Infektologu Raka: Mos përdorni antibiotikë kundër COVID-19 edhe nëse ju përshkruan doktori

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se përdorimi i antibiotikëve kundër COVID-19 ka qenë problem edhe në Kosovë por edhe në botë.

Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos përdorin antibiotikë për ta luftuar coronavirusin, njofton Klankosova.tv.

“COVID-19 shkaktohet nga virusi dhe antibiotikët nuk kanë kurrfarë efekti në parandalimin e tij. Nuk jepen antibiotikët”, është shprehur ai.

“Këto ditë do të dalë udhërrëfyesi klinik për trajtimin e COVID-19 ku një kapitull i është kushtuar coronavirusit. Antibiotikët janë marrë kotë për ta trajtuar COVID-19. Antibiotikët jepen nëse të njëjtën kohë ke infeksion bakterial. Mos përdorni antibiotikë edhe nëse ju përshkruan doktori”, ka thënë Raka./KultPlus.com

Raka: Vaksina rruga e vetme për t’u kthyer në normalitet

Në javën e imunizimit në botë, UNICEF ka organizuar një bashkëbisedim më epidemiologun Lul Raka, me të cilin u diskutua imunizimi me vaksinim të rregullt, dhe imunizimi nga COVID-19.

Vaksinat AstraZeneca të cilat u dhanë qytetarëve të Kosovës, sipas Lul Rakës pas 21 ditëve nga doza e parë të mbron 100% nga vdekja, ku edhe përmendi se qëllimi i vaksinimit është parandalimi i vdekjes, rihapja e shoqërisë dhe eliminimi i sëmundjes.

Ne këtë bashkëbisedim epidemiologu Lul Raka foli për rëndësinë e vaksinimit të rregullt tek fëmijët, vaksinim i cili për shkak të pandemisë është lënë anash duke e shtuar kështu rrezikun e shpërthimit të fruthit, paralizës së fëmijëve dhe lijës.

“Qëllimi i imunizimi me Covid-19 prej fillimit lajm i jashtëzakonshëm ka qenë sigurimi i vaksinës. Qëllimi kryesor ka qenë me ndal vdekjet. Unë thash që kategoria më e rrezikuar ka qenë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duke e ndalur vdekshmërinë, duke imunizu edhe për këtë arsyeje jo vetëm në Kosovë por edhe bota fokusin e ka pas tek imunizimi i të moshuarve mbi 65 vjeç[…]Vaksinat të cilat janë në përdorim në Kosovë është AstraZeneca për momentin, vetëm një dozë e AstraZeneca e cila merret pas 21 ditëve të mbron 100% nga vdekja[…]Qëllimi tjetër për vaksinim është edhe hapja e shoqërisë edhe e fundit është eliminimi i sëmundjes”, tha ai

Raka tha edhe se COVID-19 përpos vështirësive që ka shkaktuar në sistemin e shëndetësisë, problem ka shkaktuar edhe në vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke e shtuar kështu rrezikun për afër 20 sëmundje që mund të u ngjiten fëmijëve të pa imunizuar.

“Problemet që i ka shkaktuar në fillim COVID-19, sidomos në fillim kur ka qenë frika dhe paniku në maksimum edhe në atë fazë por edhe më vonë edhe tash kanë pësu një gamë të gjerë të pacientëve të tjerë që vuajnë prej sëmundjeve të tjera. Nuk e kemi veç COVID-in, kur jemi tek sëmundjet vaksinë parandaluese, sëmundje që mund të ndalen me vaksinë këtu janë afër 20 sëmundje tilla të cilët shkaktohen jo vetëm prej viruseve por edhe prej baktereve shkaktohen për të cilat ka shërim dhe kjo bëhet përmes vaksinave, gjatë kësaj pandemie imunizimi i rregullt është godit shumë”, tha ai

Raka tha se fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse, ku një person i infektuar mund t’i infektojë 16 deri 18 persona të pa imuniziuar. Andaj prindërit që nuk kanë arritur të kryejnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre mund të vazhdojnë vaksinimin duke u lajmëruar në QKMF-të më të afërt

“Edhe nëse ka vonesa (për vaksinim të rregullt) munden me mbërri prapë se prapë kalendarin duke u lajmërua në QKMF-të më të afërta[…]5-6 vitet e kaluara kemi pas shpërthime të fruthit jo vetëm në Kosovë po në krejt rajonin edhe ka ndodh pikërisht sepse nuk janë imunizu një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Fruthi është një prej sëmundjeve ma ngjitëse nga të gjitha viruset. Mesatarisht një i sëmurë me COVID i infekton 2 deri në 3 persona të tjerë, te fruthi, një person i infektuar me fruth i infekton 16 deri 18 të tjerë të cilët nuk janë të imunizuar”, tha ai.

Për të u kthyer në normalitet, Raka tha se për shpëtimi i jetës së njerëzve, shmangia e shtretërve spitalorë, hapja e teatrove, stadiumeve dhe dasmave zgjidhja e vetme është vaksinimi

“Faktori më i rëndësishëm është imunizimi dhe mbrojtja e fëmijëve tanë. Vaksina është rruga e vetme e kthimit në normalitet e shpëtimit të jetës së njerëzve e shmangies së shtretërve spitalorë e kthimit në punë, në teatër, stadium, dasma po e përsëriti prapë andaj vaksinohuni”, ka theksuar Raka në bashkëbisedimin e organizuar nga UNICEF në javën e imunizimit në botë. / KultPlus.com

Reagon Raka pas vendimit të Qeverisë për lirimin e masave: Asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë

Përderisa Qeveria Hoti sot ka bërë lirimin e masave anti-Covid, mikrobiologu, Lul Raka ka reaguar duke thënë se për këto vendime nuk është konsultuar askush me Instutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, shkruan KultPlus.

Si kryesues i bordit ai ka thënë se këto masa nuk janë marrë me rekomandimin e Institutit në fjalë, ashtu siç po thuhet në media.

“E shoh të arsyshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë”, ka shkruar Raka.

Tutje, mikrobiologu ka përmendur se tanimë në kohë fushate është duke u bërë shkelja masive e masave anti-Covid.

“Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtritjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë”.

Raka ka thënë se është kundër lirimit të masave në këtë kohë. / KultPlus.com

Lul Raka: Na pret një dimër i vështirë

Në Kosovë situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit, pasi të enjten (29 tetor) janë konfirmuar 284 të infektuar me koronavirusin e ri. E nëse vendi vazhdon me këtë trend, Kosovën sipas mikrobiologut, Lul Raka mund ta pres një dimër i vështirë.

“Do të jetë dimër i rëndë. Do ta kalojmë. Bashkë i kemi kalua edhe disa dimra tjerë. Urojmë që ta kalojmë me sa më pak viktima”, ka deklaruar Raka.   

Raka i ftuar në ‘Frontal’ tel Arsim Lani është shprehur se mbyllja totale e vendit mbetet opsioni i fundit. Megjithatë, Raka ka thënë se cilido subjekt afarist, qoftë kafieri që nuk i respekton masat anti-Covid, duhet të mbyllet, transmeton KultPlus.

Ai po ashtu tregon edhe për rastet kur një komunë apo zonë e caktuar paraqet rrezik të përhapjes së Covid-19.

“Kushdo që nuk i respekton masat, duhet të mbyllet. Bordi ka propozuar që të ketë adresim të problemit në mënyrë propercionale. Grupi i parë, nëse janë më pas se 200 raste në 100 mijë banorë brenda një jave atëherë është kategori e gjelbër. Në këtë rast rritet puna e inspektoratit e akterëve të tjerë. Pra rritet mbikëqyrja. Në zonën e portokalltë është nëse brenda një jave janë mbi 200 raste në 100 mijë banorë. Në zonën e portokalltë është Prishtina. Mendojmë se adresimi i masave të parandalimit duhet të jetë proporcional.  Ne kemi propozu që nëse ka përhapje të madhe në komunitet të mbyllen shkollat ku ka raste”, thotë Raka.

 Raka është shprehur se rastet e fundit kanë qenë raste të pritshme. Thotë se këtë situatë ekspertët e kanë paralajmëruar qysh para gjashtë muajve. Thotë se mbyllja totale mbetet opsioni i fundit.

“Ecuria ka shku shumë ma mirë se që e kemi parashikua tek shkollat. Sistemi i tre ngjyrëshit ka shkuar shumë mirë. Përkeqësimi i motit e rritë numrin e rasteve, dhe elementi i tretë është sezoni i gripit. Rritja është e dukshme ditëve të fundit. Rreziku më i madh i përhapjes së Covidit është në kafiteri”, ka deklaruar Raka.

“Ditëve të fundit e kemi pa që edhe në Kosovë që përveç kafiterive, kemi pa që numër të konsiderueshëm të infektimeve me Covid ka pasur edhe në administratë”, ka deklaruar tutje Lul Raka. / KultPlus.com

Lul Raka: Valën e dytë të COVID-19 e kemi kaluar në gusht

Rritja e rasteve të koronavirusit në Kosovë nuk duhet të përbëjë shqetësim, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka dalur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore, thotë mikrobiologu Lul Raka.

Nga 12 deri më 23 tetor, në Kosovë janë regjistruar 1,412 raste të reja me COVID-19, kurse 12 persona kanë vdekur.

Kosova është duke u përballur me pandeminë tash e 8 muaj, kurse masat parandaluese si bartja e maskës, higjiena e duarve e mbajtja e distancës ende janë në fuqi.

Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie.

Në dy javët e fundit në vend është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Megjithëkëtë, mikrobiologu Lul Raka tha se kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim as për autoritetet e as për popullatën, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka ardhur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore.

Ai thotë se përqindja e të infektuarve, karshi të testuarve sillet rreth 12 për qind.

‘’Ka një rritje të lehtë të numrit të të infektuarve, por që është stabile. Nëse krahasohet me dy javët e fundit, në javën e parafundit kanë qenë 3,600 teste të kryera, javën e fundit është rritur ky numër në 6,300 dhe dje kemi pasur mbi 1,200 teste”.

“Pra, rritja e lehtë e të infektuarve nuk duhet të shkaktojë panik, as tek vendimmarrësit e as te populli, por duhet shikuar parametra të rëndësishëm si rritja e të testuarve. Dje (më 22 tetor) kanë qenë 12 për qind të infektuar nga numri i përgjithshëm i të testuarve, dy javët e kaluara kanë qenë rreth 10 për qind dhe nuk ka rritje substanciale. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet vazhduar me masat parandaluese’’, tha Raka.

Ndryshe, në Evropë, numri i rasteve të reja ka shkuar deri në 100 mijë çdo ditë. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë situata përbën shqetësim të madh.

Vala e dytë e koronavirusit ka dyfishuar rastet e reja në dhjetë ditët e fundit.

Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, rajoni ka kaluar 200,000 raste të reja brenda një dite, për herë të parë më 22 tetor.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në kontinent aktualisht qëndron në 5.3 milionë, ndërsa numri i viktimave është afër 205,000.

Maskat i ndihmuan Kosovës

Por, çka ka ndikuar realisht në stabilizimin e gjendjes me infeksionin e koronavirusit në Kosovë? Lul Raka thotë se janë disa faktorë, derisa përmend mbajtjen e maskës si armë kryesore.

‘’Faktorët që kanë ndikuar në stabilitet mendoj se ka shumë, por dy kryesor janë zbatimi i masave nga ana e qytetarëve sidomos nga muaji gusht, në radhë të parë maskat, higjiena e duarve, por edhe fuqizimi i kapaciteteve të inspektimit. Edhe pse në këtë fushë ende ka hapësirë të mjaftueshme për të intervenuar’.

A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?

‘Kjo valë është valë e re që ndërlidhet me sezonin vjeshtë -dimër, dhe mendoj që valën e dytë e kemi kaluar në muajt korrik e gusht”, thotë ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se përkundër inspektimeve për respektimin e masave për kontroll të pandemisë, vetëdija e qytetarëve po del të jetë në nivel, duke e marrë parasysh frenimin e infeksionit.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, bëri të ditur se testimi i njerëzve me simptoma, si dhe rasteve të kontaktit, mbajtja e distancës, e maskës, do të bëjë që pandemia të jetë nën kontroll. Ai tha se tashmë në stok i kanë më shumë se 100 mijë teste në dispozicion për qytetarët e Kosovës.

‘’Ajo që mbetet fokusi kryesor i institucioneve shëndetësore është të ulim numrin e të vdekurve si dhe ta mbajmë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale me një ngarkesë sa më të ulët të të hospitalizuarve. Kjo arrihet me bartje të drejtë të maskës, ruajtjes së distancës”.

“Përtej institucioneve, secili qytetar të bëhet inspektor i vetvetes në mënyrë që të angazhohemi ta mbajmë nën kontroll pandeminë, kur dihet se në gjithë botën kanë vështirësi serioze’’, tha Hoti.

Qytetarët për normalitetin e ri

Gentiana Krasniqi, 29 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se maska tashmë është kthyer në normalitet dhe në bazë të asaj se çka vlerësojnë zyrtarë të OBSH-së, maska duhet mbajtur deri në zbulimin e vaksinës në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.

Qindra euro për mjekim nga COVID-19

‘’Mendoj që qytetarët janë lodhur sidomos me vendosjen e maskave, ndonëse masat tjera mendoj që nuk janë duke u respektuar me përpikëri. Por, mendoj se qytetarët janë vetëdijesuar që duhet të bartet maska. Në këtë aspekt lufta me COVID-19 bëhet më e lehtë nëse secili e bën kulturë bartjen e maskës, higjienën e duarve dhe mbajtjen e distancës’’, tha ajo.

Nexhmije Ahemti, 43 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se ka respektuar me përpikëri masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndonëse thotë se tashmë po ndjen lodhje nga pandemia, pasi ka kaluar një kohë e gjatë.

‘’Vetë vendosja e maskës është njëfar lodhje, por që kur është në pyetje shëndeti dhe mospërhapja e virusit, patjetër që duhet të respektohet, në mënyrë që t’i përballojmë këto vështirësi në respektim të masave”, tha ajo.

Ndërkaq, Jehona, një tjetër qytetare, thotë se ndonëse u bë kohë e gjatë që kur vazhdimisht e bartë maskën, maska vazhdon të jetë e domosdoshme për faktin që të ruhet shëndeti i secilit.

’U bënë më shumë se 8 muaj që nga fillimi i pandemisë dhe natyrisht është pak e bezdisshme bartja e maskës për një kohë të gjatë, por duke e ditur rrezikun që ka virusi është më mirë të bartet maska sesa të rrezikojmë veten dhe familjet tona’’, tha ajo.

Ndryshe, sipas mikrobiologut Lul Raka, masat parandaluese do të zgjasin deri tek zbulimi i vaksinës për COVID-19. Prej rezultateve dhe hulumtimeve të vaksinave në mbarë botën është thënë që periudha optimale do të jetë fundi i vitit. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Lul Raka zgjedhet kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka është zgjedhur kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Lajmin e bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook.

“Themelova Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues. Një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh. Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj thotë se bordi do të jetë organ profesional këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid19”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shtuar se të gjitha propozimet nga ky bord do të vlerësohen dhe rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/ IKSHP sipas legjislacionit në fuqi. / KultPlus.com

Raka: E kemi fituar betejën por jo luftën, virusi do të zhduket me zbulimin e vaksinës

Zhdukja e tërësishme e  Coronavirusit mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina e që mund të zgjasë deri një vit.

Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online,  mikrobiologu Lul Raka, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se zhdukja e pandemisë mund të ndodhë pasi të gjendet vaksina, e që mund të zgjasë një vit.

Raka ka thënë se duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por duke pasur kujdesin maksimal. Sipas tij, Kosova e ka fituar betejën kundër Coronavirusit, por jo ende luftën.

“Pandemia mund të mundet kur të gjendet vaksina, e cila është e sigurt dhe është efikase dhe kur ka mundësi të prodhohet në mënyrë masive, sepse në qoftë se vjen deri në një vaksinë të tillë ajo merr një vit. Ne duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por, duke pasur kujdesin maksimal”, shtoi Raka.

Profesori Raka, ka thënë se mund të ketë valë të dytë dhe të tretë të virusit, duke marrë shembull vendet e tjera si Singapori që ka pasur valë goditëse të dytë për shkak të neglizhimit të masave.

Raka theksoi se në valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin  e ardhshëm të përgatitet në maksimum edhe me teste, pajisje personale dhe kapacitete menaxhuese, në mënyrë që përgatitja të jetë maksimale dhe të mos ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me Coronavirusin do të ketë edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Po mund të kemi valë të dytë dhe të tretë të virusit. Na e kemi parë prej shteteve të tjera që kanë hyrë së pari në këtë cikël. Në Singapor pasi ka përfunduar cikli i parë ka pasur valë goditëse të valës së dytë për shkak të neglizhimit të masave. Ka ndodhur 1 mijë e 500 raste ne konvikt të punëtorëve i cili ka qenë i mbipopulluar. Për këtë arsye masat parandaluese janë shumë të rëndësishme, sepse raste mund të ketë por mos të ketë rritje enorme dhe këto raste të jenë të menaxhueshme. Por në stadin e dytë që do të ndodh në sezonin e ardhshëm sepse virusi nuk mund të zhduket sepse tashmë është në pjesë të tjera të botës në ato jugore ku fillon dimri. Ne kemi parë në Kinë që ka pasur raste të reja”.

“Na valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin  e ardhshëm që të përgatitet në maksimum edhe me teste dhe pajisje personale, kapacitete menaxhuese, në mënyrë që në valën e dytë të jemi sa më të përgatitur, sepse do të dimë si të reagojmë dhe ky është një element pozitiv. Një pjesë e njerëzve veç janë infektuar dhe ende nuk e dimë se sa për qind, mirëpo deri atëherë përmes testeve do ta dimë sa është përqindja e popullatës që është prekur. Në valën e dytë nuk do të ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me Coronavirusin do të kemi edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, në vjeshtë dhe dimër”, shtoi ai.

Sipas tij, nëse krahasohet numri i rasteve të hospitalizuar dhe të vdekjeve Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve situatën me Coronavirusin.

Raka foli edhe për kapacitetet e Kosovës që kanë munguar investime në Shëndetësi qe 20 vjet. Ai përmendi edhe mungesën e testeve që po përballet Kosova gjatë pandemisë.

Sipas Rakës, betejën e parë me Coronavirusin në Kosovë është  fituar, mirëpo luftën ende nuk e kemi fituar.

“Nëse e krahasojmë numrin e raste, të hospitalizuar dhe të vdekjeve Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve më mirë sesa që kemi menduar. Nëse merret parasysh edhe kapacitete që i ka Kosova dhe qe 20 vjet nuk është investuar në Shëndetësi. Secili shtet ka nevojë për teste, dhe ka mungesë globale. Edhe Kosova ballafaqohet me mungesë të testeve përkundër kërkesave të shumta”.

“Nuk ka furnizim të mjaftueshëm me teste. Betejën e parë me Coronavirusin në Kosovë e kemi fituar, mirëpo luftën ende nuk e kemi fituar. Prandaj, për ta fituar luftën duhen masat e parandalimit dhe të respektohen. Prandaj, secili qytetarë mund të  respektojnë distancën dhe mbajtjen e maskës. Nëse sillemi mirë atëherë do të kemi më pak të raste”, shtoi Raka. / KultPlus.com

Raka: Nuk duam që nesër mjeku juaj të vendos kush do të futet në respirator e kush do të vdesë në korridor

Lul Raka

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Bota po përballet me një pandemi të paparë nga një virus i padukshëm që ka mbyllur globin. Ende nuk kemi ilaç për shërim as vaksinë për parandalim. Prandaj, sot, 2.3 miliardë njerëz në botë janë mbyllur në shtëpi. Janë mbyllur, sepse ky virus nuk njeh kufij as superfuqi, nuk njeh Kryetarë as Kryministra, nuk njeh ligje as Kushtetutë.

Jemi mbyllur sot edhe ne në Kosovë, sepse nuk duam që nesër mjeku juaj të vendos kush do të futet në respirator e kush do të vdesë në korridor.

Është vështirë të qëndrosh mbyllur mes 4 muresh të shtëpisë me fëmijë që duan bukë në sofër, me të moshuar, të sëmurë kronikë e persona me aftësi të kufizuara që kërkojnë kujdes.

Mbase ke humbur pasurinë, punën, të nesërmen. Tashmë i ke bërë llogaritë dhe ke nxjerrë një numër. Por, jeta jote e as e më të dashurve tuaj nuk matet me numër. Nuk ka çmim. Pasurinë mund ta kthesh, por jetën e më të dashurve tuaj – JO.

Mos harroni se vdekja nga kjo murtajë moderne tashmë ka trokitur në 9 shtëpi në Kosovë duke marrë jetë prindërish, gjyshërish e nënash. Askush nuk e din se cila do të jetë shtëpia e 10, 20 apo 30.

Por, edhe në këtë kohë të vështirë, ajo që mposht çdo sfidë është shenjtëria e dashurisë së familjes, e cila është fuqizuar në këtë kohë pandemie. Ajo është 100 herë më e fuqishme se çdo virus.
Kemi qenë dhe mbetemi bashkë edhe kur na keni duartrokitur nga ballkoni, edhe kur na keni sharë nga salloni.

Unë, bashkë me të gjithë kolegët e mi në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim. Shëndeti juaj dhe i familjeve tuaja do të jetë ideali ynë deri në orët e fundit të këtij rrugëtimi të vështirë e të gjatë.

Tani më shumë se kurrë kemi nevojë të qëndrojmë bashkë!

Këto kufizime që kemi ndërmarrë ja vlejnë-sepse shpëtojnë jetë!

Kjo jetë e shpëtuar mund të jetë jeta jote ose familjarit tënd!

Urojmë dhe lutemi për Shëndet në Familjet Tuaja!

PO – DO TË FITOJMË!/ KultPlus.com