Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti udhëtuan për në SHBA, nënshkruajnë marrëveshje me MCC

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale. / KultPlus.com

Shqipëria dhe Amerika me marrëveshje kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë Matthew Lussenhop u takuan në Uashington D.C. për të firmosur një Marrëveshje Mirëkuptimi në lidhje me vendosjen e kufizimeve në importin e kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

“Sot hodhëm një hap të rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here në luftën e përbashkët kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore”, tha Margariti, teksa theksoi se “edhe një herë Shqipëria radhitet në krah të SHBA për një qëllim madhor, atë të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.

Ministrja vuri në dukje se, “ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të pasojë nga një plan masash, që lind si nevojë e reformave të mëdha, nën frymën e reformës në drejtësi, por këtë herë në trashëgiminë kulturore”.

Sipas saj, qeveria shqiptare shpreh angazhimin e plotë për të qenë partner i denjë në këtë nismë, që nuk fillon e mbaron vetëm në Shqipëri.

“Deri në këtë moment nënshkrimi, kemi përshkuar një rrugëtim, për suksesin e të cilit do të doja të falenderoja në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët tanë të ngushtë në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe atë Shqiptare në Uashington D.C., për ndihmën e pakursyer”, tha Margariti.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, u shpreh se “dita e sotme shënjon një tjetër moment historik në shkëmbimet kulturore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

“Kjo Marrëveshje do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga Shqipëria.

Në 20 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë treguar mbështetjen e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Kjo marrëveshje dypalëshe për trashëgiminë kulturore është një angazhim i qeverisë së SHBA për të mbrojtur humbjen e pazëvendësueshme të kësaj pasurie.

Ne mirëpresim të punojmë me institucionet shqiptare për zbatimin me sukses të kësaj Marrëveshjeje” shprehet Ambasada e SHBA-së./atsh/ KultPlus.com

Shqipëria e Turqia me marrëveshje bashkëpunimi në kulturë e trashëgimi kulturore

Ajo që kishte nisur në fillim të këtij viti me marrëveshje për restaurim të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është pasuar së fundmi edhe me një marrëveshje tjetër mes ministrive të Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë.

Krejt kjo ka ndodhur jo pak kohë pas rastit kundërthënës të investimit të TIKA-s në Hamamin e Madh të Prishtinës, i cili, sipas projektit turk, planifikohej të tjetërsohej edhe në emër, duke u quajtur si “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Por për ministren e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, marrëveshja e firmosur në Gjirokastër nuk është vetëm “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në fusha të tjera të artit si kinematografi, botime, përkthime e shkëmbime kulturore”

Përvoja jo fort e mirë me autoritetet turke rreth investimeve në objektet e trashëgimisë kulturore nuk është parë si pengesë nga institucionet e shtetit shqiptar. Rreth dy javë më parë, Komuna e Prishtinës dhe Agjencia qeveritare Turke për Zhvillim dhe Rindërtim (TICA) nënshkruan memorandum bashkëpunimi për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Me projektin në vlerë prej 1 milion eurosh synohej “rikthimi i origjinalitetit” të objektit gati pesëshekullor. Por videot e projektit kishin bërë me dije se ai qe emëruar si “Fatih Hamami Müzesi” (në shqip “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”).

Fill pas raportimit të KOHËS për projektin që po tjetërsonte monumentin edhe në emër, në opinionin publik ishin ngritur shqetësime të shumta për emërtimin e ri që lidhej me emrin e sulltanit të gjysmës së dytë të shekullit 15, Mehmeti II, me emrin e të cilit lidhet pushtimi i Kostandinopojës dhe një pjese e konsiderueshme e Ballkanit Jugor.

Me këtë sulltan lidhen po ashtu edhe fushatat e egra perandorake ndaj tokave arbërore, sikundër edhe pushtimi i Krujës dhe Shkodrës që shënoi pushtimin e Arbërisë pas rezistencës gjysmëshekullore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

E me një marrëveshje të përbashkët, Shqipëria dhe Turqia synojnë që të bashkëpunojnë në fushën e artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftës kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit.

Nënshkrimi është bërë të enjten pasdite në shtëpinë e Zekatëve, njërit prej objekteve më karakteristike në qytetin historik të Gjirokastrës, mes ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologut të saj turk, Mehmet Ersoy.

“Një firmë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë”, e ka cilësuar këtë marrëveshje ministrja Margariti.

“Pas bashkëpunimeve të suksesshme në fushën e restaurimit, të tjera projekte të mëdha na presin përpara”, ka bërë me dije Margariti në njoftimin e afishuar në “Facebook” pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, ministri turk Ersoy ka vizituar edhe godinën e restauruar të konvikteve studentore në Gjirokastër.

“TIKA ka zbatuar 532 projekte që prej krijimit të Zyrës së Koordinimit”, ka bërë të ditur ministri turk Ersoy në faqen e tij në “Facebook”.

Edhe investimi tjetër në Xhaminë e Plumbit, në Shkodër, nuk kishte kaluar pa kritika në opinion.

Gjatë vizitës në Ankara në fillim të këtij viti, ministrja Margariti kishte nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për, siç ishte thënë, “restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet në Xhaminë e Shkodrës”. /atsh/ KultPlus.com