Mbledhje komemorative për dirigjentin Bajar Berisha, kolegët: Urojmë të jetë artisti i fundit që shkon pa iu dhënë vendi i merituar

Vjollca Duraku

Me një minutë duartrokitje është nderuar sot dirigjenti Bajar Berisha në mbledhjen komemorative të mbajtur në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Berisha vdiq më datë 3 janar në moshën 73 vjeçare dhe me largimin e tij nga jeta, Kosova humbi një nga figurat më të shquara dhe frymëzuese.

Krijimtaria e tij artistike është testamenti që ai la pas dhe për të nderua jetën dhe veprën e këtij personaliteti sa të shquar aq edhe modest, kolegë, studentë, familjar e artdashës të shumtë ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni. Mbledhja komemorative filloi me një fjalim shumë të ndjerë të profesoreshës universitare Rreze Kryeziu-Breznica, e cila dirigjentin Berisha mbi të gjitha e quajti dirigjent, gjuhëtar, shkencëtar e mjek të shquar.

“Bajar Berisha ishte një pasionant i pashoq për muzikën klasike, në të cilën integroi shumë fusha duke sjellë kështu një perspektivë të pasur dhe ndryshe. Dhe tërë kjo shtrihej nga aftësitë e tij të larta si dirigjent e deri te puna e tij frymëzuese me studentë”, ka thënë profesoresha Rreze Kryeziu- Breznica.

Ndërsa, profesori Valton Beqiri evakuoi kujtime nga bashkëpunimi me dirigjentin Bajar Berisha, duke e çmuar lartë jetën dhe veprën e tij, duke e cilësuar si një profesionist të jashtëzakonshëm.

“Shpresoj thellë që profesori Bajar Berisha do të jetë artisti i fundit i cili shkon nga kjo jetë pa ju dhënë vendi i merituar, ashtu siç e meriton dhe sa e meriton. Uroj që me këtë rast të jetë artisti i fundit i cili nderohet pas vdekjes kurse të gjithë të tjerët duhet te nderohen sa të jenë gjallë dhe shpresojmë që institucionet dhe ne si njerëz, si kolegë duhet të ja dimë vlerën njëri-tjetrit sa jemi gjallë”, u shpreh Beqiri.

Ndërsa profesoresha Besa Luzha, në emër të saj dhe të profesoreshës Lejla Pula, po ashtu u shprehu ngushëllime familjarëve dhe komunitetit artistik.

“Ai mbetet i paharruar për komunitetin tonë artistik, për studentët dhe për shoqërinë tonë të gjerë për punën dhe kontributin e tij të madh në fushën e muzikës artistike, duke i takuar gjeneratës që vendosi gurëthemelin e arsimit dhe edukimit të lartë muzikor në Kosovë, qysh në vitet e 70-ta”, ka thënë profesoresha Luzha duke shtuar tutje se kontributi i tij në këtë drejtim gjithmonë do të jetë i shënuar në histori.

“Ai njihej si një entuziast i pashoq, shquhej  gjithnjë për talentin e tij burimor, muzikën nuk e kishte profesion por më tepër pasion dhe sado që ishte i zhytur në botën e tij shumë të sofistikuar, të veçantë dhe specifike me të cilën veçohej nga komuniteti i gjerë artistik”, ka thënë Luzha duke ftuar shoqërinë për reflektim, për të çmuar vlerat siç ishte profesori Bajar Berisha.

“Pas ikjes së njerëzve tanë kaq të çmuar, si në këtë rast që është një artist muzikor i nivelit profesional në dekadat e fundit, do të ishte mirë që të gjithë së bashku të reflektojmë kolektivisht si shoqëri e të mundohemi të mos harrojmë t’i ruajmë vlerat tona kulmore, të vërtetuara e të njëmendta artistike si pasuri dhe si trashëgimi tonën. Duhet gjithsesi t’i afirmojmë fuqishëm duke mos lejuar të anashkalohen këto vlera me të cilat mund të mburremi para gjithë botës”, përfundoi Luzha.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, në këtë mbledhje komemorative u interpretuan edhe dy pika artistike. Pika e parë u interpretua nga violinisti Rron Bakalli dhe pianisti Andi Duraku të cilët sollën veprën Schindler’s list të John Williams. Ndërsa pika e dytë u interpretua nga sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar në piano nga Valton Beqiri me veprën Ave Maria të Giulio Caccini me tinguj mjaft të ndjerë, përmes të cilëve publiku me melankoli shpalosnin kujtimet për dirigjentin e ndjerë. / KultPlus.com

Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku që u vra dje në Zveçan nga një sulm i serbëve.

Kjo mbledhje do të nisë në orën 12:30, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.

“Nën patronatin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe  Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, të  rreshter Afrim Bunjaku, organizohet mbledhje komemorative,  ku do të marrin pjesë familja e rreshter Afrim Bunjakut, personalitetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë.” / KultPlus.com

Mbledhje komemorative për Arsim Fehmiu, Çeku: Kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë

Një nga personalitetet që kontribuoi shumë në fushën e sportit përgjatë gjithë jetës së tij, profesori i ndjerë Arsim Fehmiu u kujtua sot në mbledhjen komemorative organizuar për nder të tij.

Në ceremoninë lamtumirëse që u mbajt në Kino Armata morën pjesë Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, familjarë, pjesëtarë të komunitetit të sportit dhe miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit.

Para të pranishmëve foli Ministri Çeku, i cili tha që ikja e profesor Fehmiut nga kjo botë ka lënë boshllëk të madh në shoqërinë tonë e në komunitetin e sportit në veçanti, ndërsa theksoi që kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë, duke folur gjithashtu për përkushtimin që kishte ai për edukimin e gjeneratave të tëra në sport.

Ndërsa pedagodu sportiv, Jakup Kasapolli, ndau me të pranishmit disa nga bisedat që kishte së fundi me mikun e tij të ndjerë. Foli për pasionin që kishte profesor Fehmiu për sportin dhe angazhimin e punën e tij në zhvillim të kësaj fushe deri në fund të jetës.

Fjalën po ashtu e mori profesori i sportit, Malsor Gjonbalaj i cili tha që profesor Fehmiu do të mbetet shembull për gjenerata të tëra.

Ndërsa në emër të familjes, djali i të ndjerit, Agon Fehmiu, falënderoi të pranishmit për respektin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni lamtumirëse ndërsa tregoi për ditët e fundit të jetës së profesorit, vullnetin për të shtyer përpara nisma të shumta në fushën e sportit. / KultPlus.com

Akademi përkujtimore për Robert Elsie

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës sot do të mbajë një mbledhje komemorative për ndarjen nga jeta të albanologut Robert Elsie.

Kjo mbledhje komemorative do të mbahet në mjediset e Akademisë së Shkencave me fillim nga ora 10:00.

Ky është njoftimi i plotë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsie-t, njërit nga albanologët më të shquar të kohës sonë, studiues i gjuhës, i letërsisë, i historisë dhe të traditës shqiptare, përkthyes, hulumtues arkivash dhe dokumentesh të hershme, nga ato gjuhësore, historike, deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë.
I lindur në Vankuver të Kanadasë në vitin 1950 ai do të njihet shumë herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe do t’ia përkushtojë gjithë jetën thesareve të saj. I konsideruar si një nga penat më aktive të përhapjes së kulturës dhe të trashëgimisë sonë në botë, veprimtaria e tij, e gjerë dhe e gjithanshme, është shtrirë në disa gjuhë botërore të cilat i zotëronte ai si një poliglot i vërtetë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës ishte ai që nga viti 2000, duke konsideruar humbjen e tij të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Elsie, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare.
Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie, ASHAK do të mbajë një mbledhje përkujtimore në mjediset e Akademisë, më 4 tetor 2017, në orën 10./ KultPlus.com