UP paralajmëron veprime ligjore pas liturgjisë së djeshme: Po tentohet të ndikohet në procesin gjyqësor

Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate dërguar për media ka reaguar pas liturgjisë që është mbajtur dje në kishën që gjendet kampusin e UP-së.

Në këtë komunikatë, UP-ja ka thënë se liturgjinë e djeshme e shohin si ndikim në procesin gjyqësor, duke e ditur se ky institucion është në procedurë kontestimore në Gjykatë Themelore për lokacionin e ndërtimit të kishës.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së. UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor”, thuhet tutje në komunikatë, derisa, UP-ja ka paralajmëruar se do të ndërmerr veprime ligjore për këtë rast.

“Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore. UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit. Rektorati i Universitetit të Prishtinë”, përfundon komunikata.

Dje për liturgjinë që është mbajtur në oborrin e Kishës, Qeveria ka bërë të ditur se nuk kanë pasur informacione as ata e as policia e Kosovës./Express/KultPlus.com

Çeku për liturgjinë e sotme në Kishën Ortodokse Serbe: Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për këtë aktivitet

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë.

Për këtë ngjarje, ka reaguar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se për aktivitetin në fjalë, Policia e Kosovës nuk ka qenë e informuar paraprakisht duke bërë kështu që ky aktivitet të shkelë rregullat e sigurisë publikë në Kosovë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Çeku.

Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë.

Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve. / KultPlus.com