Lasgushi letër të bijës: Jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet

Poeti dhe shkrimtari shqiptar Lasgush Poradeci në një letër drejtuar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974, i drejtohet me këto fjalë:

 “… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”.

Letra është publikuar nga vajza e tij Marie Poradeci / KultPlus.com

Përse të dua

Poezi nga Lasgush Porageci

Se të desha vetë, 
Dhe t’u nqasa vetë, 
Dhe të putha vetë- 

Prandaj. 
Dhe të humba largë, 
Dhe të ndoqa largë, 
Dhe të gjeta largë- 
Prandaj. 

Se të desha prapë, 
Dhe t’u nqasa prapë, 
Dhe të putha prapë- 
Prandaj. 

Dhe të humba vashë, 
Dhe të ndoqa vashë, 
Dhe s’të gjeta vashë- 
Prandaj. 

Se të gjeta grua, 
Dhe të desha grua, 
Dhe të putha grua- 
Prandaj. 

Dhe s’më flet përhera, 
Dhe s’më nqas përhera, 
Dhe më plas përhera- 
Prandaj. 

O, prandaj të dua, 
Prandaj vashë-e grua, 
Fshehtësi për mua- 
Prandaj.

Lasgush Poradeci: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën

Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.

Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:

Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com

Kush ta fali bukurinë

Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë./KultPlus.com

Lasgushi, letër bijës së tij: Kostandinë e shtrenjtë e babkës, mos u dëshpëro…

“Kostandinë, sa e rëndë është jeta, por ka dhe njerëz të mirë si Kadareja…?!” – Letra: “Cili, cilët na e ndreqnë punën e karakteristikës, na e ndreqnë Vehbi Bala me Llazar Siliqin”.

I bërë baba për herë të parë në moshën 60-vjeçare, Lasgush Poradecit iu desh që në një moshë të thyer të përballej me vështirësitë e problemeve familjare, apo më saktë të ndeshej me barrierat e strukturave partiako-shtetërore të regjimit komunist në fuqi të cilit ai i ishte munduar t’i qëndronte sa më larg prej vitesh.

Por, rritja e dy vajzave dhe problemet që ato kishin me marrjen e të drejtave të studimit për shkollat e larta apo dhe me emërimet pas diplomimit e karakteristikat që duheshin nga autoritetet përkatëse për dokumentet e kuadrit, e kishin detyruar lirikun e madh të poezisë shqipe që të ngrihej dhe të dilte nga “kulla e ngujimit” ku ishte ndryrë prej vitesh, për të takuar miq e shokë që do të mund ta ndihmonin për problemet e dy vajzave. Por, kjo gjë duket se nuk ishte shumë e lehtë, pasi Lasgushi jo vetëm që nuk kishte marrëdhënie e raporte të mira me pushtetin e asaj kohe, por përkundrazi, ai shihej vëngër prej tij, aq sa ai pushtet i kishte dhënë një dënim që ishte më i rëndë edhe se vetë vdekja?! Harresa. Pra, regjimi komunist me marifetet e tij e kishte lënë në harresë lirikun e madh të poezisë shqipe, duke “e vdekur për së gjalli”, aq sa kur ai u largua vërtetë nga kjo jetë në vitin 1988, vdekja e tij shkaktoi habi, pasi ishin të paktë ata që e dinin se Lasgushi kishte qenë i gjallë…?!

Por, për të ardhur deri tek ajo periudhë kohe që shkrimtari i famshëm Ismail Kadare dhe njëkohësisht, mik i ngushtë i poetit, e kishte quajtur “Ikja e shtërgut të fundit”, Lasgushit do t’i duheshin edhe disa vjet “luftë dhe përballje” me pushtetin e kohës për problemin e shkollimit të dy vajzave, që ai i kishte pikë në zëmër. Pasi ai e dinte mirë se ato po paguanin “faturën e haraçit” që ai personalisht i kishte regjimit komunist. Madje, kjo gjë ishte bërë më e rëndë pikërisht në atë kohë (viti 1978), kur me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes jubilare të diktatorit komunist, Enver Hoxha, disa njerëz të njohur dhe të panjohur prej tij, i kishin shkuar në shtëpi dhe i kishin kërkuar haptazi që ai të shkruante diçka, “fundja ndonjë poezi për udhëheqësin e Partisë…”?! Por, edhe pse ata “mysafirët e paftuar” (siç do t’i quante më pas poeti plak) që kishin bujtur papritur në “kullën e tij” në shenjë presioni i kishin lënë të nënkuptonte se ai dikur në rininë e tij atë gjë e kishte bërë edhe për Monarkun shqiptar (Mbretin Zog), pra kishte shkruar një vjershë për të, Lasgushi as nuk donte t’ia dinte dhe as dëgjonte fare nga “ai vesh”?! Dhe, pas kësaj ata u detyruan që të dilnin nga ajo shtëpi “duarthatë” duke e konsideruar “të lojtur” Llazar Gushon!

Kjo ngjarje që tashmë është e njohur pasi e ka rrëfyer publikisht njëra nga vajzat e Lasgushit (të nesërmen nën jastëkun e tij u gjet një pistoletë… ku “miqtë e paftuar” për të shpëtuar veten, pasi nuk mundën t’ia mbushnin mendjen për poezinë për të cilën kishin shkuar, kishin menduar dhe vrasjen e tij, për ta paraqitur më pas si vetëvrasje), duket se ia vështirësonte më shumë Lasgushit problemin që ai kishte me vajzat.

Nisur nga kjo gjë, ai u detyrua që të thërriste ata miq të pakët që i kishin mbetur, si në Pogradec ashtu dhe në Tiranë, për të ndarë me ta hallin që e kishte zënë. Një prej tyre ishte shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helenën, frekuentonin herë pas here atë si në shtëpinë e Tiranës, ashtu dhe në shtëpinë e vogël dhe të bukur mes pemësh buzë liqenit të Pogradecit. Kjo gjë, pra miqësia e Lasgushit me Kadarenë, tashmë është e njohur edhe prej librave të Kadaresë (‘Ftesë në studio’, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990), ku shkrimtari i njohur ka përshkruar takimet e tij me “Shtergun e fundit”, ku ai (Lasgushi), i tregonte se si gatuheshin makaronat?! Gjë e cila ishte as më shumë dhe as më pak një sfidë që “poeti i liqerit” i bënte regjimit në fuqi dhe që shkrimtari i njohur, nuk nguronte t’i shkruante në librat e tij. Sfida qëndronte në faktin se tashmë preokupimi më i madh i Lasgushit ishte “gatimi i makaronave” dhe jo ajo “çka kërkonte Partia” nga letërsia e realizmit socialist?!

Miqësia e Kadaresë me Lasgushin, gjithashtu, njihet edhe nga një dokumentar i realizuar në vitin 1990 nga Kinostudio “Shqipëria e Re” (skenari, Petrit Ruka, regjia Edmond Topi), ku Kadare ka dhënë një intervistë të gjatë për “poetin e liqerit” dhe aty jepen edhe disa filmime e foto të ndryshme ku ata janë nën shoqërinë e njëri tjetrit dhe familjeve të tyre.

Por, kjo ishte vetëm një anë e medaljes, ajo e dukshmja, pasi, atë se çka ishte në të vërtetë Lasgushi, raportet e tij me regjimin komunist në fuqi dhe adhurimin e madh ndaj tij si njeri dhe poet i papërsëritshëm i letërsisë shqipe, shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare i kishte shkruar më herët (fillimisht diku aty nga viti 1986), në një tregim dhe pas në një novelë të titulluar “Ikja e shtërgut”. Që së bashku me novelat “Hija”, “Vajza e Agamemnonit”, “Vdekja e gruas ruse”, e disa krijime të tjerë të tij që nuk mund t’i botonte dot asokohe pasi paraqisnin rrezik të madh për të, Kadare i kishte depozituar në një Bankë të Parisit duke ia lënë çelësin e kasafortës dhe autorizimin përkatës botuesit të tij francez, presidentit të “Fayard”-it, Claude Durand, për t’i hapur në një kohë të përshtatshme dhe për t’i përkthyer e botuar ato.

Por, siç dihet tashmë, nisur nga rrjedhja e ngjarjeve, ato krijime të Kadaresë bashkë me “Ikja e shtërgut”, u botuan pas viteve ’90-të. Por, sa më sipër cituam, ajo që nuk ka qenë e njohur deri më sot, është ajo se çka mendonte Lasgush Poradeci për Kadarenë dhe konsideratat e vlerësimet e tij për shkrimtarin e njohur shqiptar dhe njëkohësisht një nga miqtë më të ngushtë të tij. Por, si ndihmën e Kadaresë ashtu dhe të atyre pak miqve të tjerë që iu gjetën Lasgushit në atë kohë kur ai përballej me pushtetin e kohës për problemin e dy vajzave (siç ishin Llazar Siliqi e Vehbi Bala, apo Isuf Kambo, me shumë pushtet asokohe në Pogradec), ai nuk ka harruar që t’i hidhte diku në një letër, madje duke i dhënë ato me detaje për gjithsecilin prej syresh. Madje, si mos t’i mbetej peng, Lasgushi e ka bërë atë gjë shpejt e shpejt që në atë kohë (janar 1979) në një letër që ai ja dërgonte vajzës së tij, Kostandinës, apo siç e quan ai në letër “çupka e babajt”, duke ia shpjeguar asaj me emra të gjithë miqtë e mirë që iu gjetën edhe në atë kohë të vështirë. Gjë e cila ishte pak a shumë një amanet që vajzat nuk duhet t’i harronin kurrë miqtë e babajt dhe të tjerët që e ndihmuan atë në ato kohëra të vështira…!

Nga ajo letër që tashmë ndodhet në arkivin familjar të Lasgush Poradecit të trashëguar nga dy vajzat e tij (Maria dhe Kostandina), ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare, po publikojmë një pjesë prej saj atë ku Lasgushi i shkruan Kostandinës për miqtë e tij që iu gjetën në atë kohë të vështirë për ta….?!

Letra e Lasgushit për vajzën e tij, Kostandinën

Tiranë, 6 janar 1979

…Çollakun, Isufit iu mbushën sytë me lot. Nga shkaku i hallës së Reshitit, Isufi më ka bërë mik. Ai u interesua shumë (fortë shumë) për ty Kostandinë, kur nuk të emëruan ata të Komitetit Ekzekutiv. Vajti disa herë (jo njëherë, jo dy herë, po disa herë), në Komitetin Ekzekutiv, në kuadër, ne kryetari, edhe disa herë në Komitetin e Partisë (edhe këtu disa herë) edhe më në fund kur i bëra dy telegramet (1 në Elbasan, 1 në Tiranë), Isufi vajti në Tiranë në Ministrinë e Arsimit që më dërgoi pastaj telegramin në Pogradec se “U dha urdhëri i emërimit, mos u tubulloni”. Po të shënoj se Isuf Kambo është Perandor i tërë rrethit të Pogradecit, ay gjatë Luftës ka qenë Komisar i përgjithshëm i gjithë rrethit të Pogradecit.

E shëkon Kostandinë se sa e rëndë është jeta, sa falsë janë njerzit (jo të gjithë). Të lajnë dhe të lyejnë, pastaj, në nevojë, të lënë në batak (d.m.th. të përplasin në batak).

Po miku i mirë njihet mik në të keq dhe në rrezik. A i pe miqtë e mirë? Kadarenë? Kamba-n, Bashkimin? Ata bëjnë punë, të mbarojnë punë, s’dinë fjalë.

Edhe në Tiranë, kur ishnë, kur qave në… (nuk kuptohet shkrimi, shënimi ynë. D.K.), që na mundonin për karakteristikën për ty, që s’na e ipnin, as Këshilli i Lagjes, as Universiteti, kur të thashë, më i mbushur me vrer: “Pse qan, bij e babajt, mos qaj, ke baba ti”. Kush? Cili, cilët na e ndreqnë punën e karakteristikës, na e ndreqnë Vehbi Bala me Llazar Siliqin.

Sa herë vanë ata njerëz njëri ne tjetri për ty, edhe në Lagje sa herë, edhe në Universitet sa herë? Prandaj Kostandinë e shtrenjtë e babkës, mos u dëshpëro… / Telegrafi /KultPlus.com

Si s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë

Nga: Lasgush Poradeci

Më erdhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove. I thashë s’mund të vete se më prishet syri (i operuar) nga e ftohta, le të urdhërojë në shtëpi. Tha: “nuk vijnë në shtëpi” (më dha të kuptoj se nuk lejohen në shtëpi). Tha Xhaxhiu se: “H. Mekuli ju ka sjellë prej Kosove dhe një send…; të vijë prof Mekuli me kosovarët këtu afër shtëpisë Tuaj në ish-hotelin e kinezëve, ja ku është hoteli 100 hapa afër”.

Unë; “Afër, pò, po e sheh si filloj era e fortë? Mua prej erës së ftohtë më prishet syri sipas urdhrit të doktorëve. Tashi është ftohtë, po bëhet mbrëmje. Po le të vijnë këtu në hotel nesër, si nga ora 11-12 kur do të jetë dita e ngrohur prej djellit, në pastë djellë.

“Sidoqoftë, ata (kosovarët) le të vijnë, unë do të vi”. Xhaxhiu: “ata nesër në mëngjes shkojnë në Kosovë, i lajmëruan të shkojnë, se vdiq Titua”. Pra, s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse “nuk lejohet takim privat”. në Vëndin TIM (Shqipëri), të mos takohem me Vëndin TIM (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i Kombit? Sà më dhemb! dhe sa më dëshpëron!/KultPlus.com

Nga Ditari i Lasgush Poradecit: Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove

Një pjesë nga ditari i Lasgush Poradecit ku tregon për vizitën e Hasan Mekulit në Shqipëri, interesimin e takimit të tij me Poradecin, problemet me syrin dhe vdekjen e Titos. Më poshtë po e sjellim këtë pjesë.

Tiranë 5/5/80:
Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove. I thashë s’mund të vete se më prishet syri (i operuar) nga e ftohta, le të urdhërojë në shtëpi. Tha: “nuk vijnë në shtëpi” (më dha të kuptoj se nuk lejohen në shtëpi). Tha Xhaxhiu se: “H. Mekuli ju ka sjellë prej Kosove dhe një send…; të vijë prof Mekuli me kosovarët këtu afër shtëpisë Tuaj në ish-hotelin e kinezëve, ja ku është hoteli 100 hapa afër”. Unë; “Afër, pò, po e sheh si filloj era e fortë? mua prej erës së ftohtë më prishet syri sipas urdhrit të doktorëve. Tashi është ftohtë, po bëhet mbrëmje. Po le të vijnë këtu në hotel nesër, si nga ora 11-12 kur do të jetë dita e ngrohur prej djellit, në pastë djellë. Sidoqoftë, ata (kosovarët) le të vijnë, unë do të vi”. Xhaxhiu: “ata nesër në mëngjes shkojnë në Kosovë, i lajmëruan të shkojnë, se vdiq Titua”. Pra, s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse “nuk lejohet takim privat”. në Vëndin TIM (Shqipëri), të mos takohem me Vëndin TIM (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i Kombit? Sà më dhemb! dhe sa më dëshpëron!/KultPlus.com

Portreti i Lasgush Poradecit nga Ismail Kadare

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.

Ismail Kadare “Ftesë në studio”/arratisje.al

Letër e Lasgush Poradecit për Mitrush Kutelin

Një poemë për miqësinë sublime

Letër e Lasgush Poradecit për Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin (Graz, 22 shkurt 1930)

“Sot më zotëron shpirtin letra jote e dytë. Në atë letër ti më lajmëron, i dashur Dhimitraq, se ke në mënt të vish kësaj vere në Poradec: Pra zemra ime u shërua. Pas dhjetë vjetësh humbje, do kem gazin e bukur të të shoh prapë, të shihemi prapë…

I shtrentë Dhimitraq, mirë, shumë mirë do bësh, do këputnja një copë qiell, do sbrisnja disa yj të ndritur e të lehtë mi baltën që na rëndon kaq brutalërisht në shpirt, sikur ta vinje në vepërim atë mëndje, atë qëllim aq të shenjtëruar…
Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Llazari të pret me krahët hapur. Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do t’a bëjë buzën në gas… Do t’a bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së KEQES njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…

Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja t’a vrasim DJALLIN e Shqipërisë, e shqipëtarëve. Do më gjesh atje, që në ditën e parë, buzë liqerit t’onë të adhuruar. Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vëndi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën MËKATËN, sepse NUK DI Ç’BËN… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”

(Lasgush Poradeci, Vepra IV. Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli. Përgatitur për shtyp nga vajzat e Poetit, Kostandina Gusho dhe Maria Gusho. Shtëpia Botuese albPAPER, Tiranë, 2010, f. 27-28/ Letër e përzgjedhur nga Prof. K. Jorgo).  /filozofia.al/ KultPlus.com

Poradeci: Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy

Nga Marie Lasgush Poradeci

Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy. Filloj nga soji më i errët dhe ngrihem gjer në dritën e vërtetë të diellit. Pik’së pari, janë gratë e trupit, të cilat i mjeri element animal i jetës s’onë, i ka nënë urdhër të tij me anë të një grushti banknotash. Këtyre s’mund t’u flasish për donjë gjë të bukur, sepse as shpirti i tyre s’është bërë për ashtu, as që kanë kohë për të humbur me të tilla marrëzi artistike. Me 5 minuta marrëveshje, trupi i tyre i rrëgjuar ngjitet pas trupit t’onë për 10 minuta dhe pastaj çqitet përnjëherësh në vetëm njëzë minutë. Në pikën e dytë vijnë ato soj çupash të paqme nga trupi po të prishura nga mendja, të cilat elementi animal së bashku me shpirtin e lumturuar i fiton jo me anë të një doze të hollash, po me një tufë fjalësh – desha të them lulesh dhe të ëmblash. Pas 5 pare dërdëllimi të hijëshmë krahët, sytë, buzët dhe gjiri i tyre i paqmë na falen për 1 minutë dhe nuk vijnë në vete përveçse pas 10 minutash psherëtimi të ëmbë ose zembrimi pa dashje… Në pikën e tretë dhe në atë më të lartën, dua të them në dritën e vërtetë të djellit, të jetës, dhe të së vërtetës qëndrojnë vashat e paqme nga trupi dhe nga shpirti. Këto janë të pakta. Një njohje me to bën prej një shtaze një njeri; një fjalim me to, bën prej një njeriu një talent; një miqësi me to bën prej një talenti një gjeni. Këto nuk bjenë, po JANË në zotërim d.m.th. në MIQËSI të shpirtit t’onë më një minutë, nuk ndahen as dhjetë jeta, dhe rrojnë në zemrën e botës një përjetësi. Lasgush Poradeci (fragment nga korespondencë e pabotuar). Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Lasgush Poradeci

Më kërko

Nga Lasgush Poradeci.

Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot.
Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde 
në boshllëk.
Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd.
Më kërko kur mendja jote është bosh,
pa ëndrra, pa dashuri ….
Më kërko dhe unë do të të marr përdore,
e do të çoj në botën time.
Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje.
Më kërko, unë jam këtu për ty.

Lasgush Poradeci përlotet duke folur për Kosovën (VIDEO)

Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.

Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.

Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë. / KultPlus.com

Ç’u mbush mali

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë. /KultPlus.com

Sot është datëlindja e Lasgush Poradecit

Sot është datëlindja e poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Lasgush Poradeci.

​Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e përmend si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet./ KultPlus.com

Lasgush Poradeci

Një letër dashurie e Lasgushit për vajzën me emrin Shqipe

Zonjushës Shqipe,
Lasgush Poradeci,
Rruga “Ismail Qemali” nr. 26,
Tiranë, më 12 të marsit 1940.

Shqipe e ëmbla ime fort, U mendova kësaj here se më s’ duhet të të shkruaj, thashë le të le të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të le unë ty, po mua vetë – nuk më le mua zemra për ty, s’më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç’të të them?

Ja! Atë që kam dashur kaq herë, që s’kam mundur, që s’kam gjetur rast të ta them asnjëherë! Është e madhe shumë, e lartë mbesoj dhe e rëndë shumë, e rëndë për t’u thënë shumë për mua ajo që dua të të them. Ajo quhet “si” të dua. “Si” të dua unë ty Shqipe, shpirti dhe jeta dhe e vërteta ime?

Shqipkë ëngjëlli im, ëmbëlsia e kësaj jetës s’ime. “Si” të dua? Të dua me gëzim e dhembje, me shpresë dhe frikë.

Me gëzim dhe shpresë dhe shpirtin e mbushur se je dhe do të jesh, sepse do të mbetesh, sepse ke karakterin, fuqinë e karakterit, granitin e karakterit që të mbetesh, – po në gjithë atë kohë të dua dhe me dhembje dhe me frikë e me zemrën e zbrasur fund – e – krejt, të bërë pa brendësirë të brendshme, pa thelb dhe qëndër pa pikë mbështjetje, pa një themel qëndror ku të mbështetem, prej të cilit të mbahem, të qëndroj, të jem i sigurt, i siguruar si një – e – një – bëjnë dy për ty, për dashurinë t’ënde të tanishme, që të jetë dhe e pastajmja e imja, të mos jetë (ah) e tjetërkujt. Si të jetë e tjetërkujt? Atëherë ç’bëhem unë? Përse rrojta duke punuar dhe punova dhe shpresova dhe gjeta – e gjeta vashën t’ime të ëndëruar shqiptare?

Përse e gjeta? Që t’a humbas? Që të humb dhe më dhe të tretet lumturija ime që kam me Shqipen t’ime? Të shkatërrohet përgjithnjë gjithësija e idealeve të mija të kësaj jete të shtrenjtë për lumturinë që m’u fal me dashurinë e pëllumbeshës s’ime së bardhë shqiptare, po të llaftarosur për mjerimin që më duket sikur e shoh se mund të më vijë” njëherë”, sikur e shoh nga frika mbase që të dua kaq shumë, kaq shumë, kaq shumë?

(Oh zot, mos arthtë kurrë, ay do mos vijë, nuk vjen, s’është e mundur, jo, të vijë ndonjë herë-e le më të vijë ay ashtu pa lejen t’ime?! )

T’i thashë këto Shqipkë dhe më ndje që t’i thashë po ashtu jam unë, unë Lasgushi yt, t’i them sepse nuk dua të jetë siç më ze frika nga ndonjëherë, kur t’i them më duket sikur “do mos jetë” sikur u sigurova kundër mjerimit, sikur e fitova lumturinë për vete. Me drithmë të puth e të shtrëngon e copton fare nga dashurija Lasgushi yt. /Telegrafi / KultPlus.com

Gremina

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:

Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un’i ziu
Mi buzë varri!

E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;

Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;

Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s’e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;

Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!

Që qesh e qan e zjen,
E s’jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s’vdes përjetë.

“Më kërko, unë jam këtu për ty”

Poezia “Më kërko” nga Lasgush Poradeci.

Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot.
Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde
në boshllëk.
Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd.
Më kërko kur mendja jote është bosh,
Pa ëndrra, pa dashuri ….
Më kërko dhe unë do të të marr përdore,
E do të çoj në botën time.
Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje.
Më kërko, unë jam këtu për ty.

Gjeniu i Anijes

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Veshtroni si shket siper valash
E tundet anija me nge? –
…Me krisme-e me prush prej sterkalash
Mi te shkrepetiu nje rrufe!…

Ti det, brohori fshehtesire!
Kuptim i potershem, ti det!
…Po heshtje: ndaj vales se nxire
Gjeniu i anijes po flet:

Prej zallit qe sot po largohem,
Fillova mergimin e ri;
Hepohem…anohem…humbohem…
Po sulmin s`e ndal kurrsesi.

Dh`aspak nuk me tremb zhurmeria,
Ndaj turret me hov e vertik
Mi balle-e mi korje te mia
Ndersimi-i tallazit armik.

Perpara kur shoh gjeratore,
Dh`ato me gremisin ne fund-
Mi kulmin e vales malore
Un` heq te shpetoj sa me mund.

E morti fatkeq ne me ciku,
N`u desh tmerresisht te fundas-
Aspak nuk me thyen rreziku,
Po nis e permbysem me gas:

Se prapa le vazhden e ndritur-
Q`e hapa me shpirtin fatos:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q`u sos.

Valim-i anijes se lete
Qetohet,ndalohet,mbaron
Njeriu i anijes perjete
Hepohet…anohet…valon…

Ku shtrohet vala

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
më pe me shpirt të llaftaruar.

Q’aherë silleshim me nge
Gjith vet-i dytë, vet’e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe-
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…

Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na ritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim me nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q’aherë qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.

Se kish kuptim që s’kish kuptim,
Kuptim’i fellë-i mallit t’onë;
Se malli jon’ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija.

31 vjet nga vdekja e Lasgush Poradecit

​Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e përmend si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, etj.

Vesë dashurije

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Sillet heshtur an’ e mb’anë
Hij’ e gjumit të pandalë –
Kú jan’ ëndërat, kú janë,
Gjumë ti, të qofsha falë?

Kú ‘sht’ o! mik’ e gjithë ditës,
Të m’a shohë shpirt’ i sgjuar?
Zjarr’ i syrit vetëtitës
Që më pati përvëluar?

Sonte mbeta mun në pisë
Nën’ ushtimin e një buje:
Moj motriçk’ e vogëlisë,
Nuk të shoh, po ti këtú-je…

Ti mendon mi supë t’ime
E mbështetur më një faqe;
Rëgëtin me dëshërime
Zemr’ e mbushur me farmaqe;

Më flet tinës buz’ e shkruar,
Fjal’ e urt’e gojës s’ate,
Pshon për kohën e kaluar
Që më s’vjen që kur na vate;

Që kur lamë shokërinë
Sa zu zemra të buçasi –
Oh! sa shpesh më ven e vinë
Përkëdheljet e çdo çasi!

Pa mendohem me llaftarë
Sí të humba posi hije
Sa pikovi lot’i parë,
Posi vesë dashurije.

Lasgush Poradeci

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Është publikuar një fotografi e rrallë dhe e papublikuar më herët në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, ka publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.
Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

Portret i rrallë i Lasgushit bërë nga Anastas Kostandini (FOTO)

Piktori Anastas Kostandini, ka realizuar portretin e poetit dhe shkrimtarit Lasgush Poradeci, shkruan KultPlus.

Ky portret i bukur është realizuar mjeshtërisht nga artisti.

Anastas Kostandini ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1978. Tema e preferuar e veprave të tij janë peisazhet sociale e poetike nga jeta e përditshme, natyra psikologjike e qytetit të lindjes Pogradecit të cilin ai e njeh në thellësi, si dhe kompozimi nga traditat e vendlindjes. /KultPlus.com

Kur Lasgushi i shkruante Kadaresë: Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në vitin 1978 mori dy letra nga poeti i madh Lasgush Poradeci. Këto dy letra, Kadare i kishte kujtuar të humbur, por krejt rastësisht i kishte gjetur e më pas edhe i ka bërë publike duke dashur kështu të tregoj se si poeti i rrallë i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, u mënjanua dhe u la në harresë të plotë nga shteti i vet.

Më poshtë po ju sjellim opinionin e Kadaresë për këto dy letra të marra nga Lasgush Poradeci, si dhe dy letrat e plota.

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Nga Ismail Kadare

Gjatë sistemimit të arkivit vetjak, për gëzimin tim të madh, gjeta midis dorëshkrimeve, dy nga letrat e Lasgush Poradecit. I kam kujtuar të humbura, pas ikjes në Francë në vitin 1990, ashtu siç kam menduar për një pjesë të dorëshkrimeve, hamendje e natyrshme për një arkiv që pasi u sekuestrua, ka kaluar, siç dihet, nga zyrat e Prokurorisë në ato të Gjykatës, për të përfunduar për fat të mirë në Arkivin e Shtetit. Me sa jam në dijeni, Lasgush Poradeci, më i madhi poet i gjallë i Shqipërisë, gjatë kohës së diktaturës komuniste, ka lënë pak letra të datuara në këtë kohë. Poet i rrallë në historinë e letërsisë botërore, të cilit i ra fati tragjik që, duke qenë ende gjallë, të përjetojë vdekjen e tij në kuptimin e plotë të fjalës, Lasgush Poradeci, për një kohë të gjatë do të vërë në skajim të vështirë ndërgjegjen e kombit të vet. Mënjanimi nga jeta dhe lënia në harresë të plotë e poetit, i cili do t’i bënte nder çdo letërsie evropiane, ka qenë një nga mizoritë më të mëdha të epokës. Këto dy letra janë vetëm një copëz nga mozaiku i zymtë që dëshmon se si poeti më elitar i letrave shqipe, ai që e kishte shpallur veten Zog i qiejve, do të detyrohej të ecte nëpër baltrat e burokracisë komuniste, të trokiste në zyrat e saj shterpa, t’u kërkonte një shkresë a një telegram nëpunësve kokëtrashë e cinikë, që ngazëlleheshin ngaqë e kishin në dorë e mund ta bënin të vuante. Letrat që po botohen janë të dyja të vitit 1978. Kishin kaluar dy vjet qysh nga një përpjekje e dështuar për t’i dhënë Poradecit statusin e shkrimtarit profesionist, gjë që praktikisht do të lejonte ribotimin, me fjalë të tjera, rikthimin e tij në jetë. Ana tjetër e problemit do të ishte lehtësimi i halleve të tij të përditshme. Duke u prerë çdo shpresë për çështjen madhore, atë të lejimit të krijimtarisë së tij, mbeti problemi i vështirësive të jetës. Siç shihet qartë nga dy letrat e poetit, regjimi dinte të dënonte edhe në mënyra të tjera. Duke mos u mjaftuar me krimin e parë, ndalimin e veprës, shteti komunist vazhdonte të torturonte poetin pa bujë, duke ia helmuar ditët e pleqërisë. Ky helmim bëhej në mënyrë cinike: me veshin shurdh, me mosdëgjimin e kërkesës së tij modeste për emërimin e vajzës si mësuese në Pogradec, me vonesën e një shkrese, të një telegrami. Sa shpejt e sa ngutshëm mbërrinin në administratën e diktaturës letrat denoncuese, shkresat për arrestime, dëbime, burgime! Dhe sa ngadalë shkresat e tjera, sidomos ato që mund ta lehtësonin disi jetën njerëzore! Çdo artdashësi e sidomos çdo adhuruesi të poetit të madh, do t’i dhembi në zemër kur të lexojë këto tekste, kur dëshpërimi dhe mungesa e shpresës shfaqen në mënyrë ciklike, nëpërmjet një thatësire frazash, si vijat e rërës në shkretëtirë. Është bota e dhunshme e burokracisë, e kundërta e krejt e botës së poetit, që, duke e detyruar të bjerë në mëshirën e saj, hakmerret me poetin për qiellsinë e tij. Një analizë e thjeshtë e tekstit e jep këtë dhunim. Në më pak se dy faqe gjenden më shumë se 50 fjalë e terma administrative: 10 herë fjala ministria, 11 herë emërim, 7 herë telegram (zyrtar), 6 herë Komitet ekzekutiv, 6 herë Kuadër ose shef kuadri, 4 herë dosje, përveç fjalëve transferim, administratë, pasaportizim, dokument, shkresë zyrtare, kompetencë etj. Pasioni për t’u ulur kokën shkrimtarëve e poetëve ka qenë i njohur, jo vetëm në të gjithë regjimet totalitare, por edhe në sistemet e të menduarit që kanë lidhje me to. Këto sisteme të menduari vazhdojnë ende të jetojnë edhe kur regjimet bien. Siç u tha pak më lart, eksperimenti shqiptar me Lasgush Poradecin shkoi edhe më larg. Regjimi u përpoq dhe në njëfarë mënyre ia arriti, qe ta vdiste për së gjalli më të madhin poet të vendit. Në këtë kah letrat e tij të rralla e të ftohta qysh në atë kohë dukej sikur vinin që poshtë pllakës së mermertë të varrit. Tiranë, nëntor 2002 ———————–

Letra e parë

Merr: Ismail Kadare Pogradec, 8 korrik 1978

I dashur Kadare

Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam. Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë. Të fala edhe të përqafoj Lasgushi Poradec, 1 Shtator 1978 —————

Letra e dytë

I dashur Kadare,

Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arsimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?. Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit. Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit. Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor. Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës. Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua. Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon Lasgushi. /KultPlus.com