Një vit nga Lojërat Mesdhetare: Taranto gati të zbulojë numërimin mbrapsht drejt vitit 2026

 Magjia e sportit dhe emocioni i një sfide të madhe ndërkombëtare do të ndizet në Taranto: pikërisht një vit nga Ceremonia e Hapjes së Lojërave të XX Mesdhetare Taranto 2026, qyteti mikpritës do të zbulojë numërimin zyrtar mbrapsht në një ceremoni të organizuar përpara Pallatit të Qytetit, selia historike e Bashkisë.

Një ngjarje simbolike që do të shënojë nisjen zyrtare të rrugëtimit drejt një prej takimeve sportive më të rëndësishme në historinë e Jugut të Italisë. Në mbrëmje do të jenë të pranishëm Presidenti i Komitetit Organizator Massimo Ferrarese, Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare Davide Tizzano, Kryetari i Bashkisë së Tarantos Piero Bitetti për të ndarë me qytetarët hapin e parë emocionues të një viti që do të sjellë qytetin nën dritën e reflektorëve të Mesdheut, duke nisur nga 21 gushti 2026, ora 20:00, me ceremoninë e hapjes së Lojërave.

Momenti qendror i mbrëmjes do të jetë zbulimi zyrtar i orës së numërimit mbrapsht, e cila do të shënojë saktësisht -365 ditë nga Ceremonia e Hapjes së Lojërave. Me një spektakël mbresëlënës mes dritave, muzikës dhe emocioneve të përbashkëta, ky numërim mbrapsht do të përfaqësojë simbolin konkret të pritjes dhe përgatitjes për ngjarjen. Një pikë referimi e gjallë dhe e vazhdueshme për qytetarët, sportistët dhe partnerët e tre kontinenteve, dëshmi konkrete e përkushtimit kolektiv që frymëzon Taranto 2026.

“Ky moment përfaqëson shumë më tepër se nisjen e një numërimi mbrapsht. Është simboli i një angazhimi të përbashkët: i një komuniteti, i një territori, i një familjeje të madhe mesdhetare që beson te sporti si forcë që bashkon, frymëzon dhe ndërton. Taranto 2026 do të jetë një festë e ekselencës dhe e bashkëpunimit dhe ky moment shënon nisjen e saj zyrtare”, deklaroi Presidenti Ferrarese.

Një homazh për të rinjtë dhe talentin tarantinas: ceremonia do të përfshijë Orkestrën Rinore të Magna Grecia-s, e zgjedhur për të vlerësuar artistët e rinj të qytetit dhe për të ndërthurur sportin me kulturën në një rrëfim të vetëm identitar. Drejtimin e ngjarjes do ta marrë gazetarja Monica Caradonna, një zë i njohur i gazetarisë dhe tarantine e shquar, e cila do të udhëheqë edhe një bisedë me disa sportistë të mëdhenj të territorit, dëshmitarë të vlerave të sportit si mënyrë jetese.

Për të kurorëzuar mbrëmjen, Kështjella madhështore Aragonese do të ndriçohet me ngjyrat e Italisë dhe simbolet e Lojërave Mesdhetare, duke ofruar një skenë spektakolare mes qiellit dhe detit.

“Numërimi mbrapsht që inaugurojmë sonte është një ftesë drejtuar të gjithë qytetarëve për t’u ndjerë pjesë e këtij rrugëtimi që do të hapë dyert për ngjarjen e madhe ndërkombëtare. Qyteti ynë është gati të përballojë këtë sfidë me përgjegjësi të madhe, por edhe me krenari. Lojërat Mesdhetare nuk përfaqësojnë vetëm një ngjarje të madhe sportive, por një mundësi për t’ia treguar botës fytyrën më të mirë të qytetit tonë: historinë e tij, kulturën e tij, mikpritjen e tij. Viti 2026 do të jetë viti kur Taranto do t’i tregojë Mesdheut dhe botës pasionin dhe vendosmërinë e saj,” – theksoi Kryetari i Bashkisë Bitetti.

“Në këtë 21 gusht, gjendemi saktësisht një vit nga Ceremonia e Hapjes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 — një datë me kuptim të thellë simbolik, që shënon nisjen e kapitullit përfundimtar të përgatitjes sonë. Sot inaugurojmë zyrtarisht numërimin mbrapsht drejt një ngjarjeje që do të bashkojë 26 kombe dhe tre kontinente në një festë sporti, kulture dhe miqësie.

Prej 75 vitesh, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka mbajtur gjallë një trashëgimi për të cilën jemi krenarë. Që nga edicioni i parë në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare kanë qenë shumë më tepër se një garë sportive. Ato janë një urë mes popujve, një dëshmi e historisë sonë të përbashkët dhe një mishërim i gjallë i vlerave të Olimpizmit: ekselencë, respekt dhe solidaritet. Në dekada ato kanë frymëzuar breza sportistësh, kanë nxitur mirëkuptimin mes kulturave të ndryshme dhe kanë forcuar lidhjet që bashkojnë familjen tonë mesdhetare.

Kjo ditë përfaqëson festën tonë të parë publike për Taranto 2026 dhe është një ftesë për unitet në gjithë rajonin tonë. Pas saktësisht 365 ditësh, bota do të shohë hapjen e Lojërave — një moment që do të shkruajë një kapitull të ri në historinë tonë të pasur. Të ecim përpara së bashku, me vendosmëri dhe krenari, drejt Lojërave që do të nderojnë të kaluarën tonë dhe do të frymëzojnë të ardhmen tonë,” – deklaroi Presidenti Tizzano.

Lojërat e XX Mesdhetare do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026, me 32 sporte dhe 5.000 atletë nga 26 vende të Evropës, Afrikës dhe Azisë./atsh/ KultPlus.com

Kosova shpreh interesim për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.

Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.

Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) përmes uebfaqes së vetë zyrtare, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas këtij të fundit, dy Komitetit Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.

E më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vetë zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo.

Pra, Prishtina mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.

Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta. / KultPlus.com

KOK shpërblen medalistët e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 15-të tij, në të cilën shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.

Ndër pikat e shumta veçohet shpërblimi i ndarë për medalistët e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”.

Më poshtë i gjeni vendimet e dala nga mbledhja:

– Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 u vlerësua sukses i madh për ekipin tonë, i cili fitoi gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, me sportet e xhudos (pesë) dhe boksit (një).

– U vendos të shpërblehen sportistët që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare Oran 2022. Medalistet e arta, xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, do të shpërblehen me nga dy mijë euro, ndërsa medalistët e bronztë, boksieri Shpejtim Bajoku dhe xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha, do të shpërblehen me nga një mijë euro. Trajnerëve do t’u takojë gjysma e shpërblimit të sportistit. Në total, shuma e ndarë është 13500 euro.

– U miratua raporti financiar për periudhën TM1

– U vendos që anëtari i BE, Bujar Turjaka, të përfaqësojë KOK-un në cilësinë e anëtarit të komisionit për licencimin e federative sportive, komision ky i formuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.

– Shefi i misionit, Jeton Rudari, raporti për përgatitjet e pjesëmarrjes së ekipit të Kosovës në Festivalin Evropian Veror për të Rinj (EYOF), që prej 24-30 korrik 2022 mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë.

– U vendos që xhudistja, Fatjona Kasapi, Shpresë Olimpike 2022, të mbështetet me një mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit.

– U aprovua kërkesa e Federatës së Karatesë së Kosovës për karateistin Elhami Shabani, i cili rekomandohet në MKRS për marrjen e shpërblimit, pas medaljes së bronztë të fituar në Kampionatin Evropian 2021, të mbajtur në Stamboll të Turqisë. /KultPlus.com

Driton Kuka: Xhudo gjithmonë për vendin tonë dhe popullin shqiptar

Kosova ka arritur që të fitojë edhe një medalje tjetër në kuadër të Lojërave Mesdhetare, shkruan KultPlus.

Medalja e gjashtë për Kosovën erdhi nga xhudistja Loriana Kuka, e cila fitoi të artën me paraqitje të shkëlqyeshme.

Trajneri Driton Kuka, ka shkruar në “Facebook” se xhudo gjithmonë për vendin tonë dhe popullin shqiptar.

Postimi i plotë:

“Day 3 …
Medalja nr 5 🥇🥇🥇🥉🥉
Loriana e artë 78 kg
Lojërat Mesdhetare Algjeri
Xhudo gjithmonë për vendin tonë dhe popullin Shqiptar”, thuhet në postim. /KultPlus.com

Akil Gjakova kualifikohet në zonën e medaljeve

Akil Gjakova e nis mbarë dhe kualifikohet në zonën e medaljeve në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Xhudisti nga Kosova fitoi me ippon ndaj grekut Michail Tsoutlasvili, kategoria -73 kg.

Ndërkaq, raundin e parë Akili e kishte kaluar pa luftë.

Kjo është dita e pestë e sportistëve nga Kosova në LM Oran, derisa dje kanë arritur që t’i fitojnë 3 medalje. /KultPlus.com

Sot fillon rrugëtimi i garuesve të Kosovës në ‘Lojërat Mesdhetare’

Garuesit e Kosovës do të fillojnë garat mesdhetare në Oran të Algjerisë, ku lojërat do të zgjasin nga 25 qershor deri në 5 korrik, shkruan KultPlus.

Ekipi i Kosovës është në përbërje prej 39 sportistëve, 16 trajnerëve dhe tre gjyqtarëve.

Xhudo
Distria Krasniqi (-52 kg)
Akil Gjakova (-73 kg)
Loriana Kuka (-78 kg)
Laura Fazliu (-63 kg)
Flaka Loxha (-57 kg)
Erza Muminoviq (-48 kg)
Arbër Kullashi (-81 kg)
Shpati Zekaj (-100 kg)
Trajnerë: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi
Boks
Donjeta Sadiku (-60 kg)
Bashkim Bajoku (-52 kg)
Shpetim Bajoku (-63 kg)
Patriot Behrami (-69 kg)
Lorent Murati (-57 kg)
Trajnerë: Besim Brahimi dhe Faton Xhakli
Mundje
Egzon Shala (-125 kg)
Alban Sopa (-74 kg)
Trajner: Sylejman Shala
Karate
Elhami Shabani (-75 kg)
Fortesa Orana (+68 kg)
Melos Gashi (-84 kg)
Albulenë Gërvalla (-55 kg)
Adelina Rama (-61 kg)
Trajner: Ylber Syla dhe Nazmi Gashi
Atletikë
Muhamet Ramadani (hedhje e gjylës)
Astrit Kryeziu (800 m.)
Gresa Bakraqi (3000 m.)
Alaudin Suma (hedhje e diskut)
Trajnerë: Shaban Ramadani dhe Bajram Duja
Not
Alush Telaku (flutur: 100m., 200m., 50m)
Vanesa Beka (bretk. 50m. dhe 100m.)
Trajner: Kujtim Kito
Shigjetari
Hazir Asllani (70m. ind)
Edi Dvorani (70m. ind)
Valmir Gllareva (70m. ind)
Trajner: Fehmi Bylykbashi
Shenjëtari Sportive
Nexhat Sahiti (10 m. pist. ajër)
Drilon Ibrahimi (10 m. pushk. ajër)
Trajner: Fehmi Berisha
Taekwondo
Arbër Azemi (-68 kg)
Arbër Bajra (-80 kg)
Trajner: Nuhi Gashi
Tenis
Vesa Gjinaj
Vullnet Tashi
Trajner: Jeton Hadërgjonaj
Pingpong
Fatih Karabaxhak
Kreshnik Mahmuti
Trajner: Dardan Imami
Gjimnastikë
Elvis Çitaku
Valëza Rama
Trajner: Abeliana Bregu dhe Besart Maqastena

Badminton

Rinor Gllareva
Trajner: Lulëzim Haziri
Gjyqtarë:
Latif Demolli (boks)
Fatmir Salhija (xhudo)
Besart Vitia (karate) /KultPlus.com