Sulmi ndaj Stivi Frashërit, Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve F. R. dhe B. K., për sulmin fizik ndaj portierit Stivi Frashëri.

Ekziston dyshimi i bazuar se “me datë 03.04.2022, rreth orës 15:20 minuta në stadiumin e qytetit në Gjilan, derisa zhvillohej ndeshja e futbollit, të pandehurit e lartcekur hynë në fushën e futbollit kinse për festimin e golit të barazimit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, me ç’rast i pandehuri F. R. e rrëzon për tokë të dëmtuarin S. F., ndërsa i pandehuri B. K., vërsulet në drejtim të dëmtuarit dhe e godet me shqelmë në fytyrë, me këtë rast i dëmtuari alivanoset dhe të njëjtin e d.ërgojnë në Emergjencën e Spitalit në Gjilan”, njofton gjykata.

“Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet tutje në njoftim. / KultPlus.com

UP paralajmëron veprime ligjore pas liturgjisë së djeshme: Po tentohet të ndikohet në procesin gjyqësor

Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate dërguar për media ka reaguar pas liturgjisë që është mbajtur dje në kishën që gjendet kampusin e UP-së.

Në këtë komunikatë, UP-ja ka thënë se liturgjinë e djeshme e shohin si ndikim në procesin gjyqësor, duke e ditur se ky institucion është në procedurë kontestimore në Gjykatë Themelore për lokacionin e ndërtimit të kishës.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së. UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor”, thuhet tutje në komunikatë, derisa, UP-ja ka paralajmëruar se do të ndërmerr veprime ligjore për këtë rast.

“Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore. UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit. Rektorati i Universitetit të Prishtinë”, përfundon komunikata.

Dje për liturgjinë që është mbajtur në oborrin e Kishës, Qeveria ka bërë të ditur se nuk kanë pasur informacione as ata e as policia e Kosovës./Express/KultPlus.com

Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës Donjeta Pajazitaj

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe deri më 23.05.2017, në fshatin Strellc i ulët Komuna e Decanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekudr si më lartë. / Gazeta Express / KultPlus.com

SHSTKK: Gati rregullorja për mënyrën e ndarjes së roleve për aktorët e teatrit

Ditë më parë është bërë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar Teatrin Kombëtar të Kosovës që të zbatojë vendimin e Inspektoriatit të Punës të vitit 2019, ku sipas të cilit, i kërkohet Teatrit Kombëtar që çështjen e ndarjes së roleve për shfaqjet e tija ta rregullojë me një rregullore të brendshme, përcjell KultPlus.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është si në vijim;

Në përgjigje të kërkesë së SHSTKK-së, Gjykata Themelore në Prishtinës-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, aprovoi kërkesën e SHSTKK-së dhe caktoi masën përmbarimore ndaj Teatrit Kombëtar.“TKK-ja obligohet që çështjen e ndarjes së roleve ta rregullojë me rregullore të brendshme ose në formë amandamentimi ta plotësojë rregulloren ekzistuese, në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi. Ky aktvendim ka efekt sekuestrimi dhe nëse nuk veprohet sipas këtij aktvendimi, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kurse pas këtij vendimi ka reaguar Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët kanë shkruar se i gëzohen këtij aktvendimi. Sipas tyre një rregullore e tillë do të ia kufizoj menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve të aktorëve në shfaqje.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e tyre të plotë:

Gati rregullorja, për mënyrën e ndarjes së roleve për aktorët e Trupës Rezidente dhe aktorët e jashtëm.

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, njofton të gjithë komunitetin artistik se pas shqetësimeve të akumuluara në vazhdimësi nga akorët për çështjen e ndarjes së roleve më të njofshëm, i gëzohet aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ,  me anë të të cilit Teatri Kombëtar i Kosovës urdhërohet ta miratoi rregulloren për mënyrën e ndarjes se roleve, për aktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm. Pas ndërhyrjeve sistematike të menaxhmentit tek regjisorët, në çështjen e ndarjes se roleve si dhe papërgjegjësisë së regjisorëve në kompletimin e ekipeve kreative të shfaqjeve, miratimi i rregullores se sipërpërmendur, tani më do të jetë një fakt i kryer.

Në mungesë të një rregulloreje të tillë, shkalla e keqpërdorimit dhe manipulimit në ndarjen e roleve ka arritur deri aty, sa janë qerasur më role shokët, dashnorët, familjarët e menaxhmentit dhe regjisorëve, janë paguar e shlyer borxhe, deri tek qerasja me role për vetën (për këtë të fundit, kemi dy raste të vërtetuara edhe nga Agjencia Kundër Korrupcion).

Keqpërdorimi në ndarjen e roleve, ka qenë evident në vazhdimësi në këtë teatër, por se viteve të fundit është shndërruar në rregull, prandaj ka lindur nevoja e domosdoshme për miratimin e një akti të tillë normativ, që e rregullon këtë procedurë.

Rregullorja si e tillë, nëpërmjet mekanizmave të saj sanksionues, do të ia kufizoi menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve aktoriale të shfaqjeve, si dhe kufizon vet regjisoret të angazhojnë aktorë bazuar në interesa private, në dëm të interesit artistik. Përkundrazi ky akt kaq i nevojshëm normativ, ju jep liri të plotë artistike regjisorëve, që të pa ndikuar nga menaxhmenti dhe nga interesat e tyre meskine, të përcaktojnë ekipet aktoriale në shfaqjet ku ata bëjnë regjinë.

Ky Aktvendim Përmbarimor nga Gjykata, është lajm i mirë për të gjithë komunitetin e aktorëve dhe artistëve skenik, por është lajm i “rënd” për të gjithë ata që e kanë shndërruar në pazar çështjen e ndarjes së roleve, duke e dëmtuar në vijimësi artistikisht dhe financiarisht Teatrin Kombëtar.

SHSTKK:/ KultPlus.com