër emisionet më të shikuara të gatimit në SHBA.

Ai ka nxjerrë në shitje edhe librin për gatime i cili rezultoi si shumë i suksesshëm.

Shefi i kuzhinës, Arian Asllani, drejtuesi i programit televiziv “That’s Delicious” në New York, në serinë e ardhshme të “That’s Delicious” ai dhe skuadra e tij do të flasin për kuzhinën shqiptare gjatë një vizite në restorantin “Çka ka Qëllu” të shqiptarit Ramiz Kukaj i cili ndodhet në Nju Jork e ku servohen ushqime tradicionale shqiptare. Gjithashtu restoranti është vlerësuar si një ndër dhjetë restorantet më të mira atje.

Përveç ushqimit në këtë restorant gjithçka flet shqip. Vendi është i mbushur me elemente shqiptare në të katër anët e brendësisë. Më shumë rreth kësaj storie Bronson do të shpalos sonte në emisionin e tij.

Kujtojmë se Action Bronson në gushtin e vitit 2018 ishte prezent në Kosovë, duke performuar në festivalin muzikor, “Sunny Hill”. / KultPlus.com