Hidhen themelet e Teatrit të Ri, vijon puna për shtëpinë e re të aktrimit në Tiranë

Puna për hapjen e themeleve të Teatrit të Ri në kryeqytet po ecën me ritme të mira.

Makineritë e rënda kanë nisur punën për themelet e shtëpisë së re të aktrimit, e cila është konceptuar si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë. Projekti i arkitektit me famë botërore, Bjarke Ingels, ofron një ndërtesë me dizajn modern, që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për teatrin, por edhe për publikun.

Teatri i Ri do të ketë hapësira të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë edhe një hapësirë prej 200 metra katrorë, që do përdoret si sallë ndërrimi, një tjetër sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Po ashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun./atsh/KultPlus.com

Marigona Bekteshi nis studimet e post-doktoratës për Teatër, ndër të parat në Kosovë e rajon me këtë arritje shkencore

Marigona Bekteshi-Ferati e cila është ligjëruese e lëndëve ‘Histori e Regjisë’ dhe ‘Aktrimit’, ‘Praktika Regjisoriale’ dhe ‘Studimet Teatrore’ në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, së fundi ka filluar studimet e post-doktoratës në Universitetin e Portos në Portugali, e kjo arritje e bën atë të parën nga Kosova dhe rajoni që vijon studimet e post-doktoratës në këtë fushë.

Bekteshi-Ferati në një intervistë për KultPlus thotë se studimet e doktoratës i ka përfunduar në Bullgari në fakultetin ‘Akademia Kombëtare për Film dhe Teatër’ në Sofje dhe pasi mori titullin “Doktor i Shkencave Teatrale dhe Artit Teatral” dhe pas shumë përpjekjeve, iu mundësua edhe fillimi i studimeve të post-doktoratës.

“Unë që nga doktoratura kam realizuar shumë hulumtime, gjithmonë jam në kërkim të diçkaje që mungon në Kosovë të cilën unë e ndjej si obligim kombëtar, moral dhe profesional që me hapë disa rrugë të cilat janë ende të paprekura sidomos kur flasim për pjesën e post-doktoratës në Teatër. Në të gjitha hulumtimet që unë kam realizuar, post-doktoratë në teatër nuk ka as në vendet më të zhvilluara të Evropës”, u shpreh ajo.

Si një ndër personat e paktë edhe në botë që pritet ta arrijë këtë gradë shkencore, thotë se projekti i saj është i fokusuar në artin dramatik si një formë për ri integrim të viktimave të dhunës në familje. E ky propozim sipas Bekteshi-Feratit është pëlqyer shumë edhe nga vlerësuesit në Universitetin e Portos.

“Projekti im u ka bërë përshtypje sa që edhe pronën intelektuale të gjithë kësaj unë duhet ta lë në universitetin e Portos në Portugali sepse ka qenë kërkesë e tyre primare”, tha ajo për KultPlus.

Ajo më tutje dha më shumë detaje edhe për periudhën e studimeve të cilat do të fillojë nga tetori e të cilat shpreson që t’i përfundojë deri në dhjetor të vitit 2023.

“Së pari do të formohet ekipi kërkimor të cilin e kam në kuadër të Universitetit të Portos, dhe ekipi kërkimor do të punojë në kuadër të projektit kërkimor. Do të jem atje në tetor ku do të realizoj një punëtori me këtë ekip kërkimor dhe do të njoftohen ata me të gjithë procedurën. Edhe pse atje është një lehtësim sepse pothuajse të gjithë punën do ta bëjë ekipi kërkimor, unë vetëm do të jem udhëheqëse.”, tha Bekteshi-Ferati e cila shtoi më tutje se si kurorëzim i gjithë kësaj pune do të ketë edhe një shfaqje teatrale me rrëfime të viktimave që do të intervistohen në gjithë Evropën Juglindore.

Ajo shpreson se pas premierës në Porto, repriza e parë e kësaj shfaqje të jetë në Kosovë.

E pyetur nëse pas përfundimit të studimeve do të ketë bashkëpunime në Portugali ose vende të tjera, ajo thotë se dëshira e saj më e madhe është të vazhdojë të kontribuojë në Universitetin e Prishtinës, ndonëse është e hapur edhe për mundësi të tjera.

“Jam me opsione të hapura mirëpo dëshira ime më e madhe është të vazhdoj kontributin në Fakultetin e Arteve sepse teatri dhe arti në Kosovë është akoma i paeksploruar, ende ka hapësira me vepru më tepër duke e pasur parasysh nëse unë jam shqiptarja e vetme që jam në post-doktoratë në fushën e Teatrit ose në fushën e artit në përgjithësi atëherë kjo duhet të jetë një ftesë urgjente për gjeneratat e reja që të vazhdojnë më tutje edhe të ecin përpara sepse Kosova ka shumë nevojë që të sjellë tituj akademikë”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, duke qenë një qytetare e Mitrovicës, Marigona foli edhe për nivelin e performancës së teatrit në këtë qytet, e që sipas saj lë shumë për të dëshiruar.

“Ka tetë vite që Teatri i Mitrovicës nuk është teatër, nuk ka funksionuar si teatër për shkak të keqqeverisjes, po flasim në vitet e ish-qeverisjes, në të cilin aq shumë është dëmtuar ai teatër përveç që nuk i janë dhënë fonde teatrit, edhe i kanë marrë fonde teatrit”, thotë Bekteshi-Ferati, e cila përveç kritikave për keqqeverisjen në Teatrin e Mitrovicës, vlerëson lart talentin dhe punën e trupës rezidente të tij.

Po ashtu, ajo foli edhe për Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke shprehur se pavarësisht problemeve me të cilin ky institucion ballafaqohet, të gjitha shfaqjet që janë paraqitur në këtë teatër janë meritore. / KultPlus.com

‘Është e tmerrshme që ekzistojnë armët nukleare me të cilat njerëzit kërcënohen’

Aktori Robert De Niro ka folur për pushtimin rus të Ukrainës kur u shfaq para studentëve në Universitetin e Kembrixhit për të mbajtur një fjalim, përcjell KultPlus.

Ai foli për karrierën e tij të aktrimit, por kur u pyet për pikëpamjet e tij për Ukrainën, ai tha: “Duhet të ngrihesh dhe të thuash ‘nuk mund ta bësh këtë, është gabim’.

“Duhet të bëjmë diçka për të ndaluar këtë lloj agresioni. Është kaq e thjeshtë. Nuk ka të bëjë as me demokracinë, ka të bëjë me të drejtën dhe të gabuarën – të vërtetën”.

Aktori vuri në dyshim nëse sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të funksiononin.

“Sanksionet – nuk e di se si funksionon me të vërtetë, disi po, por nuk e di sa kafshim kanë, çfarë dhëmbësh kanë – kjo është me të vërtetë pyetja ime”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi edhe pjesën e armëve bërthamore dhe se sa të rrëzikshme janë ato.

“Dhe gjithashtu, kjo është një gjë e tmerrshme për të qenë të vetëdijshëm, se ne kemi armë bërthamore me të cilat njerëzit kërcënojnë… nëse i përdorni ato, asgjë s’do të jetë si më parë. Nuk mund ta imagjinoj këtë botë në atë gjendje”, tha ai.

Sot janë bërë 11 ditë që kur Ukraina është pushtuar nga Rusia. /KultPlus.com

Të jesh e veçantë sikur Tinka Kurti (VIDEO)

Tinka Kurti mbetet ndër ato aktore të cilat nuk i janë dorëzuar lehtë ligjit të natyrës.

Aktorja e njohur shqiptare, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, gjithmonë ka ditur të mahnitë publikun shqiptar dhe atë ballkanik me rolet e saj.

E lindur në Bosnje, nga një baba shqiptar dhe nënë hungareze, ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë e rinisë në Shkodër, aty ku edhe ka xhiruar disa filma.

“Nuk i frikësohem plakjes, madje as vdekjes. I frikësohem pleqërisë së trurit, dhe kur të vije ai moment do të jem dyfish e vdekur. Ja pse dua të punoj” thotë Tinka Kurti.

“Bota”, “Etjet e Kosovës”, “Zemra e nënës”, “Si gjithë të tjerët” janë disa prej roleve ndër vite që Tinka i solli me mjeshtërinë që e karakterizon, me karizmën prej një gruaje të fuqishme që mund ta përqafojë secilin skenar që është i denjë për të.

“Jam shumë kritike ndaj vetes për rolet që kam lozur ndër vite, dhe prandaj të thashë dhe pak më lart se nuk i shikoj filmat” pati thënë Tinka në një intervistë të mëhershme të sajën.

Të jesh e veçantë si Tinka Kurti, po, është e vështirë. Ende e gatshme të lexojë libra, të analizojë përreth saj, Tinka Kurti është aktore që nuk e ka secili shtet. Një fshat në Shqipëri, fshati Lekbibaj, ka një shkollë e cila është emëruar me emrin e saj.

“Lexoj shumë, nuk ngopem duke lexuar. Sa herë që ka dhe panaire libri shkoj, madje i falënderoj shumë se dhe na dhurojnë libra” pohon artistja shqiptare e cila ka marrë edhe medalje shtetërore për karrierën e saj.
Dhe ndoshta nuk e keni ditur, por Tinka ishte vetëm 16 vjeçare kur nisi karrierën në teatër, aty ku nuk ka reshtur së shkëlqyeri. Që nga viti 1949 ajo ka luajtur në rreth 120 drama, numër ky i madh në bagazhin artistik të aktores.

Ajo ishte aktore në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë – “Tana”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Po, të jesh e vecantë si Tinka Kurti është e vështirë, por ajo është një grua e rritur në një frymë plot pozitivitet dhe po këtë virtyt ajo e reflekton edhe sot në moshë më të shtyrë. / KultPlus.com