Komedia “Sundimi i Gruas” e regjisores Marigona Bekteshi- Ferati do të inskenohet në Shqipëri

Alberina Haxhijaj

Komedia “Sundimi i Gruas” nga Miro Gavran dhe me regji nga Marigona Bekteshi- Ferati, do të inskenohet për herë të parë në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati, ka gjetur një lidhshmëri me tekstet e autorit kroat Miro Gavran, dhe ka vënë në skenë disa herë pikërisht tekste të këtij dramaturgu. Një gjë të tillë ajo do e bëjë edhe në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës ku do të inskenojë shfaqjen “Sundimi i Gruas”.

Kjo shfaqje trajton temën e një gruaje me emrin Ana e cila jeton me burrin e saj të ri sepse ish burri i saj është dënuar me burg sepse kishte transferuar mijëra para nga banka. Por me shpalljen e burrit të Anës të pafajshëm nga organet e drejtësisë, ky i fundit kthehet në apartamentin e tij ku i duhet të jetojë me Anën dhe të dashurin e saj. Një situatë e cila e bënë komike shfaqjen.

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati për KultPlus, ka treguar se ajo do të vazhdojë inskenimin edhe të teksteve të tjera të cilat janë shkruar pikërisht nga dramaturgu Miro Gavran.

“Unë tani po punoj vetëm me tekstet e Miro Gavran dhe do të vazhdoj të inskenoj edhe tekste të tjera sepse është shumë aktual dhe ka tekste shumë familjare dhe me shumë stil. Miro Gavranështë një autor bashkëkohorë dhe shume aktual me veprat e tij dhe pa dyshim që edhe unë dua të punoj me veprat e tij”, u shpreh ajo.

Në këtë shfaqje do të luajnë Dori Caushi, Artan Islami dhe Margent Caushi. Skenografia dhe kostumet nga Drini Shehu, ndërsa kompozitor është Artur Dhamo.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria për Kulturë në Shqipëri dhe me vonë këtë projekt e ka mbështetur edhe Bashkia e Fierit. Kjo shfaqje është punuar në Kosovë para 2 viteve në Teatrin e Vushtrrisë, si temë masteri nga regjisorja, ndërsa po tani po inskenohet në Shqipëri edhe si dramë edhe si shfaqje për herë të parë.
Premiera e shfaqjes do të jetë në qytetin Vlorës, muajin e ardhshëm më 9 nëntor, në Teatrin “Petro Marko”./ KultPlus.com

“Si ta vrasim presidentin” me regji të Marigona Bekteshi-Ferati, sjellë dramaturgun e njohur kroat Miro Gavran në Kosovë

Gili Hoxhaj

“Si ta vrasim presidentin”, është shfaqja me tekst të dramaturgut të njohur kroat Miro Gavran, e me regji të regjisores nga Kosova, Marigona Bekteshi Ferati, që këtë të premte vjen premierë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Bekteshi- Ferati në një intervistë për KultPlus, ka treguar se është pikërisht kjo shfaqje, ajo që do ta sjellë në Kosovë autorin e njohur kroat Miro Gavran. Ky autor prinë në listën e autorëve më të përkthyer kroat, tekstet e të cilit kanë depërtuar në rreth 40 gjuhë të botës, ndërsa vetëm në premiera të shfaqjeve kanë arritur një numër me rreth tre milionë shikues. Bekteshi- Ferati thotë se e ka gjetur shumë veten në tekstet e shkrimtarit kroat Miro Gravan, pasi që, të gjitha zhvillimet brenda dramave të tij fillojnë tek familja, ndodhin brenda një dhome të ditës dhe rreth një tryeze të bukës.

“Ai është shumë i ngjashëm me gjuhën tonë, ka shumë të përbashkëta me kulturën tonë, me zhvillimet tona pasi që në kohën kur ai i ka shkruar dramat Kroacia veçse ka kaluar në atë proces në të cilin ne jemi duke kaluar. Për shkak se e ka vlerësuar punën time, pasi që, unë gjithmonë jam munduar që t’i promojë veprat e tij, ai ka komunikuar drejtpërdrejtë me mua dhe ka bërë që unë ta marr këtë mesazh për ardhjen e tij në premierën në Prishtinë”, tregoi regjisorja fillimisht për KultPlus.

Drama “Si ta vrasim presidentin” është dramë që flet për gjendjen e një vendi të Evropës që gjendet në tranzicion, andaj si e tillë edhe është lehtë e adaptueshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Heroi i kësaj shfaqje vjen përmes personazhit Igor 31 vjeç, i cili është kundër globalizimit dhe është i përgatitur të luftojë në çfarëdo forme për një botë të re. Vëllai i tij Robert, i cili është katërmbëdhjetë vjet më i vjetër, ka luftuar kundër socializmi derisa ishte i ri, por tani është shndërruar në konformist. Igor kthehet në atdheun e tij me të fejuarën e tij, Maria. Vëllai i tij Robert dhe gruaja e Robertit Stella, nuk i pëlqejnë pikëpamjet radikale të Igorit për globalizimin dhe anti-globalizimin, nga frika se kjo mund të kërcënojë karrierën e tyre dhe mirëqenien e familjes së tyre.

Marigona Bekteshi- Ferati u shpreh falënderuese ndaj stafit menaxherial të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Këshillit Drejtues dhe ekipit të shfaqjes që e mundësoi që kjo ëndërr e saj për ta realizuar këtë shfaqje po jetësohet.

Kjo është vepra e tretë e autorit Gavran me të cilën punon regjisorja Bekteshi-Ferati. Ajo thotë se tani e ka ndjerë që është momenti për ta inskenuar këtë tekst, i cili përshkruan situatën e një shteti në tranzicion ndërsa gjithë bisedat të cilat prekin fusha të ndryshme zhvillohen brenda komunikimit familjar.

“Pikërisht kjo shfaqje flet për vendet në tranzicion, për globalizmin, antiglobalizmin dhe kjo ka qenë pikërisht koha që unë ta inskenoj këtë vepër në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vepra sjellë dy lloje të personazheve, njëra palë që e mbron globalizimin dhe ana tjetër që është kundër globalizmit. Shfaqja flet për atë se si po shkatërrohen vendet e vogla dhe po robërohen nga vendet e mëdha”, tregoi ajo duke shtuar se në këtë shfaqje ka zgjedhur që publiku vet ta përcaktoj mesazhin e shfaqjes.

Në këtë dramë luajnë: Mirsad Ferati, Rabije Kryeziu, Fatmir Haliti dhe Njomza Tmava. Regjisorja tha se ky nuk është bashkëpunimi i parë me këta aktorë, pasi që me ta ka realizuar edhe shfaqjen e cila është dhënë premierë në Belgjikë “Sundimi i gruas”, andaj edhe nuk ka hezituar për një bashkëpunim të dytë me ta. Procesi sipas regjisores Bekteshi-Ferati, është shumë më i lehtë për shkak se e njohin natyrën e punës së njëri tjetrit.

Aktori Mirsad Ferati do ta sjellë rolin kryesor të shfaqjes, Igorin, i cili vjen nga kontinenti i Amerikës ndërsa paraqet një njeri idealist i cili beson se shtetet e mëdha po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre në botë për të shkatërruar vendet me të dobëta. Përballja me të afërmit e tij në vendlindje, do ta bëj që të ndihet i zhgënjyer dhe të vazhdoj përpjekjet deri në vetëflijim për mbrojtjen e idealeve të tij. Ferati thotë se nuk ka qenë aspak i lehtë realizimi i këtij roli sipas kërkesave të regjisores.

“Ky personazh është krejt i kundërt në krahasim me mua në jetën e përditshme dhe nuk ka qenë shumë e lehtë që ta formësoj në skenë këtë rol. Dua t’i falënderoi veçmas kolegët që kanë qenë bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm e që kjo ka bërë të realizohet një produkt shumë i mirë”, tregoi aktori Ferati për KultPlus.

Ndryshe nga Igori, vëllau i tij Roberti është një konformist që i përshtatet gjendjes aktuale ndërsa duhet të përballet me vëllain e tij që ka një pikëpamje krejt tjetër. Aktori Fatmir Haliti tha se bashkëpunon tashmë për të dytën herë me regjisoren Bekteshi-Ferati dhe pikërisht me tekst të Miro Gavranit.

“Kjo është hera e dytë që punoj me regjisoren Marigona Bekteshi-Ferati, është një regjisore shumë e mirë. Roli ka qenë shumë i vështirë por besoj që ia kemi arritur asaj që e kemi synuar. Të gjithë kemi pasur një komunikimi shumë të mirë gjatë tërë procesit të provave”, u shpreh Haliti për KultPlus.

Kjo shfaqje vjen me skenografi të Petrit Bakallit, kostumografi nga Vesa Kraja ndërsa muzika nga kompozitori Trimor Dhomi.

Premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin” vjen këtë të premte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 21:00. Hyrja në premierë është me bileta kurse repriza për publikun vjen të shtunën më 30 qershor./ KultPlus.com