Në kuadër të “Muajit të Librit” përkujtohet Mid’hat Frashëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Mid’hat Frashërin, në kuadër të “Muajit të Librit” me disa fjalë të mençura të thëna prej tij; “Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar.Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota”.

“Me këto fjalë të mençura të një prej mendjeve më të ndritura të kulturës shqiptare, Mid’hat Frashërit, ju uroj një muaj të mbarë”, tha Margariti.

Mid’hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Janinë më 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar. Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”. Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik. Nga viti 1897-1928 botoi me ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”. Në vitin 1909 botoi revistën “Diturija” në Selanik, në Konstancë dhe në Tiranë. Këto revista trajtuan çështje me rëndësi historike, gjuhësore, folkloristike dhe të traditave të popullit shqiptar.

Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike. Në Kongresin e Manastirit (1908) u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912.

U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës së Princ Vidit, u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe Punëve Botore. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore qëndroi në vende të ndryshme të Evropës.

Në vitin 1918 u emërua ministër i qeverisë së Turhan pashë Përmetit dhe anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë.

Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke. Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949. / KultPlus.com

Botohet vëllimi i gjashtë i veprës së dijetarit, Mid’hat Frashëri

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” publikoi sot në Tiranë vëllimin e gjashtë të veprës diplomatike, letrare dhe publicistike të dijetarit dhe veprimtarit të njohur Midhat Frashëri.

Diplomat dhe publicist, botues dhe historian, veprimtari i lëvizjes kombëtare Midhat Frashëri, ka lënë si trashëgim vëllime të konsiderueshme veprash, të cilat kanë qenë të ndaluara nga regjimi komunist.

Instituti i Studimeve Historike, Lumo Skëndo, po i nxjerr në dritë me së paku 12 vëllime krijimtarinë e veprimtarit të shquar Midhat Frashëri, pas censurës së rreptë të diktaturës komuniste.

Në vëllimin e gjashtë, që u publikua sot, përfshihet letërkëmbimi i Midhat Frashërit me figurat më të shquara shqiptare dhe botërore të kohës në fillim të shekullit të kaluar, kur po formohej shteti shqiptar.

Vëllimi përmban letra nga Rilindja Kombëtare deri në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar, nga koha kur ishte kryetar dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, drejtuar pjesëmarrësve në të, si Presidenti amerikan Wilson, si dhe Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Drejtuesi i Institutit dhe autor i hulumtimeve, Uran Butka, thotë se “Midhat Frashëri mbrojti me pasion Kosovën kundër politikave pushtetuese të shteteve fqinje. Edhe kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ai mbrojti çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare të shpërnguljes dhe shpopullimit të shqiptarëve”.

Letërkëmbimi i Midhat Frashërit përfshin një hapësirë të gjerë shqiptare, europiane dhe amerikane, dhe figurat më të shquara zyrtare dhe humaniste të kohës nga Janina në Boston, nga Bukureshti në Vlorë, nga Trieste në Londër, nga Sofia në Shkodër, nga Zyrihu në Romë, nga Parisi në Gjenevë, nga Viena në Nju Jork e nga Elbasani në Uashington.

Studiuesja Lindita Komani thotë se “Midhat Frashëri ishte një politikan vetësakrifikues dhe aspak oportunist, ai mori përsipër punët më të vështira diplomatike e shkencore, nuk pranoi karrierën parlamentare dhe as atë administrative, ndonëse mund të arrinte gjithcka me gjeninë e tij dhe prejardhjen familjare si bir i Abdyl Frashërit dhe nipi i Naim dhe Sami Frashërit”.

Letrat dhe telegramet e nxjerra me durim nga arkivi i shtetit shqiptar dhe burime të tjera janë me rëndësi për studiuesit, në ndriçimin e veprimtarisë së patriotëve shqiptarë në fillim të shekullit të kaluar.

Vëllimi i 6 i veprave të Midhat Frashërit pa dritën e botimit në 3 vjetorin e riatdhesimit të eshtrave të tij në Shqipëri nga SHBA, ku ndërroi jetë vite më parë.

Dijetari dhe politikani i njohur shqiptar, Midhat Frashëri, u përcoll në banesën e fundit në atdhe, sipas amanetit të tij, ku u nderua me ceremoni zyrtare, nga qytetarët e studiues, nga Akademia e Shkencave e deri pranë memorialit të vëllezërve Frashëri./VOA/KultPlus.com

“Dua të shoh Shqipërinë të lumtur, ty dua të të shoh si jam unë dhe unë të bëhem si je ti”

Mid’hat Frashëri

Dëgjo, mik, i thashë, a më sheh mua? Jam rritur në Stamboll dhe atje kam rrojtur. Prehjen që kam pasur atje, kurrë ndonjëherë s’e gjej dot këtu; rrogën që kam marrë atje, fort vështirë që ta gjej dhe këtu. Më sheh, jam në kalë me samar; atje isha me shemendëfer, me vapor të bukur, me karrocë të hijshme dhe me tramvaj. Ato shtëpi, ato teatro, ato librari, ato rroba, ato plaçka që gjeja në Stamboll, atë ëmbëlsi rrojtjeje, Shqipëria do edhe njëqind vjet që t’i gjejë. Unë, pra, për veten time dhe nga pikëpamja lëndore, kam humbur, po kam fituar një gjë të madhe moralisht; dua të shoh Shqipërinë të lumtur, dua të them,që ty dua të të shoh si jam unë dhe unë të bëhem si je ti. Edhe ti, or i mjerë, do të kesh gjithë fitimet: ti do të gjesh një shtet, do të gjesh një qeveri, do të kesh një rrugë dhe një urë, do të çosh djalin tënd në shkollë dhe ai djalë do të bëhet njeri!/ KultPlus.com

Prezantohet botimi anastatik i gazetës “Lirija”, themeluar nga Mid’hat Frashëri


Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Fondacioni Kulturor ALSAR prezantuan dje në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, botimin anastatik të gazetës “Lirija” (1908-1910), themeluar e botuar nga Mid’hat Frashëri.

Duke çmuar dhe vlerësuar veprën e gjerë kulturore, shkencore e atdhetare të Mit’hat Frashërit, si dhe në konsultim të vijueshëm me studiuesit e tij më të mirë, Biblioteka Kombëtare dhe Fondacioni Kulturor ALSAR, gjykuan të vlefshme të pasuronin bibliotekat e sotme me një botim të ri anastatik: botimin e gazetës që ai themeloi më 1908 dhe e botoi deri në vitin 1910, me titullin simbolik “Lirija”.

Shfletimi i gazetës “Lirija” në tërësinë e saj krijon kushtet ideale për një njohje e studim më të thelluar të veprimtarisë publicistike e politike të Lumo Skëndos si dhe për të rrokur më mirë kontekstin politik e kulturor në të cilin u botua.

Titulli “Lirija” bazohet mbi konceptin e lirisë që buronte nga parimet universale të të drejtave njerëzore, mbi të cilat Lumo Skëndo ngre vizionin e tij civil e politik. Ai e konceptoi të lidhur fort me të drejtën e fjalës së lirë, të shprehur prej njerëzish të lirë e sidomos, në kushtet e specifikës shqiptare, edhe të shqiptuar e të shkruar në gjuhën amtare, si shprehje parësore e një lirie të mohuar prej një kohe të gjatë.

Studimet shqiptare, së bashku me botimet shkencore, kulturore, publicistike e dokumentare, kanë si tipar të tyre gjatë dekadës së fundit edhe rikthimin gjithnjë e më sistematik te vepra madhore e Mid’hat Frashërit.

Falë këtij rikthimi, bota jonë kulturore jo vetëm po pasurohet me një personalitet qendror e themelor, por rimerr në duar edhe një kontribut marramendës kulturor e shkencor, shqyrtimi i të cilit po ridimensionon shumë aspekte të trashëgimisë sonë diturore e kulturore.

Gazeta “Lirija” (1908-1910)

E përjavshmja “Lirija”, një gazetë politike, shoqërore, kulturore, letrare, historike me katër faqe, doli për herë të parë më 14 korrik 1908 në Selanik të Greqisë. Gazeta shtypej në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit me shkronjat e alfabetit të Stambollit. Nga numri 10 (më 2 tetor 1908) drejtor i saj qe Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri).

E themeluar një javë pas revolucionit xhonturk, “Lirija” hyri në gazetarinë shqipe të kohës si pararendëse dhe përçuese e një politike reformiste e të moderuar kombëtare, që mbështetej me besim të madh, por edhe me shpresë të vagët në Kushtetutën dhe premtimet e xhonturqve. Ajo promovoi një program të përshkuar nga ideja e kritikës së pandërprerë ndaj qeverisë së vjetër, tiranike e despotike, e cila i nëpërkëmbte shqiptarët, ua mohonte të gjithë liritë qytetare dhe të drejtat kombëtare.

Gjithashtu “Lirija” propagandoi mirëkuptimin me “Guvernën e re” dhe Parlamentin Osman. Por nga shtjellimet e problematikës së gjerë lihet të kuptohej se gazeta ishte ne dilemën përsa i përkiste politikës xhonturke. Në vlerësimet dhe qëndrimet e politikës turke ndaj Shqipërisë gazeta “Lirija” ishte e moderuar dhe rezervuar, ndërkohë që ishte pozicionuar hapur dhe ashpër kundër politikës së Austrisë dhe Italisë.

Një vend të rëndësishëm në faqet e gazetës “Lirija” zinte sigurisht çështja e gjuhës dhe e shkollës shqipe, pothuajse në çdo numër flitej për “ëmbëlsirën dhe bukurinë e shumtë që ka gjuha jonë”; për vullnetin e këmbënguljet e të mësuarit të gjuhës shqipe. “Lirija” e propagandonte domosdonë e gjuhës shqipe si faktor kohezioni por edhe si faktor diturie e qytetarie.

Duke folur për themelimin “e një shoqërie literate” në Stamboll, gazeta nënvizonte se “kjo gjuhë është shenj’ e gjallërisë dhe e rojtjes sënë”. Në faqet e gazetës “Lirija” historianët e arsimit shqip gjejnë të dhënat e para për promovimin e shkollës së Elbasanit, dyert e së cilës u hapën 24 tetor në 6 klasa paralele dhe për çeljen e shkollave në gjuhën shqipe në fshatra malore të Shpatit të Elbasanit.

“Lirija” qe pasqyrë e ecurisë dhe e zhvillimeve të shkollës dhe kulturës shqipe. Në faqet e saj historianët e letërsisë gjejnë “shënimet” kritike për fillimet e poezisë. Në një varg shkrimesh për shkollën diturinë dhe kulturën gazeta pasqyronte veprimtarinë e 12 klubeve që ishin krijuar në qytetet kryesore shqiptare, programet dhe rolin e tyre në ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Një vend të posaçëm në faqet e gazetës “Lirija” zuri nisma e Klubit të Manastirit, një prej institucioneve të para atdhetare, për thirrjen e një tubimi mbarëkombëtar ku të rriheshin mendime dhe të merreshin vendime mbi shkronjat e gjuhës shqipe. Për të mbajtur lexuesin të lidhur me këtë ngjarje të madhe gazeta botoi radhazi disa shkrime kushtuar Kongresit të Manastirit për ‘abenë’ shqipe duke dhënë informacion për të gjitha përgatitjet dhe zhvillimet e punimeve të Tij.

E përjavshmja shquhej për profesionalizëm dhe gjuhë të kultivuar. Ajo përdorte disa prej formave të pasqyrimit publicistik si: korrespondenca e letra, skica dhe shënime publicistike, artikullin-analizë dhe komentin e shkurtër, reportazhin informativ dhe reportazhin shënime udhëtimi. Për sa i përket reportazhit informativ ai konceptohej dhe realizohej thjesht me ngarkesa informative si “Provimet e shkollave shqipe në Korçë”, “Mitingu në Elbasan kundër shkronjave të huaja”, “Mitingu në Korçë kundra shkronjave arabisht”, etj. Këto lloj shkrimesh jepnin të dhëna të tilla që me kalimin e kokës, kanë marrë vlera dokumentuese historike.

Komentet dhe analizat kishin strukturën e një vështrimi ndaj një çështjeje a problemi qoftë edhe të një ideje të shkëputur nga realiteti siç qenë shkrimet: “Një vështrimës kohës së shkuarë ene ardhja” i botuar në numrin 50 (27 qershor 1909); “Ç’fituan nga Kongresi i Manastirit” i botuar në Nr, 17 (22 nëntor 1908) apo “Ç’u bë për shkrimet shqip” i botuar në Nr. 76 (20 shkurt 1910). Një sërë artikujsh të gazetës kishin strukturën edhe stilin e pamfletit.

“Lirija” vijoi pa ndërprerje me 108 numra deri në vitin 1910/atsh / KultPlus.com

Mid’hat Frashëri: Ne, shqiptarët, kemi bërë shumë faje, po kurrë ndonjëherë s’e kemi fëlliqur emrin tonë n’emër të fesë.

M’e madhe e uratave, që mund t’i bëhet një shtëpie, një familjeje, është të shkuarit mirë: po s’pati një shkuarje të mirë, një dashuri rreth vatrës, atë shtëpi e merr lumi. Grindja dhe zihja e shuajnë shumë më shpejt se zjarri e se vdekja. Për të pasur rrojtjen e ëmbël në gji të një familjeje, duhet që çdo njeri të bëjë pak theror nga dëshirat e tij, të heqë pak dorë nga egoizmi, të ndjejë fajet e tjetrit e të kuptojë fajet e tij.

Një komb është një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm. Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.

Altruizmi! Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!

Po ne kemi një veti tjetër të vyer: shkuarjen midis myslimanëve dhe të krishterëve.

T’i falemi një mijë herë Perëndisë dhe vetes, që grindjet e fesë nuk dihen pothuaj as fare në Shqipërinë tonë të dashur. Këto grindje fetare që kanë bërë kaq ligësi në Gjirit, Ermenistan, vepra I 257 Bullgari, Bosnjë, Maqedoni e gjetkë, gjithë këta tmerre, vendi ynë, lavdi pastë Zoti, s’i ka parë kurrë!

Besimet, që na urdhërojnë dashurinë dhe vëllazërinë, shumë herë për fat të keq, janë bërë shkak për më të gjaktat dhe më të egërtat e luftrave. Histori e kohës së mesme dhe ajo e mëvonshme është plot rrëfime mbi këto ngjarje të shëmtuara: njeriu vriste njeriun për t’i “shërbyer” Perëndisë! Njeriu hidhesh i gjallë në zjarr, që të gëzohej Perëndia! Oh, sa turpe ka punuar njeriu dhe sa hipokrit ka qenë, duke kallëzuar fenë dhe Perëndinë për çdo punë të papëlqyer, që ka bërë.

E themi prapë: ne, shqiptarët, kemi shumë të meta: kemi bërë shumë faje, po kurrë ndonjëherë s’e kemi fëlliqur emrin tonë me grindje dhe zihje n’emër të fesë. Për këtë gjë jemi madhështorë dhe kjo mirësi na jep shumë kurajë për kohën që do të vijë, se ky virtyt na jep shpresa të mëdha për kombin tonë.

Fetë, myslimanëria dhe krishterimi na këshillojnë shkuarjen mirë, urtësinë dhe vëllazërinë; kurrë këto fe s’na kanë thënë që të zihemi dhe të çirremi me shoku-shokun. Myslimani me të krishterin, katoliku me ortodoksin duhet të jetojnë si vëllezër q’i ka bërë Perëndia, duke mos pasur asnjë ndryshim as të ndarë në mes tyre. Ahere do ta kuptojmë gjithë bukurin’e njerëzisë, gjithë vleftën e kësaj jete: ahere do ta shohim dhe lumturin’e këtij kombi të gjorë, që ka vuajtur gjer më sot gjithë të këqijat e dheut.

Kjo lumturi, kjo vëllazëri e plotë, s’është gjë e mosbëshme; shikoni n’Amerikë dhe ne Zvicër sa shkojnë bukur katolikë me protestantë: secilido fen’e ka në zemër të tij, secilido besimin e ka në kraharor, po kjo s’i ndalon dot në të shkuarit mirë dhe gjithë këta njerëz rrojnë si vëllezër pa ndonjë ndryshim fare në mes të tyre.

S’ka dyshim që kjo ditë do të vijë dhe për ne.

Lumo Skëndo
Gazeta “Lirija”
Selanik, mars 1909

“Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”

Disa thënie për shqiptarët nga Mid’ hat Frashëri.

  1. Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit.

2. Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre.

3. Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

4. Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

5. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

6. Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

7. Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

8. Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

9. Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

10. Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

11. Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

12. Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

13. Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

14. Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

15. Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

16. Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet. /KultPlus.com

‘Gazetat sot janë tregti: shesin kartë të shtypur, si bakalli që shet djathë të kripur’

Mid’hat Frashëri konsiderohet si një personalitet i pa të dytë në historinë e elitave shqiptare, që i dha vendit gjithçka kishte dhe gjithçka mundi. Dje është mbajtur edhe ceremonia shtetërore e përmortshme e kthimit në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe kulturës kombëtare, Mid’hat Abdyl Frashëri.

KultPlus sot ju përcjellë disa thënie të Mid’hat Frashërit mbi gazetarinë e shtypin shqiptarë.

Gazetat sot në botë janë tregti: shesin kartë të shtypur, si bakalli që shet djathë të kripur.
Po në fillesë dhe më tepër akoma në shekullin që shkoi, në nisje të lindjes së kombeve, gazetat kanë qenë vegla ideje, organe për të frymëzuar patriotizmin, për të mbrojtur të drejtat e popullit, për të luftuar armikun.

Meqenëse edhe Shqipëria është në fillim të jetës politike, meqenëse nuk kemi shtyp të përditshëm, as posta të shpejta, duhet edhe fletët tona të jenë lajmëtarët e interesave të kombit dhe të vendit.
Në qoftë kështu, në qoftë se çdo botues ndjen madhërinë e detyrës, mendohem: sa prej fletoreve shqip, që shtypen sot, do të guxojnë të vazhdojnë botimin e tyre?

Mjerisht, shumë gazetarë kanë pandehur se fleta e tyre është një send pa rëndësi, si fjalët që thuhen në kafene, në mes të zemërimit dhe inatit, të hedhura në krahët e shtytjes së minutës, pa u menduar fundi, pa llogaritur ç’pemë, ç’dobi ose ç’dëm mund të bjerrin.

Çdo shkrimtar është një këshilltar, po gazetari është edhe më tepër akoma: një predikonjës, një njeri, fjalët e të cilit, të hedhura së sipri katedrës, mbeten e qëndrojnë. Edhe e shihni sa përgjegjësi ka ai që thotë ato fjalë./ KultPlus.com

Mid’hat Frashëri, i pa të dytë në historinë e elitave shqiptare

Mid’hat Frashëri është një personalitet i pa të dytë në historinë e elitave shqiptare, që i dha vendit gjithçka kishte dhe gjithçka mundi.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë shtetërore të përmortshme të kthimit të atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe kulturës kombëtare, Mid’hat Abdyl Frashëri.

Duke bërë një zbërthim të figurës së Mid’hat Frashërit në të gjitha dimensionet e tij, Kryeministri Edi Rama vlerëson publicistin por dhe njeriun politik, si dhe kontributin e tij në Kongresin e Manastirit, për një alfabet të njehsuar.

Rama vlerëson figurën e Lumo Skëndos në tempullin e letrave dhe të Mid’hat Frashërit për staturën e shtetarit.

Ndërsa e sjell Mid’hat Frashërin me gjithë potencialin e formimit të tij intelektual, Kryeministri nuk mund të lërë pa përmendur mbrujtjen e këtij personaliteti me atdhedashuri dhe patriotizëm që në fëmijërinë e hershme.

“I prirur qysh në krye të herës të vetëvritet politikisht ai nuk i negocion bindjet e tij”, shprehet Rama, ndërsa e cilëson “mishërim të shërbëtorit ndaj atdheut”.

Të lë pa frymë, vijon Kryeministri, “pozicionimi i tij në mbrojtje të popullsisë së çamërisë. “Raportet e tij nuk e shfaqin vetëm si mbrojtës të elementit shqiptar të keqtrajtuar jashtë kufijve, por edhe si një flamurmbajtës pa dallim etnie dhe feje”, thotë Rama.

Sipas Kryeministrit, Mid’hat Frashëri meriton mirënjohjen tonë sepse është bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetave të veta, pavarësisht çmimit që ato kanë.

Kush gabimisht e sheh këtë arkëmort si provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, Kryeministri u sjell në kujtesë shprehjen e Mid’hat Frashërit: “…nuk mund të kemi në mesin tonë njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”.

“Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar dhe dënuar në mungesë nga gjyqi i pafundëm raskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi trilluar dhe shpifur pa arsyetuar dhe gjykuar në ndershmëri dhe ndërgjegje. Mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më duke u vënë në gojë ato që nuk kanë thënë dhe menduar kurrë, dhe duke i lëshuar si flakadanë të përçarjes”, tha Rama, ndërsa shtoi se “kthimi i eshtrave të tij në atdhe nuk i merr askujt pjesën e vetë të historisë”.

Mid’hat Frashëri, vlerëson Rama, ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën një shembull i gjallë. “Koha pastroftë më tutje baltën që më së pari filluam t’ja pastrojmë sot”, përfundoi Rama. / KultPlus.com

Mbërrijnë në Shqipëri eshtrat e Mid’hat Frashërit, homazhe tek Akademia e Shkencave

Eshtrat e personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, Mid’hat Frashëri, kanë mbërritur në Shqipëri.

Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.

Homazhet për Mid’hat Frashërin do të zhvillohen në Akademinë e Shkencave, ndërsa eshtrat e tij do të varrosen pranë vëllezërve Frashëri.


Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj,Muho Xhakja,Astrit Sako,Braho Husi,Sulo Male,Hysni Aliko,Hajredin Peshkëpia,Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa,At Paul e V.Rado./ KultPlus.com

Në përkujtim të Mid’hat Frashërit

Më 10 nëntor, në Nju Jork do të mbahet një ceremoni për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, personalitetit të shquar shqiptar, që prehet në varrezat Ferncliff të Westchester-it.

Mid’hat Frashëri, i njohur edhe me emrin e letrave Lumo Skëndo, lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe vdiq në Nju Jork më 3 tetor 1949.

Ai la gjurmë të pashlyera si diplomat, shkrimtar dhe politikan, në disa nga periudhat më kritike për kombin shqiptar.

Zëri i Amerikës përgatiti këtë vështrim mbi jetën e Mid’hat Frashërit:

Mid’hat Frashëri ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nip i dy frashërllinjve të tjerë të mëdhenj, Samiut dhe Naimit, që të tre ideologë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Fakti që ishte pjesë e kësaj familje të shquar shqiptare ndikoi që Mid’hat Frashëri të bëhej qysh herët një luftëtar për bashkimin kombëtar dhe për edukimin e shqiptarëve në frymë patriotike. Librat u bënë miqtë e tij më të mirë. Mid’hati nisi të shkruajë kur ishte adoleshent, gjithnjë nën ndikimin e rilindasve të famshëm. Nga Naimi trashëgoi ndjeshmërinë e penës, nga Samiu dëshirën për dijen, nga i ati guximin për t’i dalë zot fateve të Shqipërisë.

“Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë punë të madhe,” shkruante ai në moshën 19-vjeçare. “Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma.”

Ndërkohë ai botoi edhe revistën Diturija, që është një thesar i paçmuar për kulturën shqiptare.

Mid’hati i kreu studimet në Stamboll dhe, pas mbarimit të shkollës, punoi në administratë në Stamboll e më pas në Selanik.

Në vitin 1908, kur ishte vetëm 28 vjeç, ai u bë një ndër njerëzit e shquar që ndihmuan në krijimin e alfabetit modern të gjuhës shqipe me Kongresin e Manastirit.

U zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit, ku u paraqitën disa propozime për abc-në shqipe. Si nënkryetar i Komisionit të Alfabetit, Mid’hati mbështeste alfabetin me gërma latine. Ishte koha kur ai kishte themeluar në Selanik gazetën “Lirija”.

Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në rënie e sipër dhe Shqipëria kërcënohej të copëtohej nga shtetet ballkanike, Mid’hat Frashëri erdhi në Shqipëri dhe u bë një ndër delegatët që firmosën Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Gjatë luftës së Parë Botërore, Mid’hat Frashëri u mor me shkrime dhe jetoi në Rumani e më pas në Zvicër për një farë kohe. Është periudha kur ai botoi me dhjetra shkrime politike, mesazhe, traktate dhe memorandume për të bërë të njohur Shqipërinë dhe çështjen e saj, që rrezikonte të humbiste në bisedimet për botën e pasluftës.

Disa libra të tij të kësaj periudhe si, “Shqiptarë dhe sllavë” botuar në frengjisht në Lozanë, janë studime të thella dhe trajtojnë me kompetencë prej historiani çështje të komplikuara dhe me interes për polemikat e hapura të asaj kohe.

Në nëntor 1920, Mid’hat Frashëri u emërua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, ku qëndroi deri në vitin 1922. Më vonë, në vitin 1923 u dërgua në Greqi për të hapur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Ahmet Zogut, Mid’hat Frashëri mbeti i larguar nga jeta publike. Ai hapi në Tiranë Librarinë Argus dhe u mor me punë studimore. Qëllimi ishte ndriçimi kulturor i shqiptarëve, kësaj here nga brenda Shqipërisë.

Librat ishin jeta e tij dhe numëroheshin me mijëra. Edhe sot, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë gjenden mbi 40 mijë libra të Mid’hat Frashërit, pjesë e ish-librarisë Lumo Skëndo.

Mid’hat Frashëri e kundërshtoi hapur pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939.

Menjëherë pas pushtimit, në shtëpinë e tij ai hodhi themelet e një organizate të rezistencës nacionaliste. Kjo shënoi rikthimin e tij në skenën politike të Shqipërisë.

Në vitin 1942, organizata do të dilte hapur me emrin Balli Kombëtar. Me synimin për të rikthyer pavarësinë e humbur të Shqipërisë, Mid’hat Frashëri fillimisht drejtoi rezistencën pasive dhe pas kësaj nisi ngritja e çetave.

Ishte koha kur në Shqipëri vepronin dy lëvizje që luftonin fashizmin: Balli Kombëtar dhe Nacionalçlirimtarja. Deri në gjysmën e parë të vitit 1943, ato vepronin paralelisht, madje edhe bashkëpunuan midis tyre.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur Italia kapitulloi dhe Gjermania naziste pushtoi Shqipërinë, Mid’hat Frashëri e bëri të qartë se Balli Kombëtar do të luftonte nazistët gjermanë ashtu siç kishte luftuar edhe fashistët.

Por konfrontimi i brendshëm ishte ashpërsuar dhe forcat komuniste e kishin përqendruar zjarrin mbi dy forcat nacionaliste: Ballin Kombëtar dhe Legalitetin.

Në fillim të tetorit 1943, Mid’hat Frashëri lëshoi një qarkore ku porosit komitetet krahinore të Ballit të pezullojnë përkohësisht veprimet luftarake kundër ushtrisë gjermane.

Komunistët do ta interpretonin më vonë këtë dokument si dëshmi se Mid’hat Frashëri kishte bashkëpunuar me gjermanët. Për kreun e Ballit kjo shënonte një tërheqje taktike, në kushtet kur gjermanët po thyheshin dhe ishin në rrugën e tërheqjes drejt Gjermanisë.

Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë, u përgjigjet kështu akuzave të historiografisë komuniste:

“Mid’hat Frashërin e kanë akuzuar veç të tjerave edhe si një kolaboracionist. Kam studiuar të gjitha arkivat, jo vetëm shqiptare, por edhe ato jugosllave, britanike, amerikane dhe mund të them se nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mid’hat Frashëri dhe Balli Kombëtar si organizatë të kenë bashkëpunuar me pushtuesit, qoftë italianë apo gjermanë. Nuk ka asnjë dokument të tillë.”

Mid’hat Frashëri gjykoi se lufta në dy fronte, me komunistët që i sulmonin ashpër nga njëra anë dhe me gjermanët në anën tjetër, do të ishte e papërballueshme.

Qartazi, taktika e tij ishte shmangia në maksimum e një lufte të brendshme, që mund të çonte në shkatërrimin e vendit. “Ne duhet të pranojmë të gjitha përgjegjësitë. I takon historisë të na gjykojë”, shkruante ai.

Fitorja e forcave komuniste në luftë, ndonëse do të festohej si një sukses dhe si epokë e re nga disa, ajo përfundimisht shënoi një robërim të ri të shqiptarëve: fillimin e një diktature komuniste gjakatare, njërën ndër më të egrat në Evropë.

“Të mos ishte komunizma, – shkruante ai, – Shqipëria ndoshta do të ishte vendi më i qetë dhe më pak i dëmtuar i Evropës.” Ai e quante komunizmin një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin por edhe shpirtin e njeriut.

Mid’hat Frashëri, i cili u arratis nga Shqipëria dhe doli në Brindizi në nëntor 1944, do të fillonte një betejë të re: organizimin e emigracionit shqiptar për t’ju kundërvënë realitetit të ri tragjik në Shqipëri.​

“Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëve nga toka jonë, – do të deklaronte ai, – detyroi shumë shqiptarë që të marrin udhën e mërgimit, jo për t’u larguar nga rreziku komunist, sesa për të vazhduar veprimtarinë e tyre dhe për të mos prerë marëdhëniet me fuqitë liberale të Oksidentit, me të cilat kishin qenë në kontakt edhe në Shqipëri.”

Më 26 gusht 1949 ai njoftoi në Paris krijimin e Komitetit Shqipëria e Lirë. Komiteti, i cili do të ishte një lloj qeverie demokratike në mërgim, u mbështet dhe u njoh nga qeveritë perëndimore.

Mid’hati udhëzonte që në Komitet të mos përfshiheshin njerëz që kishin bërë krime gjatë luftës. Ai ishte kundër përdorimit të dhunës për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri, por kërkonte imponimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Më 6 shtator 1949, ai deklaronte nga Radio Londra se: “Programi ynë është të fitojmë independencën dhe të sigurojmë integritetin e vendit tonë.”

Përsa i përket Kosovës, Mid’hat Frashëri jepte këtë formulim: Komiteti Shqipëria e Lirë beson se problemi i Kosovës do të zgjidhet me mjete paqësore dhe nëpër udhë ndërkombëtare.

Ngritja e Komitetit Shqipëria e Lirë ishte akti i fundit politik i Mid’hat Frashërit.

Nga Londra, ai shkoi në Nju Jork, ku Komiteti do të kishte selinë. Më 17 shtator, ai u shpreh kështu gjatë një pritjeje në Uashington: “Populli në Shqipëri duhet të dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lira dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita ditës.”

Por nuk kaluan as tre javë nga arritja në Amerikë dhe në 3 tetor 1949 Mid’hat Frashëri ndërroi jetë papritur në një hotel të Nju Jorkut. Atij iu dha lamtumira e fundit në Varrezën Ferncliff të Kontesë Westchester.

Edhe pse u nda nga jeta në një kohë kritike për Shqipërinë, vizioni i Mid’hat Frashërit për një atdhe të lirë nga komunizmi doli fitues. Ai kujtohet sot me respekt si dijetar, diplomat dhe politikan i një kalibri të veçantë, të cilit historia po i kthen borxhin ende të pashlyer.

Merr formë busti i Mid’hat Frashërit, që do të vendoset në Tiranë

Në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit eshtrat e atdhetarit Mid’hat Frashëri do të kthehen në atdhe, pasi prehen tash e 69 vjet në New York, aty ku rilindësi vdiq, më 3 tetor të vitit 1949.

Për këtë arsye, Qendra Kombëtare e Riprodhimit të Veprave të Artit po punon për të pasur gati bustin në nder të Mid’hat Frashërit, raportojnë mediat shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Me gjithë kalvarin e gjatë të Mid’hatit, më në fund u kthye tek nëna që e mbrujti dhe që e edukoi me këto ideale kaq fisnike. Ministria e Jashtme bashkë me Kryeministrinë dhe me përpjekjet e pashoqe të Uran Butkës e Tomas Frashërit, u bë e mundur që duke negociuar me shtetin amerikan, kockat e tij të vijnë nga Amerika e të prehen këtu”, ka thënë Agim Rada, drejtor i Qendrës Kombëtare të Riprodhimit të Veprave të Artit.

Busti i Mid’hat Frashërit do të vendoset krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit në Tiranë, në një ceremoni të veçantë, që është paralajmëruar të mbahet më 12 tetor./ KultPlus.com

Qeveria vendos të kthejë në atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

Për kthimin e eshtrave në atdhe të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Këshilli i Ministrave akordoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme fondin prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.

Vendimi i plotë

V E N D I M

PËR

KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /ata

U promovuan dy vëllimet e kompletit të veprës së Mid’hat Frashërit, u konsiderua si kthim i Mid’hat Frashërit në Kosovë

Instituti Albanologjik mirëpriti sot prezantimin e dy vëllimeve të para të kompletit të veprës së Mid’hat Frashërit. Vëllime këto të cilat u konsideruan nga të pranishmit si rikthim i Mid’hat Frashërit në Kosovë, troje këto të cilat ai më parë i kishte vizituar dhe kishte lënë edhe shënime për to, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Gjatë promovimit të këtyre dy vëllimeve u diskutua edhe mbi vizionin e Mid’hat Frashërit, i njohur në vepra edhe si Lumo Skëndo. Vizionet e të cilit janë mjaft aktual edhe sot për zhvillimet politike dhe strategjike në trojet shqiptare.
Drejtori i Instituti Albanologjik, Hysen Matoshi tha se ribotimi i çdo vepre në mënyrë të pacensuruar dhe duke shpërfaqur fakte nga e kaluara janë një vlerë kulturore e shtuar. Gjersa para të pranishmëve sqaroi më shumë përmbajtjen e vëllimit të parë.

“Gati 70-të vite pasi që dha frymën e fundit Mid’hat Frashëri, vjen me idetë e tij, me trashëgiminë shkrimore, por vjen në një format të ri, të plotë e funksional si një dëshmi e rrojtjes së tij shpirtërore dhe si një vlerë e jona kombëtare”, tha ai, gjersa diskutoi për veprimtaritë e shkrimtarit Frashëri dhe për njohjen e tij përtej dimensionit kulturor.
Drejtori i Instituti për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa tha se është e vështirë të flasim për një vepër e cila do të përmbajë disa vëllime, kjo sipas tij pasi që secili vëllim ka mbi 700 faqe.

“Do fokusohem vetëm në një aspekt të trajtimit të kulturës dhe veprave nga Lumo Skëndo si një republikë në termin e tij të veçantë. Shkrimet mbi kulturën dhe artin janë një pjesë e pandashme e shqetësimit të thellë dhe të vazhdueshëm të Mid’hat Frashërit. Shkrime, në të cilat përcillet vizioni largpamës dhe idealist e kulturologjik i tij i gërshetuar me ndjenjën realiste kritike”, tha ai duke shtuar se në sferën e shqetësimeve të Skëndos hyn një gamë e gjerë problemesh të kulturës dhe perspektivës së saj kombëtare dhe eurocentriste siç e quan ai.

Tutje për vëllimin e dytë diskutoi shefi i Degës së Historisë, Memli Krasniqi, i cili tha se kjo është një përmbledhje e shkrimeve të botuara në revistat e njohura shqiptare, në shtypin e huaj, fjalime, raporte diplomatike, vepra si dhe materiale arkivore të pabotuar më parë.
“Lumo Skëndo në shkrimet e tij jo vetëm që është përpjekur për zgjimin e përkatësisë kombëtare shqiptare por edhe ka kundërshtuar me argumente tezat anti-shqiptare të shteteve Ballkanike dhe përkrahësve të tyre”, tha ai, duke shtuar se disa nga idetë të cilat i ka dhënë shkrimtari Mid’hat Frashëri akoma janë të vlefshme dhe ai ka qenë ndër intelektualët e parë i cili qartësisht ka parë humnerën drejt të cilës po shkonte Perandoria Osmane e së bashku më të edhe shqiptarët.
Në anën tjetër duke e cilësuar si pasuri kombëtare, studiuesi Uran Butka thotë që Lumo Skëndo në shkrimet e tij ka qenë kritik ndaj politikave të Evropës dhe mendësisë shqiptare.
“Duke dëgjuar ligjërimet jashtëzakonisht të sakta mua më mbetet pak për të thënë për veprat e Mid’hat Frashërit, por si fillim dua të theksoj se mund ta konsideroj sot kthimin e Mid’hat Frashërit në Kosovë. Kosovës, të cilës ai i ka kushtuar vëmendjen dhe pjesën me të madhe të veprimtarisë së tij studiues, shkencore dhe politike. Mund ta konsideroj kthimin e tij në Prishtinë pas kaq vjetësh mohimi, e të tjera. Ajo që me emocionon është se ai kthehet sot në Institutin Albanologjik jo vetëm si një publicistë i çmuar historian, studiues, kulturolog, sociolog, e gjitha ato, por edhe si një albanolog si pjesë e Institutit Albanologjik”, tha ai.

Veprat e zgjedhura të Mid’hat Frashërit do të vijnë në një kolonë prej 13 vëllimesh, ku studiuesit dhe lexuesit shqiptarë do të njihen me vizionin e Lumo Skëndos për shqiptarët dhe politikat e saj. Ndërsa vëllimi i 14-të do të jetë bibliografia e Mid’hat Frashërit. Për këtë libër por edhe për librin “Sekretet e Luftës” nga Erald Kapri, libër i cili zbulon një Shqipëri tjetër përmes dokumenteve britanike, do të diskutohet edhe në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, sot në ora 13:00/KultPlus.com

Vepra e Mid’hat Frashërit, Uran Butka: Parashikoi çlirimin e Kosovës, foli edhe për çamët (VIDEO)

Vepra historike të botuara në shtypin periodik prestigjioz të Parisit, Londrës, Brukselit e Gjenevës, por edhe çështja e Epirit, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë, Turqinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-sllave, shohin dritë në vëllimin e dytë dedikuar veprës së Mid’hat Frashërit.

Nipi i Abdyl, Sami e Naim Frashërit, ligjërimet e Mid’hat Frashërit, figurës historike në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve nën cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar, vijnë për lexuesin për herë të parë nën optikën e një njeriu avangardë, që e shihte të ardhmen e Shqipërisë, shumë vite përpara.

“Ai sa një njeri që parashikon ngjarjet, është një parashikues gjenial i zhvillimeve historike në Shqipëri, parashikon edhe çlirimin e Kosovës, parashikon edhe zhvillime të tjera shqiptare, por në këtë botim veçoj shqetësimin e tij të madh për çështjen çame, që është edhe aktuale sot dhe pastaj relacionet e marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një kontribut shumë i madh, por edhe një mësim shumë i madh për politikën, për historinë, por edhe qytetarinë shqiptare”, tha Uran Butka, shkrimtar, studiues.

Butka shton se nga vepra e pasur e Lumo Skëndos janë ende 13 vëllime të tjera të pabotuara si edhe një biografi e tij./Top Channel/ KultPlus.com