Leonita Asllani fiton dy role në filmat e producentit zviceran Angelo Borer

Këngëtare, kompozitore, tekstshkruese dhe instrumentiste, Leonita Asllani u bë e njohur për publikun sidomos pas koncertit të saj të parë në Francë në vitin 2017. Ajo po vazhdon karrierën e saj kryesisht në Zvicër, por kësaj radhe na njofton për një tjetër sukses, shkruan KultPlus.

Së fundmi ajo ishte e ftuar në emisionin “Karaoke Stube” të cilin e drejton këngëtari i famshëm italian Pierro Esteriore, por ky prezantim doli të jetë me shumë fat për të sepse aty i erdhi edhe një ftesë e re, kësaj radhe për një film.

Asllani tashmë është bërë një nga aktoret e filmit fantastiko-komedi “Tourists and Aliens” që për producent ka aktorin, Angelo Borer, ndërsa regjisor Hendy Buchman. Pas këtij filmi ajo do të ketë një tjetër rol të gjatë në filmin “Torquemada’s curse” me po të njëjtit bashkëpunëtorë.
Leonita ka treguar për KultPlus se si i erdhi ftesa nga Borer.

“Angelo Borer e kam takuar në emisionin e Piero Esteriore, Karaoke Stube Tv, ku ishte mysafir. Pastaj filluam që të bisedojmë, gjatë bisedës më pyeti se a më pëlqen aktrimi, dhe i tregova që kisha dëshirë të merrja pjesë në ndonjë film në të ardhmen por nuk e prita që gjërat të shkojnë në kaheje pozitive kaq shpejtë”, thotë ajo.

Filmi i metrazhit të shkurtë “Tourists and Aliens” është një komedi zvicerane dhe është duke u promovuar në shumë festivale të filmit në botë dhe sipas Leonitës, Netflix tashmë është interesuar për këtë film.
“Në filmin “Tourists and Aliens” roli im është si një arkeologe e cila shkon në një vend për të hulumtuar disa fosile, është një rol më i vogël, por si rol i parë për mua është shumë domethënës dhe sfidues”.

Ndërsa filmi i dytë ku do të luaj Leonita është një film triler që quhet “Torquemada’s curse” ku ka një rol më të gjatë se në filmin e parë. Ky do të jetë një film triler, mister që bazohet në një histori të vërtetë Torquemada ekzistonte në të vërtetë në shekullin 1420 si një Inkuizitor i Madh në Spanjën.

“Në filmin “Torquemada’s curse” kam rolin e një luftëtares e cila lufton ndaj disa demonëve të cilët shfaqen në tokë për pushtimin e gjinisë femërore.”
Filmi “Tourists and Aliens” pritet të përfundojë xhirimet në fund të muajit korrik, ndërsa “Torquemada’s curse” në fund të vitit 2020.

Aktori dhe producenti zviceran Angelo Borer po e promovon aktoren shqiptare në rrjetet e tij sociale dhe si duket janë të kënaqur me lojën e saj.
“Raportet mes meje dhe producentit janë mjaftë të mira shpresoj se do ta përfundojmë filmin me një sukses të madh, atëherë mund të vazhdojmë dhe me filma të tjerë”, thotë Asllani.

Ky rrugëtim i ri për Leonitën është i mirëpritur, por mes këngës dhe aktrimit ajo nuk mund të zgjedhë.

“Realisht unë jam rritë në frymën e artit muzikor dhe vazhdoj të jem aktive në këtë profesion, është e vështirë të zgjedhë mes aktrimit dhe muzikës sepse të dyja janë eksperienca jetësore e që mua më përshtaten shumë dhe më sjellin suksese”, thotë për fund Leonita Asllani. / KultPlus.com

Leonita Asllani interpreton “Hello” të Adele në emisionin zviceran ‘Karaoke Stube TV’’

Këngëtarja Leonita Asllani,  e cila u bë e njohur për publikun sidomos pas koncertit të saj të parë në Francë në vitin 2017, po vazhdon karrierën e saj kryesisht në Zvicër, shkruan KultPlus.

Këngëtare, kompozitore, tekstshkruese dhe instrumentiste me prejardhje shqiptare, ajo si e re filloj të këndonte në qytete të ndryshme të Kosovës. Por, pas suksesit në Francë, ajo u vendosë në Zvicër për studime në fushën e muzikës.

Atje ajo u njoftua edhe me grupin “Plusedion” ku punuan fort. Leonita tashmë ka edhe albumin e saj “Night Train”, albumi i saj debutues i cili është pritur mjaft mirë edhe nga mediat zvicerane.

Kjo ka bërë që Leonita të ftohet edhe në emisione të ndryshme atje.

Së fundmi ajo ishte e ftuar në emisionin “Karaoke Stube” të cilin e drejton këngëtari i famshëm italian Pierro Esteriore.

“Pas shumë votimeve në emisionin “Karaoke StubeTV” jam ftuar të këndoj në këtë emision mjaft të ndjekur atje. Në këtë emision kanë kënduar këngëtarë nga vende të ndryshme të botës dhe unë jam e vetmja shqiptare që jam prezantuar aty”, ka thënë Leonita për KultPlus.

Në këtë emision ajo ka kënduar këngën “Hello” të këngëtares së njohur Adele. Interpretimi i saj është pëlqyer nga publiku dhe komplimentet nuk kanë qenë të pakta.

KultPlus ju sjell interpretimin e saj:

“Rebelja” jonë promovon albumin e parë në Zvicër, synon të bëj krenarë gjithë shqiptarët

Jeta Zymberi

Rruga drejt realizimit të ëndrrës e drejtoi atë në vende të ndryshme jashtë Kosovës, por qëllimi i saj mbet gjithmonë në një vijë të drejtë. Bëhet fjalë për Leonita Asllanin, artisten e re nga Gjakova të cilën të gjithë e thërrasin “rebele”. Ajo vjen nga një familje muzikantësh të cilët ëndrrën e tyre drejt muzikës e lanë në gjysmë për arsye të rrethanave jetësore, por njëjtë nuk veproi edhe Leonita. Ajo punoi fuqishëm që ëndrra e saj të realizohet deri në fund, shkruan KultPlus.

Gjithçka me muzikën ajo e nisi në Kosovë ku edhe u shkolluar, por ishte Franca ajo që i hapi dyert për muzikën e Leonitës, atje ku edhe realizoi koncertin e saj të parë solistik.

“Jam rritur në Kosovë, në një vend ku shkrihen shumë kultura të ndryshme. E konsideroj vetën me fat që jam rritur në një vend të vogël si Kosova, dhe në frymën e djepit të kulturës”, thotë Leonita.

Por Franca ishte vetëm një mundësi që i hapi dyert tjera për të. Tutje, ishte Zvicra vendi i cili e përqafoi talentin e vajzën nga Kosova, ku po në këtë shtet ajo u njoftua edhe me grupin Plusedion më të cilët tashmë janë bërë një.

Ata bashkë kanë publikuar albumin e parë të titulluar “Night Train”.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë që njoha grupin Plusedion me të cilin bashkëpunuam fort dhe e realizuam albumin. Mendoj se pikë së pari, suksesin apo sido që ta quani ju, nuk e kemi në dorë ne, pasi janë shumë faktorë që ndikojnë në të. Por kur fillova nuk u mundova të kopjoj apo ndjek ndonjë linjë muzikore. Kur diçka bëhet në mënyrë unike duke përdorur tinguj të ndryshëm, qoftë edhe eksperimental del diçka e bukur, le të themi se Zoti është treguar shumë zemërgjerë me mua, nuk mund të mohoj se dhe unë punova fort për këtë sukses që gëzoj tani”, tregon Leonita për KultPlus.

 Ky album i cili tashmë është i gatshëm për të gjithë ata që e duan muzikën e këtij grupi, promovimin e tij do ta ketë fillimisht në Zvicër e më pas në Kosovë, ku pos promovimit, artistja thotë që do të sjell edhe një koncert.

“Ëndrra ime gjithmonë ka qenë që ta bëj krenar vendin tim kudo që të shkel e të përmendet emri saj dhe ti tregoj botës që jemi njerëz që e duam dhe e çmojmë kulturën e në veçanti muzikën dhe jemi një vend i mbushur me plot talente. E gjithë ky mundim dhe kjo punë që po e realizoj i takon vendit tim, krenarisë time Kosovës”, thotë tutje ajo.

Albumi përmban gjithsej 13 këngë të zhanreve të ndryshme si blus rock po ashtu dhe balada.

“Më duhet të cek se këngët përmbajnë mesazhe shumë domethënëse për dëgjuesit. Pas shumë orëve në studio duke punuar në mënyrë kolosale, ne jemi të lumtur që kemi përfunduar prodhimin e albumit të ri “Night Train”. Albumin e kemi incizuar në Studion e Pluse dion ku për tekstet jemi kujdesur i gjithë grupi, kurse incizimin e ka realizuar Claudio po ashtu edhe ai është pjesë e grupit (kitarist).”, tregon artistja.

Stili i Plusedion mund të përshkruhet si rock blus dhe rock pop. Por atyre nuk ju intereson shumë për gjëra të tilla. “Le të vendosin të tjerët se në cilin zhanër dëshirojnë ta klasifikojnë muzikën tonë”, thonë ata. / KultPlus.com

Leonita Asllani, zyrtarisht pjesë e korit ‘Xung & Fun’ në Zvicër (FOTO)

Jeta Zymberi

Artistja e re nga Gjakova, Leonita Asllani e cila karrierën e saj si artiste jashtë trojeve shqiptare e filloi në Francë, atje ku fillimisht ajo shkoi për të marrë pjesë në një talent show ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë ka kontaktuar edhe me artistë francez të cilëve ju ka pëlqyer dhe kanë vendosur që talentin e saj ta prezantojnë para njerëzve të shtetit të tyre duke ja organizuar kështu një koncert sofistik, koncert ky i cili Leonitës i hapi dyer të reja, shkruan KultPlus.

Pas prezantimit të saj në këtë koncert, Leonita mirëpriti ftesa të tjera shumë të rëndësishme për karrierën e saj. Artistja kosovare është ftuar që të këndojë edhe për presidentin Doris Kirmess.

“Koncerti që e kam mbajtur në Francë mi hapi dyert edhe në Zvicër. Kam qenë e ftuar speciale në Zvicër që të këndoj për presidentin Doris Kirmess dhe ndjehem shumë e kënaqur që isha pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme atje, kjo ftesë erdhi si rezultat i vokalit tim dhe mos frikës në skenë”, është shprehur Leonita për KultPlus.

Përveç këngëve në gjuhë të huaja, Leonita ka treguar se asnjëherë nuk e ndanë as këngën shqipe në prezantimet e saj.

“Momentin që këndova shqip para presidentit, ai u ngrit në këmbë dhe më duartrokiti”, ka treguar e emocionuar ajo.

Por, jo vetëm kaq, pas këtij prezantimi, ajo u ftua të bëhet zyrtarisht pjesë e korit zviceran ‘Xung & Fun’.

“Ftesa për tu bërë pjesë e korit zviceran ‘Xung & Fun’ ishte nder për mua. Ky është një kor profesionist dhe drejtohet nga artistja më famë Manu Hartmann. Manu është ndarë shumë e kënaqur me mua dhe vokalin tim, poashtu ka thënë që do punojmë shumë gjatë bashkë. Nuk mund t’ju përshkruaj se sa e emocionuar jam dhe një ngjarje e tillë është diçka shumë e mirë”, ka treguar Leonita për KultPlus.

Ndërsa, më datë 21 tetor, Leonitën e pret edhe një koncert atje.

“Më datë 21 tetor do këndoj me korin, poashtu edhe disa pjesë si soliste. Pastaj më datë 28 tetor do kem koncert solistik në Zvicër”, ka treguar krejt për fund Leonita, e cila premton që do ta vazhdoj suksesshëm rrugën që ka nisur. / KultPlus.com