Emërimi i Nolit peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare, 104 vjet më parë

Më 27 korrik 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Figura e Nolit pranë atdhetarëve të tij në Amerikë po fitonte rritje te menjëhershme duke i përfaqësuar ata si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston. Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop, mjaft duruam talljet e të tjerëve. Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Fan Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një fotografi ku Noli paraqitet  me veshje klerikale ortodokse./ATSH/KultPlus.com

Hudhet poshtë padia e UP-së ndaj Komunës së Prishtinës për shfrytëzimin e pronës ku gjendet Kisha Ortodokse Serbe

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë padinë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), ndaj Komunës së Prishtinës, me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest.

Me aktvendimin e 26 gushtit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë padinë e UP-së me anë të së cilës kjo e fundit kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Graçanicë, vërtetimin e së drejtës në shfrytëzim dhe kthimin në posedim të pronës në sipërfaqe prej 4.27.16 ha, në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe.

Në aktvendim thuhet se të paditurës, Komuna e Prishtinës, nuk mund t’i kërkohet t’ua kthejë paditësit në shfrytëzim pronën, të cilën nuk e ka.

“Pasi që lënda kontestuese është e drejta e shfrytëzimit të parcelës kadastrale P-07090-14 me sipërfaqe prej 4.27.16 ha, ZK Prishtinë, të cilën Komuna e Prishtinës nuk e ka, nuk mund të jetë palë në marrëdhënien kontestuese materiale-juridike, me fjalë të tjera nuk mund të kërkohet nga e paditura Komuna e Prishtinës, të ia kthejë paditësit atë që nuk e ka”, thuhet në aktvendim.

Sipas këtij vendimi, kjo pronë nuk është në kompetencë të kësaj komune, mirëpo e njëjta është në kompetencë të Agjencionit për Kadastër të Kosovës, për të cilën thuhet se zbatohen rregullat e procedurës administrative me kërkesë të bartësit të së drejtës së shfrytëzimit. https://zeri.info/inarticle.html

Po ashtu, në këtë aktvendim thuhet se kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të së njëjtit përmes kësaj gjykate.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së bërë në seancën e 26 gushtit 2021 nga përfaqësuesja e UP-së avokatja shtetërore Ilire Aydogan për përjashtimin e gjykatësit Jovica Mitroviq nga kjo çështje, e njëjta është refuzuar si e pabazuar nga kryetarja e kësaj gjykate Albina Shabani-Rama.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 29 nëntor 2015, paditësi Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, që prej datës 12 dhjetor 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Në padi thuhet se e paditura e parë Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me palanin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së dytë Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.

Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.

Gjithnjë bazuar në padi, sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se të gjitha ligjet, vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese, nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme  pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet, vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Me anë të kësaj padie UP-ja, po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të së drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë.

Po ashtu, me këtë padi kërkohet të detyrohen dy të paditurat që atij t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat atij t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës. /betimipërdrejtësi/KultPlus.com

Publikohen pamjet nga ndërtimi i kishës te UP-ja, në ceremoni kishte marr pjesë edhe Arkani (VIDEO)

Ishte dimër i vitit 1992. Serbët, për provokim dhe si tregues i forcës, kishin vendosur që në kampusin e Universitetit të Prishtinës të ndërtonin një kishë ortodokse.

Ndërhyrja në oborr të universitetit me ndërtimin e kësaj kishte ishte aq brutale sa pamjet që duken në videon e publikuar nga Albanian Post, të ditës së gurthemelit.

Diku dëgjohen këngë fetare ortodokse, pak më larg hidhen plumba në ajër, derisa në turmën e njerëzve shihen edhe kriminelë, si udhëheqësi i Paramilitarëve Serbë, Zheljko Razantovic, i njohur me nofkën Arkan.

Udhëheqësi i grupit famëkeq “Tigrat”, që më vonë ishte akuzuar për dhjetar krime kundër njerëzimit, përfshirë masakra, qindra vrasje dhe krime të tjera, shihet i rreshtuar duke dëgjuar një fjalim mallkues të një kleriku serb.

“Mallkuar qoftë secili pjesëtar i Malit të Zi – tri herë, ose tre mijë herë që nuk i beson nënës Rusi”, thotë kleriku në një pjesë të videos së shkurtër, derisa të tjerët i duartrokasin.

Jo më në acarin e dimrit, por në temperaturat e pranverës, 19 vjet më vonë, në të njëjtën hapësirë, në Kosovën shtet të Pavarur, klerikët serbë kanë mbajtur përsëri liturgji fetare.

Ceremonia u mbajt të enjten, derisa objekti që serbët i thonë “Krishti Shpëtimtar”, ende vazhdon të jetë një objekt pa leje.

Kjo liturgji, shënon edhe herën e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare. E fundit ishte mbajtur në luftë. Në vitin 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, tha të enjtën Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Por, Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit. /albanianpost/ KultPlus.com

UP paralajmëron veprime ligjore pas liturgjisë së djeshme: Po tentohet të ndikohet në procesin gjyqësor

Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate dërguar për media ka reaguar pas liturgjisë që është mbajtur dje në kishën që gjendet kampusin e UP-së.

Në këtë komunikatë, UP-ja ka thënë se liturgjinë e djeshme e shohin si ndikim në procesin gjyqësor, duke e ditur se ky institucion është në procedurë kontestimore në Gjykatë Themelore për lokacionin e ndërtimit të kishës.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së. UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor”, thuhet tutje në komunikatë, derisa, UP-ja ka paralajmëruar se do të ndërmerr veprime ligjore për këtë rast.

“Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore. UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit. Rektorati i Universitetit të Prishtinë”, përfundon komunikata.

Dje për liturgjinë që është mbajtur në oborrin e Kishës, Qeveria ka bërë të ditur se nuk kanë pasur informacione as ata e as policia e Kosovës./Express/KultPlus.com

Pas 20 vjet betejë me ligjin, boshnjakes i hiqet kisha serbe nga oborri (VIDEO)

Autoritetet boshnjake kanë rrënuar një kishë ortodokse serbe që ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e një gruaje boshnjake.

Deri te ky vendim erdhi pas një beteje ligjore 20 vjeçare pasi rasti shkoi deri te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, përcjell KultPlus.

Punëtorët dhe makineritë e ndërtimit arritën në oborrin e Fata Orloviq në fshatin Konjevic Polje, mëngjesin e hershëm të kësaj të të shtunën herët. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në tetor të vitit 2019 që autoritetet duhet të rrënonin kishën.

Në vendim gjithashtu u obliguan autoritetet e Bosnjës që të paguajë dëmet familjes Orloviq që arrin në 31,000 euro, shkruan AP, përcjell tutje KultPlus.

Kisha u ndërtua menjëherë pasi Orloviq dhe familja e saj u dëbuan nga fshati, 20 kilometra në lindje të Srebrenicës gjatë Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995. Familja është myslimane boshnjak u shpërngul bashkë me gjithë fshatin që u mor nga serbët e Bosnjës.

Burri i Orloviq ishte në mesin e rreth 8000 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në gjenocidin e Srebrenicës së vitit 1995.

Srebrenica u njoh si gjenocid ndërkombëtarisht si gjenocidi i vetëm që ndodhi që nga Lufta e Dytë Botërore. Kërkesa e Orloviq që të rrënohej kisha pas ajo u kthye në shtëpi u injorua. Në vitin 2000, ajo nisi një procedurë legale për të detyruar autoritet e Republikës Srpska të pajtohet për rrënimin e saj.

Më shumë 100,000 njerëz u vranë në konflikt dhe miliona të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com

Konkurs ndërkombëtar i fotografisë “Ngjyrat e Orthodhoksisë. Shqipëria”

Të gjithëve ju që jeni të pasionuar pas fotografisë ju njoftojmë se Konkursi Ndërkombëtarë i Fotografisë “NGJYRAT E ORTHODHOKSISË. SHQIPËRIA” është hapur.

Konkursi organizohet nga Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë, portali OrthPhoto.net dhe Departamenti i Botimeve i Kishës Ortodhokse të Polonisë dhe ka si qëllim të paraqesë diversitetin dhe bukurinë e Orthodhoksisë në Shqipëri.

Konkursi do të kulmojë me botimin e një albumi artistik në katër gjuhë dhe me çeljen e një ekspozite në Shqipëri.

Ju ftojmë t’i bashkoheni konkursit të fotografisë, duke paraqitur deri në 6 fotografi për secilën nga kategoritë e mëposhtme:

1.Kisha (arkitekturë, afreske, kryqe, kisha në natyrë, peizazhe, etj.).

2. Njerëz (klerikëdhe laikë, portrete, etj.).

3. Reportazhe (ngjarje kishtare, pelegrinazhe, të kremte fetare).

4. Ringjallja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri (kjo kategori fotografike synon të pasqyrojë udhëtimin e “Ringjalljes” së Kishës Orthodhokse në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit ateist).

Konkurruesit duhet të dërgojnë fotografitë e tyre deri në datën 15 korrik 2019, në adresën elektronike: [email protected].

Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë.

Merrni pjesë në konkursin tonë të fotografisë dhe fitoni çmimet e mëposhtme:

Grand Prize: 600 €

Çmimi i parë për çdo kategori: 200 €

Çmimi i dytë për çdo kategori: 100 €

Çmimi i tretë për çdo kategori: 50 €

Çmimi i nderit: Një album fotografik nga botimet e partnerëve tanë. (Numri i çmimeve të nderit do të vendoset nga juria).

Për më tepër detaje rreth konkursit, rregullave dhe çmimeve, na vizitoni në adresën e mëposhtme: www.albania.orthphoto.net si dhe në faqen tonë në Facebook: Colours of Orthodoxy. Albania (@albaniacoloursoforthodoxy)

Afati i dorëzimit: 15 korrik 2019

Instituti i Monumenteve sqaron Kishën Ortodokse mbi inspektimin e punimeve restauruese në kishën e Labovës

Instituti i Monumenteve të Kulturës sqaron opinionin publik dhe autoritetet e nderuara të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë lidhur me deklaratën e saj të djeshme për Kishën e Labovës së Kryqit.

Në datë 19 tetor2017, nga ana e IMK u organizua një inspektim i punimeve restauruese në kishën e Labovës së Kryqit, me praninë e drejtores së këtij instituti dhe ekspertëve restauratorë për të kryer një konsultë mbi problematikën konstruktive të monumentit.

Kjo vizitë u pasqyrua në faqen sociale të Institutit të Monumenteve ku gjenden të botuara disa foto nga ky inspektim.

Gjatë këtij inspektimi, në oborrin e kishës u vu re se po zhvillohej një meshë lutjesh lehtësimi për një grup personash me probleme të ndryshme shëndetësore dhe turistësh italianë. Vizita e turistëve dhe inspektimi i inxhinierëve kanë qenë krejt pa lidhje me njeri-tjetrin dhe thjesht një rastësi e çastit.

Theksojmë se Ministria e Kulturës nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë.

Kjo kishë dhe shumë kisha të tjera me vlera kulturore, janë rregullisht destinacione të turistëve dhe vizitorëve nga më të ndryshmit. Ministria e Kulturës kujdeset për ruajtjen e objekteve te kultit si trashëgimi kulturore, për restaurimin dhe promovimin e tyre, por ato përdoren nga banorët dhe prifti i zonës për shërbesat e tyre si dhe vizitohen lirshëm nga turistë vendas dhe të huaj.

Shprehim keqardhjen për këtë keqkuptim të panevojshëm ndonëse institucionet shtetërore nuk kishin dijeni për të.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i konfirmojnë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë respektin maksimal dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore dhe për ruajtjen e harmonisë fetare në territorin shqiptar./ KultPlus.com